Kruja âsht e njohun si qytet bektashijsh. E vërteta âsht qi në krahasim bektashijt për numër janë pakicë në Krujë. Veçse mâ e shumta e parsís së qytetit i përkasin atij sekti. Prandej ky ushtron nji ndikim të madh në gjithë popullsín si të qytetit si të katundevet, sado qi ndër katunde bektashijt janë fare të rrallë. Teqet e kleri bektashijan nderohen edhe prej pjesës synite, posë 3-4 vllaznive të njohuna e të dallueme për fanatizëm. Mue p.sh. ndonse im atë s’ishte bektashij, m’i ka marrë flokët Dervish Hysen Dollma e shkues në fejesën t’eme ka qênë Baba Haxhiu i teqes së khalifatit të Krujës. Kjo teqe âsht nji ndër mâ të rândsishmet qi ka ai sekt në Shqipní. Teqja gjindet në katundin e Fushës së Krujës, e mbajtun prej Babait e Dervishve të saj tradicjonalisht me kujdes të madh. Mikpritse për kêdo, ka qênë gjithmonë vênd gostash me kurbâna si Sarisalltiku për çdo kategori të popullsís së qytetit e të rrethit të tij e tash vonë, qyshse ka fillue të punojë me lehtësí rrota e automobilit, edhe sýnesë piknikësh nga intelektualë të Kryeqytetit.
Popull’i Krujës âsht shumë liberal, në kuptimin mâ të lavdrueshëm të ksaj fjale, e këtë liberalizëm e ka, posë karakterit të vet malsuer, për nji pjesë të madhe edhe prej bektashizmës.
*****
Nën sundimin turk arsimi i Shqiptarvet ishte nji privilegjë e rrallë vetëm për pasanikët, e të këtillë kishte pak Shqipnía. Ndër qytetet t’ona kishte vetëm ndonji shkollë fillore e ndonji plotore (ryzhdije) në gjuhë turqishte e me nji sistem aqë primitiv sa qi rezultati për nji nxânës qi t’i kishte mbarue rregullisht të gjitha klasët mund të barazohej ma atê të tri vjetve të nji fillorje moderne. Në ndonji qêndër prefekture ryzhdijet kishin përmbi to edhe dý klasë gjimnazore. Gjimnaze të plota shtatë klasësh kishin vetëm qêndrat e vilajetevet, veç Shkodrës (). Pra nji familje shqiptare qi dëshironte t’a stërvitte djalin e vet – se ma për vajza qi as fjalë s’u bânte aso kohe së paku me nji arsim mesatar, – duhej të kishte mjetet për t’a dërgue në nji internat të largët si në Janinë në Shkup, në Selanik ase në Stamboll. Gjâ kjo qi mund t’a bâjshin vetëm bejlerët, disa agallarë e nji palë nëpunsa të naltë. Këta të fundit madje s’kishin as nevojë t’i dajshin fëmijët prej gjînit të familjes, mbasi punën e kishin gjithmonë në nji nga qêndrat e mëdhá të Mbretnís.
Relatat kulturore të Shqiptarvet me Okcidentin ishin aso kohe thuejse të paqêna. Pasanikët ortodoks i tërhiqte Athina, katolikt e Shkodrës Italija ase Austrija. Por këta të fundit, gati të gjithë tregtarë, sa për nevojat e tyne vullëndoheshin me shkollat klerikale qi kishin në vênd. Në të tanë Shqipnín njoh vetëm të bijt e Neki Pashë Libohovës, Mufid beun me të vllaznit , qi kanë krye studime të rregullta n’Okcident nên sundimin turk, edhe Ekrem bej Vlorën qi ka studjue në gjimnazin aristokratik të Vjenës Theresianum ().
Me këto kushte s’âsht aspak çudí, pra, qi nga shkrepat e Krujës së vorfën mos të kenë dalë njerëz të mësuem deri në kohën t’eme. Besoj se e vjyen barra qirán me i përshkrue disa tipa interesantë t’intelektualizmës krutane t’asaj kohe. Mâ i dijshmi ishte Myrteza Efendi Goci. Por ky kishte mbërrîmë në nji gradë…. ditunije qi për tê s’kishte vênd në zyrat e nji nënprefekture. Sepo, e ditun, kush këndonte atëherë këndonte vetëm për nji qëllim: qi të bâhej nëpunës e të merrte një meash a ylefe prej Shtetit. Shkolla, dija, për myslimanin e Mbretnís otomane, s’kishte asnji kuptim tjetër. Myrteza Efendiu e kishte fillue karjerën e tij si praktikant në nji sekretarí gjyqi e, në 1910, kur u njoha un me tê porsa kishem krye studimet, ishte kryesekretar i gjyqit ndeshkimuer me 500 grosh në muej në Durrës. Kishte hypun nalt Myrteza Efendiu dhe kishte shpresë me u bâmë edhe gjykatës. I ri un, e i marrë (), si shumë të rij të tjerë të kohës s’eme, e nxitshem me nxânë shqipen. Për do kohë s’pat dashun të m’a prishte, më thoshte se ishte tepër i zanë me punët zyrtare e shtëpijake qi kishte, por nji ditë sigurisht s’do të rrinte pa i a hýmë edhe shqipes . Veçse nji herë, kur pa mâ qi s’po i u dajshem me përrallat e mija si më ngul sýt e më shikon nji ças të mirë pa zâ e me nji farë çudije, më thotë: “Ndëgjo këtu, djal’i im! Ti besa mir’e ke, je tue mendue për mue bash si për vete. Por ti sod me turqishten t’ânde () je tue fitue ma se njimijë grosh në muej, pra dy fijsh sa marr un. E nesër, në të daltë ajo tjetra qi ke ndër mênd (donte të thoshte Shqipníja mbë vete), je prap i sigurtë se veç do të të shtohet rroga. Kurse un, bir’i im, nga shqipja s’pres gjâ mâ, jam dyzet e kusur vjeç e kishte me m’u dashun t’a nis karrjerën t’eme edhe nji herë atje ku e kam fillue para njizetepesë vjetve. Në më gjettë ky hall më gjet e s’kam se ç’i bâj, por qi t’a kërkoj vetë, besa jo!”. Myrteza Efendiu m’i kishte premë drût shkurt, me shume elegancë e takt zotnísh, por shqip. Të tânë problemën e shqipes e të Shqipnís e kishte përmbledhun në nji pikë të vetme qi mue të marrit s’më kishte ramë ndër mênd asnji herë deri atë ças. Natyrisht heshta e i dhashë arsye, s’kishte vênd mâ me ngulë kâmbë në marrín t’eme me tê. ().
Prap në Durrës gjindej nji tjetër intelektual krutan. Ishte Hysen Efendiu, kryesekretar i doganës, qi mâ vonë, kur duel Shqipníja mbë vete, e drejtorit turk i u desh me u kthye në vênt të vet, pat zânë kâmbën e tij. Por ky mâ ishte bâmë durrsak gjithsej, me shtëpí e katandí të veten, edhe mjaft trashë madje, e si plak qi ishte s’e çante kokën veçse për volít e t’ija. Me gjithë këtê, pa dashun e pa pasë kërkue n’asnji mënyrë veçse me gjuhën e tij të prehtë, ra se ra në lak. Në 1915 e kapi Esat Pasha e e internoi bashkë me mue e tjerë n’Italí. Në Favinjana () banojshim në nji shtëpí me tê. Plak liberal e shum i âmbël, mahitar me të kënaqun. Në doganë të Durrsit, ku kishte kalue të tânë jetën e pjekun të tij e n’atë skele deti pak a shumë kozmopolite ku ai kishte hýmë në rradhë të parsís mâ të shqueme të qytetit, kishte pasun mjaft të përpjekun e të njohun edhe me të huej, sidomos italjanë e austrijakë. Të parët s’i çmonte fare, për të dytët kishte mjaft simpatí.
Qatib’ i Krujës aso kohe , kur un ishem ende kalamâ, ishte Zenel Efendi Kavaja. Ishte sekretar-arktar i kompanjís së gjindarmërís me gradë tetari. Pun’e tij ishte regjistr’i kompanjís dhe llogarit e saja. Sa për kaqë, praktika e gjatë qi kishte, e kishtë bâmë mjeshtër. Raportat e shkresat e tjera të gjindarmërís me gjerarkít, eprore, i bânte vetë komandanti, qi ishte nji oficer i përjashtëm. Me gjithë këtê Zenel Efendiu ishte gjithmonë Zenel Efendiu edhe nji nga parija e vêndit. Atje në gjindarmërí, mbas komandantit, ishte autoriteti mâ i nalti, i zoti me e influencue e me e sjellë oficerin si të donte vetë; e tue qênë se edhe komandant’i gjindarmërís ishte mâ i madhi pushtet administrativ i nënprefekturës mbas kajmekamit, ja ku rol’i Zenel Efendiut bâhej i rândsishëm në gjithë jetën zyrtare të Krujës, qytet e katunde. Çaushët, edhe ata vêndas shum’a pak me nji farë tarafi, ku as qi mund të piplojshin përpara tetarit bylyk-emin. Ky mâ tepër se ata kishte edhe kalemin në dorë e po t’i merrte për keq kalemi ishte nâma e zezë për ta! Kështu Zenel Efendiu, qi kishte edhe irád, ullîj në qytet e nja dý a tri shtëpí bujq në fushë, posë rrogës e vogëlsinash tjera qi i sillte zyra e pozita e lidhun me këtê, ishte nji ndër të parët e vêndit. Vishej vêndçe si borgjezija, por me kujdes e pastërti të madhe. Ndërsa agallarët pleq bajshin ende fistanen e gjatë me pala përmbi të lintat, xhamadanin e qëndisun prej cohe të kuqe me mângë e fesin tanuz të kuq me tufë të madhe mëndafshi të brustë, ndërsa populli përgjithsisht mbathej e vishej verës me cedille (brekushe), xhokë të zezë të qëndisun e me tufa dhe qeleshe gjakove (kapuç), e dimnit brekushet i ndërronte me çedikë, Zenel Efendiu bante ver’e dimën cedille prej nji pëlhure të bukur leshi në bojë të vet natyrale, xhokën të qepun me porosí e krejt të qëndisun për të qëndrue mbë kâmbë, jelekun bojë gjaku të ngrîmë edhe atê me bërshim, e përmbi ta pardhocen e kuqe në krye. Pardhocja ka qênë nji ksulë vetëm krutane. Në vogjlí t’eme përdorej gadi rendom prej esnafit. Mâ vonë filloi me u rrallue e erdh tue i a lëshue vêndin pak nga pak qeleshes. Përmbrênda s’ishte tjetër as ajo veçse nji qeleshe e lehtë qilindrike si e ka Matja, Dibra e Luma, por e veshun me kazmir të kuq të qepun me rreshta të zez në mënyrë qëndisjeje.
Kështu vishej Zenel Efendiu e, me folë të drejtën, kjo veshë i kishte hije sa s’ka atij trupi burri mjaft të pashëm, të gjatë e të drejtë si qiriu.
Por tipi intelektual n’e moçme e autodidakt mâ interesant në Krujë ka qênë Jahe Gjeli (Jahja Kovaçi, mâ vonë). Ishte ndoshta nja 3-4 vjet mâ i madh se un. Kur kam kalue un në ryzhdije ai kishte mbarue e hýmë praktikant në zyrën e financës së Krujës. Por vinte edhe …. si asistent vullnetar i të vetmit mësues qi kishim, i Arif Efendiut plak me çallmë, na mësonte kaligrafí e na tfillonte ndonji pjesë të vështirë të ndonji mësimi tjetër. Jahja këndonte çdo libër turqisht qi t’i binte në dorë, krejt në kundërshtim me të gjithë të tjerët qi s’dijshin se kuj i thonë këndim.Ishim shumë miq qyshse u rrita edhe un e u bâna student gjimnazi e universiteti. Qyshë ditën qi u shpall Kushtetuta turke më 1908, ai, tashmâ me nji farë rroge të mirë në zyrën e tij, qe pajtue në 2-3 gazeta të Stambollit dhe këndonte, këndonte pa i a damë. Turqishtja e tij pat mbërrîmë në nji shkallë përsosunije me i a pasun lakmí nji gjimnazist i mirë. Por Jahja për mâ tepër nxû shpejt me këndue rrjedhshëm e me shkrue mjaft mirë edhe shqip. Sa ishem student në Mylqije, në Krujë me atê e kishem korrespondencën. Edhe nânës s’eme ai i a shkruente letrat për mue. Ishim bâmë mâ si vëllazën. Por nji miqsí e vazhdueshme pa përpjeta e tatpjeta me tê ishte shum’ e vështirë për kêdo. Karakter nervoz e i përkeqtë qetash ishte gati me të dashun e lavdrue deri në qiell, edhe faqe, e nesër me të vûmë në qêzë e në taplote me të parin njeri qi të ndeshte, pak me të pasë rrëshqitun kâmba ase me i pasë prekun kund me nji gjeth trândafillje në ndonji dell qi i dhêmbte. Si nëpunës, veç, Jahja ka mbetun gjatë gjithë karrjerës së tij shêmbull ndershmënije e përpiknije. Si financier burokrat rrallë e tek e kishte ndonji shoq në Shqipní, edhe për kah ana e zotsís. Por ndërsa tjerë edhe mâ pak të zot se ai hýpshin ndër vênde të nalta të ministrís së financavet, atê as topi s’e luente prej drejtorís së Krujës. Atje donte t’a griste jetën, atje të vdiste. Mirpo qe se vêndi ka nevojë për veprën e tij në nji fushë mâ të gjânë e mâ të frytshme, e ministrija e shpërngul në nji drejtori prefekture në Durrës e në Shkodër, Jahja bân çmos për me i ikun ksaj rritjeje qi vetë e quente nji ndëshkim të padurueshëm. Sikur të kishte me se të rronte, sado keq, do t’epte atças dorhjekjen e asnji hap s’do t’a bânte për me dalë jashta Krujës së tij. Kishte gjetun nji rrugë të vetme për me provue nëse mund t’a shtrëngonte ministrín me e kthye prap në gradën mâ t’ulët që kishte atje në strofullin e vet. Qitte shqelma pa damë me ministrín e me ministrin personalisht, herë me arsye e herë pa arsye. Por kot, e njihshin mâ të gjithë e e durojshin, edhe pse e çmojshin e s’ishte lehtë me i a gjetun shoqin. Në 1944 e kam lânë ende në Shkodër. Mbrapa kush e di se në cilën kategori “reakcjonarësh” do të ketë vojt e mbarue i shkreti!
Shënimet e kësaj cope janë t’Ernest Koliqit.
FUND
Mustafa Kruja me familjen