Radiotelevizioni zviceran SRF, në një raportim për protestat e opozitës në Shqipëri, sqaron se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Korrespondenti i SRF për Europën Lindore, Peter Balzli, thotë “se trazirat e këtij intensiteti janë të jashtëzakonshme. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie të përkohshme deri në zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm. Kjo vjen pasi politikani i opozitës Ervin Salianji u arrestua për shpifje një javë më parë. Opozita e qendrës së djathtë flet për një “akt të verbër hakmarrjeje” të Ramës. Kundërshtarët e qeverisë vazhduan të protestojnë kundër arrestit shtëpiak të kreut të opozitës Sali Berisha dhe korrupsionit të shfrenuar”.
“Kryeministri Edi Rama ka njëmbëdhjetë vjet në pushtet. Gjatë kësaj kohe ai ka grumbulluar shumë pushtet”. Ai ka shumicën absolute në parlament. Sundimi i ligjit gjithashtu nuk është ende në nivelin e BE-së, tha Balzli. “Për vite me radhë, BE ka bërë thirrje që gjyqësori shqiptar të bëhet më i pavarur dhe transparent dhe të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër korrupsionit”.
Cilat janë shanset e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE? Shqipëria ka dhjetë vjet që është kandidate për anëtarësim në BE dhe negociatat vazhdojnë prej dy vitesh. “Megjithatë, pranimi është ende shumë larg”, thotë Peter Balzli. “Nga njëra anë, sepse BE-ja aktualisht nuk është shumë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj. Ajo ka punë të tjera për të bërë për momentin. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk është ende gati”.
Për të bërë të mundur anëtarësimin, Shqipëria dëshiron të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Një reformë në drejtësi që ka nisur që nga viti 2014 synon të ndihmojë në këtë.
“Por kjo është ende shumë larg. Shqipëria konsiderohet ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë”. sn