Policia e Kosovës ka larguar mjetin e dyshuar shpërthyes, i cili është gjetur të martën në oborrin e Administratës Pensionale të Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës të rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Policia ka larguar mjetin shpërthyes, por po vazhdon ekzaminimin e mëtejmë të vendit të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka shtuar se pas përfundimit të raportit për këtë ngjarje, Policia e Kosovës do të nisë hetimet lidhur me këtë rast.
Mjet shpërthyes te Administrata Pensionale e Kosovës
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë njoftuar se në oborrin e Administratës Pensionale të Kosovës, është gjetur një mjet shpërthyes. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 11, Policia e Kosovës ka marrë njoftimin se në oborrin e Administratës së Pensionistëve të Kosovës është gjetur një mjet shpërthyes. Zyrtarët e Policisë së Kosovë dhe ekipet e deminimit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Tash për tash janë duke verifikuar mjetin shpërthyes dhe duke shqyrtuar mundësitë nëse do të mund të çaktivizohet apo do të shpërthehet në mënyrë të kontrolluar”, ka thënë Ahmeti.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë larguar qytetarët nga vendi i ngjarjes dhe kanë bllokuar kalimin në afërsi të objektit të Administratës së Pensionistëve të Kosovës, siç kanë thënë, deri në kalimin e rrezikut.
Komentet