Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi do të zhvillojnë të hënën mbledhjen e dytë të përbashkët të kabineteve qeveritare.
Mbledhja këtë herë do të zhvillohet në Podgoricë, derisa e para është mbajtur në Shkodër, në korrik të vitit 2018.
Mbledhja në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Podgoricë pritet të zgjasë më shumë se dy orë dhe do të fokusohet te projektet që kanë rëndësi për të dyja vendet.
Në fund do të nënshkruhet deklarata e përbashkët, dhe ajo e marrëveshjes dypalëshe për ndërtimin e urës në lumin Buna.
Ky projekt është prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë një takimi të mbajtur në Ohër në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, në qershor të vitit të kaluar.
Të dy liderët kanë thënë se projekti do të kushtojë 9 milionë euro dhe pritet të përfundojë brenda 18 muajve.
Ura do të jetë e gjatë rreth 310 metra dhe e gjerë 17 metra, si dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.
“Kjo urë do të lidhë 34 kilometra të plazhit me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530 mijë turistë çdo vit. Distanca aktuale mes Ulqinit dhe Velipojës është 73 kilometra, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm një kilometër”, pati thënë Abazoviq.
Përveç saj, pritet të firmosen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me interes të përbashkët që kanë të bëjnë me: energjinë, peshkimin, mbrojtjen e bimëve, mbrojtjen sociale, sportin, kulturën dhe median, në fushën e mbrojtjes dhe shëndetësisë.
Tjetër marrëveshje e rëndësishme do të jetë edhe ajo për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin e Shqipërisë, si dhe marrëveshja për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, mes ministrive përkatëse të të dyja vendeve.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Rama dhe Abazoviq do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Qeveria e Shqipërisë ka zhvilluar mbledhje të përbashkëta edhe me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut.
Me Kosovën janë zhvilluar tetë mbledhje të përbashkëta dhe janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje.