Sot në Shqipëri po mbahen zgjedhjet për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të 61 bashkive dhe për përbërjet e reja të këshillave bashkiake.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 10:00 ishte 8.08 për qind.
Në disa qendra ka vonesa në nisjen e procesit të votimit për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka probleme me paraqitjen e komisionarëve, kryesisht të Partisë Demokratike.
Gjithashtu, në mbarë Shqipërinë janë shfaqur probleme me pajisjet për identifikimin biometrik dhe për këtë arsye, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka urdhëruar që identifikimi i votuesve të bëhet manualisht, përkatësisht përmes listës së votuesve.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë 3 milionë e 653 mijë persona. Prej këtij numri, 122.545 janë qytetarë që do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës.
Në garën për drejtimin e 61 bashkive janë 144 kandidatë. Ndërkaq, për 1.603 ulëse në këshillat bashkiake garojnë 23.700 persona.
Në zgjedhjet e 14 majit janë regjistruar 40 parti dhe koalicione.
Në tri bashki, Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet në mënyrë elektronike.
Në pjesën më të madhe të bashkive gara zhvillohet mes Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë” që drejtohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, politikanë që në të kaluarën kanë mbajtur poste të larta drejtuese si kryeministër apo president i Shqipërisë.
Partia Demokratike, e cila drejtohet nga ushtruesi i detyrës, Enkelejd Alibeaj, ka kandidatë vetëm në 14 bashki. Kjo për shkak të përçarjes së Partisë Demokratike, pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të ish-liderit të këtij subjekti, Sali Berisha.
Kryetarët e bashkive zgjidhen përmes një sistemi mazhoritar, kurse anëtarët e këshillave zgjidhen sipas një sistemi proporcional me lista të mbyllura.
Për sigurimin e 5.211 qendrave të votimit, 92 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe 92 Vendnumërime të Votave, janë angazhuar 5.511 punonjës policie në të gjithë Shqipërinë, ndërsa 57 objekte të rëndësishme do të merren në ruajtje nga forcat komando.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve u evidentuan 54 raste të krimeve zgjedhore, ndërsa 88 persona janë nën hetim. Për krim zgjedhor, konkretisht për blerje votash në pranga përfundoi edhe kandidati i opozitës në Himarë, Alfred Beleri. Të shtunën gjykata e Vlorës, – qark që përfshin edhe Himarën – caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” dhe çështja në ngarkim të tij i ka kaluar Strukturës së Posaçme Antikorrpsion (SPAK).
Sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri, në listat e kandidatëve për këshilltarë, 50 për qind duhet të jenë gra dhe ky rregull është respektuar në këto zgjedhje, pasi në to garojë 11.800 kandidate.
Por, për kandidat për kryetar bashkie nuk ka kuota gjinore dhe vetëm 15 gra garojnë në zgjedhjet e së dielës.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vlerësuar se fushata zgjedhore është zhvilluar e qetë, ndërsa kanë shprehur shqetësim për akuzat e ndërsjella për blerje votash dhe për raportimet se administrata publike ka kryer aktivitete që shkonin në favor të shumicës, që ishin në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Pavarësisht se këto janë zgjedhje vendore, gjatë fushatës prioritet patën fjalimet e gjata të liderëve partiakë, duke lënë në hije kandidatët për kryetarë bashkie.