XXI
Ybejdi nga Shami dolli,
shtatë dhjetë mijë solli
armiku i Perëndisë,
mundonjës i-njerëzisë,
po vinte me shumë bujë,
e me të madhe rrëmujë,
kish shumë trima të-parë,
të-dëgjuar kordhëtarë.
Ibrahimi u lëshua,
fluturoj posi fajkua,
i dolli me mijë tetë
trim i-math e i-vërtetë.
Ushtëri e-mallëkuar
gjithë dhen e kish mbuluar,
te lum i-Zapit kish rënë,
vëndinë e kishte zënë.
Nga zotërinjtë ç’ kish mbetur
Ibrahimi ç’ kishte gjetur
nga i par’ i-njerëzisë,
e nga mbret’ i-urtësisë,
më një arkë i pat vënë,
me vehte i kishte shpënë.
Armikët i-kishte parë
njeriu i tij, q’ ish ndarë,
pa lark syresh kishin rënë
vënt të mirë kishin zënë.
Më nesëret me të gdhirë
trim i-math e zot i-mirë
u ngrit dhe thirri Alinë,
e u fal më Perëndinë,
pa mblodhi gjith ushtëtarët,
dhe xgjodhi e vu të parët.
Ishin gjithë burra trima
me vështim si vetëtima.
U tha: I shihni ku janë
të tër’ armikëtë t’ anë?
dhe Ybejd’ i-mallëkuar,
që djall ajy e ka xgjuar
dhe gjithë komb i pabesë
q’ i ka ndihur Mavijesë
gjithë zotërinjtë t’ anë,
këta që shihni, i-vranë!
Ka ndihmës Zotn’ e-vërtetë
në këtë dhe n’ atë jetë
edhe Mbren e Qerbelasë
ajy njeri, që t’ i vrasë.
Neve sot gjë të mos presim
po t’ i vrasim e të vdesim!
Kshu tha dhe punën të tërë
e tregoj, si ishte bërë,
dëgjuanë Qerbelanë
trimat e të gjithë qanë
me lot e me gashërima,
dhe me shumë psherëtima!
U zuri ngoje Alinë,
pa u shumoj trimërinë,
gjithë rrojtjenë s’ e deshnë,
kordhët e lara i zhveshnë!
Mëngjezi po hapte sytë,
s’ i kish parë shok të dytë!
dielli posa kish dalë,
lumi vinte valë-valë,
ushtërit u afëruan!
trimatë u egërsuan
kuajtë po higëllinin
e shpatatë po vetëtinin
të gjithë trimat e vlerë
prisninë vdekjen e nderë!
shigjetatë me vërtik vinin!
dhe kë zinin, gjall s’ e linin
shum u shtua vrasj’ e-shkretë
q’ u zu së-pari e-qetë,
vdekja në mest rreth po vinte
shpirtërat me grusht i ngrinte
më anët tjatrë dhe fati
ndrint’ e shuhej si lugati!
tjatrë herë me të tjerë,
me të-tjerë tjatrë herë!
lëftoninë mijë tetë
me mijëra shtatë dhjetë!
më s’ duroj dot Ibrahimi,
po kordhën e zhveshi trimi,
mi armikët u lëshua
burr i fortë si dragua!
i vuri gjithë përpara!
i shtu si duajtë nd’ arë
duke vrar e duke prerë,
e përmbi dhet duke nderë,
gjaknë gjer më gjut e shpuri,
edhe s’ kish të lodhur burri!
Trim i-bukur i pavdirë
u derth me Hasin-Nemirë,
që ishte trim e i-parë
përmi gjithë luftëtarë,
dhe në Qerbela kish qënë,
e gjë pa bërë s’ kish lënë!
Ibrahim’ i heq një shpatë,
dhe j’ a bën ditënë natë!
Opopo! tha Ybejd-derri,
u ngjallka Maliq-Eshteri!
soje shum’ u frikësua,
thiri e u tëmërua!
Vuri dorë Perëndija
u prish e tër’ ushtërija
gjaku vij posi përrua!
Ibrahimi si fajkua
Ybejdullllahn’ e arriti!
një herë i sokëlliti
pa i bij’ e posht’ e shtije!
dhe i thotë ngorth Mavije.
Ybejdi ra duke qarë
dhe u ndesh si qen i vrarë
posi djall i-shëmëtuar
fajëtor i mallëkuar!
Shqipja sqokën duke ngritur,
pa zoqtë duke mahnitur,
qysh përhapen e thërresën,
dh’ e humbasin fare shpresën,
ashtu edhe ushtërija,
u përhap nga Perëndija!
po trimatë pas u ranë
i vranë e gjall s’ i lanë!
Lumi q’ ishte gjak i tërë
posi kënet ishte bërë
armikëtë van’ e hynë
të gjithë brënda u mbynë
ajo ushtëri e shumë
e-tërë u mbyt në lumë!
Sa shpëtuanë nga shpata
edhe nga ushtat e gjata,
lumi të tër i piu!
vdekj’ e zezë i përpshiu
ng’ ato mijë shtatë dhjetë
një njeri s’ shpëtoj në jetë
u ngdhinë gjith’ e s’ u ngrysnë!
më një ditëz’ u përmbysnë.
Ibrahim o jetë gjatë
s’ e turpërove t’ ët atë
të lumtë se ç’ pagë more
gjith’ idhërimet i nxore
Zot i-math e i-vërtetë!
ti s’ e le jetënë shkretë
puna jote s’ ësht e çalë,
të qofshim për jetë falë;
Ibrahimi me të parë
nër ata, q’ ishinë vrarë,
të nipnë e Mavijesë,
Ybejdullllahn’ e pabesë,
shokëvet duke treguar,
u tha: Ky i mallëkuar
i ka më qafë të tërë!
të-ligat ky i ka bërë
i-paudhi ç’ ka punuar
qoftë lark, i-mallëkuar.
Ky djall urdhërë pat thënë
pa e vranë Zotnë t’ ënë!
me djallëzit të-këtija
u bën ato të këqija
ky derr e dërgoj Ymerë
edhe Shimrinë-dhëmbë-derrë!
Zapatnë ky e ka bërë
dhe ligësinë të tërë!
I ati ish me Alinë,
pasdaj zuri faqezinë
s’ i pëlqeu pun e-mbarë,
andaj u bënë kusarë.
Zotit gjith i qofshim falë
se sot vetëzë ka dalë
armikëvet u dha dërmë
i la të vrarë si kërmë
sa qenë të mallëkuar,
të gjithë sot i ka shuar
e shoj kombin e-pabesë
këlyshët e Mavijesë.
Nga ky q’ ishte vetë dora,
shpag ashtu si desha mora
Zot i-math e i-vërtetë
më s’ të kërkonj gjë në jetë.
Tha këto fjal Ibrahimi,
dh’ e vu kordhën në millt trimi
shumë lot nga syt’ i rrodhë,
pa shokëtë gjith u mblodhë,
Ybejdit kokën i prenë,
edh’ e lanë nderë qenë,
e dërguan në skëterrë
atë, dhe kokën e prerë
Myhtar trimit j’ a dërguan,
pasdaj u nisnë e shkuan.
Kur i erth koka Myhtarit,
nga gazi ja dha të qarit,
edhe tha: Zot i vërtetë,
e more shpagënë vetë!
pa u tha pleqet: Një herë
kësaj koke, q’ është prerë,
kokën e Imamit t’ ënë
përpara j’ a kishin vënë,
në këtë vënt, që jam unë
sot këtë mua ma prunë
e shihni ç’ bën Perëndija?
m’ a pru nër duart të mija
njeriu ç’ të ketë bërë
i vjen më kokëz e-tërë
mirësi e ligësija
s’ janë një te Perëndija.
Kshu po thoshte Myhtar-trimi
kur u dha dhe Ibrahimi,
dhe shokët e tij të vlerë,
të-gjithë trima të-ndjerë.
Myhtari e qafoj trimnë
shumë herë, Ibrahimnë.
Armikëtë ishin shuar,
dhe miqtë gjithë gëzuar,
delja me ujkunë flinin,
më një rrëke ujë pinin.
Po burrat armik më nj’ anë
patn’ Abdyl-Meliq-Mervanë
me shumë shokë të tjerë,
më nj’ an Abdullllah-Zyberë,
q’ ishte dhelpër e pabesë,
kish pej Mavijeje pjesë.
Ndonëse ishin armikë,
nga Myhtari patnë frikë,
pa u bënë miq e shokë,
se kishin rrezik mi kokë,
një më nj’ anë e një më nj’ anë,
të dy një-herjesh u ranë.
Ibrahimi me Myhtarë
u qafuan duke ndarë,
muarrë shokë dhe vanë,
një më nj’ an’ e një më nj’ anë,
Myhtari posi dragua
Abdullllahut j’ u lëshua,
Ibrahimi mi të birë
e Mervanit të-gjështirë.
Aqë luftë kanë bërë
sa i shuanë të tërë
me mijë armikë prenë
gjaku mbyti gjithë dhenë
pa pasdaj ranë dhe vetë
burrat trima të-vërtetë
se punënë e mbaruan,
gjë në jetë më s’ kërkuan
dhe kush lint, po dotë vdesë,
s’ ka mbetur’ e s’ munt të mbesë.
Ore fat o fat i shkretë
edhe ti e-zeza jetë
ç’ kini nxjerr’ e ç’ kini ngrënë
kurrë mos u qoftë thënë
me ne të mjerët pse loni?
kaqë keq pse na mundoni?
Dua, t’ a di ç’ gjë ka bërë
këjo njerëzi e tërë
që heq kaqe të këqija
po s’ përgjigjet Perëndija.
Abdul Meliqi me bujë
e bëri botën rrëmujë;
pa dolli Hazhzhazh-Isufi,
që kishte thonj posi bufi
e zunë dhe Abdyllllahnë,
pa e shtruan edhe e rrahnë;
brënda në qytett e varrë,
si të likn’ e si kusarë
edhe shokëtë ja vranë,
një të gjallë nukë lanë;
doqnë së-rish Medinenë,
e rrëmbyenë dhe Meqenë
munduan dhe pleqësinë,
q’ ishin ndodhur me Alinë
sepse s’ i ndihnë Osmanit
dhe Mavijes e Mervanit.
Ng’ ata, q’ ishin me Myhtarë
shumë trima e të parë
edhe të-tjer e të-tjerë
ngritnë krye këtë herë,
armikëvet më ç’ do anë
u ranë dhe shumë vranë,
njerëzija s’ u qetua,
po më shum u keqësua,
kurdoher ish e-përzjerë,
edhe lufta e pa prerë.
Vdiq Abdyl-Melill-kukudhi,
vate në djallt i-paudhi,
ndënjti i-biri Veliti,
që ishte vetë Jeziti.
Në mesthit të njerëzisë
ishte drit e Perëndisë,
Imam-Zejnel-Abidini,
q’ i vinin lottë si Drini,
kur kujtonte Qerbelanë,
dhe shokët’ e tij e t’ Anë,
ishte qëngj’ i Perëndisë,
shpres e gjithë njerëzisë,
gjithë të-mirët’ e donin,
e shpëtim soje kërkonin,
ajy ish si Zoti vetë
i-mirë dhe i vërtetë,
ishte shtyll’ e urtësisë,
edhe fjal’ e Perëndisë.
Veliti i-mallëkuar
nga nakar’ i zi i-shuar
dha urdhërë, pa e zunë,
e brënda në burk e vunë
shtatë vjet brënda e mbajnë
Zot i math kush e ka fajnë?
fajnë s’ e ka Perëndija,
po djalli e djallëzija.
Duke shkuar Zot’ i-mirë
la në vënt të tij të-birë,
q’ ish n’ udhët të Perëndisë,
e miku i njerëzisë,
kishte gjithë urtësinë,
shëmbëllente më Alinë,
si i at’ ish dhe i-biri,
Imam-Muhamet-Bakiri,
q’ ishte det’ i diturisë,
edhe drit’ e-mirësisë.
Shkoj në skëterrët Veliti,
q’ e pritte atje Jeziti.
Ndënj i-vëllaj, Sylejmani,
që ishte vetë Mervani.
Pas vdekjes’ së Sylejmanit
ndënj një nga fis i Mervanit,
Ymeri, që njerëzinë
s’ e la, të shante Alinë;
se më parë gjith’ e shanin!
edhe nëmënë s’ ja ndanin,
në falje shanin Alinë,
shpërnderonin Perëndinë,
mallëkoninë Hasanë,
edhe Hysejnë dhe t’ Anë,
edhe mëmë Fatimenë,
lëvdoninë Mavijenë,
e lëvdonin dh’ e uronin,
popo, se ç’ punë punonin.
Mavijeja dhe Jeziti
e vunë, po ky e ngriti,
gjer këtu pra këtë punë
armikët e-liq e shpunë.
Pas ati ndenjti Jeziti,
q’ e kishte vëlla Veliti;
pas ati ndënji Hyshami,
që hoqi soje Imami,
Imam-Muhammet-Bakiri,
pa duke shkuar’ i miri,
që s’ kish pasur shok në jetë,
si ajy Zot’ i-vërtetë,
la në vënt të tij të-birë,
q’ ish si i-ati i mirë,
ish Imam-Xhafer-Sadiku,
q’ i kish nakar armiku.
Pas Hyshanit ndënj Veliti,
q’ e kishte djalë Jeziti.
Zejdi Muhammet-Bakirë
e kish vëlla, Zotn’ e mirë,
j’ a vrau komb’ i-pabesë,
e s’ i mbet durim e shpresë,
pa tha: Me mua të vinë,
ata, që duan’ Alinë.
Ungrit gjithë njerëzija,
dolli posi mizërija,
edhe lëftuanë shumë,
prap u derth gjaku si lumë.
Armikët Zejdin e vranë,
edhe të birë, Jahjanë,
po shokëtë që shpëtuan,
u shtuan e s’ u qetuan,
pa në Sham u ngrin’ e vanë,
Velitn’ e zunë dh’ e vranë,
edhe një tufë armikë
i therrë si qe me thikë,
si u vra kështu Veliti,
ndënjti i-biri, Jeziti,
pa vdiq dh’ ajy nga lëngimi
ndënj i vëllaj Ibrahimi.
Pa bota duke përzjerë,
edhe atë me të nxjerë
ndënj në front të mallëkuar
që ishte më të rrëzuar,
n’ atë front të Mavijesë
Mervan i dyt’ i-pabesë.
Ky ishte Mervan gomari
gjysh i-tij ishte i-pari.
–
XXII
Gënjeshtra me të-vërtetën
po haheshin gjithë jetën,
e-vërteta kish Alinë,
gënjeshtra jezitërinë,
po dha dritë Perëndija,
dhe u xgjua njerëzija,
kupëtuan mirësinë,
prunë nër mënt dhe lirinë,
se po i shoj djallëzija,
i përmbysi rrobërija,
pa e lanë Mavijenë,
zunë mëmë-Fatimenë,
hodhë poshtë djallëzinë,
zunë Muhamet Alinë
xgjodhë Hysejn’ e Hasanë
lanë Jezitn e Mervanë,
të-vërtetënë e njohnë,
me zëmërë u pendohnë,
të gjithë më këmb’ u ngrinë,
u bënë me Perëndinë.
Në qytett të Horasanit
ishte i-par’ i-Mervanit
Nasrë-Sejar’ i-pabesë,
q’ ish miku i-Mavijesë.
Pa në Horasan Jahjanë
armikët e-ndyr’ e vranë,
dhe varur e kishin lënë!
me dorë s’ e kishin zënë!
edhe shumë kordhëtarë
Nasrë Sejjari kish vrarë,
pasdaj vrau dhe Qethirë,
q’ ish një burrë shum i mirë!
Djemt e vashatë mësonte,
një njeri me ujë shkonte,
u ngrit nga vëndi, që rrinte
një ujë kërkoj të pinte,
ujëtë në dor’ e mbante,
dhe me lot kish zën e qante,
lottë si krua i vanë,
se pru nër mënt Qerbelanë
s’ e mbajti dot mallëngjimnë
pa dha edhe mallëkimnë.
Nga ata miqt e Syfjanit
ish atje djal i Sinanit,
me një tjatrë van e thanë,
që mallëkoj pa e vranë!
Hadi Gjermani me besë,
q’ i doj djemt e Fatimesë,
e xgjoj botën q’ ish në gjumë
edhe mblodhi shokë shumë,
lëftoj me Nasrë-Sejjarë,
edhe me Mervan-Gomarë,
të-liqt’ u ndanë më nj’ anë,
edhe prapë shum u vranë,
pas besës’ së Mavijesë
e vranë me të pabesë
Hadi Gjerman kordhëtarë!
si dhe Qethirë më parë.
Kur në mest të njerëzisë
del dragoj i Perëndisë!
q’ ish i bukur si pallua,
i-fortë posi fajkua!
O ëngjëll! që vjen nga Zoti
edh’ e di ç’ u bë qëmoti,
ç’ ish ky burrë? as më thua,
q’ ish i-fortë si dragua!
Ky ishte Eba-Myslimi,
nga gjithë trimat më trimi,
të-keqen e dorës’ s’ ate,
i qofsha fal asaj shpate.
Shokë! tha, nër mënt të vimë
gjer kur të poshtër të rrimë,
në xgjedhët të Mavijesë,
të Mervanit të-pabesë,
gjer kur njerëzi e mjerë
në një brëngë të-paprerë,
dhe në dëm e në mëkatë,
e në frikë dit’ e natë.
Të-mirëtë duke vrarë
u bënë këta të parë,
kanë vrarë të vërtetën,
e-rremja ka nxirë jetën,
njerëzija sa ka vuar,
ç’ të-këqija ka pësuar,
se orët e kanë zënë,
edhe sot s’ duan t’ a lënë,
lanë dritëzën e-mirë,
u futnë në errësirë,
lanë djemt e Fatimesë,
aq’ bënë të-pabesë,
zunë Syfjan’ e Mervanë,
pa në rrobëri na lanë,
do t’ a përmbys këtë jetë,
për atë Zotn e vërtetë,
nga njerëzit e pabesë
as një nukë dotë mbesë.
Kush do Muhamet Alinë,
edhe le jezitërinë,
kush të dojë Fatimenë,
dhe heth poshtë Mavijenë
kush të besonjë Hasanë,
të mallëkonjë Mervanë,
edhe gjithë ligësitë,
dhe dëmet e djallëzitë,
kush beson Imam-Hysenë,
kush do nder e Mëmëdhenë
le të nisetë me mua,
se gjë tjatrë nukë dua,
po të vras jezitërinë,
e të përmbys ligësinë,
të nxjerr në shesht mirësinë,
e t’ a shpëtoj njerëzinë,
që është në të këqija,
edhe lark nga Perëndija.
Kështu tha burr’ i-vërtetë,
që s’ ka shok në këtë jetë,
shokët’ e tij pas i ranë,
së-pari xbritnë Jahjanë,
atë shpejt në dhet e vunë,
dhe me vrap luftën e zunë.
Kshu j’ a dil Eba Myslimit,
koha ishte koh e trimit,
e vërteta vate mbarë
se gënjeshtra ish e-sharë,
u shua fat’ i Syfjanit,
perëndoj yll’ i Mervanit,
edhe djalli ishte pshehur,
rrinte i qet e i dehur,
dha urdhërë Perëndija,
pa u zgjua njerëzija,
trimat e-mirë dhe djallë
me pahir në dhet e kallë.
Nga gjithë shokët m’ i miri
ishte Sylejman Qethiri,
edhe Kahtabe-Shebipi
e Mehmet-Hadi-Dalipi
dhe shumë burra të tjerë,
të dëgjuar e të vlerë,
po më trim ish Katabeja,
që hidhej posi rrufeja.
Këta vetëm për Jahjanë
tetë dhjetë mijë vranë,
dhen e qiellin e tuntnë,
dhe Nasrë Sejjar e muntnë
me tridhjetë shokë iku
pshetazi natën armiku,
po i ranë pas dh’ e zunë
Eba Myslimit j’ a prunë,
pa e varrë edh’ e lanë
tek kish lën’ ajy Jahjanë.
U kthye jeta si rrota,
pa u përmënt e gjithë bota
kujtuanë Perëndinë,
dhe prunë nër mënt Alinë,
edhe kohëzën e tija,
që mbretëronte lirija.
Ata zotërinjt’ e mirë,
që lan emrë të pavdirë,
gjith’ ato që kishin vuar,
bota s’ i kishte harruar,
ç’ hoqnë djemt e Fatimesë
nga komb i-lik i pabesë,
vjershëtorët i vjershëronin,
njerëzija i-mësonin,
dhe duke dëgjuar qanin,
të-parëvet nuk u ngjanin,
që vunë dorë dhe vetë
mi zotërinjt’ e vërtetë.
Zoti ndonëse mënonte,
punënë nuk’ e harronte
po duhet Eba-Myslimi,
ky nder j’ u fal ati trimi.
Pa buçiti njerëzija,
u mbloth posi mizërija,
e lanë jezitërinë
edhe Mervan-faqe-zinë,
se xgjedh e rënd i këputi,
kurti në skëterr i futi,
papo të-gjith u përveshnë
gjalljenë më nuk e deshnë,
lirin e bukurë xgjodhë,
robërinë posht e hodhë,
van e gjetn Eba-Myslimnë
u bënë shokë me trimnë.
Trimi zinë kishte zënë,
rroba të-zeza kish vënë,
vanilet e-zeza sterrë
i kishinë nderrë nd’ erë
posi korbi fluturonin,
armikët i frikësonin!
Bir! o bir! Eba-Myslimi!
sa ish burr i-fortë trimi!
si shqipja n’ armikë binte!
shpat e shigjetë s’ e zinte!
qytetet i kish shpëtuar,
armikët i kish tmerruar!
kush kish të bënj më Syfjanë,
me Jezitn e me Mervanë
dhe si shpes të fluturonte,
nga kordh e ati s’ shpëtonte.
Xgjodh nga gjithë kordhëtarët
më trimat e vu të parët,
përhapi gjith’ ushtërinë,
dhe thirri ndihmës Alinë.
Ishinë trima të parët
edhe gjithë luftëtarët,
gjithë kush nga parësija
shkoj me ushtërit të tija,
më të gjith anët u ndanë,
vetë zuri Horasanë,
trimi mi trimat e tjerë,
Zot i-math e shum i ndjerë.
Trimatë luftën e zunë
dhe gjaknë më gjut e shpunë
armikëtë i tmerruan,
i vran i pren e i shuan!
nga ajy komb i pabesë,
që j’ u falë Mavijesë
një më këmbë nukë lanë
i rrëzuan e i vranë!
se ashtu kish’në vrarë
pa s’ mbetetë shpagë pa marë
është gjall Zot i-vërtetë,
mos e dish jetën të shkretë!
armikëtë shum u mburrë
po e liga s’ del tej kurrë.
Trimatë, që u përndanë,
sicili mori më nj’ anë,
armikëtë i dërmuan,
dhe më ç’ do luftë fituan,
të shumët syresh i prenë,
e bënë det edhe dhenë,
të pakëtë që shpëtuan
lanë vëndetë dhe shkuan,
trimat e Eba-Myslimit,
shokët e mirë të trimit,
duke përhapur si drita,
mbuluan dhenë si dita,
më njanë zunë Qofenë,
m’ anët tjatrë Medinenë!
Punëtorët e Mervanit
i tërë komb i Syfjanit
ikënin të turpëruar,
njerëzit e mallëkuar!
ata të pakët që mbenë,
muarrë fshehtazi dhenë,
n’ atë Shamt të shkretë vanë,
të piqëshin me Mervanë!
Gënjeshtra mbë dhet po binte
e vërteta zu të ndrinte,
dimri ish më të mbaruar,
po vinte ver e uruar
nata ishte duke ngdhirë
po lintte një dit e mirë.
Trimat u dhanë më derë,
edh’ e ngrin Imamt-Zhaferë,
ishin të tërë me shpata,
edhe me ushta të gjata
duke falurë i vanë,
të-gjithë nër këmb i ranë
i thanë: Na dërgoj trimi,
miku yt Eba-Myslimi,
që të të vëmë të parë,
e puna të vejë mbarë,
se neve veç derës s’ uaj
s’ vëmë tjatër e të huaj,
pa erthmë të marrim dorë,
po mos na lerë të gjorë.
Këta këto fjal’ i thanë,
po kur dhe të-tjer u dhanë,
erdhi gjithë parësija,
dh’ e rrethoj shtëpin e tija.
Falësor i Perëndisë,
shtyll e gjithë njerëzisë,
me nder të math shum i priti
me dashuri i gostiti.
Ata në krahror ju futnë
gjithë me një zë ju lutnë,
donin t’ a bënin të parë,
e t’ a vinin nënë barrë,
si e pa që nuk e linin,
me pahir donin t’ a vinin,
u tha: Mua mos më ngini,
në këtë punë s’ më kini,
po ju mua në më doni,
fjalënë në ma dëgjoni,
një tjatrë t’ u gjej unë,
e të mbarohet kjo punë,
dhe unë t’ u ap uratë.
Kshu tha Zoti jetë gjatë,
si e bindi njerëzinë,
u vuri të-kushërinë.
Ajy ishte Abdullllahu,
ishte Abdullllah-Safahu,
Abaz’ ish stërgjysh i tija,
pa e donte njerëzija,
Muhammeti me Alinë
Abazë ungj e kishinë.
Këtu u bë Abdyllllahu,
pa gjithëkush e përkrahu,
në Qofe pasdaj e shpunë,
atje të-parë e vunë.
Sylejman-Ebu-Selmeja,
vu fjalë, q’ u tunt Qofeja,
më parë plaku i-gjorë
nga të gjithë mori dorë;
numëroj ç’ kishinë bërë
Syfjanasit gjat e gjërë,
njerëzija vuri veshnë,
atë të-parë e deshnë.
Po punën e bëri trimi,
Zot’ i math Eba-Muslimi,
të mos ish kordh e atija,
nukë ngrihej rrobërija,
ajy rrëzoj mbretërinë,
edhe nderoj njerëzinë,
shoj farën e Mavijesë,
q’ ish e-lig’ edh’ e pabesë.
S’ i harronte Perëndija
aqë shumë të-këqija,
pa kush e bën dot’ a gjenjë,
Zotn e-math s’ mun ta gënjenjë,
s’ gënjen dot dhe njerëzinë,
q’ e njohnë ligësinë,
gënjeshtra dhe ligësitë
s’ dalënë kurrë në dritë,
pa të lenë n’ errësirë
e vërteta ësht’ e pavdirë,
kurdoherë mirësitë
i mundinë djallëzitë
e-drejta dhe e vërteta
s’ mbetenë kurrë të shkreta,
tek mbretëron urtësija,
atje është Perëndija.
–
XXIII
Mervani mbleth ushtërinë,
të-tërë, q’ e kish të tinë,
edhe derdhet të lëftonjë,
mbretërinë tja mburonjë,
ishte posi mizërija,
e-shum ushtëri e tija,
po ishte për të rrëzuar
ajy fron’ i mallëkuar!
q’ e kish ngrehur djallëzija,
dhelpëri e ligësija,
ishte fron i Mavijesë!
i bushtrësë së pabesë!
ajo mbretëri e shkretë!
sa dëm kish bërë në jetë!
një Mervan i pat filluar,
një Mervan e ka mbaruar!
Duke shuarë Syfjanë
Zot i math edhe Mervanë,
përhapi gjith’ errësirën,
pruri dritën e të mirën,
Zot’ i-mir Imam-Xhaferi,
shpirt-math e zëmrë-gjeri,
nër punra s’ ish përzjerë,
dhe s’ përzjehej nonjë herë,
po i thoshte njerëzisë,
edhe gjithë miqësisë:
ç’ bën ata, ju mos e bëni,
njeriu, kur e ha qeni,
kur e ha qen’ i-tërbuar,
me dhëmbë duke kafshuar,
ajy po s’ munt t’ a kafshonjë
fajnë duhet t’ j’ a dhuronjë,
se e-liga edh’ e-mira,
njeriu dhe egërsira
qysh munt të ndahet në jetë
ndaj njeriut të vërtetë?
i-pari ynë ka thënë:
njerëzija ç’ do q’ u bënë,
juve duhetë t’ i ndjeni,
dhe mirësi të rrëfeni.
Kshu the me zemrë të-qetë,
të qofshim falë për jetë!
Abdullllahu, zot’ i-ndjerë,
që kish nip Imam-Xhaferë,
ish i-par i ushtërisë,
dhe i gjithë njerëzisë,
shumë trim ish Abdullllahu,
pa mi kry’ e kish Sefahu.
Ky burrë trim u lëshua
mi Mervanë si dragua,
ra pas dhe ushtërija,
gjithë njerëzi e tija.
Posa ishte bërë ditë,
kur u poqnë ushtëritë
nd’ anët të Fratit të shkretë,
opopo! Zot i vërtetë!
Në anët të ati lumi,
tek shkon ulërimë shumi,
sa punë kishinë ngjarë!
gjakërat dhe s’ ishin tharë!
nd’ anët të Fratit një herë
njerëzija ish përzjerë!
më njan ish Aliu vetë!
Zot’ i-math e i-vërtetë!
edhe gjithë urtësija,
mirësi e njerëzija,
më nj’ an ish Mavije djalli,
që botën në breng e kalli,
ish bashkë me djallëzitë,
e me gjithë ligësitë!
atje kordha vetëtiti,
edhe kali hingëlliti,
pa ra siprë si rrufeja,
andaj u tremp Mavijeja,
ahere rrëfeu fenë!
shiko dhelpëritë ç’ gjenë!
mi ushtët vuri kuranë!
dhelpëritë gjall e lanë!
Ah! o shtrig’ o moj e thënë!
vallë ti t’ a kishe vënë?
punët ti t’ i kesh gatuar?
apo kështu ishin shkruar!
o fat! o plaku sy flakë
nukë je dhe ti i-pakë!
Në anët të ati lumi,
që s’ e ze të shkretën shumi,
n’ ato çuka n’ ato maja,
atje është Qerbelaja!
ndë atë vënt është bërë
ajo pun e madh e tërë!
Nd’ anët t’ ati Ibrahimi
kishte marë shpagë trimi!
Njeri nër mënt s’ munt t’ i bjerë
gjithë ç’ ngjan atje një herë!
Edhe tani m atë anë
i shpu e thëna, pa vanë!
se gjithë ç’ kishinë ngjarë
tashti ishin për të larë!
prap Aliu ish më njanë!
se djali po ngjan më t’ anë,
ajy ishte Abdullllahu,
burri trim, i lumtë krahu!
lulja pshihet e del prapë,
kur vjen verëza me vapë!
ish bashkë dhe Perëndija
edhe gjithë mirësija.
Djallëzi e Mavijesë
ishte Mervan i pabesë
me të-gjitha ligësitë,
edhe dita ajo ditë!
vjen rreth e rrotullë jeta,
po puna ajo ësht’ e shkreta!
Abdullllahu me të parë
armikët, tek kishin rarë,
tha: Këtu donja dhe unë,
se këtu u nis kjo punë,
këtu dhe fundin t’ a gjenjë,
e gjithë kush t’ a rrëfenjë.
Kështu tha dhe ngriti sytë
drejt Zotit, që s’ ka të dytë,
pasdaj mblodhi ushtërinë,
e të-tërë Parësinë,
sicilën në vënt e vuri,
dhe fjalë t’ ëmbëlë zuri,
tha: Vëllezër e miq e shokë!
Zotërinj q’ u kam mi kokë,
sot i-tërë kombi ynë
nër ne ka shpresën e synë,
se e lodhi robërija,
e këputi ligësija,
pa tani rreh të shpëtonjë,
e pasdaj të lulëzonjë,
të shpëtonjë robërije,
e të dalë djallëzije.
Se dit e-bardh e lirisë
ësht’ urat e Perëndisë,
të liruarë e lanë
këtë vënt prinditë t’ anë,
po ra nër thonj të Mervanit,
në urdhërit të Syfjanit,
në xgjedhët të Mavijesë,
që s’ kish njerëzije pjesë,
e di njerëzi e tërë,
ç’ të këqija kanë bërë,
mëmëdhenë e shkretuan,
kombinë e varfëruan,
me një luftë të-paprerë,
e lanë that’ e të-mjerë,
i përzunë mirësitë
pa kallë jezitëritë
njerinë e kanë lidhur
në një kurt shumë të-hidhur,
kanë ngritur njerëzinë,
kanë vënë liqësinë,
mirësin e shpërnderuan
e dhelpërinë mësuan,
kanë shkelur Zotërinë,
duke kallur djallëzinë,
më s’ njeh as i-biri t’ anë,
as i-vëllaj të-vëllanë,
se turp në faqe s’ ka mbetur
pun e madhe na ka gjetur
kanë bërë tjatrë besë
njerëzi e Mavijesë,
besë kanë marëzinë,
për gjë s’ e zënë njerinë,
vunë lig armiqërinë,
përmbysnë vëllazërinë,
për Zot të-math zunë djallë,
edhe në mest t’ ën e kallë,
zunë djall e djallëzinë,
s’ e kujtuan Perëndinë,
kombinë në kurt e vunë,
e në hekura e shtunë,
marjen e makutërinë,
prishjen edhe babëzinë,
të-këqijat gjithë ç’ janë,
e të ligat an e mb’ anë,
në mest t’ ënë na i prunë,
me ato shikojnë punë,
e vunë kombin në xgjedhë,
sa më s’ munt mënttë t’ i mbledhë!
Ne s’ e dromë këtë punë,
pa armikëri na zunë,
për të vënë rrobërinë
janë prishur me Alinë!
kanë sharë Fatimenë!
për të ndryshuarë fenë,
për të marë kombin pranë
helmuan? Imam-Hasanë!
s’ lanë gjall njeri të mirë,
pa prunë kët errësirë,
të-gjithë prinditë t’ anë
për një të vërtetëz u vranë!
për të mirë u përpoqnë,
e brengë të madhe hoqnë!
e kam nër mënt dit e natë,
kur më rrëfente im atë
duke qarë Qerbelanë,
dhe shokët e tij e t’ anë
me syt të tij e kish parë
në Qerbela ç’ kish ngjarë
dhe atë se mos e lanë
shumë mundime i dhanë
apo mos lanë të birë,
Imam-Muhamet Bakirë
pas ati dhe të vëllanë,
Zejdin e t’ im nip Jahjanë
edhe të-tjer e të-tjerë,
të-tërë kombin e-mjerë
lëftuanë të-vërtetën,
e vunë ligë të metën
kjo brengë s’ thuhet e tërë,
vet’ e dini ç’ kanë bërë.
Tani, Zotërinjt’ e mirë!
neve me zëmrë të ngrirë
gjer kur të rrimë të qetë?
e në rrobërit të shkretë?
Yll’ i-tyre ësht’ i shuar,
Yll i shkret i mallëkuar,
njerëzija po na presën,
se nër ne e kanë shpresën,
kjo është një e madhe ditë,
njerëzis i bije dritë,
në u prishtë sot armiku,
dit e zezë vate iku,
në mbettë së-rish në jetë,
mbet kombi për jet i shkretë,
fluturoj përpjet e-mira
ndënj e liga dhe errësira!
kshu tha me zë të ëmblë plaku,
mëndje shum e fjalë paku.
Shokët shum i bënin nderë,
se kish nip Imam Xhaferë,
Abdullllahu jetë gjatë,
ay Zot i-mirë atë
kishte Zejnel Abidinë,
p’ andaj ngjante më Alinë,
gjysh kishte Imam-Hysenë,
q’ e kish mëmë Fatimenë.
Parësija shkoj në ballë,
thanë s’ kthehemi të gjallë.
Plaku kur hipi në kalë,
dukej i ri posi djalë,
pas i bije kalorija!
pa u çkul dhe këmbësija!
Gjith kush kordhënë xhveshi
pa u derdhë si rrebeshi!
po armikëtë qëndruan,
vëndinë nuk’ e lëshuan,
pa erth u ndes luft e shkretë!
luftëtarët si mbletë,
gjithë bininë të vrarë,
ndeheshinë posi trarë!
vinte gjaku si rrëketë
duke derdhur tatëpjetë!
Frat i-shkretë, duke shkuar,
vij në dett i trumbulluar!
pluhuri ngrihej përpjetë,
edhe bashkohej me retë,
luft e-zez e-mallëkuar
ishte shum e tëmëruar!
Abdullllahu ndënj më nj’ anë,
se shumë shokë j’ u vranë,
papo tha: Zot i-vërtetë!
dotë na lesh rop për jetë?
Yll i-luftës i pabesë!
mos rreh t’ i ndinç Mavijesë?
Kështu tha dhe u lëshua
mi armikët si dragua!
shokët trima bashkë vanë,
me të-math vertik u ranë,
dhe ata së rish i-pritnë,
dhe shtun e shumë goditnë,
po këta në mest u ranë,
edhe kohë më s’ u lanë!
ahere ish trimërija,
me atë bëhej çudija,
s’ kishte dalë plumb’ i-shkretë
q’ e vuri në dhet për jetë!
pa i çan’ e i përndanë,
dhe i thyen’ e i vranë!
Mos u prishtë ushtërija,
pa ikën bagëtija!
Mizërit e ushtërisë
si tufët e bagëtisë
u përhapn’ e u përndanë,
po i ndoqn e gjall s’ i lanë.
Mervani shpëtoj dhe iku!
vetëm një shigjet e pshiku
i ra kalit edhe humbi,
iku me vrap posi plumbi
të-tjerët të gjith u vranë,
djalli e shpëtoj Mervanë!
pa u arratis e iku
nukë ra në dor armiku!
Sa lëftoj mir’ Abdullllahu
o trim! më të lumtë krahu
rrith gjaku nga kordh’ e-larë
si shi përdhe duke rarë!
armikëtë si i preu,
gas të math në zëmrët ndjeu
më gjunj unjet trim i mirë!
me një të madhe dëshirë,
pa ngre sytë drejt përpjetë
thotë Zot! Zot i-vërtetë!
Zot i-math! të qofsha falë!
qeshë plak më bëre djalë
sa nder të math më dhe mua
armiku ynë u shua!
e more shpagë vetë!
Zot i math e i-vërtetë.
Më këtë vënt! te ky lumë
qenë bërë punë shumë!
këta sot të gjithë ç’ qenë
atë, që bënë e gjenë!
S’ të shpëtuanë nga dora
ti more shpag unë s’ mora
vetëzë gjith i çpërbleve!
neve kurrë s’ na gënjeve!
Kshu tha dhe u mallëngjye,
pa nga shokëtë u kthye,
tha, ju trimat e-vërtetë
latë emërë për jetë,
nderuatë Perëndinë,
shuatë jezitërinë.
Tha kshu edhe qau shumë,
lottë j’ u derdhë si lumë.
Po Mervani s’ ra në dorë,
iku e mori tërthorë!
djalli pshihej si lugati,
po s’ i kishte ndirë fati,
nga do shkont’ e tekdo vinte
një brengë udhën e zinte,
pruri rreth gjithë Syrinë,
Egjyptën e Arabinë,
herë si lipës shëndinte,
herë nëpër male rinte,
pshihej nër pyje e nër vrima,
ikënte si vetëtima,
dhe gjum’ i-zi kur e zinte,
me një sy hapurë flinte,
si ariu fletë hante,
shpirtin me pahir e mbante!
edhe thoshte unë! mbreti
të bënem kshu oh! ç’ më gjeti
po më së fundi e gjenë
edhe kokënë j’ a prenë.
Abdullllahut j’ a dërguan,
punënë kshu e mbaruan.
Po nga fisi i Syfjanit,
edhe nga far e Mervanit
këtu-këtje kishin mbetur,
të gjithë s’ kishinë vdekur,
ata të tërë u ngrinë!
s’ e linin jezitërinë
s’ e lininë marrëzinë
pa bota u ashpërua,
rrodhi gjaku si përrua,
sa s’ mbet farë pej Syfjani
pej Jeziti, pej Mervani
të gjallëtë gjith i shuan
edhe varret’ i rrëmuan!
eshtërat e Mavijesë,
të Jezitit të pabesë,
t’ ati Mervanit të parë,
q’ e kish nip Mervan gomarë
të gjithë fisit t’ atyre,
q’ ish ngaj’ e asaj myxyre,
në zjart i hodh’ e i doqnë!
se nga ata shumë hoqnë!
u shua Jezitërija
p’ ashtu shpëtoj njerëzija
gas të-math dërgoj në jetë
Zot’ i-math e i-vërtetë,
u shua armikërija,
dhe djalli e djallëzija,
kombi shpëtoj robërije,
dhe ç’ do farë ligësije.
Ç’ do të bënjë njerëzija
shpejt e gjen nga Perëndija
edhe e mira s’ harrohet,
dh’ e liga nuk mënohet,
gënjeshtra s’ munt të rronjë
nukë munt të trashëgonjë
se mbretëron e vërteta,
kshu ‘shtë që kur u bë jeta.
Të ngjarët e Qerbelasë,
punët e Ali-Abasë
janë për jetë pasqyrë,
rrëfejnë këtë mënyrë,
Zoti mësim për të dhënë
neve ato i pat thënë
e-vërteta ësht’ e-vërtetë
Ajy mbretëron për jetë.
Shokë juve mos u ndani,
këtë fjalë mënt t’ a mbani.
E patë fundi si dolli?
Zot’ i math këtuth e solli,
erth urat e Perëndisë,
i dha dritë njerëzisë,
kupëtuan ç’ vlen lirija,
q’ e humpnë nga Perëndija,
e muarrë vesh të-tërë
Mavijeja ç’ u pat bërë,
dhe Jeziti me Mervanë,
e shokëtë, që u ngjanë,
ishin në gjum e u xgjuan,
të mirën e kupëtuan
ahere e deshn’ Alinë,
deshnë Zejnel-Abidinë,
edhe Hasan’ e Hysenë,
deshnë mëmë Fatimenë,
edhe Muhamet Bakirë,
i njohnë q’ ishin të mirë,
deshnë dhe Imam-Xhaferë,
i bënë si duhej, nderë.
Sylejman-Sardi së pari,
pasdaj burr’ i-math, Myhtari,
trim i mirë, Ibrahimi,
Zot’ i-ndjer’ Eba-Myslimi,
Abdullllahu e të-tjerë,
që duallë shumë herë
burratë trima me besë
bënë të madhe shërbesë,
shërbesë për njerëzinë
shtunë poshtë ligësinë
shpëtuanë mëmëdhenë,
duke shtënë Mavijenë.
–
XXIV
Po Sefahu s’ rrojti shumë;
Oh! moj jet e-shkret’ o lumë!
Ndënj në vënt të tij i-parë,
i vëllaj, po s’ vate mbarë.
Ajy ish Ebu-Xhaferi,
që pat zëmërë pej derri!
duke prishur parësinë,
ngreh në Bagdat mbretërinë,
dhe i shton ditë me ditë,
shtrigërit’ e ligësitë!
me Abdullllahnë e prishi
ligësi të madhe grishi
pa ngrehu edhe mejtimnë,
vu në dor’ Eba-Myslimnë,
e vrau me të pabesë
si Jezit’ i Mavijesë
si qeni, kur ha të zotnë,
që e ushqen gjithë motnë
po dhe jeta j’ u shkurtua,
ligësija u mbarua,
erth Mehdiu me Hadinë,
q’ e kujtuan Perëndinë,
pas atyre erth Haruni
ndënj në front posi beguni,
edhe mori shumë pjesë,
nga punët e Mavijesë,
Abazajt’ e turpëruan
me punërat, që punuan,
të-tërë farën e tyre,
s’ mbajtnë një farë mënyre,
u zunë nga shtrigëritë,
prunë gjithë ligësitë,
udhën’ e-paudhë zunë,
nder e tyre posht e shtunë!
ndoqnë gjurmët’ e Mervanit,
edhe rrugën e Syfjanit.
Haruni, mbret’ i pabesë
zu udhën e Mavijesë,
vu nakar m’ Imamn-Xhaferë
q’ ish i-mir e shum i-ndjerë,
i bënte nder njerëzija,
se ish vetë mirësija,
ç’ bënte mbreti, s’ i pëlqente
se jashtë udhës i gjente,
po kurrë nukë përzjehej,
më të-tjerët s’ shëmbëllehej,
ajy ish njeri i qetë,
i-urtë e i-vërtetë,
pa njerëzija e donin,
të-miratë s’ i harronin.
Mbreti për faqe e donte,
kurdoherë e nderonte,
dhe Imami jetë gjatë
mbretit i ipte uratë,
po mbreti shih njerëzinë,
q’ e donin si Perëndinë,
papo nakari e çponte,
e shpirtinë j’ a lëndonte,
se s’ kish dashuri me besë
për shtëpit të Fatimesë,
për faqe Imamn’ e donte,
pshehtazi varr’ i rëmonte!
ësht’ i-keq shumë nakari,
e djek zëmrënë si zjari.
Kish dhe njerës që xegitnin,
nakarë ja përsëritnin,
Hiqëshinë si të mirë
po ishinë shpirt-shëllirë
pshehtaz’ ishin të-pabesë
pun e keqe, që s’ ka ndjesë,
nukë ishinë të mirë
ishinë zëmrë-këllirë
papo kaqë dh’ e helmuan
njerëzinë e shkretuan
e ndëroj jetën i miri,
ndënjt në vënt të tij i biri.
Ky t’ e Imam-Musa-Qazimi,
që e kishte shoq nga mësimi.
Ajy ish i-ati vetë,
shum i-mir’ e i-vërtetë.
Haruni ishte pendohur,
fajn’ e tij e kishte njohur,
e qau Imamn’ e mirë,
dhe e desh shumë të-birë.
Imam Musan’ e doj aqë,
sa shumë vjet shkoj me paqë.
Ahere dhe dituritë
duallë shumë në dritë.
Gjithë fis’ i Fatimesë
ishin njerës me besë,
shëmbëllenin më Alinë,
kishin gjithë urtësinë,
dhe mizën ata s’ e ngisnin
fjalëzë të keqe s’ flisnin,
dhe atyre, q’ i mundonin,
e zëmrën u përvëlonin,
ata u bëninë mirë
me zëmrë e me dëshirë.
P’ andaj i kanë lëvduar,
e kurrë s’ janë haruar,
i do dhe sot njerëzija,
se mbahet mënt mirësija.
Mbreti sa plakej marrohej,
papo ligësija shtohej,
zu vrit e prit njerëzinë,
të-huajnë dhe të tinë
njeriu s’ i sillte besë,
si dhe fis’ i Mavijesë,
njerës nukë kish të mirë,
dhe vet’ ishte egërsirë,
pa Imam Musan e vunë
në burk pa faj e pa punë
dhe e mbajtn’ e s’ e lëshuan
më së-fundi e helmuan,
o njerëzit’ e pabesë!
mos paçi nga Zoti pjesë!
Kur e mbyll’ Imam-Musanë,
la të bir’ Ali-Rizanë.
Ahere vdiq dhe Haruni,
erth Emini pa Memuni.
Memuni zu Horasanë,
dh’ e desh shum’ Ali-Rizanë.
Imam Ali Rizaj rrinte
me mbrenë bashk’ e s’ e linte,
që të bënte të këqija,
e të dil nga njerëzija,
pa kështu shumë vjet shkuan,
të mirëtë u gëzuan,
po të-liqtë mbren’ e tallë,
me të-rreme djall’ i kallë.
pa uzu nga ligësitë,
e nga dëmi nat’ e ditë,
erth upërzje njerëzija,
shum’ ubënë të-këqija,
pa Imam-Ali-Rizanë
dhe Abazë, të vëllanë,
i vranë me të-pabesë!
mos paçin nga Zoti ndjesë!
Fajnë s’ e ka njerëzija,
e ka vetëm ligësija,
andaj t’ i rimë mërguar,
se ‘shtë shum’ e mallëkuar!
Imam-Rizaj la të birë
në vënt të tij, q’ ish i-mirë,
nukë kishte shok në jetë,
ish i urt’ i-vërtetë,
la shtyllë për njerëzinë,
Imam-Muhamet Tekinë,
që e donte njerëzija,
gjith’ ishinë miqt’ e tija.
Më pasdaj vdiq dhe Memuni
ndënj Ebu-Ishak-beguni,
pa si e pa njerëzinë,
q’ e doj Muhamet-Tekinë,
e helmoj me të pabesë!
njerëzin’ e la pa shpresë!
i-ri e la këtë jetë!
vate te Zot’ i-vërtetë!
la në vënt të-tij të birë,
q’ ish si drita n’ errësirë,
la Imam-Ali-Nekinë,
bari për mi njerëzinë.
Drit’ e Zotit ish i-miri,
po mbret’ i-lik, Mystensiri,
që s’ pat njerëzije pjesë,
e vrau me të-pabesë!
Zot’ i-mirë e plot mëshirë
la në vënt të tij të birë,
Imam-Asan-Asqerinë,
të kish kujdes njerëzinë,
udhën e drejtë t’ u thotë,
të mos mundohenë kotë,
udh’ e-drejt’ ish njerëzija,
urtësi e mirësija,
po bota ish n’ errësirë,
s’ e shihte udhën’ e-mirë!
Mbretrëtë shum’ umahnitnë,
dhe nga kombi umërzitnë.
Ishte fron’ i Mavijesë!
ngrehurë me të pabesë!
atje kushdo, që të rrinte,
djallëzinë do të zinte!
Ushtërija mori bujë,
e bëri botën rrëmujë,
se mbret nukë kish të mirë
ishinë gjith’ egërsirë,
pa i nxuarr’ e i vranë,
në prehje po nuk’ i lanë,
pasdaj vunë Mysteinë
dh’ e marruan faqe-zinë,
pa njeri nukë besonte,
edhe andaj nuk’ e donte.
Imam-Hasan-Asqerinë,
se mos i ip arratinë!
e të rrinte në front vetë!
po kjo s’ ish fjal’ e-vërtetë.
Kshu edhe fis’ i Syfjanit,
e gjithë far’ e Mervanit,
dhe Abazajt’ e-pabesë,
që vanë pas Mavijesë!
Kurr’ Imamët nukë donin
mbretëri e gjë s’ kërkonin,
n’ atë fron të-mallëkuar
s’ rrinte njeri i uruar.
Po s’ u dil e-shkreta frikë,
u rij në zemrë si thikë,
se shihninë njerëzinë,
q’ i kishin si Perëndinë,
pa s’ i lij edhe nakari,
i përvëlonte si zjari!
dhe të-liqtë nuk’ i linin,
i çponin’ e i xeginin!
E prishënë mëntsh Mystrinë,
dhe i kallë djallëzinë
sa të liq’ e të-pabesë,
që kishinë soje shpresë,
pa pshehtazi kall’ e vranë
Zotn’ e-mir’ Imam Hasanë!
Ajy la për njerëzinë
Imam-Muhammet-Mehdinë
që ishte i-bir’ i-tija,
i-dashur te Perëndija.
Imami ish djal’ i-qetë,
kish vjet vetëm dy-mbë-dhjetë.
Po ish prishur njerëzija,
ish prishur dhe mbretërija,
qeni s’ e njihte të Zotnë,
kështu shtynte moti motnë.
Koha me dëme po shkonte,
njeriu mënt po s’ mësonte.
Andaj Abazajt’ uprishnë,
se rreziknë vet’ e grishnë,
më në funt shtrenjt e paguan
Çingjizasitë i shuan!
se nukë do Perëndija,
të heqënë njerëzija,
p’ andaj nukë le dhe plagë
pa pagesë e pa shpagë!
njeriu ç’ gjë bën në jetë,
atë dot’ a heqnjë vetë!
a i-biri a e-bija,
se nuk’ e le Perëndija!
p’ andaj na dha në vetijë,
na fali dhe vetëdijë,
që ajo të na mësonjë,
ajo dhe të na gjykonjë,
të na apë dhe gëzimnë,
edhe brengën’ e mundimnë!
të gjitha na i ka dhënë,
i kemi në dorët t’ ënë!
bënë shumë të-këqija,
pa i prishi Perëndija!
mbretëritë e-pabesa
humpn’ e vanë posi vesa!
pasdaj erdhë mbretrë shumë
po nga tjatrë lënd’ e brumë,
si Selçok’ e me të-ndjerë,
dhe Osmanas e të-tjerë.
Imam-Muhammet Mehdinë
Ëngjëllit me krah’ e ngrinë
e hoqnë nga njerëzija,
e shpunë te Perëndija!
Njerëzija rrahnë dhenë,
e kërkuan, po s’ e gjenë!
në gjithit të-Perëndisë
hyri drit’ e njerëzisë!
është gjall! është në jetë
pranë Zotit të-vërtetë!
Që nga Muhamet-Aliu
gjer te Muhammet-Mehdiu
erdh’ Imamë dy-mbë-dhjetë,
gjithë njerës të-vërtetë!
ata Zotërinj të mirë
janë gjall e të-pavdirë,
dhe foshnja katrë-mbë-dhjetë,
si ëngjëllit’ e-vërtetë,
armikët’ i kanë vrarë!
pa ranë dëshmimëtarë,
gjith’ atë brengë, që hoqnë,
për ne të-zest upërpoqnë
janë pra si kanë qënë,
në shpirtt e në zëmrët t’ ënë
atje është edhe vetë
Zot’ i-math e i-vërtetë.
Na lanë vëllazërinë,
miqësin’ e urtësinë,
edhe gjithë mirësitë,
na hoqnë nga djallëzitë.
Edhe nukë na harruan,
po pas syresh na dërguan
shumë njerës të-vërtetë,
q’ e ndrituan këtë jetë,
na dhanë udhën’ e-mirë,
s’ na lanë në errësirë.
Zotërinj, u qofsha falë!
pa j’ u s’ rrëfehi me fjalë.
Bes’ e udh’ e Perëndisë,
q’ i duhetë njerëzisë,
është vetëm e vërteta,
me atë mbahetë jeta.
Pa qasuni, Shqipëtarë,
Zot’ i-math e sjelltë mbarë,
të zemë vëllazërinë,
mirësin’ e miqësinë,
jemi të-gjithë një farë,
e nukë jemi të-ndarë,
vëllezrë të-tërë jemi,
një shpirt e një zemrë kemi
gjithë rrojmë me një shpresë,
dhe kemi gjithë një besë.
Bes’ e mbar’ e Perëndisë,
udh’ e mir’ e urtësisë
është vetëm mirësija,
e-vërteta, njerëzija,
zemr’ e-bardhë, shpirt i mirë,
me mëshir’ e m’ ëmbëlsirë,
e-drejta, vëllazërija,
dashurija, miqësija.
Gjithë besëtë, që janë,
vetëm këtë udhë kanë,
këtë thotë besa jonë,
dhe të tjerat këtë thonë,
se ndë jetë s’ ka dy besë,
një ësht’ e një dotë mbesë,
besë është Perëndija
dhe udh’ e saj njerëzija.
Ajy, që do njerëzinë,
ka besuar Perëndinë,
kush ka në zëmrë mëshirë,
thuhetë njeri i-mirë,
ç’ do njeri vëllath e kemi,
gjithë nga një baltë jemi,
kemi një shpirt në vetijë,
jemi gjithë një fëmijë,
një mëm’ e një atë kemi,
në një fytyrë po jemi.
Pa kur desh Zot’ i-vërtetë,
të tfaqet në këtë jetë,
nxori në jetë njerinë,
atje e gjen Perëndinë.
Ç’ do gjë, që shohëm në jetë,
na rrëfen Zotn’ e-vërtetë,
më ç’ do anë, që shikojmë,
atë fytyrë vështojmë.
Një zemërë të-qëruar
na kërkon Zot’ i-lëvduar,
edhe punëzën’ e-mirë,
dhe njerëzi e mëshirë,
dhe të-madhit t’ i bënç nderë,
dhe të vogëlit nga herë
na dha mëndjenë më kokë,
e na bëri miq e shokë.
Atë që s’ të vjen ty mirë,
po të duket’ e-fështirë,
mos e bëj dhe ti në jetë,
në je njeri i-vërtetë.
I-ligu e gënjeshtari,
rrëmbenjësi e kusari,
vrasësi, që vret njerinë,
i prish të vëllajt shtëpinë,
ata që shajn’ e qërtojnë,
dhe heqin’ e kallëzojnë,
edhe bëjnë të-këqija
e rrojnë si bagëtija,
i venë pas djallëzisë,
së-rremës’ e ligësisë
s’ kan as njerëzi as besë
se i ngjajnë Mavijesë.
Pse e duam ne Alinë?
se ka bërë mirësinë
ashtu edhe Fatimenë,
edhe Hasan e Hysenë
dhe Imamëtë të-tërë
i duam, se kanë bërë
mirësi në këtë jetë
me të-drejt e të-vërtetë.
Mavijeja e Syfjani,
dhe Jeziti e Mervani,
ligësi kanë punuar,
pa janë të-mallëkuar.
Shih sa vlejtka pun e mirë
dh’ e-liga sa ‘sht’ e-fështirë!
njëra është e-lëvduar,
tjatëra e mallëkuar
njëra ësht’ e Perëndisë
tjatëra e djallëzisë,
e-para ‘sht’ e-xbukuruar,
e-dyta e shëmëtuar,
nj’ ësht e-lig e nj’ ësht e-mirë
një drit e një errësirë.
Ajy, që bën mirësinë,
ka në shpirtit Perëndinë,
ajy që ka ligësitë,
ka djallë dhe djallëzitë.
Zot i-math e i-vërtetë!
bë-na t’ urtëth e të qetë,
fal-na gjithë mirësitë,
ep-na dituri e dritë,
dhe njerëzi e mëshirë,
mos na lerë n’ errësirë,
afëro-na urtësinë,
e mërgo-na djallëzinë,
hiq-na nga makutëritë,
dhe nga gjithë marrëzitë
nga dëmi nga lakëmimi
e na shpjerë te gëzimi
udhën e-drejtë rrëfe-na,
me kamjet t’ ënde ushqe-na
fal-na durime dhe shpresë
urat e shpëtim e ndjesë
mos na turpëro në jetë
Zot i-math e i vërtetë.
–
XXV
Besuamë Perëndinë
edhe Muhammet-Alinë
Hadixhen’ e Fatimenë
Hasanë edhe Hysenë
Imamët të dy-mbë-dhjetë,
që ishinë të vërtetë.
Kemi mëm’ e at’ Alinë,
q’ e njohëm si Perëndinë,
të parë kemi Xhaferë,
nukë njohëmë të tjerë,
kemi plak mi njerëzinë
Haxhi-Bektashi-Velinë,
Zotn’ e udhës së vërtetë,
q’ ishte si Aliu vetë
se ishte nga ajo derë,
p’ andaj mori gjithë nderë.
Besa jon është një fjalë,
dh’ ajo fjalë s’ ësht’ e çalë,
është fjal’ e Perëndisë,
q’ i duhetë njerëzisë,
nukë është fjal’ e kotë,
bëj mirë mos bëj keq thotë.
Besa edhe Perëndija
është vetëm mirësija,
dhe ajy Zot i-vërtetë,
edhe gjithë ç’ ka në jetë,
te njeriu gjithë janë,
mos kërko më tjatër anë.
Po të bëjmë mirësinë
kemi ndër ne Perëndinë,
kur të bëjmë ligësitë,
kemi djall e djallëzitë,
kur të jemi të-vërtetë,
është me ne Zoti vetë.
Besojmë se Perëndija
është vetë gjithësija
fletore kemi njerinë,
dhe mëndjen e urtësinë,
sepo udh’ e Perëndisë
s’ është jashtë urtësisë.
Falje kemi njerëzinë,
miqësin’ e mirësinë,
se kur të duam njerinë,
kemi dashur Perëndinë,
s’ është lark nga njerëzija
edhe vetë Perëndija.
Falëtor e diturisë
është shesh i-gjithësisë.
Udh’ e-mir’ e bes’ e-mirë
është zemra me mëshirë,
atje ‘shtë dhe Perëndija
edh’ e tërë gjithësija,
ëngjëlli dhe mirësitë,
djalli me gjithë të titë.
Më një vënt janë të tërë,
kë të duash atë zërë,
urtësi e mirësija
na shpije te Perëndija
po të zëmë ligësinë,
dotë vemi në greminë.
Besojmë Zotn’ e vërtetë,
q’ është gjithësija vetë,
pa atë s’ ka vënt gjëkundi,
ajy ‘shtë kreji dhe fundi
më ç’ do anë, që shikojmë,
fytyrën e tij vështojmë,
e-tërë ç’ është kjo jetë,
ësht’ ajy Zot’ i vërtetë!
luletë që lulëzojnë,
bukurin’ e tij tregojnë,
ajy është trëndafili,
ajy vetë dhe bilbili,
po kur desh Zot’ i vërtetë,
të dil faqeza në jetë,
ahere bëri njerinë,
atje t’ a gjesh Perëndinë!
Kush njohu vehten e tija,
e di ç’ është Perëndija!
Te njeriu i mbaruar,
i-mir e i-lartësuar
që ka gjithë mirësitë,
e të tëra dituritë,
atje e gjen Perëndinë,
atje tek gjen mirësinë,
sepo vetë Perëndija
mori fytyrën e tija.
O njeri! të qofsha falë!
e kupëton këtë fjalë?
Pa mblith mëndjen e mendohu,
dhe ngrehu e lartësohu
duke marë dituritë,
që t’ a bësh natënë ditë,
sa të muntç ndritohu mirë
mos qëndro në errësirë,
nga njeriu i-vërtetë
s’ ka më të lartë në jetë,
se mëndje e njerëzisë
është pesh e Perëndisë.
Po njeri themi njerinë
që ka gjithë urtësinë,
ka dritën’ e dituritë,
dhe të-tëra mirësitë,
ka me vehte Perëndinë,
duke pasur njerëzinë
edhe Perëndija vetë!
te njeriu ‘sht’ e-vërtetë!
Ndaj njeriut të uruar,
që nuk’ ësht’ i djallëzuar,
q’ është pa-faj e i mirë
e ka në zëmrë mëshirë,
të këqija s’ bën në jetë,
ësht’ i-drejt e i-vërtetë
pa ka të lartë vetijë
të bukurë vetëdijë
atje është vetë Zoti,
si kanë thënë qëmoti.
Edhe ëngjëlli dhe djalli,
gjithë janë tek i-gjalli,
dhe parrajsa dhe skëterra,
dhe gjithë ç’ janë të tjera.
Pa njeriu s’ vdes në jetë,
se s’ mbetetë jeta shkretë,
gjithënjë vemi e vimë,
po të-parëtë s’ i dimë,
rron e ëma dhe i ati
tek i biri jetë gjati,
hëna hahet e venitet,
pa kthehet e përsëritet.
Po njerinë njerëzija
e shpije te Perëndija,
pa atë s’ vlen gjë në jetë
se nuk’ është i vërtetë,
e-drejta edh’ e vërteta,
ato janë pa të meta,
kur t’ i bjerë njerëzija,
mbetetë si bagëtija,
posi trëndafil’ i thatë,
q’ i mbesin gjëmbat e gjatë,
urtësit e mirësitë,
ato na nxjerrin në dritë,
pa ligësi e-pështirë
na shpije në errësirë,
se na ndan nga Perëndija,
na shtije te djallëzija.
Mëntë na i dha në kokë
Zoti, që t’ i kemi shokë,
neve kemi mënt të shohim,
të vërtetënë t’ a njohim,
pesh’ e Zotit të vërtetë
mëndje ‘shtë në këtë jetë.
Urtësit e mirësitë,
drita edhe dituritë
janë udh’ e Perëndisë,
q’ i duhenë njerëzisë.
Nuk’ e beson Perëndinë
ajy, që s’ do njerëzinë.
Zoti në zëmrë të ndyrë
s’ hyri dhe s’ ka për të hyrë,
se atje rri djalli vetë,
s’ qasetë Zot’ i-vërtetë.
Në ke në shpirtt mirësinë,
t’ a dish, që ke Perëndinë,
jo, po në ke ligësitë,
ke djallë e djallëzitë.
Si besojmë Muhamenë,
edhe mëmë-Fatimenë,
besojm’ ashtu dhe Isanë,
dhe Merjemen e Iahjanë,
edhe Isufn e Iakupnë,
dhe Ibrahimn e Ejjupnë,
Dautnë e Sylejmanë,
Harunë edhe Musanë,
edhe të tjer’ e të tjerë,
q’ ishinë njerës të-vlerë,
se për njerin u përpoqnë,
shumë të-këqija hoqnë.
Kush punon për njerëzinë,
ka me vehte Perëndinë.
A e patë Mavijenë?
dhe Mervan’ e Jezit-qenë?
Ybejdullllahn’ e Ymerë?
dhe Shimrinë dhëmbë derrë?
edhe shokët’ e atyre?
s’ shpëtuanë prej myxyre!
Paçin mallëkim e nëmë!
se prunë të madhe gjëmë!
Këta ishin egërsirë,
t’ anëtë ishin të mirë,
p’ andaj ne këta i shajmë,
për ata Zotërinj qajmë,
se ata ishinë dritë,
këta bënë ligësitë,
se ishinë të-pabesë,
pa nëmënë kanë pjesë.
Për Imamëtë ne qajmë,
zi me gjithë zëmrë mbajmë,
se ishinë të vërtetë,
pa i duamë për jetë,
ajy që bën mirësinë,
është mik me Perëndinë,
se nukë do Perëndija
kurrë punë të këqija,
ajy, që do njerëzinë,
beson Muhamet-Alinë,
Hadixhen e Fatimenë,
edhe Hasan e Hysenë.
Ajy që bën ligësitë,
ka në shpirtt jezitëritë,
ajy ‘shtë Jeziti vetë,
që bën keq në këtë jetë,
ka në zëmrët të tij djallë,
pa është Mervan i gjallë!
i-ligu nuk ësht’ i-pakë!
është Mavijeja plakë!
P’ andaj mëndjenë t’ a mbedhim,
dhe ligësitë t’ i hedhim,
e të zëmë mirësitë,
që na nxjerrënë më dritë.
Imam-Hysejnë n’ e doni,
të paudhë mos punoni,
pa ahere munt të jetë
dashurija e vërtetë,
kur të bëjmë ç’ na ka thënë,
e ç’ mënyrë na ka lënë,
të bëhemi njerës fjeshtë,
t’ urt’ e të-but’ e të leshtë,
të-këqija të mos flasim,
njeri kurrë të mos ngasim,
të mos vrasim të mos presim,
në gënjeshtrë të mos mbesim,
të mos shajm e të qërtojmë,
kurrë të mos kallëzojmë,
të mos hamë gjën e huaj,
të mos rrojmë posi buaj,
të jemi të arrësyer,
me zëmërë të pa lyer,
nakarë edhe zilinë,
vjedhjen edhe kusërinë,
dhe të-tëra ligësitë,
ndyrësit e djallëzitë,
të gjitha poshtë t’ i hedhim,
si kafshëtë të mos bredhim.
Të duam njerzinë,
Shqipëtar’ e Shqipërinë
gjuhënë e mëmëdhenë,
kombinë e vetëhenë,
mirësit e dituritë,
zotërin e urtësitë.
Të kemi vëllazërinë,
dashurin e miqësinë,
të duamë shoku shoknë
të mos e përhapim toknë,
qengji, që hiqet më nj’ anë,
egërsiratë e hanë,
të mos kemi ne të ndarë,
gjithë ç’ jemi Shqipëtarë,
po të jemi të bashkuar,
të afër e të pushtuar.
T’ i hedhimë marrëzitë,
babëzit e laturitë,
ligësin e djallëzinë
të-tërë jezitërinë.
Të kemi nder edhe besë,
dhe vëllazëri e ndjesë,
pa të punojmë të-tërë
për ç’ do punë, që do bërë
të ndritohet Shqipërija,
të na shohë Perëndija.
O vëllezrë Shqipëtarë!
Shokë të mir e të mbarë!
të përpiqemi me besë,
as një më pas të mos jesë
të mësojmë gjuhënë t’ ënë,
se Zoti na e ka dhënë,
ç’ do kombi gjuhën’ e tija
i ka dhënë Perëndija,
është lig e Perëndisë,
gjuha q’ i dha Shqipërisë,
gjithëkush ka mëmëdhenë,
edhe zogu ka folenë!
Ka edhe ajy fëmijë,
gjë s’ e ndan nga bir e bijë,
besa na thotë t’ a duash
mëmëdhenë e t’ a ruash,
gjuhën e dha Perëndija,
Zoti me të matht të tija
j’ a ka dhënë njerëzisë,
si mëma foshnjësë sisë,
s’ munt të jenë të këqija
ato, që fal Perëndija,
nuk’ i thotë këto fjalë
as i-marri që mer malë!
Dhe ju! shpesh! me gjuhët tuaj
flisni, nukë më të huaj!
ti, qyqe më këndon ndryshe
ndryshe ti, o dellëndyshe!
mua pse të më shtrëngojnë?
gjuhë tjatrë të më msojnë?
të harronj gjuhënë t’ ime!
paçin nëm e mallëkime!
kjo ‘shtë pun e Mavijesë!
m’ a paski me të-pabesë!
dashëki të më mundoni,
së gjithash të më shkretoni!
të më epni arratinë,
të më shuani shtëpinë!
të më lini rop për jetë,
të paqënë e të-shkretë
të më shtini në të huaj!
të më thoni rri e vuaj!
armikëtë të më shkelin!
posi lopë të më mjelin!
Djemthit e mij të-lëvduar
të-ndjerë e të-dëgjuar!
të më lini mua shkretë!
nukë është turp për jetë?
unë, që jam mëma juaj,
të më shitni nër të huaj!
Armikëtë rreth më vinë,
për mi krye po më rrinë!
thonjtë në grykë m’ i vunë
qysh të bënj e-mjera unë!
gjuhënë m’ a kanë prerë,
më bënë fare të mjerë!
shumë Shimër e Jezitë
po m’ i çpojnë mushkëritë,
shigjetatë për mi shpinë
posi gjëmba po më rrinë!
dhe ju djemt e mij më shihni
e bëni sikur s’ më njihni!
Kështu thotë Shqipërija!
Po s’ thot’ ashtu Perëndija
q’ i fali mënt Shqipëtarit,
punë mir’ e udhë-mbarit,
pa mbretëron e vërteta
që ka mjaltë posi mbleta,
gënjeshtëra s’ bën dot punë,
se ‘sht’ e lig edh’ e përdhunë,
helminë vetëm ka grera,
vetëm gjëmbatë ka ferra,
nuk’ është si trëndafili,
q’ e do aqe keq bilbili.
T’ ish ashtu, po prishej jeta,
s’ delte në shesht e-vërteta,
do të kishte nder Syfjani,
dhe Jeziti e Mervani,
dotë donim Mavijenë
nuk’ Alin e Fatimenë
do të kishim zot Mervanë,
s’ kishim Hysejn’ e Hasanë.
E vërteta rroft e qoftë!
pa gënjeshtëra u shoftë!
Po ne gjithë të punojmë,
të mos rrim e të përtojmë,
na dërgoj zot’ i-vërtetë
për të punuar në jetë,
punëtori ‘sht’ i-uruar,
edhe puna e lëvduar,
njerin ajo jetë gjatë
s’ e le kurrë duar-thatë.
Ne të Zottë po të jemi,
gjithë ç’ na duhen i kemi,
nukë bije Shqipërija,
ka dhe për ne Perëndija.
Ju të-varfër’ e ju Atë!
q’ u fali Zoti uratë,
pa i prutë mirë besë
Aliut e Fatimesë,
së-drejtës’ e së vërtetës,
dhe Ati Zotit të-jetës,
edhe ju vetë punoni,
Shqipërinë t’ a shpëtoni,
Shqipëtari përgjërohet
për ju dhe me ju gëzohet,
edhe ju për Shqipëtarë,
për punët të tij të mbarë
për mëmëdhethinë t’ uaj,
që nuk e kini të huaj,
për gjuhët të Shqipërisë,
q’ është gjuh’ e Perëndisë,
për të sjellë Shqipëtarë
n’ udhë të mir’ e të mbarë,
për të gjitha mirësitë,
që duhen e dituritë,
për nderthit të kombit t’ ënë,
për mbrothësit, që ka zënë,
për ç’ do gjë që ka nevojë,
e s’ thuhet dot me gojë,
për Hasan’ e për Hysenë,
për ju e për mëmëdhenë
të përpiqi nat’ e ditë,
sa të dalëmë në dritë.
Zot i math e i vërtetë
mos na lerë kurrë shkretë,
ti je zot i gjithësisë,
Perëndi e Shqipërisë,
urdhëri yt po të jetë
e po të duash ti vetë,
gjithë punëtë mbarohen,
gjëkundi nukë ndalohen.
Fali, fali Shqipërisë
gjithë ç’ ke të mirësisë.
Edhe ju gjithë të mirët!
mos na lini n’ errësirët.
Zot i math për Qerbelanë!
për Hysejn’ e për Hasanë!
për ata të dy-mbë-dhjetë!
që hoqn’ aqë keq në jetë!
për gjithë ato mundime!
për gashërimënë t’ ime!
Shqipërinë mos e lerë,
të prishetë e të bjerë,
po të jetë gjall për jetë,
gjithë ç’ i duhet t’ a ketë,
të rronj’ e të mbretëronjë,
të jetë lulez e zonjë,
fali ti vetëz uratë,
që të jetë jetë-gjatë.
Shqipëtari trim me fletë,
si ka qënë, letë jetë,
të ketë gjith urtësinë,
e t’ a dojë Shqipërinë,
të vdesë për Mëmëdhenë,
si Myhtari për Hysenë,
të ngjanjë më Ibrahimnë
edhe më Eba-Myslimnë,
të jetë trim e i mirë,
po të mos jet’ egërsirë,
të jet’ i qytetëruar,
i ditur’ e i mësuar,
t’ i apë nder Shqipërisë.
U bëftë e Perëndisë.
(fund)