Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja janë vendosur para ndërtesave të komunave veriore të Kosovës, një ditë pas përplasjeve me protestuesit serbë.
Grupe serbësh janë mbledhur edhe të martën para ndërtesave të komunave për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë, por situata aktuale është e qetë.
KFOR-i tha të martën se 30 ushtarë janë plagosur të plagosur nga pasojat e “dhunës së paprovokuar në Zveçan”. Në një njoftim të forcave paqeruajtëse thuhet se 11 ushtarë italianë dhe 19 hungarezë pësuan plagë, përfshirë thyerje eshtrash dhe djegie nga mjetet shpërthyese, ndërsa tre ushtarë hungarezë kanë pësuar plagë nga armët e zjarrit.
KFOR-i tha se shtimi i pranisë së tij në katër komunat e veriut të Kosovës ishte në funksion të uljes së rrezikut të përshkallëzimit.
“Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive… Ai iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme”, thuhet në komunikatë.
Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve si dhe me familjet e tyre.
“Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të ulur rrezikun e përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetëve të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme”, citohet të ketë thënë komandanti i KFOR-it.
Forcat paqeruajtëse thanë se do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të krijuar një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Përleshjet e së hënës shpërthyen në komunën e Zveçanit kur grupe serbësh hidhen gurë dhe mjete shpërthyese mbi trupat e NATO-s që përdorën gaz lotsjellës për të për të shpërndarë protestuesit, sipas dëshmitarëve.
Disa makina të policisë së Kosovës dhe të medieve u dëmtuan dhe mbi to u shkruan simbole nacionaliste serbe. Makinës së një televizioni iu vu flaka.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të hënën në mbrëmje se 52 serbë janë plagosur gjatë trazirave.
Dhuna e së hënës u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore.
“Aktet e dhunshme, të kryera ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë absolutisht të papranueshme”, tha shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Në një postim në rrjetet sociale ai u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që “menjëherë dhe pa kushte” ta shtensionojnë situatën.
“Presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes dialogut”, shkroi zoti Borrell.
Tensionet në zonë u rritën pasi kryetarët shqiptarë shkuan në zyrat e komunave pas zgjedhjeve të 23 prillit të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Autoritetet e Kosovës fajësojnë Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç nxitje të destabilizimit, ndërsa presidenti serb akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për nxitje të dhunës.
Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e perëndimit.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.