Në deklaratë duke u kundërshtuar sugjerimi i Trumpit thuhet: “Nuk kemi kontingjent të hapur. Momentalisht kemi një ambasador të shkëlqyer në SHBA”
LONDËR -Sugjerimi i bërë nga Presidenti i zgjedhur në SHBA, Donald Trump, që lideri i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP), Nigel Farage të emërohet si ambasador i Britanisë së Madhe në Washington, ka shqetësuar qeverinë britanike.
Kryeministria e Britanisë së Madhe ka bërë një deklaratë në lidhje me një postim të Trumpit në llogarinë e tij në Twitter, ku thotë: “Shumë njerëz duan që ta shohin Nigel Farage-n si përfaqësues të Britanisë në SHBA. Ai do të bëjë një punë shumë të mirë”.
Në deklaratë duke u kundërshtuar sugjerimi i Trumpit thuhet: “Nuk kemi kontingjent të hapur. Momentalisht kemi një ambasador të shkëlqyer në SHBA”.
Ndërsa ministri për Brexit në Britaninë e Madhe, David Davis, në lidhje me këtë çështje është shprehur: “Njerëzit mund të thonë çfarë të dëshirojnë, por ajo që është e thjeshtë dhe e vërtetë, është fakti që nuk ka ndonjë vend bosh për ambasador. Ne i besojmë fjalës së lirë. Në Washington kemi një ambasador shumë të mirë”.
Nga ana tjetër Nigel Farage në një deklaratë ka thënë se me ekipin e Trumpit ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe se ai mund të ndihmojë në një mënyrë apo në një tjetër vendin e tij. “Dëshiroj të luaj rol pozitiv në marrëdhëniet mes dy vendeve”, është shprehur ai.
Opinioni politik në Britaninë e Madhe më parë reagoi edhe për takimin e Trumpit me liderin e UKIP-së, Farage.
Komentet