Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 137-të ka miratuar tekstin e Propozim-ligjit për Regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2020, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e rregullt për media që mbahet për mbledhjet e qeverisë, përpos zëdhënësit Muhamet Hoxha, i pranishëm ishte edhe drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS), Apostol Simovski, i cili në detaje sqaroi nevojën e miratimit të propozim ligjit dhe përmbajtjen e tij.
Simovski tha se për herë të parë në Maqedoninë e Veriut zbatohet e ashtuquajtura metodë e kombinuar, respektivisht përdorimi i informacioneve nga bazat e të dhënave dhe grumbullimi i të dhënave nga terreni. Ai gjithashtu theksoi se regjistrimi në terren do të bëhet në mënyrë elektronike me përdorim të laptopëve, që gjithashtu është një risi tjetër në vend, për të cilin Simovski tha se do të mundësojë grumbullim më të shpejtë dhe më cilësor të të dhënave.
“Në këtë regjistrim, për dallim nga regjistrimi i mëparshëm i cili fatkeqësisht ishte i pasuksesshëm, do t’i përfshijë të gjithë personat si njësi të regjistrimit. Domethënë, përfshihen edhe personat që janë të pranishëm në shtet, por edhe personat që janë jashtë shtetit”, tha Simovski, duke theksuar se gjithnjë do të respektohen standardet e parapara nga Kombet e Bashkuara dhe nga Drejtoria evropiane e statistikave – Eurostat.
Ai sqaroi se personat që ndodhen jashtë shtetit, do të kenë mundësi të vet-regjistrimit nëpërmjet web-aplikacionit i cili në faqen e internetit të ESHS-së do të jetë gati një muaj para fillimit të regjistrimit.
Regjistrimi i popullsisë do të përmbajë edhe pyetjet për përkatësinë fetare dhe etnike, edhe pse fillimisht kishte dilema për këto çështje.
Simovski gjithashtu tha se sipas planit të paraparë, regjistrimi duhet të realizohet në periudhën nga 1 deri më 21 prill të vitit 2020. Në të do të angazhohen rreth 6.000 persona ndërsa do të kushtojë rreth 8,5 milionë euro.
Në konferencën për media u tha se në Republikën e Maqedonisë së Veriut për 16 vite nuk është zbatuar regjistrim i popullsisë ndërsa regjistrimi i vitit 2011 ishte i pasuksesshëm për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive politike.
Përpos propozim-ligjit për regjistrim të popullsisë, zëdhënësi Hoxha njoftoi edhe për vendimet tjera në mbledhjen e 137-të qeveritare.
Mes tjerash, ai tha se Qeveria miratoi Propozim-ligjin për menaxhim me trashëgiminë kulturore dhe natyrore në rajonin e Ohrit si dhe miratoi Strategjinë Fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020-2022.
Komentet