Nji tjetër kujtim kam prej Kumllukut. I bukur, i gzueshëm, intim ky. Ishim në vjetën 1920, 27 qershuer. E turbull aso kohe gjêndja e mbrêndshme e vêndit t’onë të ngratë qi s’pa ndonji herë dit me të vërtetë të qeta e të lume. Rrethânat më kishin bâmë me u tërhjekun në shtëpín e vjetër atnore. Atë ditë ishem thërritun për darkë ke nji mik e ishem ngjitun përpjetë kah qêndra qyshë herët me disa shokë. Shtëpija ku ishem i ftuem ishte në Varosh. Bashkë me shokët qi më shoqnojshin ishim ulë në buzë të Kumllukut tue pritun kohën për me shkue ke miku e me soditun nji falje dielli të mrekullueshme, si ato qi veç nji vênd si Kruja mund t’i ketë. Po ligjirojshim në qetsí me sý atje larg kah fusha e deti. Sinija e rrëgjyeshme e diellit po i u avitte dalkadalë e madhnisht rrethit t’ujit të ngjelbët t’Adriatikut tue na përshëndetun me rrezet e arta të saja edhe për nji natë të jetës s’onë. Kur qe! Pa prit’e pa kujtue disa pushkë njâna mbas tjetrës po e shklyejnë at’atmosferë pushimi shpirtnuer në prêhnin përkëdhelës të nânës natyrë. Ku ranë ato pushkë? Disi larg ishin prej nesh. Zân’i kishte të tânë gjasën e nji drejtimi të frikshëm, andej kah lagjia e ime. Po ç’mund të ishte? Nji pritë? Më vrau kush babën? Më vrau kush vëllán? Jo, ata personalisht s’kishin anmiq. “Mos t’ishe ti vetë këtu me ne”, po më thonte njâni prej shokvet, “na s’do të kishim humbun kohë deri tashti me këto hamêndje qi po bâjmë, por do të kishim vrullue pa tjetër andej kah shtëpija e jote; por për njerzit e tuj s’na merr mêndja ndonji rrezik”. Kështu filluem me u qetsue, por me gjithë këtê un s’ndejta pa e nisun nji vrap teposhtë për me marrë vesht. Pa shkue nji gjysmë ore i a mbërrîni lajmsi; e pamë nja pesdhetë metra larg ke po u ngjitte tërmal kah na me hapa të shpejta tue i u marrë fryma, por gjâ të keqe s’i thonte fytyra. “Sihariq! Sihariq”! bërtiti, “i ka lemë djalë Mustafës”! Kishte lemë Fatosi i im. Shokët deshën me shtimë, edhe ata, për gzim; por i ndala me të shpejtë. S’ishte rasa me trêmbun botën edhe na siç u trembëm vetë.
Zakon shqiptar! Gzimet e mëdhá, e të lemët e nji djali i tillë quhet ndër ne, do të festohen me pushkë. E mbasandej kush e paska fillue pushkën për Fatosin? Nji grue e fisit t’onë s’më bie ndër mênd tash se për cilën më kanë pasë thânë. Edhe grát dijnë t’a përdorin pushkën në Shqipní, dhe ka rasa në të cilat kanë dijtun t’a përdorin me shumë mjeshtrí e trimní. Flas për Shqiptaret e hershme këtu, se me luftare moderne âsht mbushun bota plot tashmâ!
Pak nên Tallajbéj vjen Pazar’i Krujës. Ky përbâhej aso kohe, siç besoj se do të jetë edhe sod, prej dy rreshtash të gjatë dyqanesh, nja 200 gjithsej, qi fillojshin me hanin e Picorit. Populli, për me diftue fillimin e pazarit thonte “ke hani”. Ndërmjet dy rreshtavet ishte rruga qi i dante, e shtrueme me gurë, kalldrâm me nji ulluk në medist për me mbledhun e marrë ujët e shiut qi rridhte prej pullazesh. Aq’e ngushtë ishte kjo rrugë, qi verës dyqanxhijt e mbulojshin me qingla strehë mbë strehë të dý anvet të dyqanevet për me ndalue diellin e kështu me bâmë mërriz në freskt të hijes. Se me të vërtetë mërriz bâjshin tregtarët e shkretë të Krujës, si bagtija, e jo veç në vapët, por gati gjithë ditën e javën, përveç së hânës qi ishte ditë pazari e gulojshin katundarët për me shitun e blemë.
Për të hânë po, kishte lëvizje; katundsija qitte me shitun drithnat e miellin, bagtín e prodhimet e saja: bulmetin, leshin, lëkurën; mbandej lândën e pishën e kështêjët. Burrat qi s’mund të dilshin vetë për shkak gjaqesh e ngalsash tjera a pse nuk i lëshonte puna, nxirshin grát, të tana zbuluet, myslimane e katolike, lidhun kryet me nji faculetë të bardhë të vêndit, të vêjtun në vegël, ase nji rubë të zezë a bojnash, simbas moshës, secila veshun me kostumin e krahinës së vet, fusha me mângore pëlhure të vêndit, përmbi të gupen ase mitanin, me çitjane e këpucë qyteti; malsija me linjë të gjatë, xhubletë e “apênga”. Të rejat e malsís të tâna me flokë të zez si pênda e korbit e kush s’i kishte kështu vetiu do t’i lyente me mazi, siç bâjshin edhe gratë e qytetit. Të mrekullueshme balluket e nuseve malsore lëshuem mbi nji ballë të bardhë si bora.
Këta, burra e grá, mblidheshin në gurishtën e ullishtës “përmbi dyqanet”. Kështu e cilsonte populli atë vênd. Atje e shtrojshin mallin qi kishin për të shitun. Vêndit i thojshin edhe “Pazar i grávet”, sepse ndërsa katundaret, nji për nji si burrat, shkojshin edhe nëpër dyqanet, Krutanet e qytetit s’e kishin këtë guxim, por u ndalshin përmbi dyqanet, ku edhe dyqanxhijt ngrihshin nga nji tândë dhe qitshin nji pjesë të mallit atje për ditë pazari. Drithna e kështênjë kishte herë herë edhe në bark të javës e atbotë u shitshin në Lamë. Ky ishte nji shesh i vogël në mest të pazarit, atje ku dy rreshtat e dyqanevet bâjshin nji kthim të vogël në të djathtë për me mbërrîmë kështu deri në Derexhik. Asnji Krutan nuk e dinte se ky emni Derexhik ishte nji fjalë turqishte qi don me thânë përrueth. Me të vërtetë atje e çán pazarin kryq nji rrëké shinash dimnorë me shtrat kalldrâmi qi kalonte nên sallën shkollore të Hasan Çitozit, nji shkollë fillore private ku edhe un kam pasë këndue për nji kohë të shkurtën para se me u ulë mbë gjunj përpara Molla Hysen Topçiut.
Pazar’i Krujës edhe atje merr nji kthim të lehtë kah e djathta për me mbarue nja 100 metra mâ përtej. Krutanët thonë: “Rrêjti ke hani, e besoi edhe vetë në Derexhik”.()
Rruga e pazarit vijon mbandej drejt portës kryesore të kalás. Në të djathtë dahet nji rrêmb e varet teposhtë kah lagja e Kavaçajve e pak mâ poshtë kah ajo e Dedelijve; atje përpiqet me rrugën e vjetër të qiraxhijvet Krujë-Durrës e pa mbërrîmë në Ballefenaj (Ball efendi) lëshon nji rrêmb tjetër në të mângjët për ke Zhillajt, Qoshelijt e Kuqnakët; mû nên Ballefendi shkon e mbaron ke përroi i Hoxhajve, ku piqet edhe me shtegun e përshkurtët të kâmbsorvet qi zbresin prej pazari kah han’i Picorit, për rrânxë të Namazgjahut, të teqes së Shemsi-Babait e të Ballefendiut. Në të mângjët të këtij përroi piqet me rrugën e subashit qi, tue lânë prap në të mângjët nji krue me të njâjtin emën e tue kapërcye përruen, kalon kah Selim-agajt; pret mâ poshtë edhe përruen e Deredés e piqet me sheshijollin nën Dërshaban (Dervish Shaban) e lagjen e Dallakvet; po aty lên në të mângjët Sulhoxhajt. Në të djathtën e përroit të Hoxhajve, rruga qi zbret nga Kavaçajt piqet me atê të Deredés qi lên në të djathtën e vet Pengilajt e shkon me u bashkue me sheshijollin ke t’Aliut të Dylës, ku dahet trish, në të mângjët për Dallakë, Dërshaban, Pengilajt e vjetër e teposhtë përmbi Allamanen t’onë e deri në Krastë; në të djathtë mban për Sutaj e në mest varet teposhtë me nji kalldrâm të vjetër kah Lisat e Çakallit, tue lânë menjiherë prap në të djathtën Ristant; mbërrîn ke Bregu, lên në të mângjët rrugën e lagjes s’onë, Merlikajt, kalon nëpër Dy Çinarët – dy rrapa vigâna, Zoti e di sa shekujsh, në bestytnín popullore çerdhe xhindësh – e mbaron në Krastë me lagjen e kodrën e Barunvet në të djathtë.
Mbas Subashit, ke Selimagajt, dahet rruga e Sarxhës, në të mângjët, qi tue u përshkue fushës së Llabufes (vakuf, vakf) mbërrîn te kroi homonim e shkon ke Bardhajt aty afër në të mângjët dhe kah Emirajt drejt tatpjetë.
******
Ballefendiu âsht nji shênjt i fortë, jo veç për bektashijt e Krujës, por për të tânë Krutanët, posë atyne të pakve qi urrejnë bektashizmën e tjerve qi s’besojnë në shêjtnín e vorrevet. Janë dy vorre (merkate, në gjuhë të besimtarvet; merkad, arab. vênd ku flêhet) Ballefendiu me të birin. Ky i biri, mbas legjendës, paska qênë bâmë viktimë e drejtsís ekstreme të t’et. I tmerrshëm Ballefendiu për drejtsí.I a paska pasë marrë shpirtin të birit – legjenda s’e shquen se në ç’mënyrë – për nji vesh rrush qi ky paska pasë këputun e ngrânë pa leje prej nji hardhije të huej. Nji nga mrekullít e tija qi rrëfehen âsht edhe ajo qi i ka dhânë emnin. S’më ka ramë me ndie se si e quejshin deri në këtë mrekullí qi kallzojnë për tê. Nji ditë Shênjti paska pamë rrugës dikê me nji kafshë përpara të ngarkueme me dy bolira dhe e pyetka të zotin se ç’kishte në to. Bolirat ishin plot me venë. Por i zoti ka pasun marre me e kallzue, mbasi vena për myslimanin âsht gjâ e ndalueme (haram), e prandej i përgjigjet Shênjtit se ishte mjaltë (turq. ball). Edhe Shênjti, qi, si shênjt qi ishte, e ka dijtun të vërtetën, i a kthyeka: “mjaltë (ball) pra t’u bâftë”! Për njimênd kur çilka i zoti bolirat në shtëpí për me nxjerrë venën, në vênt të ksaj paska gjetun mjaltë.
Askush s’din me na dëftye gjâ mbi origjinën e këtij shênjti. Shênjt bektashj, por kundra venës; mallkimin i a lëshon venës me nji frazë turqishte: Ball ollsun! Dhe prandej i jet emni Ball-Efendi. I vetmi mandej ndër shênjtnit bektashianë qi kam ndie me këtë titullin efendi.
E vërteta veç âsht qi ky shênjt nderohet e drohet fort në Krujë. N’emën e mbi vorr të tij bâhen bét mâ të rândat. Atij i kushtohen mbrênda në qytet mâ e shumta e kurbanvet për kushte të ndryshme, në teqe të tij shtrohen mâ e shumta e drekavet prej qytetarvet në rasa të këtilla.
******
Tash dalim e vazhdojmë rugën e pazarit deri në kalá. Në të djathtë duhet të përshëndes nji herë ryzhdijen t’eme ngjitun me zyrën e postelegrafës s’asaj kohe. Përmbi këtê gjindet sod nji shkollë e re shqipe, mjaft e mirë, ndërtuem prej Shtetit shqiptar. Mandej mbërrîjmë përpara portës së kalás. Atje përpiqen edhe dý rrugë të tjera. Në të djathtën varet ajo e Mezinajvet qi shkon rrânxës së murit perëndimor të kalás e deri në Meçaj; prej së mângjëtës vjen rrafsh përmbi Pazar ajo e Kakulit, qi mû n’atë vênd ku merr kët’emën bashkon atë të Kasmajve (dmth. të lagjes ekstreme rrânxës së malit në vazhdim të Varoshit kah juglindja) me atë të Berberajvet qi ngjitet përpjetë me nji prjerrje mjaft të fortë.
Kalaja e Krujës âsht nji shkâmb i damë mbë vete në pjesën lindore të qytetit. Mbërrîn gadi në nji naltsí me Varoshin. Rrafshina e saj ndjek topografín e përgjithshme të qytetit, dmth. shkon tue u përvjerrë prej anës së malit kah ajo e fushës. Rreth’i mureve mund t’arrijë në nja 1000 metra. Mbrênda në skânjin verijak të saj âsht kulla e sahatit të qytetit. Ky sahat dikur kishte pasun nji kumbonë të mrekullueshme. Por kumbim’i saj tepër i fortë, ndihej në Prez, thojshin pleqt, e për këtë e paskan pasë hjekun e zevëndsue me nji mâ të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Edhe kjo ndihej mjaft mirë në qytet , së paku deri në Merlikaj po. Ajo e vjetra pushonte për tokë mbrênda në kullë. Dikur i paska ramë në sý nji eksperti të huej, nji Austrijaku, s’kam mundun t’a marr vesht a ndonji konsulli apo ndonji turisti. Sigurisht vlerë artistike ka pasun, por ndoshta edhe historike. E kush din me t’a kallzue? Fakti âsht ky, qi nji ditë prej ditsh ajo kumbonë zhduket e askush nuk din t’a qarojë me detaje të sigurta atë mister. Mâ vonë, shumë mâ vonë, kur ishem burrnue e kishem fillue t’interesohem për gjâna historike të vêndit, më pat ramë me e marrë vesht se si ishte zhdukun kumbona e vjetër e sahatit t’onë. Nji patriot shqiptar banues në Durrës e nji krutan, të ngarkuem pa dyshim prej konsullit austriak t’asaj kohe në Durrës (kah fund’i shekullit të kaluem a kah fillim’i këtij), kanë gjetun mënyrën me e bartun e ngarkuem më ndonji vapor t’Austrís. M’a ka pasë diftue nji bashkqytetar i im tue më sigurue se e kishte ndie prej vetë gojës së protagonistit krutan, Ibrahim Kaloshit, të ksaj ndërmarrjeje. Këtë e paska pasë sigurue miku i Durrsit qi kur të dalë Shqipnija mbë vete ajo kumbonë do t’i kthehej Shtetit shqiptar. Deri sa ajo ishte gjâ Turku e Austria nji Fuqí e madhe qi përkrahte idén e pavarsís s’onë, ata e quejshin veprën e tyne nji akt miqsije për atë Pushtet e pa kurrnji dâm kundra atdheut të vet. E me të vërtetë i kam njohun fare mirë të dy si ndër patriotët mâ të vjetër e mâ të kulluet qi ka pasëun Shqipnia.
Mbrênda në kalá s’ka kurrgjâ të vjetër me nji vlerë historike: muret, bedenat, gërmadhat e nji hamami (bânjë turqishte), nji xhamí, sod e papërdorun e me minare të shêmbun, nji tyrbe e Dollmajvet, vorret e Toptanvet. Do të kishte pasun nji vlerë saraji, sidomos arkitektore, shtëpija e Toptanvet, qi mâ vonë, mbas shpërnguljes edhe të degës së fundit të tyne me Ismail beun prej Kruje në Tiranë, kishte përmbledhun gjithë zyrat qeveritare të nënprefekturës. Por edhe ai u la në rrenim, s’i ra kush mbrapa. Âmza (zyra e shtetit civil) e Krujës e dán qytetin në dý pjesë kryesore: Kalá e Varosh, tue përfshimë nên secilin nga këta dy emna shumë lagje të ndryshme. Zakon i vjetër, mesjetuer, kur gjithë banorët e qytetit banojshin mbrênda murevetë kalás e mâ vonë kur popullsia u shtue u krijuen banesa edhe përjashta e kjo pjesë e qytetit muer në Shqipní emnin slav varosh. Kalaja e Krujës vetë përmban në të vërtetë nji lagje të vogël banorësh, si gadi të gjitha lagjet e qytetitt’onë. Por ata janë për njimênd banorët mâ të privilegjuem të këtij qyteti. Rrethpámjen ma të gjanën, panoramën mâ të mrekullueshmen përpara sýve të tyne, pa pasun nevojë të lodhen, shpesh herë drejtpërdrejt prej dritores së shtëpís mbrênda në nji qytet, veç ata e kanë, e në të tânë botën ndoshta. Âsht kjo rrethpamje, kjo panoramë e pashoqe për nji qytet qi e bân Krujën nji ndër vêndet mâ të bukura të botës, siç e ka pohue, ndër shumë vizitorë të huej qi e kanë pamë, gazetar’i madh zviceran Wiliam Martin-i. Prej asnji pike shikimi tjetër të qytetit s’e ka njeriu para sýsh nji pámje aqë jashtzakonisht të bukur. Aty nji ashik i natyrës nuk mundet mos me e humbun veten. Në nji krah, mali; shkâmb kolos, masiv, madhështuer, kërcnues, aty për brinjë; me t’u bâmë sikur të tânë vigájt e mitologjís janë shkrîmë bashkë n’atë gur të gjallë për me përgjue mbi fatin e Shqipnís.
SHËNIMI I VOAL
“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.
Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernes Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton me disa vijime.
I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.
Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.
Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.