Qeveria e Kosovës sot ka miratuar themelimin e Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se Kosova dhe organizata më e vjetër në Europë për të drejtat e njeriut ndajnë shtyllat e përbashkëta mbi të cilat janë krijuar – të drejtat e njeriut demokracinë dhe sundimin e ligjit, raporton Gazeta Express.
“Këto vlera të KiE janë të kodifikuara dhe të zbatuara nëpërmjet konventave të ndryshme dhe të monitoruara nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat Kosova i zbaton me përkushtim edhe duke mos qenë anëtare e KiE”.
Ai tha se Kosova ka bërë progres në sundimin e ligjit, prandaj kjo ka bërë që procesi i anëtarësimit të jetë i natyrshëm dhe i suksesshëm.
“Tash procesi i aplikimit gjendet te Asambleja Parlamentare e KiE, e cila do të japë opinionin e saj nëpërmjet përpilimit të një numri të raporteve për gjendjen e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Republikën tonë. Kjo periudhë do të shoqërohet me vizita faktmbledhëse në Kosovë nga ekspertë dhe deputetë të KiE, të cilët do të vizitojnë vendin tonë”.
Prandaj, Kurti tha se për të ofruar një pasqyrë sa më të saktë dhe koherente të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, MPJD ka propozuar krijimin e një grupi koordinues ndërinstitucional, i cili në përbërje aktuale është në fazën fillestare.
“Pra, do të jetë një grup dinamik, i cili ndërkohë do të përfshirë edhe akterë të tjerë institucionalë shtetërorë e nga shoqëria civile, varësisht nga çështjet të cilat do të ngritën nga KiE”.
Funksionin e këtij grupi dhe hapat e ardhshme të këtij procesi i ka shpjeguar më tej edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, e cila dorëzoi në majin e vitit të kaluar kërkesën për anëtarësim.
“Nëse për etapën e parë ka mjaftuar koordinimi i mirë mes Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës për ta kapërcyer këtë fazë, në atë të dytën do të na nevojitet një bashkëpunim shumë më i ngushtë institucional që të jemi shumë më të përgatitur për të gjitha kërkesat dhe raportet që do të na vijnë. Prandaj, kemi propozuar krijimin e një grupi koordinues, i cili ka për detyrë që të zhvillojë komunikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës, duke shkëmbyer informacione që ndërlidhen me procesin e anëtarësimit dhe duke hartuar raporte për çështje specifike në fazën e përgatitjes së opinionit të Asamblesë Parlamentare të KiE”.