Qeveria e Kosovës vendosi të ndërpresë procesin mësimor në të gjitha nivelit si dhe shtimin e masave tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Vendimi i qeverisë pasoi deklarimin e koronavirusit si pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti paraqiti në një konferencë për gazetarë, 11 masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Një, ndërprerja e procesit edukativo-mësimor në të gjitha nivelet deri me datën 27 mars 2020. Me rekomandim që njëri prind të lirohet nga puna, kjo masë nuk vlen për punonjësit shëndetësor dhe të sigurisë”, tha ai duke renditur më pas pezullimin e linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm deri në një vendim tjetër.
Masat parashohin kontrollin e detyruar të udhëtarëve nga ekipet mjekësore të Qendrave të Mjekësisë familjare në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetjen e policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike për detektimin e rasteve të COVID19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese dhe vet karantimin e detyrueshëm për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.
Sipas vendimeve të qeverisë “aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut, si për shembull ngjarjet dhe tubimet sportive, tubimet e ndryshme, koncertet, konferencat, tryezat e rrumbullakëta” deri në një vendim tjetër si dhe ndalohen “veprimtaritë e restoranteve, klubeve të natës, pishinave, palestrave pas orës 23”.
Qeveria vendosi të ndalojë “eksportin e pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve përveç me vendim të qeverisë. Të gjitha institucionet qeveritare si dhe ndërmarrjet publike e private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga ministria e Shëndetësisë të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese”.
Përvec tjerash qeveria parasheh që “personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se deri tani në Kosovë janë testuar 82 persona të dyshuar për koronavirus, por nuk asnjë rast të regjistruar si të infektuar me të.
Komentet