Qeveria e Kosovës vendosi pak para mesnatës së të dielës që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.
Vendimi u publikua pak kohë pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. “Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier, pas një takimi që pasoi shtimin e tensioneve në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë bllokuan të dielën në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë,
Qeveria e Kosovës tha në një komunikatë pas takimit se e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. “Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar”.
Në njoftim thuhet se kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.
“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak mirëpriti vendimin e Kosovës “për të pranuar propozimin e (shefit të politikës së Jashtme të BE-së) Josep Borrell për shtyrje për 1 muaj. BE-ja pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë. Zoti Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj Ambasadorit amerikan në Kosovë për mbështetjen e fuqishme”, shkroi ai.
Policia e Kosovës tha të dielën se mbylli dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, pasi grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Policia tha se nuk pati të plagosur nga të shtënat ndërsa theksoi se grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave.
Tensionet u rritën pak orë para afatit kur duhej të hynte në fuqi vendimi që të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Sipas vendimit të qeverisë të datës 29 qershor, nga e hëna më 1 gusht duhej të rridhte afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.
Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd.
Në orët e vona të mbrëmjes presidenti serb tha se i kishte lutur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndikojnë mbi Prishtinën që të shtyjë zbatimin e vendimeve dhe t’u hapet mundësia bisedimeve.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.
Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore.
Komentet