është vështirë të jesh poet në këtë qytet materialist
prej plutoni dhe hidrogjeni
është vështirë
të tallin
njerëzit e zarzavateve, djathit dhe mishit
gjithandej dëgjon lunch, dinner, breakfast
njeriu ka kohë që pështillet në mack donald’s
me qeska të kafta prej kanceri
mund të dëgjosh zogjtë që këndojnë përtej rrokaqiejve blu prej qielli
në drurët e parqeve
dhe të mbyllësh veshët prej alarmeve
një biondinkë të tregon zokthin
mishin trullosës të kofshëve
dhe ti duhet të kruash xhepat
se dashuria shitet si brekë dhe sutjena
asgjë s’ka mbetur pa dalë në treg
dhe libri i dostojevskit, balzakut, apo tolstoit
shitet te dyqanet e vjetërsirave
me cent
dhe të mendosh se krim e ndeshkim, xha gorioi
apo shekspiri
i lexon kacabuni, myku apo çimka
poet, mos na çaj dërrasa
ngri tulla
piq mish
shit akullore
laj banjo
pshurr dy shishe uiski
dhe pasi të kesh bërë dy punë
pallo ndonjë të zezë
apo aziatike sypickuar
digje natën me epsh të tërbuar
bëje hi në shtratin me njolla të dyshimta
dhe jepu para me grushte
se ndryshe s’të vijnë
po ti vargun di
t’i gjesh rimë të përkryer
një muaj një aliteracion
apo një asonancë divine
dhe vargun e kristaltë
ia reciton bakusit
me një brokë verë
dhe një lavire
në qoshkat më të ndyra
bromp, perëndi
për paul valery-në!
nuk fle qyteti materialist
shko më mirë në paris
në pier lashez
ngjall poetët e vdekur
dhe po s’pate forcë ta bësh këtë gjë
kthehu në qytetin materialist
që s’fle
dhe ëndrra nuk sheh!