Reshat, duke pasë parasyshë ngjarjet që po kalon Kosova dhe kombi, është komoditet i madh të merresh me poezinë, por kur ente publike në Tiranë i shërbejnë politikave ruso-serbe të copëtimit të kulturës shqiptare dhe përçarjes së saj, sigurisht që do të reagojmë. Ne shohim letërsinë shqiptare si një njësi unike nacionale, ndërsa Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit jo!
Në reagimin tuaj ju keni një keqkuptim të madh. Sibeli nuk është emëruar kryetare Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pasi këtë punë e bën Alda Bardhyli, por është zgjedhur kryetare e jurisë që do ta përzgjedhë “Poetin laureat 2” të Shqipërisë, pra është part-time work.
Ty duhet të shqetësojë fakti që QKLL-ja ka përjashtuar në çdo veprimtari të saj 70% të poetëve shqiptarë, dhe jo nëse ndaj Sibelit drejtohet ndonjë kritikë. Jetojmë në demokraci dhe një detyrë publike shoqërohet edhe me kritika edhe me vërejtje. Çfarë të keqe ka? Ajo duhet të përgjigjet vetë. A e di ti mënyrën se si është zgjedhur ajo! Natyrisht që Jo. Atëherë duhet të pyesësh, të informohesh.
Ty duhet të të shqetësojë fakti që QKLL ka përjashtuar poetët shqiptarë që shkruajnë jashtë Republikës së Shqipërisë në një antologji të botuar këtë vit, duke refuzuar çdo kritikë dhe jo hamendjet që Sibeli si letrare e re, merr ndonjë vërejtje për një punë që nuk e ka as kompetencën, as njohuritë dhe as dijenitë e nevojshme. Kjo nuk është ndonjë krim dhe nuk duhet ta marrësh si fyerje. Ajo thjesht ka bërë diku një punë tjetër dhe mund të jetë vajzë e talentuar. Pra, mosnjohja e Sibelit nuk është mëkat. Edhe në Tiranë nuk e njohim mirë poezinë dhe letërsinë shqiptare që është shkruar dhe shkruhet në Kosovë dhe troje.
Unë përsonalisht kam investuar në këtë njohje. Një nga kapitujt më të rëndësishëm të doktoraturës time është poezia e autorëve shqiptarë të pasluftës së Dytë Botërore në Kosovë dhe troje dhe ndikimi i saj për modernizmin e poezisë shqipe në Tiranë. Vetëm për këtë kapitull më është dashur tre-katër vjet të studioj në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, në Bibliotekën e Prishtinës, të konsultohem me profesorë të shquar në Prishtinë, si dhe të marr pjesë në shumë Konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, deri sa e kam mbrojtur doktoraturën në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, të Akademisë së Shkencave në Tiranë.
Pra, unë flas për këtë nivel njohje jo për amatorë që preken në sedër nga sygjerimet apo edhe dalldisen nga inati.
Sibeli nuk i ka patur këto mundësi për të krijuar këtë shkallë njohje që e kanë shumë profesorë të letërsisë në Prishtinë, dhe kjo nuk e bën atë të keqe, as më pak poete. Thjesht ka hyrë në një punë që nuk e njeh dhe pikë.
Por nëse duhej zgjedhur kryetari nga Prishtina, nuk do pyetje që Kosova ka shumë poetë, kritikë dhe akademikë të nivelit ndërkombëtar që unë i kam përherë në gazetën Nacional, dhe që kanë dijeninë dhe besueshmërinë për të qenë në një juri të tillë dhe pranimi i Sibelit për të përligjur një fallsifikim është një mendjelehtësi, një gabim, pasi ndërhyn një një polemikë që vazhdon prej një viti dhe ku kanë marrë pjesë qindra poetë dhe shkrimtarë nga të gjitha hapësirat shqiptare. Nuk ka kush vërejtje për Sibelin përsonalisht, ajo është një vajzë e nderuar dhe mendoj me të ardhme në profesionin e saj, ndoshta edhe në letërsi. Pse shqetësohesh kot. Biles as Skënder Sherifi, që është një nga poetët më të mirë shqiptarë, por edhe të frankofonisë, që ti i drejtohesh me ironi, nuk merret me Sibelin. Ti e sulmon kot nisur nga kritere ideologjike jashtëletrare. Ky është një stil i tejkaluar nga koha e totalitarizmit.
Ty duhet të të shqetësojë fakti që QKLL ka përjashtuar, pabesisht, poetët shqiptarë që shkruajnë jashtë Republikës së Shqipërisë nga gara për Poetin Laureat 2. Pse e bën kjo qendër këtë gjë, ndërsa sporti, muzika, kinematografia etj, në Tiranë janë si një skuadër nacionale, siç bile fjala përfaqësuesja e futbollit? Pra ka një problem në këtë qendër që duhet zgjidhur dhe nuk ka asnjë lidhje nëse Sibeli është poete e madhe, e vogël, është akademike, sociologe apo veprimtare shoqërore.
Vërtet është e tepërt të harxhojmë kohë dhe energji për një fenomen të tillë, kur ushtria e serbe është rreshtuar në kufij të Kosovës dhe nga çasti në çast mund të nisë lufta, por shqiptarët do të kenë akoma punë me mercenarët, filoserbët dhe filogrekët, deri sa të bashkohemi në një shtet. Për këtë synim të madh luftoi edhe UÇK-ja dhe janë gati mijëra të tjerë te luftojnë përsëri për bashkimin kombëtar. Të përshendes dhe uroj çdo të mirë!