Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Kurti ka thënë se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi – të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë” – ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.
Kurti, po ashtu, bëri të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës, përderisa theksoi se procesi i vendimmarrjes për anëtarësimin e Kosovës do të përfundojë në maj.
“Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e komunitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave, në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha ai.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”.
Çfarë kontestohet?
Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.
Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.
Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.
Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet “sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.
Ata shpjegojnë se në vitin 1997 atyre iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.
Ata, po ashtu, kujtojnë se “në kohën e Milloshevqit”, nga viti 1991 deri më 1999, janë sjellë mijëra gjykime ligjore për mosmarrëveshje të ndryshme dhe pyeten nëse të gjitha ato do të anulohen.
Më herët, këtë muaj, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Qeveria e Kosovës priste që pushteti lokal në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.
Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë më 6 mars, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.
I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Qeveria e Kosovës do të kërkonte zbatimin e vendimit, ai ka thënë se nuk besonte që Qeveria do ta kërkonte një gjë të tillë.Radio Evropa e Lirë