Kur një poet shkon në qiell, pasurohet qielli, – na vjen të themi, – dhe kur ai është mik, ti ndjen se krahërori të ngushtohet nga dhimbja e ikjes dhe i kthehesh poezisë së tij, që të qortosh ikjen, të vazhdosh ndërprerjen dhe kupton se tani ka filluar jeta e vërtetë e poezisë së tij, pra e poetit…
Gjëra të tilla kam menduar këto ditë, që nga fundi i majit, kur poeti i dashur Skënder Rusi zgjodhi të merrte rrugën e qiellit.
E di, ai shkonte herë pas here qiejve, merrte kaltërsi dhe dritë andej, re dhe shira dhe ylberë me poezinë e tij dhe, nëse këtë herë vendosi të mos kthehet, ndër librat e tij ai la copa jete, copa ëndrrash, udhëtime, mjafton t’i shfletojmë, aty do ta gjejmë, është më shumë se kudo, si në shtëpi, aq shpirtbukur…
Është një jetë e tërë që jemi miq, edhe pse bashkë kemi qënë shumë pak kohë, edhe larg, përveç viteve të studentit, kur u njohëm e rrinim çdo ditë, bisedonim, lexonim, shkruanim, shëtisnim, të dalldisur nga dashuritë…
Ishim me fat se na kapën fillimet e viteve ’70, fjala është për shekullin e kaluar, që do të quheshin si “vitet e liberalizmit” dhe më pas regjimi do të dënonte ata që i damkosi si ideatorë të tyre viteve, shkrimtarë, dramaturgë, edhe aktorë cirku, muzikantë, këngëtarë, piktorë, studentë, lexues, madje dhe librat vetë, jo vetem i ndalonin, por i riciklonte duke i kthyer prapë në letër në fabrikat qe ndërtuan kinezët. etj.
Gjithsesi ne na doli e drejta e studimit atëhere, jo në Universitetin e Tiranës, por në Institutin e lartë të Shkodrës, ku mundën të shkonin dhe nga ata me “biografi jo të mirë” siç quheshin familjet e atyre që nuk i donte regjimi.
Dhe kështu pata fatin të njihesha me Skënder Rusin. E kujtoj ashtu aq të çiltër, me sy të pastër dhe të vëmendshëm, flokët e drejtë dhe të zbërdhyltë mbi ballë, nga Korça jam, nga fshati Vishocicë, tha, emër i çuditshëm për studentët, kishte diçka eksituese, thoshim, edhe veshje, edhe… pra, Skënderi kishte arësye të ishte më eseniniani nga të gjithë ne. Secili nga brezi im e mendonte poetin rus e sovjetik, Eseninin-ikonë si më shumë të vetin, disa për lirikat aq kumbuese të dashurisë, disa për trishtimin dhe zhgënjimet, disa për vetëvrasjen dhe poezinë e fundit e shkruar me gjak… dhe donim të shkruanim si ai. Më të partishmit zgjidhnin Majakovskin. E përkthyer në shqip ky ishte dhe si një debat: me Kadarenë apo me Dritëronë. Po Fatos Arapi? Më i trishtuari. Ndërsa Lasgush Poradeci, liriku qiellor, komplotohej me heshtje, ai I përkiste kohës se mbretërisë, aq sa e dinin të vdekur, kur ai bënte të xhindosurit me atë kohë xhindësh socrealistë.
Që sa më tregoi poezitë e tij të para, Skënderi më shumë ua tregonte vajzave më duket, unë i pëlqeva shumë për ndjeshmërinë dhe kadencën, për metaforën me të thjeshtën, pa hermetizëm siç na pëlqente një pjese, Lorka psh, po edhe Eluari, etj, po i gjenim librat e tyre, fyteshin fshehurazi në shqip nga Prishtina, na jepnin pedagogët vetë në mirëbesim, më pas ktheu, po i gjenim dhe rusisht, Jevtushenkon e rrezikshëm apo Tomas Eliotin biblik, etj, do të na pëlqente të shkruanim me atë figuracion, edhe të shpërdredhur për të fshehur brenga, ide, pakënaqësi, pa qëllim dhe me qëllim, na ndodhte që të shkruanim dhe bashkarisht në të njëjtën fletë, duke ia kaluar njëri-tjetrit, Skënder Rusi, shoku tjetër po aq i dashur, Simon Vrusho, dhe unë. Vonë, pasi ndërroi regjimi, Skënderi do të fuste ndonjë gjë të tillë, kapriço me emrat tanë, në ndonjë një përmbledhjet me poezi të tij. Ndërkaq vetëm poeti Agim Spahiu, shok i ngushtë yni, arriti të botojë libër që student.
Kujtoj që profesor Hasan Leka na dha fshehurazi Skënderit dhe mua një libër me tanka japoneze, të poetit Isikava Takubok, që kishte jetuar sa Migjeni ynë, 27 vjeç dhe nga turberkulozi kishte ikur dhe ai. E përkthyem bashkë të gjithin nga rusishtja. Kur më arrestuan, ma përmendin dhe në akt-akuzë atë emër, “raketakja” – i thoshte prokurori, – c’të duhej ai ty, armik!”, – bërtiste, nejse erdhi dita që fletoret tona, që mundën të shpëtojnë, së voni, pas rënies së perandorisë komuniste, t’i botonim dhe si libra më vete.
Skënderin, mbas diplomimit, e çuan mësues fshatrave afër vendlindjes, arriti të botojë, po krijonte emër në lirikën e re, unë nuk do ta takoja dot më, ndarja u bë dramatike dhe e gjatë. Në në burg unë kërkoja të shihja shtypin letrat, aq sa mundej, doja të gjeja dhe emra shokësh, pra ishin dhe më ikte ankthi, kur lexoja poezi të tyre të botuara, e kuptoja censurimin, por gëzohesha që s’u kishte ndodhur gjë…
Malli për Skënderit do të ishte i gjithmontë. më vonë, do të merrja vesh se si do të specializohej në dramaturgji, për bibliotekat deri dhe kairo në Egjipt dhe do të ishte libretist në teatër, drejtor i bibliotekës së Korçës, qytetit të tij, siç do ta quante nëpër lirika, që do i kushtonte dhe një libër të veçantë dhe nuk do ta braktiste kurrë, as në kohët e ikjeve të mëdha.
I shkova atje ta takoj, në postdiktaturë, thoshim ne, s’kishte më Realizëm Socialist, por mbetjet ishin po aq të liga. Skënderi do të punonte me gazetën e parë demokratike të qyteti, edhe atë letrare, do të organizonte festivalin ndërkombëtar të poezisë “Netët Korçare”, do të më ftonte dhe mua të mbillja një pemë në kopshtin e festivalit, etj.
Do të njihesha me Zonjën e tij, fëmijët, me shumë gëzim fliste për djalin që studionte në Universitetin e Romës, në “La Sapienza” dhe shkruante tregime. Do të m:e jepte t:e gjith;e librat e tij me autograph, ishin bërë shumë, mbi 20. Gjithsesi Skënderi ishte vetëm poet. Dhe mua më mrekullonte, jo pa habi, që ai nuk ndryshoi fare deri në fund, po ajo poezi si tek të parat, po aq rinore, do të thosha, një permanencë sinqeriteti deri në mallëngjim, natyrisht që rafinohej, zgjeronte gamën e shqetësimeve, bashkë me entuziazmin dhe trishtimet, befasitë dhe zhgënjimet, por përherë i dashuruar…
Skenderi ishte lirik dhe poet i lirisë së brendshme, i dashurisë me sfond peizazhet, e pati të vështirë sigurisht si të gjithë, përveç të partishmëve dhe të patalentuarve. Herë here më dukej se donte te ishte ende si Esenini rural, por dhe si Jevtushenko – kyeqytetasi moskovit, por e kishte më të lehtë të bënte si Dritëroi devolli, korçar ishte dhe Koçi Petriti, që Skënderi i donte lirikat e tij,
Skënder Rusi i njohu mirë këta, poezitë e tyre, dukej sikur në atë rrugë po ecte, por më vete, i dalluar, I ngarkuar me barren e jetës së tij. Do të shkëlqente si yll i mbramë i lirikës korçare dhe jo vetëm, poet i Shqipërisë, aq i çiltër, me muzikë erërash, sy lulesh e flatrime orësh, – kështu kisha shkruar me mall për poezinë e tij, – por ai ka rëndësi se ruajti të bukurën jetësore si ndjesi, si formë, si fjalë.
Edhe vdekjes po i këndonte bukur…
Gjithë këto ditë kam menduar i dëshpëruar për ikjen e tij. Po doja ta shikoja dhe si shpëtim. Ajo e dridhura e tij prej parkinsonit, e dija që shkaqet janë neurodegjenerative, por i shikoja dhe si metaforë te ai, ndikim nga shqetësimet dhe faktorët mjedisorë, fërgëllonte koha në trupin e poetit…
Ndërkaq, teksa isha duke përgatitur diçka për në fb, pa m’i kërkuar kush, ca fjalë të thjeshta për Walt Witman-in në 205 vjetorin e lindjes së tij, poet që na rriti… mua, brezin tim, desha të them, kur lexoj, – shkruante i biri i Skenderit, Erisi, – që po atë ditë, në 31 maj, babai i tij, poeti dhe miku ynë, Skënderi, iku papritur në Qiell…
Ah, kishte zgjedhur të njëjtën ditë. Do jenë takuar patjetër shpirtrat e tyre mes reve sonte… – mendova përhumbshëm. Dhe u kujtova që librin e famshëm, “Fije bari” në shqip të Whitman-it e donim aq shumë, po që dhe libri i parë me poezi i Skënderit kishte bar në titull, “I njomë ishte bari”.
Dhe kur? Kur dhe Whitman-i si poet amerikan, “këngëtari i demokracisë”, ishte i ndaluar, aq më tepër që e kishte përkthyer një Skender tjetër, luftër i Spanjës, rebel, megjithatë atë libër për fatin tonë të mirë, e kishte shpëtuar titulli, “Fije bari”, e dinin libër agrokulturor, të paktën në Lushnjën time bujqësore, në vitrinën e librarisë ishte mes librave për grurin, si të rritim misrin, derrat, pambuku, etj, “Fije bari”.
Po libri hollak i Skenderit, kur çdo gjë atëhere botohej me heqje e cungime si kositje e vrazhdë bari, me shtesa politike si me arna thesi?
I them këto për të kujtuar dhe kutuar kohën, si na bëri dhe si e bëmë, ku Skënderi ia doli dhe sfidoi, njerëzor dhe shpirtbukur, bisedat me atë mund t’i vazhdojnë të gjithë ata e duan dhe ai i donte, jo vetëm me librat e tij, por dhe me të birin-shkrimtar, Eris Skënder Rusi dhe kjo mbetet ëndrra më e shtrenjtë e tij…
Shoh qiellin tani i mallëngjyer, shoh fytyrën e lirikut tim…
(Marrë nga ExLibris)