Institucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë, u tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, të mbajtur më 31 korrik, u diskutua për dy vendimet e Qeverisë lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë, vendime që hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Sipas Qeverisë së Kosovës, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.
Ekzekutivi shtoi se këto dy vendime janë në funksion të sigurisë, të vendosjes së rendit publik, ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit.
“Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjikë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës).
Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, llogaritet qarkullojnë 10.000 makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës) e të tjera.
Po ashtu, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.
Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.
Vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës nuk është pritur mirë nga autoritetet në Serbi. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, më 30 korrik tha se nëse Kosova nuk heq dorë nga këto vendime, atëherë zyrtarët serbë në veri të Kosovës do të nisin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Po ashtu, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është marrë vendimi që të shtyhet afati për mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore serbe në targat e makinave. Ky afat është shtyrë deri më 31 tetor të këtij viti.
Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë u rritën në shtatorin e vitit të kaluar, pasi Prishtina vendosi reciprocitet për targat, duke kërkuar nga shoferët e makinave me targat serbe, që mbulonin simbolet shtetërore në targa, gjatë qarkullimit të tyre në Kosovë.
Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje të përkohshme dhe më pas në negociatat në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje, duke bërë që regjimi i letrave ngjitëse të vazhdojë.
Komentet