Në pjesëmarrjen e fundit të Hashim Thaçit, në shënimin e thyerjes të kufirit, në Koshare, ai hymnizoi Operacionin “Shigjeta”, “për aksionin e tij në thyerjen e kufirit Shqipëri-Kosovë”! Por në zbritjen shkallarëve të Kompeksit Memorial të Kosharës, Thaçi i thotë Kolonel Rrustem Berishës: “Ma fute thikën pas shpinës, pse më demantove se “”Operacioni “Shigjeta” nuk ka hise në betejën për thyerjen e kufirit në Koshare!”
Kolonel Rrustem Berisha i përgjigjet Hashimit se “unë të korrigjova, duke thënë të vërtetën se Operacioni “Shigjeta”, jo vetëm që nuk ishte pjesë e betejës dhe as e Luftës së Kosharës, por, për këtë emërtesë, kemi dëgjuar vetëm pas çlirimit”.
Këtë tendencë të falsifikimit të historisë më të re të Kosovës, e kemi denoncuar edhe më parë. Por, ja, që edhe sot, në 24 vjetorin e shënimit përkujtues të Betejës së lavdishme të Kosharës, u përsërit, qëllimshëm apo padijshëm, gjë që edhe u transmetua, të paktën, nga dy televizione qendrore: TV-21: “Në kuadrin e Operacionit “Shigjeta” është zhvilluar Beteja e Kosharës”…! Dhe, KTV, në shënimin e thyerje së kufirit, janë pjesëtarët e betejës të Operacionit “Shigjeta!
Realisht, Shtabi i Pashtrikut, i Fatmir Limaj me shokë, me Operacionin “Shigjeta”, kur po thyhej kufiri ndërshqiptar në Koshare, grindeshin, SHISH-i i Shqipërisë me SHIK-un e Kosovës, kush duhet të jetë shef i Shrabit të Pashtrikut. Ai dështoi ne operacionin e tij, sepse, të denoncuar dhe të spionuar u vranë në pritë të armikut, komandanti Mujë Krasniqi me 42 ushtarë; në kurthin e armikut, ky i ashtuquajturi Shtab, i futi në Lugështajën e Gorozhubit 148 ushtarë, 23 syrësh u vranë, të tjerët u plagosën, ose u zunë robër.
Shtabi hallakamë, pothuajse, fiktiv, inekzistent, pjesë e të cilit nuk pranoi të ishte Ekrem Rexha, alias Komandant “Drini”, i cili luftonte ndaras bashkë me luftëtarët e tij, sepse i përkiste krahut institucional, FARK-ut, tradhtinë e mbuloi me zhurmë mashtruese e falsifikuese, se “ushtarët, pjesë e Operacionit “Shigjeta”, bënë betejë të ashpër dhe heroike”! Ndërkohë, prita e zënë në dy shpatët e Lugështajës, në errësirën e natës, nuk kishte as mundësi teorike për rezistencë, madje as për t`u mbrojtur!
Pra, kemi rikthim të falsifikimit të historisë, ku thyerja e kufirit, falsifikueshëm, i faturohet Operacionit “Shigjeta”, edhe pse nuk kishte fare qasje në aksionin e 9 dhe 10 prillit 1999, e as para dhe pas këtyre datimeve. Pra, askurrë.
Njësia ushtarake në Tropojë, në vartësi të Garnizonit Ushtarak të Kukësit, i kërkon komandantit të këtij Garnizoni, Gjeneral Kudusi Lame, një -Top- që posedonin, t`ia dorëzojnë Komandës të Kosharës, përkatësisht, Komandantit Kolonel Rrustem Berisha. Gjeneral Lame, jo vetëm që refuzonë dorëzimin e -Topit- në fjalë, por edhe e kërcënon shefin e njësisë ushtarake në Tropojë, se “do të përgjigjesh penalisht, me ligjet ushtarake, në kushtet e luftës!” Megjithatë, oficeri atdhetar tropojan e dorëzoi -Topin- në Komandën e Kosharës. Dhe, tani, gënjen hapur se “urdhërova t`ia dorëzojë -Topin- UÇK-së”, sikur kemi të bëjmë me një ngjarje shekuj me parë dhe palët, dëshmitarë faktikë, nuk frymojnë më në këtë botë! Hajde rrenë, hajde!
Komandantët e luftës: Rrustem Berisha, Anton Quni, Skënder
Hasangjekaj, Nazif Ramabaja – meritojnë gradën e Gjeneralit
Mbizotëron opinioni gjithë shqiptarë se Lufta e Kosharës, legjitimoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, luftëbërësit, përkatësisht, udhëheqësit e një seri betejash, të cilat përbëjnë -Luftën e Kosharës-, nuk janë vlerësuar në përmasën e merituar. Gradimi -Gjeneral- i komandatëve të Kosharës, Fadil Hadërgjonaj dhe Hisen Berisha, u mirëpritë nga shqiptarët.
Realisht, shqiptarët i kanë të rralla luftërat e fituara. Drenicari Shaban Polluzha, me bilancin luftarak, 970 armiq të vrarë, përkundër 1050 luftëtarëve shqiptarë të vrarë, e parë nga raporti i pabarabartë të forcave në fushë-betejë, është llogaritur si fitore e komandantit Polluzha, me bashkëluftëtarë. Dhe, poashtu Lufta e Kosharës, me 114 luftëtarë të vrarë, përkundër 106 armiqëve të vrarë, konsiderohet fitore e Kolonel Berishës, me komandantët dhe ushtarët e tij, bazuar në raportin e forcave ushtarake dhe armatosje sipërore, siç ishte edhe Armata e III-të ushtarake jugosllave, e cila pësoi disfatë, në këtë përballje të pabarabartë.
Prandaj, ngritja meritore në gradën e -Gjeneralit- të komandantëve të Luftës të Kosharës, Rrustem Berisha, Anton Quni, Skendër Hasangjekaj, i plagosur rëndë në njërën nga betejat ballore në Koshare, si dhe të major Nazif Ramabaja, komandant i shquar në Betejën fitimtare të Loxhës, përkrah Heronjëve të Kosovës, Kolonel Tahir Zemaj, Rrutem Bruqaj, me luftëtarë, është kërkesë e bazuar e bashkëluftëtarëve dhe fort e dëshiruar nga shqiptarët e përbotshëm. Dhe, kjo listë emërore e komandantëve të dekoruar, ia vlenë të lihet hapur, për komandantë të tjerë të suksesshëm të Luftës të Kosharës.
Beteja e Loxhës, në qershorin e 1998, ishte përballja më e suksesshme me armikun pushtues. Për herë të parë u bë thyerja e mitit “të pathyeshmërisë të ushtrisë serbo-sllave!” Këtë e dëshmon edhe reagimi dëshpërues i komandës serbe, se, “në Betejën blic të Loxhës, u përballëm me ushtarakë profesionistë”. Ishte një pranim i humbjes të betejës, nga pala armike. Komanda fitimtare e Betejës së Loxhës, llogariti edhe mundësinë e hakmarrjes të ushtrisë armike, për humbjen e pësuar. Andaj, i mori në mbrojtje popullatën civile. Dhe, kjo ndodhi për herë të parë dhe të fundit në Kosovë.
Ka një lapsus jo vetëm gjuhësor, por edhe përmbajtësor, kur thuhet “Beteja e Kosharës”. Mund të themi beteja për thyerjen e kufirit në Koshare, por jo edhe Beteja e Kosharës. Sepse, për ndryshim nga Beteja e Loxhës, e cila ishte në njëjës, në Koshare janë bërë disa beteja, në vijimësi. Dhe, shumësia e këtyre betejave, përbëjnë -Luftën e Kosharës-.
Për luftën tmerruese në Koshare, Serbia ka bërë edhe një film-dokumentar, fakto-grafik, që më gjithë animet tendencioze, për dominim të luftës nga pala serbe, detyrohen ta pranojnë trimërinë, strategjinë dhe profesionalizmin ushtarak në fushë-betejë të luftëtarëve shqiptarë.