Poshtë, shtrîmë në prêhën të tij, qyteti; nji amfithjatër pa masë, me kullat e bardha hallakatun ndër grupe të vogla ase mbë vete, mbë faqe ase mbi kurriz kodrash, disa me shpinë kah mali e sýt drejtuem andej larg deri ke brigjet e detit, do tjera ijën kah mali e faqen kah shoqet e veta, siç e kanë lypun kapricet topografike të vêndit, fytyrat e tyne të fshehuna pjesrisht nëpër degat e ullijvet si faqe të njoma vashash me flokët e mëndafshët të derdhun përpara. Mâ përtej Krasta, pararoja strategjike e qytetit, me shkrepat e këlqertë të saj, minierë e Krujës së vorfën, aty-këtu mbjellë me kumí këlqerje qi buçasin tym e flakë shkurresh. Dikur kjo ka qênë krejt e veshun me shkozë, shqopë e dushk qi ushqejshin tufa dhish dhe mbajshin qytetin me drû; mbandej nevoja e këlqeres për ditë mâ e madhe për vêndin e për qytetet e Durrsit e Tiranës e xhveshi gadi krejt. Kur punim’i linjitit, qi duket se s’mungon në tokën t’onë, ka për t’u zhvillue si duhet kumít e këlqeres do të fillojnë me punue me tê në forma moderne, atëherë Kruja ka me pasun nji fat ekonomik mâ të mirë, Krastën e vet prap të veshun, të gjelbër e të bukur edhe atê. Kur mbaron Krasta fillon fusha e Krujës. Nji katund i ksaj fushe ka monopolizue në gjuhën e vêndit kët’emën, quhet ai Fusha e Krûs. Por në të vërtetë kjo fushë shtrîhet për së gjati qyshë prej Ujit të Matës me Milot, Gurëz e breg deti deri në lum të Tërkuzit ku bashkohet me fushën e Tiranës; e për së gjâni ke merr fund Krasta e deri në lumë t’Ishmit e të Gjoles tue u kapun me fushën e Prezës. Soditsi i kalás së Krujës të tânë këtë panoramë, qyshë prej vetullës së Sarisalltikut, 500 metra mbi tê, e deri në buzë t’Adriatikut me kodrat gjelbrore të gjithë atyne fushave, me arnajë e livadhe, me dushknajë e zabele, me lumna e shena t’argjêntë qi gjarpnojnë nëpër to, me kullat e bardha të mbjella nga pak kudo, me malthin e Ishmit e kalán e Prezës dhe tutje deri në limanin e Durrsit e në qytetin e Tiranës, krejt e ka para sýve të këndellun të tij.
Por Krutani këtë thesar shpirtnuer qi i ka falë natyra në shtëpi të vet nuk e çmon. Atij, si gjâ e përditshme qi âsht, i u ka bâmë kjo nji gja e zakonshme. Âsht i përjashtmi qi i a ndien shijen e qi, t’i a ndiemen nji herë, s’ka për t’a harrue mâ në të tânë jetën e tij. Edhe ky veç, po vojt deri në qytet e i a përtoi me bâmë edhe ato 500 metra tërmale për me dalë deri në Sarisalltik, ka me mbetun si ai peregrini qi ka vizitue Vêndet e Shênjta e âsht kthye pa pamë vorrin e Krishtit në Jeruzalem ase Gurin e zí në Mekë. E dij, kush shkon me vizitue Krujën, për gja të shênjtë kishte me kërkue atje, në mos vorrin, qi mjerisht s’âsht mâ kurrkund, as në Lesh ku ka qênë, nemose nji kujtim ç’faret do të fatosit me të cilin lidhet ngusht emn’ i atij qyteti qe pesë shekuj e këndej. Por kot, kujtime t’atilla s’ka për të gjetun, posë kalás, e cila, as ajo s’paraqet fizionomín e kohës së Kastriotvet e t’Uranit (). As qi po e kam ndërmênd këtu un me i krahasue vizitorit të Krujës Shênjtin Sarisalltik të bektashijvet me Jezu-Krishtin e gjithë botës së krishtenë ase me Profetin Isá dhe Gurin e Zi të qabes së botës mohamedane. Sarisalltiku i gjorë s’ka kso pretendimesh. Por nj’ashtu sikur peregrini qi shkon në Jeruzalem e ai qi ve në Mekë nuk mund t’a quej detyrën e tij fetare të kryeme e as shpirtin e tij të kënaqun deri sa s’ka pamë edhe atë gjâ të shênjtë kryesore, po ashtu as turisti i Krujës, pa dalë edhe në majë t’atij mali, të cilin vêndi e thërret edhe me emnin e shênjtit qi ka lânë atje kujtimet e veta, s’e ka mbarue qëllimin turistik dhe në shpirtin e vet, pa ditun ka lânë nji gjymtí të paplotsueshme. Me nji mundim të vogël, nji hypje asaj faqje mali nji oret, të shumën dý për pa i u marrë fryma asnji herë ai do të kishte para sýve të tij panoramën mâ madhështore qi mund t’i paraqitet nji njeriu në jetën e vet: prej maleve të Leshës e deri ke baba-Tomorri në nji të përfshime sýni me gjithë ç’mban kjo mbrênda tokë e det. Qytet’i Krujës, qi pa dyshim ka për t’u bâmë nji ditë qêndra turistike mâ e rândsishmja në Shqipnín t’onë, qán për nji teleferik me majën e malit të vet. Kjo âsht e nevojshme sidomos për sedentarë shum’a pak si un, qi u pëlqen me këndellë sýt , por pa i mundue shumë kâmbët. Më bie ndër mênd kur qeshë ngjitun nji herë deri në qafë të Jungfrau-t (), me hekurudhën e posaçme t’atij mali për me pamë akullinëne famshme nên tê. Mbandej i shkrova nji letër Dom Lazër Shantojës, () të cilit veç artevet i pëlqente edhe turizma e alpinizma. M’u përgjegj: “Mos të qofsha falë pse ke hypun në 3500 metra…. me tren. A jé i zoti me u ngjitun kâmbë si un?”
Naltsija 1100 metrash dhe afrija me qytetin do t’a kishin bâmë malin e Krujës nji vênd verimi të çmueshëm. Por mjerisht i mungojnë gjâna të tjera shumë mâ të rândsishme për këtë shërbim. Mali ka trajtën e nji piramidi katërfaqsh të premë rregullisht me kryenajë rrafshore. Prandej të gjitha ernat, nga çdo anë qi të fryjnë , atje janë në shtëpi të vet. Mâ e shuma e sipërfaqes së kryenajës âsht fushë pa drûj, veç nji pjese t’anvet të veriut e të verilindjes. Në këto anë ka ah. Ujë n’atë mal ka fare pak, vetëm nji krue “ke Lugjt” pak pa mbërrîmë në buzët. I thonë “ke Lugjt”, se atje gjinden dy lugj të gjatë drûni për të pimë ujë gomarët qi bâjnë drû e patavra sidhe disa qind krenë dele qi dalin verës n’atë bjeshkë.
Heret, due me thânë deri në djalní t’eme, deri qi s’pat fillue vargu i papremë i mjerimeve të vêndit t’onë fatkeq me luftat ballkanike e, në daçim me pavarsín e tij qi do t’i sillte lumtunín, mund të them se s’ka pasun familje krutane – pa përjashtue edhe shumë katundarë – qi dilte n’atë mal për nji piknik në nji ditë vere të çdo vjete. Çilej stina ditën e Shën Gjergjit. Burra, grá, kalamâj shum’a pak të mbërrîshëm, kapshin përpjetën varg e varg, heret për me sosun në majë pa u shtrîmë dielli faqeá së malit. E shumta e burravet ishin t’armatosun, simbas zakonit, dhe argtimi mâ i madhi i tyne ishte me shtimë mbë nishan (qitja në shênj)
U ngrihshin tre a katër shênje në largsí të ndryshme, u dajshin burrat grupe-grupe, fillonte qitja, u gjuejshin shênjet nji herë, u ngrihshin prap e prap për së dyti e për së treti…. deri sa të gjithë vizitorët e Sarisalltikut t’a ndiejshin veten të nginjun me kët argtim. Mbrapa shetina, lojna të ndryshme, kângë burrash e grásh. Mâ në fund burrat i a nisshin pijes, prap me kângë e muhabet, grupe grupe e u përgatitshin për drekë. Mbas dreke pushim, gjumë deri qi t’u kthiellojshin kokat e turbullueme nga rakija, e rrushit ase e detit (mastika); q’atje së voni edhe nji herë qitje në shênj e nja nji orë a dý para se të ngrysej u niste gjindja për kthim, tufë-tufë, ku tue këndue e ku tue shtimë ase të dyja bashkë.
Stina e vizitave në Sarisalltik, e fillueme kështu ditën e Shën Gjergjit si nji peregrinim i përgjithshëm, vazhdonte deri në fund të gushtit. Por andej e mbrapa në nji tjetër formë. Dikuj i âsht shfaqun n’ândërr detyrimi me i kushtue nji kurban atij shênjti, dikush e ka pasë bâmë vetë këtë kusht si nji falënderim për nji të mirë, për nji gzim qi e ka gjetun, tjetri vetëm i âsht tekun me gzue veten, familjen edhe nji palë dashamirë të tij qi i pëlqente me ftue, gadi për ditë bâhej nji gostë, mâ të shumtën për drekë, por shpesh edhe për darkë, me nji, dý a tre desh për kurbana atje nën hijen e Sarisalltikut. Lëkurat e kurbanavet i jitshin falë teqes, dmth. dervishit qi e ruente. Teqja kishte gjelltoren e ênët qi duheshin për të hângër. Por s’ishin vetëm lëkurat e kurbanavet qi fitonte dervishi nga vizitat; shumë vizitorë i falshin edhe të holla. Për vizitorët qi flêjshin atje, Sarisalltiku ka edhe dý konaqe, nji me 4-5 oda edhe nji tjetër, këtë shi në buzë malit, me njo odë të vetme por të madhe. Të gjitha natyrisht përdhesa. Kështu, madje , edhe herë mbas here era s’e lên pa u a zbulue pullazin. Në qoftë se ai pullaz qi çon peshë era ka qênë ndërtue me bamirësí të dikuj, popull’i Krujës e përfol sikur bâmirsi i ka pasun ato pare haram e se prandej Shênjti Sarisalltik, qi s’e duron haramin, ka çue erën me e hjedhun poshtë.
Âsht interesante gojdhâna e këtij shênjti. Pikë së pari âsht rasa me shënue se në qoftë qi ai ka ekzistue njimênd ndonji herë moti nji njeri i përshpirtshëm n’atë majë mali, duhet të ketë qênë nji eremit. Vênd’i tij atje nalt âsht nji shpellë. Sdrypet nja tri metra thellë e aty nji bërryl i ksaj shpelle asht damë me mur, si nji sacrarium i shênjtit. Hýhet mbrênda prej nji dere të vogël. Në fund nji presë me dërrasa, mbrapa së cilës duket se do të jetë nji greminë. Kurrgjâ s’ka në këtë qelzë shkâmbi veç nji kutije drûni, ku të devotshmit qi hýjnë atje për me i u falë shênjtit hjedhin nga nji pare. Këta i a nisin qyshë prej prakut të derës me nderue e lutun shênjtin, qi s’ka lânë kurrfarë shênji aty, me zâ t’ulët vetë me vete e tue puthun muret e shpellës.
Nja dý metra mâ poshtë ka nji shtresë dërrasash në nji anë, mbuluem me nji hasër, ku mund t’ulen nja dhetë vetë rreth e përqark n’atë fresk shpelle. Dritë ka mjaft, se gryka e shpellës âsht e gjânë. Zbresim tekembramja edhe nja dhetë metra ma poshtë, nji palë shkallë gurit, ndërtuem fare rregull me nji prjerrje normale, edhe mbërrîjmë në nji krue me çep të mbyllun e me nji lug guri nên tê. Pijmë ujë. E ç’farë uji! Aq’ i ftohët, sa âsht gadi e pamundun me e mbarue nji gotë të tânë në nji hov. Mbas murit të kroit ka nji “depozitë”, qi nuk dij a âsht e natyrshme apo e ndërtueme. Përmbi tê qëndron nji “gur rrumbullak” si nji bullungë e tavanit të shpellës. Prej këtij guri pikon në depozitët ata ujë. S’i kam pamë me sý as depozitën as gurin rrumbullak, por m’i kanë thânë. Pikat qi gjerbojnë e bien në hurdhët ndihen fare kthiellët. Guri rrumbullak po s’e muerëm shkrolarisht kët’epitet ka gjasë të jetë nji stalaktite.
Kjo, shpella e Sarisalltikut. Tash legjenda na e tregon këtë shênjt për Shën Spiridionin, qi e ka kufomën “të pacenueme” në Qerfos (Korfuz). Qi nji shênjt bektashian t’identifikohet prej bektashive vetë me nji shênjt të krishtenë s’âsht aspak çudí për kê ka pasun rasë me ndëgjue, si un, disa ndërpretime interesante prej gojës së fetarve bektashijanë në këtë kuptim. Bie fjala H.T. Ahmet Sirri Dedeja, kryegjysh i bektashijvet të botës e i teqes bektashijane të Kajros, më ka lanë nji ditë me gojë hapët ndaj spiegimet e tija kso dore, si p.sh. mbi identifikimin e Aliut, të katërtit Khalife t’Islamit, me Shën Llín (Sh. Ilia) e mbi sa tjerë kështu. S’kanë asnji rândsí, simbas ndërpretimit të H.T., datat historike të jetës së njânit e të tjetrit shênjt t’identifikuem me shoshoqin. Âsht shpirti i atij ma të lashtit qi ka lemë përsri me trupin e mâ të vonshmit.
Por si fluturoi e duel ky shênjt prej majës së malit të Krujës deri në Qerfos?() Legjenda e përshkruen sikur ai ka qênë i mbësýmë prej kulshedrës e mbas nji luftimi të rreptë me tê s’i ka pamë shteg tjetër vetes veçse me ikun e me kërkue nji strehë mâ të sigurtë. Edhe këtê e ka gjetun në Qerfos. Tue fillue prej të Letit, në buzë të Krastës, gjatë xhades Krujë-Durrës e Tiranë ku sod gjinden vorrezët e Merlikajve, deri afër krojit të Fokës, ke bie në fushë, heret ka qênë nji kalldrám qi i thojshin Kalldrám i Qerres. Në gjysmë të këtij kalldrámi ka qênë (ka mot qi s’kam kalue mâ andej) nji kolibë e shtrueme me harasan qi në mest kishte nji gropë në formë të nji gjurme njeriu e pranë saj nji birë të vogël: gjurma e kâmbës së Shênjtit Sarisalltik dhe për brinjë ajo e shkopit të tij qi ka lânë tue ikun prej kulshedrës. Që prej malit të Krujës e deri atje në gjysmën e Krastës pak me thânë nja dý mijë metra në vijë ajrore, Shênjti Sarisalltikka kërcy me nji hapë të vetme. E tash shpejt po shohim mrekulli edhe mâ të madhe kso dore. Pak përmbi atë gjurmë anës së kalldrámit gjinden dý gurë të ngulun në tokë e krejt në trajtë konike, njani pak mâ i madh se tjetri. Populli, tue folë për atê vênd, thotë “ke Pilafët”. Ky emën asht fare normal, pse njimênd ajo âsht forma e atyne dý gurve. Por bukuria e legjendës âsht kjo, qi ma të madhin e atyne dy gurve, i cili âsht pakëz i cenuem nga fundi, na e tregon për pilaf gruni e mâ të voglin orizi, e Sarisalltiku, i ûntuem mbas gjith’asaj lufte me kulshedrën, ka dashun të hajë, ka fillue me nji lugë grunë – lugën sigurisht shênjti e kish marrë me vete në xhep – e mbasi i a ka mbërrîmë kulshedra me i u turrë mbrapa, i u ka dashun të kaptojë e pilafët atëherë janë bâmë gurë. Për çudi, veç, gjurma e shênjtit âsht disa qind metra larg pilafëve e âsht gjurma e parë dhe e vetmja qi ai ka lânë në tokë tue ikun, sepse prej andej me hapën e dytë ka fluturue e ramë fill e në Qerfos!
Edhe nji shênj tjetër na ka lânë Shênjti Sarisalltik në mal të Krujës. E ky âsht mjaft i dashun, i kandshëm: nji lulez e bardhë qi i gjân shumë asaj së deles, margaritës, por mâ e vocërr se ajo e me erë të mirë. Popull’i Krujës e quen shallnesh (Shën Llesh) edhe beson qi ka bimë prej pikave të djersës së Sarisalltikut kur ky po luftonte me kulshedrën e po ikte prej saj. Logjikisht ajo lule duhej të merrte emnin e Shën Spiridionit, mbasi Sarisalltiku âsht ky vetë, e jo atê të nji shênjti tjetër. Por mâ edhe logjika e emnit të lules s’ka si me qênë tjetër veçse nji pjesë e gjithë logjikës së ksaj legjende. Kjo lule n’asnji vênd tjetër nuk gjindet posë malit. Âsht vallë nji lule e rrallë, vetëm e malit të Krujës? Nuk dij s’kam fé pjese në botanikë.
SHËNIMI I VOAL
“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.
Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernest Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton me disa vijime.
I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.
Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.
Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.