Qeveria e Kosovës i ktheu përgjigje Bashkimit Evropian lidhur me letrën dërguar në Prishtinë dhe e siguroi atë që e “mbështet Presidentin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese”. Por presidentin Thaçi në rolin drejtuesit të dialogut nuk e mbështesin dhe e kundërshtojnë ashpër dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë LDK dhe Vetëvendosja. Tre përfaqësuesit e lartë të BE-së, Federika Mogherini, shefe e diplomacisë evropiane, Johanes Hahn komisioneri për Fqinjësi dhe Cecilia Malstron, komisionere për Tregti, në një letër dërguar qeverisë së Kosovës, shkruajnë se rezoluta e miratuar në Parlamentin e Kosovës për dialogun me Serbinë është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës, duke vënë në pah që të mbështetet presidenti Thaçi në procesin e dialogut. Qeveria e Kosovës e konfirmon këtë mbështetje për presidentin, por vetëm duke u “bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese”, konfirmoi për DW, zëdhënësja e qeverisë Donjeta Gashi. “Qeveria e Kosovës në baza të rregullta komunikon me Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për dialog. Bazuar në kompetencat që ka, qeveria është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj për një dialog konstruktiv dhe në të njëjtën kohë respekton dhe e mbështet presidentin në këtë proces, bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese”.
Në letrën e tyre, tre përfaqësuesit e BE-së, Mogherini, Hahn dhe Malstorm, nuk janë pajtuar me konstatimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, se dialogu është bllokuar. “Ne shprehim mospajtim të thellë me vlerësimin tuaj se dialogu është i bllokuar. Krejt e kundërta, dialogu i zhvilluar nga dy presidentët ishte duke bërë progres të dukshëm. Ne kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian të dhjetorit dhe kemi marrë mbështetje inkurajuese. Është tani thelbësore që ju me gjithë fuqinë tuaj t’i mbështesni përpjekjet e presidentit në dialog”, shkruajnë në letrën e tyre tre përfaqësuesit e BE-së.
Kryeministri Ramuash Haradinaj edhe të martën (18.12), pas një mbledhjeje të qeverisë, akuzoi drejtpërdrejt shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, e cila sipas tij, “e ka devijuar këtë dialog dhe i ka vënë në rrezik investimet e BE-së për këtë”.
“Që nga koha kur ka filluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova është ajo që ka humbur”, tha kryeministri Haradinaj, duke shfaqur vendosmërinë e tij që: “Nuk guxojmë të pranojmë që vetëm dikush të japë detyra”. Sipas tij “Kosova nuk do të jetë në mëshirë të të tjerëve. Kosova punët e veta dhe vendimet e veta do t’i paraqesë vetë”, u shpreh i vendosur kryeministri Haradinaj
Ndërkohë, dy përfaqësuesit e dy partive politike më të mëdha opozitare, nuk janë dakord, që presidenti Thaçi ta udhëheqë dialogun me Serbinë, sikundër po e kundërshtojnë edhe rezolutën dhe ekipin negociues të partive në pushtet që u miratua të shtunën (15.12) në parlament.
“Vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës me legjitimitet qytetar mund të udhëheq Kosovën në dialogun me Serbinë”, shkruan në profilin e tij social, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili vazhdimisht kërkon që në Kosovë duhet të ketë zgjedhje të reja dhe sipas tij, procesin e dialogut me Serbinë, duhet ta udhëheqin të zgjedhurit e rinj.
Kundër që Presidenti i Kosovës ta udhëheqë dialogun me Serbinë është shprehur edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili madje akuzon presidentin për: “skenare të fshehta”. Kurti shprehet edhe kundër rezolutës në kuvendin e Kosovës për dialogun me Serbinë dhe kundër ekipit negociator, ndërsa i referohet fjalimit të Presidentit në Këshillin e Sigurimit. “Pra, Thaçi po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve’. Vëreni me kujdes, tash flet sërish për ‘vendime të vështira’ dhe kundërshton atë që e quan ‘shkëmbim popullatash’, por nuk flet për integritet territorial dhe nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës. Votimi i të shtunës mbrëma në Kuvendin e Kosovës mban përgjegjësi historike për rikthimin e Thaçit dhe të pazarit të tij me Serbinë në kurriz të shtetit dhe territorit të Kosovës”, shkruan Albin Kurti.
Sidoqoftë, letrën e tre përfaqësuesve të lartë të BE-së dërguar qeverisë së Kosovës e ka kundërshtuar edhe rrjeti i organizatave të shoqërisë civile, “Grupi për Studime Juridike dhe Politike” (GLPS), duke thënë se “BE, po e konteston kornizën demokratike të vendimmarrjes së Republikës së Kosovës”.
“Letra në fjalë imponon qartë qëllimin që përfaqësuesi i vetëm në dialog të jetë Presidenti i vendit, z. Hashim Thaçi. Në këtë mënyrë, lë të nënkuptohet se kuvendi dhe qeveria, apo kushdo tjetër nuk mund të ushtrojnë mandatin përfaqësues dhe kushtetues në këtë proces. Rikujtojmë që roli i BE-së është lehtësimi i procesit të dialogut, dhe në një rol të tillë BE-ja supozohet që të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje që është e pranueshme dhe që është reflektim i drejtë i institucioneve demokratike të të dyja palëve”, thuhet në reagimin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.
“BE-ja nuk mund të ndërhyjë në dialog në formë të tillë që cënon rendin minimal të demokracisë së brendshme që është e përcaktuar qartazi në kushtetutën e vendit”, thuhet më tej në reagimin e GLPS. aa
Komentet