Një tërmet i fuqishëm prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë, duke lënë të vdekur qindra persona.
Numri i viktimave besohet se është 360, teksa zyrtarët shëndetësorë në kryeqytetin sirian, Damask, kanë raportuar se 237 persona kanë vdekur në zonat që kontrollohen nga Qeveria siriane.
Qindra persona të tjerë raportohet se janë plagosur në të dy shtetet.
Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.
Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.
Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit.
Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.
Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij kolapsuan.
“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.
Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, që jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.
Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shkroi në Twitter se ekipet e kërkim-shpëtimit menjëherë reaguan pas dridhjeve të fuqishme të tokës.
“Shpresojmë se do ta kalojmë këtë fatkeqësi së bashku sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me sa më pak dëme”, shkroi ai.
Autoritetet turke thanë se viktima janë regjistruar në shtatë provinca të shtetit. Sipas Agjencisë turke për Menaxhimin e Emergjencave dhe fatkeqësive, të paktën 440 persona janë plagosur, ndërkaq pala siriane tha se të paktën 516 persona janë lënduar. Më herët, pala siriane tha se të paktën 47 persona janë vrarë në zonat e kontrolluara nga rebelët.
Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme. Afër 18.000 persona ishin vrarë nga tërmetet e fuqishme që kishin goditur shtetin më 1999.