U përmbyll edhe estrada e “bilbilgjyzarëve-rrogëtar” në kuvend për projekt-buxhetin e vitit 2020, pasi ishte “debatuar” edhe në komisione, ku “prej leckash zvarrë në vallen-fasadë, ngërdheshen si për tu mëshiruar” edhe profesionistët e emëruar në funksione të larta shtetërore.
Për çdo vend normal demokratik, buxheti i vitit pasardhës përbën ngjarjen më serioze në kalendarin e Kuvendit, pasi përtej shifrave artikulon performancën ekonomike të qeverisjes për vitin që lihet pas; adreson problemet, sfidat dhe mundësitë ndaj interesave të qytetarëve, shoqërisë dhe projekteve kombëtare; si dhe integron ambiciet, objektivat, kapacitetet financiare, dhe mbi të gjitha matricën e masave dhe përgjegjësive shtetërore për vitin pasardhës.
Me gjithë përgjegjësinë që më është besuar nga Kryetari i PD zoti Basha, subjekt i këtij opinioni nuk është këndvështrimi politik i buxhetit të mbrojtjes vetëm për 1 vit, por shqetësimi strategjik për qasjen delekuente përgjatë 6 viteve të qeverisë (2014 – 2019) që po lëmë pas, çka përbën një rrezik serioz për ta nxjerrë (diskretituar) Shqipërinë nga axhenda e NATO-s.
Së pari, më duhet ta nënvizoj se, në të 29 vendet e NATO-s (dhe jo vetëm) debati për buxhetin e mbrojtjes është ngjarje më vete në axhendën e Kuvendit.
Në Republikat parlamentare, “Kuvendi është institucioni i vetëm fuqiplotë” për realizimin e kontrollit demokratik mbi politikat buxhetore, por shërben edhe si test-prove për vizionin dhe përgjegjshmërinë e lidershipit, promovimin e konsensusit (tymi i bardhë) mbi çështjet e Sigurisë Kombëtare, dhe si “shkollë” për forcimin e demokracisë funsionale si e tërë.
Sigurisht, SHBA mbetet shembulli i fuqisë së demokracisë dhe përgjegjshmërisë shtetërore edhe në këtë fushë. Për ta ilustruar kujtojmë se, buxheti i mbrojtjes 2019 (rreth 740 miliard dollarë, përfshi edhe projektin e “Gjeneral Mattis & McMaster për hapësirën), më i madhi në historinë e njerëzimit, u miratua me konsensus në Senat, dhe përveç entuziazmit të ligjshëm te Presiedentit Trump pas miratimit, buxheti u pagëzua me emrin e ushtarakut legjendë, shtetarit brilant, mikut të madh të mbarë shqiptarëve, të ndriturit John McCain.
Edhe në Rumani, një mik/koleg më siguroi një referencë zyrtare, që tregon, “e zeza mbi të bardhë” se, kalendari i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes për të arritur 2 % të GDP-së në 2024, është nënshkruar nga Kryeministri dhe Kryetari i opozitës zyrtare, si një demonstrim i konsensusit dhe përgjegjshmërisë shtetërore në raport me Sigurinë Kombëtare, përmbushjes së angazhimeve dhe statusin afatgjatë të Rumanisë në NATO.
Por edhe në Shqipëri,^ shpresoj të mos jetë harruar FAKTI, se, përveç vetëm gjatë 6 viteve të qeverisjes-Rama dhe dy parlamenteve 2013 & 2017 (më të diskredituarit e historisë 107 vjeçare të shtetit shqiptar), edhe pse një “demokraci e brishtë”, për 20 vjet të tjera me radhë (1993 – 2013), për çështjet e sigurisë kombëtare për anëtarësimin në NATO, etj., me disa 10-ra rezoluta të përbashkëta janë miratuar në Kuvend me konsensus të gjerë. Si shembuj konkret, mund të përmendim, miratimi nga Kuvendi me pothuaj 140 vota: aplikimin për partneritetin me NATO-n (PfP – 1994); përgjegjësitë e statusit Apirant/MAP-1999; Strategjia e Sigurisë Kombëtare-2004); Ushtarake-2007; paketa drejt-anëtarësimit të plotë në NATO, Korrik 2008, etj.
Së dyti, në 8 vjet të qeverisjes së PD-së, përveç se u realizua anëtarësimi në NATO (2009), në vitin e fundit të mandatit (2012), në raportin zyrtar të NATO-s, Shqipëria përmbushi detyrimet teknike të anëtarësimit, duke u rreshtuar me meritë: “ndër 5 vendet model midis 28 vendeve të NATO-s”.
Me meritë, pasi: “arriti deri 2% buxhetin e mbrojtjes; kontribuonte me 500 luftëtarë njëherësh (përfshi nga Policia e Shtetit) në operacionet (+ strukturat) e NATO-s, BE, UN; disa qindra milionë euro (rreth 30%) nga buxheti i mbrojtjes u shpenzuan me projekte madhore për modernizimin e kapaciteteve dhe efiçencës së Forcave të Armatosura, si dhe strukturave të Sigurisë Kombëtare, të tilla, si: blerjet e helikopterëve të gjeneratës së fundit (Cougar); prodhimin e anijeve të patrullimit; vëzhgimin e hapësirës detare; forca speciale elitare; detyrimet në fondin e përbashkët të Aleancës (NCF); nënëshkrimi i 10-ra marrëveshjeve mirëkuptimi & teknike me agjensinë e inteligjencës, korpuset e reagimit të shpejtë të NATO-s, etj.
Së treti, mbas vitit 2014, në më shumë se 6 vjet (pa përfshirë sukseset imagjinare në facebook, Tweeter-ve të Spiriopalit@co dhe llogjeve nga ballkoni i Kuvendit mes Ramës & Gjuzit, etj), fatkeqësisht Shqipëria, ka bërë hapa të “frikshëm” mbrapa dhe është e rreshtuar e fundit fare mes 29 vendeve. Për më keq, kërcënon “karrigen me meritë mes të barabartëve” në tavolinën e NATO-s. Kështu ndodhi në Samitin e Londrës, para dy javësh (3-4 dhjetor 2019), ku u ftuan të ulen me Presidentin Trump, “vetëm vendet serioze ndaj detyrimeve në NATO”, si: Mbretëria e Bashkuara, Poloni, Rumani, Letonia, Estonia, etj, ku fatkeqësisht mungonte Shqipëria, “jo për veshjen, as për mjekrën e Kryeministrit”, por për sa në vijim:
Për uljen drastike në secilin nga 6 vitet që lamë pas (rreth 1 %) të shpenzimeve reale për mbrojtjen, pa konsideruar ‘rrëmbimet” e buxhetit me VKM dhe procedura “sekret” (për spitalin e traumës, emergjencat civile, si dhe shpenzimet për helikopterë, blerje pajisjesh lendeve lotsjellëse, pajisjeve mbrojtëse dhe shpërblimin e personelit të MB për “heroizmat” ndaj bashkëqytetarëve /demonstruesve të lirë), por edhe për shkak të pikëpyetjeve kritike për stabilitetin demokratik (nga vjedhja e votës, zgjedhjet moniste, si dhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni); deformimin bolshevik i balancave të pushtetit; mos-ushtrimi dhe privatizimi i përgjegjësive kushtetuese në funksion të “axhendës të oligarkëve drejt qelisë = mbas meje qameti”; përdorimin e kapaciteteve të FA në kundërshtim flagrant me ligjin dhe vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese; emërimet politike në funksionet kushtetuese dhe ato të kontrollit-civil demokratik; klientelizmi, korrupsioni me Planin e Përhapjes/objektet dhe burimet e mbrojtjes së FA (dhjetëra infrastruktura, qindra objekte, dhe mijëra sipërfaqe,ju janë dorovitur familjarëve, pashallarëve dhe kamikazëve të partisë si në kohën e sulltanatës), etj. Një gjë është e sigurt, nuk do të vonojë, dhe do të përgjigjen ligjërisht, si ata që kanë “abuzuar shumë rëndë me përgjegjesitë shtetërore”, por adhe ata/o që për interesa sekserësh, do guxojnë të legjitimojnë shkelësit e ligjit.
Edhe njëherë, shkurtimisht për buxhetin, bashkëlidhur lexoni grafikun ilustrues të shpenzimeve në 28 vendet e NATO-s, për vitin 2017, ku gjeni se Shqipëria është renditur e fundit fare (me 145 milionë dollarë), pas Luxemburgut, që ka rreth 1000 personel në FA dhe ka alokuar pothuaj dyfishin e shpenzimeve (288 milionë dollarë). Siç dihet, përveç shifrave të ulura drastikisht, Qeveria Rama, në mbi 6 vjet ka mashtruar (në fakt vetveten), duke devijuar nga buxheti i mbrojtjes fonde me VKM, që firmosen pa marrë as “formalisht” nënshkrimin e ministrit përkatës; pa as-dijeninë e Komandantit të Përgjithshëm, si dhe pa aprovimin e Kuvendit – fasadë. Kështu, shifrat e shpenzimeve konkrete, janë “kokëforte”, për të na treguar papërgjegjshmërinë e qeverisë Rama, në raport me qasjen ndaj Sigurisë Kombëtare dhe pozitën zyrtare të RSH (e fundit) në NATO.
Do ishte “luks i madh” ti kërkonim kësaj qeverie, detaje të strukturës së shpenzimeve, por, nuk mundet të lëmë pa përmendur, se, përveç uljes drastike që përmendëm me lart, edhe devijimin kritik nga standardi i NATO-s: “40 % personel, 30 % operacione dhe mirëmbajtje, si dhe 30 % modernizim dhe infrastrukturë”. Ndërsa për çdo nga 6 vitet, nga 40 në rreth 60% të shpenzimeve janë parashikuar për personel dhe më pak se 8 % për modernizmin dhe mirëmbajtjen.
Lexuar kështu, shifrat dhe struktura e shpenzimeve të mbrojtjes, jo vetëm demaskojnë papërgjegjshmërinë e “frikshme” të qeverisë, por edhe shkeljen flagrante të ligjeve dhe angazhimeve zyrtare të miratuara në Kuvend, duke i trajtuar kështu ligjet dhe dokumentat strategjike si letra pa vlerë, inventar në sirtarët e zyrave të qeveritarëve.
Me këtë rast, shtoj se, për shtetet serioze perëndimore, institucionet, mekanizmat dhe kapacitetet e Sigurisë Kombëtare, nuk janë shoqatë bamirësie, organizatë jo-qeveritare, për shërbime komunale, por instrumente të fuqisë kombëtare me përgjegjësi kushtetuese. Si e tillë, Qeveritë kanë përgjegjësinë dhe detyrimin kushtetues të zhvillojnë kapacitete në dobi të sigurisë së jetës, pronës së qytetarëve, stabilitetit demokratik të shoqërisë dhe interesave mbarëkombëtare. Reagimi “pas tërmetit”, përveç gallataxhiut-Kryeministër, demonstroi mungesën kritike të kapaciteteve (buxhetit, pajisjeve, stërvitjeve, masave të integruara), pavarësisht respektit të merituar për solidaritetin mbarëshqiptar, përkushtimin konstant, sakrificat dhe vetëmohimin e paçmuar të personelit të emergjencave civile, ushtarakëve, Policisë së Shtetit, shëndetësisë, etj.
Së katërti, krahasuar me rajonin, psh: buxhetin e Serbisë për vitin 2019, me rreth 900 milionë dollarë, ose sa 6 vitet së bashku i buxhetit të mbrojtjes së RSH, si dhe ka modernizuar fuqinë ushtarake me 18 avionë Mig 29, helikopterë luftimi, tanke, trasportues dhe “kërcënon” NATO/SHBA, me raketa S-400, ka partneritet të privilegjuar në fushën ushtarke me Rusinë, Kinën, etj. Po ashtu, Kroacia shpenzon më shumë se 1 miliard dollarë për mbrojtjen, si dhe synon të bëhet vendi lider për projekte serioze, me avionë, helikopterë, mbrojtjen kibernetike, etj.
Për më tepër, i lexuar në një realitet gjeopolitik nga: “ambiciet dhe përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për rritjen e influencës në Ballkan dhe Mesdhe”; terrorizmi ndërkombëtar; pasojat e qeverisjes së dështuar; inkriminimi dhe diskretimitimi i institucioneve; korrupsioni; krimi i organizuar; trafiqet; kriza financiare, emergjencat civile, siguria e mjedisit, etj., kjo qasje e papërgjegjshme e qeverisë, demonstrohet si kërcënim i frikshëm ndaj sigurisë dhe interesave mbarë kombëtare.
Së pesti, në pozitën dhe rrethanat gjeostrategjike, mbas shpalljes se pavarësisë në 1912, gjykoj se anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, mbetet arritje me peshë gjeopolitike, por edhe me rëndësi jetike për kombin tonë. Kjo përtej garantimit të tërësisë territoriale (artikulli 5), anëtarësimi është përmbushja e ëndrrës për afrimin me vlerat euroatlantike të mbarë shqiptarëve. Dhe kështu, pas anëtarësimit u hapi rrugë dhe u bë realitet “ëndrra e lëvizjes së lirë”, shërbeu si themel-sigurie i projekteve madhore (TAP), Rrugës së Kombit, investime të kompanive prestigjioze perëndimore, për sigurinë, ekonominë, mirëqenien dhe begatinë e bashkëqytetarëve.
Nga ana tjetër, NATO, nuk është as “foleja e propagandës për qeverisjet e 29 vendeve anëtare”, por një organizatë vitale në transformim të pandalshëm për të vitalizuar vlerat dhe kapacitetet e përbashkëta, në përballjen e shoqërisë me kërcënimet, sfidat dhe mundësitë e shekullit të 21. NATO nuk është as organizatë ALIENE (qiellore), as siguri e dhuruar (falas/for granted) njëherë e përgjithmonë. Trump, por jo vetëm, me të drejtë po kërkojnë ndarjen e barrës së përgjegjësive dhe vendosjen e partneritetit, karriges në tavolinën e NATO-s, mbi bazën e meritës.
Në shtesë, siç njihet gjerësisht niveli 2% GDP-se është kërkesë konstante dhe legjitime e SHBA, dhe e nënshkruar nga 29 kryetarët e Shteteve të NATO-s, në 5 Samitet e fundit përkatësisht në Wales, UK (2014), Varshavë – Poloni (2016), në dy Samitet e Brukselit (2017/2018), si dhe Londrës, 3-4 dhjetorit 2019.
Kështu, në përmbledhje nënvizoj me shqetësim, se, Qeveria-Rama ka dështuar “me turp” në përpjekjet prapagandistike për modernizimin e sistemit të mbrojtjes kombëtare dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s”, çka jo vetëm që vë në vështirësi kritike nivelin e kapaciteteve për përmbushjen e misionit të institucioneve kushtetuese dhe strukturave shtetërore, për sigurinë e qytetarëve, por e vendos Shqipërinë në një pozitë të pabesueshme dhe të papërgjegjshme me NATO-n dhe aleatin strategjik SHBA.
Nën paranojën e përjetësimit të pushtetit (të vjedhur), Qeveria-Rama, në vend të marrë përgjegjësitë për rreshtimin në fund të listës dhe “rrezikimin e karriges së RSH në NATO”, për pasojat e kapjes së Kuvendit dhe institucioneve nga krimi, droga dhe korrupsioni, si dhe dështimin e aspiratës së integrimit të shoqërisë në familjen e vlerave perëndimore (BE), në më shumë se 6 vjet qeverisje, “bën llogje me gjuzin/arët në Kuvend”, qesëndis “si gratë e liga gjithë dynjanë”, si dhe gjen “armikun” ose te rivalët, kundërshtarët politikë, te opozita e Tiranës (fajin e ka Saliu, Basha, në mos vetë demokracia); armiqtë e jashtëm ose koalicion armiqsh njëherësh.
E fundit por jo nga rëndësia, dëshiroj ta përmbyll këtë shqetësim strategjik, me mesazhin e Presidentit të SHBA, Thomas Jeferson (1801-1809): “E gjitha për çfarë tiranitë (diktaturat) kanë nevojë për të mbijetuar, është që njerëzit me vetëdije të lartë të heshtin”.
Ndaj kam bërë zgjedhjen, i jam bashkuar me vetëdije sfidës: “për transformimin dhe modernizimin e sistemit të Sigurisë Kombëtare”, si dhe misionit të liderit perëndimor BASHA, që me vizion, me vepra (kontribuues dhe nënshkrues i anëtarësimit në NATO; lëvizjes së lirë, projektit TAP, Rrugës së Kombit, me 10-ra kompani prestigjioze me investime strategjike, etj), bën diferencën e përgjegjshmërisë shtetërore, që jep shpresë, se me fuqinë e “votës së lirë”, të bashkuar, rreth vlerave, arritjeve dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike, do i`a dalim të tejkalojmë pasojat e kësaj qeverisje të dështuar, shtetit të kapur, të diskretituar dhe të marrosur, që: “guxon të bëjë pazare me sigurinë e qytetarëve dhe interesat Kombëtare (si rikthimi te shengenizimi/sllavizmi i Ballkanit perëndimor), si dhe kërcënon seriozisht pozitën (karrigen) e RSH në NATO”, arritjen me peshë gjeopolitike dhe me rëndësi jetike për mbarë kombin.
****
Piro AHMETAJ, Këshilltar për Sigurinë Kombetare në PD!
Komentet