KONTRATA/ SI U DHURUAN 30 MIJË METËR² TOKË NGA ARTUR SHEHU 19 DITË PAS REGJISTRIMIT NË HIPOTEKË
Fabrizio Lisi ishte si shef i Interpol Romës dhe njëherësh Gjeneral i Guardia di Finanzza kur ai erdhi në Shqipëri, ku u gjend pjesë e një shkëmbimi të dyshueshëm. Fondacionit kulturor, president i të cilit ai ishte, iu dhurua nga Artur Shehu me 28 shkurt 2015, me përfaqësues Pëllumb Petritin, 3 hektare tokë, 30 mijë metër katror në bregdetin e Vlorës, nëpërmjet ndihmë-rekomandimit të Engjëll Agaçit. Toka, gjoja ishte dhuratë për fondacionin “Luca dhe Marco Eftimiadi” dhe së bashku me anëtarët e bordit firmosën një kontratë marrje pronash. Ndonëse nuk përmendet askund qëllimi e motivi i dhurimit të kësaj toke më një vlerë shumë të madhe.
Pëllumb Petritaj është pajisur me Prokurë të Përgjithshme nga Artur Shehu në Monte Carlo, me datë 07/08/2014, ku Shehu ka qenë prezent, duke ai deleguar kryerjen e çdo lloj veprimi. Kanë qenë pjesë e fondacionit edhe punonjës të ambasadës italiane, ashtu siç ishte gjenerali në atë kohë në shërbim. Ai që përfiton nga kjo dhuratë është fondacioni i krijuar me synim për të mbështetur shkëmbimet kulturore mes Shqipërisë e Italisë, me emrin e vëllezërve Luca.
M Eftimiadhi e Marco M. Eftimiadhi, që janë larguar nga Shqipëria. President i këtij Fondacioni, u bë Gjenerali i Guardia Di Finanza, që pak kohë më parë ka dalë në pension, por më herët është arrestuar nga antimafia.
Në reportazhin e medies italiane, RAI 3, emisionin “Report”, gjeneral Lisi thotë se nuk e njihte dhuruesin Artur Shehu, njeriun e botës së trafikut, rezident në Florida. Ai thekson se “..nuk e njihja këtë person. Rastin ma solli Engjëll Agaçi, (Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave), unë e besoja Agaçin, pasi ai ishte njeri i besuar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama”
Ndërsa Agaçi pohon se, “më datë 31.03.2012, si jurist mora përsipër një detyrë formale nga Gjykata e Triestes, në emër të Kuratorit të atëhershëm, për të ndjekur ngjarjet dokumentare dhe materiale të Amanetit të Vërtetë të të ndjerit z. Salvatore Eftimiadi. E kam ndërprerë veprimtarinë në fjalë, pasi kam marrë funksionin institucional të sipërpërmendur dhe ia kam komunikuar kuratorit, fillimisht verbalisht e më pas komunikuar zyrtarisht edhe nga Studio juridike, pjesë e së cilës kam qenë”. Gjithashtu, ai ka pohuar se nuk e ka pasur klient Artur Shehun, por rezulton se ka qenë rekomandues e garantues njohjeje për të.
Emra të tjerë të fondacionit ishin, Gian Paolo Polverini, anëtar bordi, Eugenio Campo, ish-diplomat anëtar bordi, Alesandro Bernadini, i punësuar nga Lisi për të zhvilluar pronën në bregdet e Francesco Zacaria, anëtar bordi.
Kontrata e Dhurimit të 30 mijë metër katror tokë në Vlorë nga Artur Shehu, nëpërmjet përfaqësuesit të tij Pëllumb Petriti.
KONTRATA
“Në Vlorë sot me datë 28/02/2015 (dymijë e pesëmbëdhjetë) para meje noteres Belona Serja, e regjistruar në dhomën e noterëve në Vlorë, në lagjen “Hajro Çakërri” rruga “Sulejman Delvina” kati 1, u paraqit personalisht shtetasi shqiptar:
Neni 1, Palët në Kontratë
1.1 PALA DHURUESE
Z Artur Shehu, i biri i Ramiz lindur në Vlorë, me datë 29/07/1966 dhe banues në Florida SHBA, madhor dhe me zotësi të plotë për të vepruar pa pengesë ligjore, i panjohur prej meje noteres, përfaqësuar me prokurë të përgjithshme, datë 11/08/2014b n3 661 Rep, Nr 357 Kol, nga zoti Pëllumb Petritaj, i biri i Nexhmedin, i datëlindjes, 01/10/1964 banues në Vlorë, në lagjen 4 Heronjtë, pajisur me kartë identiteti me nr G41001096N.
1.2
Luca M Eftimiadi dhe Marco M Eftimiadhi, themeluar me 13/11/2014 me adresë Tiranë, Andon Zako Çajupi, pallati 20 shk 1, ap 5-6-7, identifikuar me numër nipti 1514064533A, përfaqësuar nga Alketa Ylli, bija e Përparim e datëlindjes 31/12/1971 lindur në Tiranë dhe banuese në Tiranë, madhor dhe me zotësi të plotë për të vepruar, i panjohur prej meje noteres për identitetin e të cilit u binda në bazë të dokumentit, kartë identiteti Nr H16231089K.
Të paraqiturit madhorë me zotësi të plotë për të vepruar, identifikuar prej meje noteres, në bazë të ligjit me vullnet të plotë, pasi janë njohur me gjendjen në fakt të pronësisë dhe me të gjithë dokumentacionin përkatës që disponohet dhe administrohet në këtë kontratë prej palës dhuruese, më kërkuan redaktimin e kontratës së dhurimit si më poshtë vijon:
Neni 2 OBJEKTI I KONTRATËS
2.1
Kjo kontratë ka për objekt dhurimin e Pasurisë, regjistruar në ZRPP VLorë, me NR Pasurie 45/105/17 Vol 48, fq 68, Zk. 8604, Lloj Pasurie Pyll, Sipërfaqe 30.000(tridhjetëmijë) metër katror me adresë në Vlorë.
Kjo pasuri është e regjistruar sipas Certifikatës së Pronësisë, lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimi të pasurive të paluajtshme Vlorë, datë 09/02/2015
2.3
Kjo Pasuri ka këto të dhëna:
Pronari -Artur Shehu
Numër Pasurie ….47/105/17
Zona e Kadastrës…8604
Faqe ………………68
Vol ……………….48
Adresa e Pasurisë …….Vlorë
Sipërfaqe…..30.000 (tridhjetëmijë)
2.4
Kjo pasuri është e lirë për t’u tjetërsuar pasi mbi të nuk ka kufizime hipoteke apo barrë të tjera ligjore
Neni 3 GARANCITË DHE TË DREJTAT E PALËVE
3.1
Pala dhuruese me nënshkrimin e këtij akti, zhvishet nga pronësia mbi pasurinë e përshkruar në objektin e kontratës, duke humbur titullin e pronësisë mbi këtë pronë.
3.2
Pala pranuese e dhurimit fiton tashmë titullin e pronësisë mbi këtë pasuri të paluajtshme, në mënyrë të ligjshme dhe në formën e kërkuar nga ligji me kontratën noteriale, duke u bërë kështu, pronarë të kësaj pasurie
3.3
Pala dhuruese garanton palën që pranon dhurimin, se pasuria e paluajtshme, objekt i kësaj kontrate është plotësisht e lirë nga çdo inskriptim hipotekor dhe transkiptim pengues nga pengesa dhe të drejta reale të të tretëve, duke garantuar palën që pranon dhurimin për gëzimin e plotë të të gjithë tagrave të tjera relative me to mbi pasurinë
3.4
Pala që pranon dhurimin deklaron se e njeh gjendjen reale fizike të pasurisë së paluajtshme objekt kontrate dhe është dakord për pranimin e këtij dhurimi.
Neni 4 -REGJISTRIMI I PASURISË NE ZYRËN VENDORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, VLORË.
Palëve iu bë e ditur se, kontrata e dhurimit duhet të regjistrohet brenda 30 ditëve nga data e legalizimit në Zyrën Vendore të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në favor të palës që pranon dhurimin. Në rast se pala që pranon dhurimin, e depoziton në Zyrën vendore të pasurive të paluajtshme Vlorë, më vonë se 30 ditë, pala pranuese e dhurimit, përveç tarifës së regjistrimit për çdo ditë vonesë, do të paguajë kamatvonesën, të barabartë me 10 përqind të tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300.000 (treqindmijë lekë).
Pas regjistrimit, akti i dhurimit përfundon në formë të plotë ligjore.
Neni 5 -SHTESA DHE NDRYSHIME NË KONTRATË
Kjo kontratë zëvendëson të gjitha komunikimet e mëparshme me shkrim dhe me gojë. Të gjithë shtesat dhe ndryshimet në këtë kontratë, nuk do të kenë asnjë vlerë ligjore, nëqoftëse nuk janë miratuar dhe nënshkruar rregullisht nga të dyja palët.
Neni 6 -INTERPRETIMI I KONTRATËS NË TËRËSI
Çdo kusht apo formulim që mund të sjellë paqartësi, do të interpretohet në kontekstin e tërësisë së kontratës dhe këndvështrimin e qëllimit që i shtyu palët të lidhin këtë kontratë.
Neni 7 -ZGJIDHJA E KONTRATËS
Të gjitha mosmarrëvesgjet që mund të lindin nga interpretimi ose zbatimi i kushteve të kësaj kontrate zgjidhen me bisedime dhe mirëkuptim të ndërsjelltë mes palëve, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Kur midis palëve, nuk arrihet zgjidhja e çështjeve me mirëkuptim dhe kontrata skelet nga njëra palë, pala tjetër i drejtohet për zgjidhje Gjykatës së Shkallës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Neni 8 -BAZA LIGJORE
8.1
Kjo kontratë me kërkesën e palëve u hartua në bazë të kapitullit “Kontrata të veçanta” nenet 761-771 Kontrata e Dhurimit, Kodi Civil, ligji nr 7829 datë 01/06/1994 “Për Noterinë” (ndryshuar me ligjin nr 7920 datë 19/04/1995, ndryshuar me ligjin nr 8790datë 10/05/2001 b ndryshuar me ligjin nr 9216 datë 01/04/2004)si dhe ligji nr 33 datë 21/03/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” Kreu V për procesin Rregjistrimit
8.2
Për të gjitha çështjet që nuk janë parashikuar në këtë kontratë, do të mbahen parasysh dispozitat e Kodit Civil, që rregullon lidhjen e kontratave, përmbushjen e tyre si dhe çdo dispozitë tjetër që është në funksion të interpretimit dhe zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata.
Neni 9 – HARTIMI I KONTRATËS
Kjo kontratë u përpilua në katër kopje origjinale, me të njëjtën vlerë ligjore.
Një kopje regjistrohet dhe arkivohet në këtë zyre noteriale.
Një kopje pala dhuruese.
Një kopje pala që pranon dhurimin.
Një kopje Zyra Vendore e Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Palët, pasi e lexojnë aktin e mësipërm dhe e gjejnë konform vullnetit të tyre të lirë të shprehur sa më sipër, e nënshkruajnë atë në prezencën time.
Pala dhuruese, Artur Shehu, përfaqësuar nga Pëllumb Petritaj.
Pala që pranon dhurimin, Luca M Eftimiadi dhe Marco M Eftimiadhi, përfaqësuar nga Alketa Ylli.