I
Urdhëro, Zot’ i vërtetë!
e më dërgo tatëpjetë
engjëllinë krah-zjartë,
fjalë-ëmbl’ e këmbë-artë.
Dotë këndonj urtësinë,
e dotë rrëfenj Alinë,
edhe fëmijën’ e tija,
t’ i mësojnë njerëzija,
të nxjerr një pikë nga deti,
një druthezë nga rremeti,
e të tregonj trimërinë
dhe durimn’ e njerëzinë
pa të them dhe Qerbelanë,
edhe zotërinjtë t’ anë.
Jakë, jak o e-vërtetë!
ulu pakë tatëpjetë,
O ëngjëlli i uruar!
andaj të kanë dërguar,
që të ndritosh njerëzinë
e t’ u rrëfesh urtësinë.
Ti me gojët t’ imë fole,
se pa ty po s’ hap dot gole.
Pa eja, me ëmblësirë
na rrëfe bukur’ e mirë,
ç’ hoqnë zotërinjtë t’ anë,
edhe ç’ na lan’ e na thanë.
Komb i Arabit një herë
ish i-qet’ e i-pandjerë,
dhe i-dobët’ e i-shkretë,
sikur s’ ish fare në jetë,
edhe kishte marrëzitë,
po më pasdaj erth një ditë,
Zoti dërgoj urtësinë,
që e naltëson njerinë,
pa qëndroj në mest të tyre,
ishte njeri pej fytyre.
Ajy ishte Muhammeti,
po s’ e besonte rremeti,
edhe zunë t’ a mundonin,
zëmrënë j’ a përvëlonin,
si e bënin kurdoherë
për shokët e tij të-tjerë,
q’ i munduan’ e i vranë,
dhe gjë pa-bërë s’ u lanë,
i mbërthyen’ e i varrë,
i ther’ i çanë me sharë,
këtë me gurë e zunë,
e me shigjetë i-shtunë,
i bënë shumë mundime,
të-këqia hidhërime.
Ebu-zhehti dhe Lehepi,
të pa tundurë si plepi
shumë më qafë i ranë,
nonjë kursim nukë lanë,
sa mundim’ e të-këqija
hoqi Zotëri e tija!
po më shumë me Syfjanë,
ndezi, q’i vrau Hamzanë,
të ungjin’ e tij të ndjerë,
q’ ishin trim mi trimat’ e tjerë,
pa Hinduja e pabesë,
q’ ishte mëm’ e Mavijesë,
i pat ngrënë mushkërinë,
e çqeu si ujku dhinë!
O Hindu! moj egërsirë,
gjakn’ e njerëzet ke pirë!
Kështu zemrënë j’ a doqnë,
nga mëmëdheu e ndoqnë,
e la do-mos-do Meqenë,
vate të zij Medinenë.
Ajy shkoj, po pas i ranë
armikët e nuk’ e lanë,
pa upsheh ndënë një shpellë
mb’ anë nj’arë, q’ ish e mbjellë,
merimaga lesë thuri
pëllumbi zoqthitë shpuri
armikëtë atje vanë,
po s’ ka njeri këtu thanë,
panë cergën e folenë,
edhe me mënt kshu e gjenë.
Këta ng’ armikët shpëtuan
edhe në Medine shkuan,
Medineja mir’ i priti,
dhe armikët’ i goditi.
Zot i-math, q’e do njerinë,
i fali ndihmës Alinë,
q’ ish dragoj i Perëndisë,
edhe mbret’ i trimërisë,
ishte një mëngë nga deti,
që kishte dalë së qeti,
brënda n’ urtësit e tija
dukej fjeshtë Perëndija.
Muhammeti me Alinë
upërpoqnë për njerinë.
Ata të dy një trup ishin
dhe një shpirt të vetëm kishin,
ishin kushërinj të-parë
dhe t’ afërt e të-pandarë,
të dy bashk’ ata një janë,
Muhammet-Ali u thanë.
Atje ish zot’ i-vërtetë,
edhe Krisht’ i-gjallë vetë,
njër’ ish krej i gjithësisë,
i-dashur i Perëndisë,
njër’ ish rrënj’ i njerëzisë,
i afërt’ i Perëndisë.
Kishin Zotërinjtë t’ anë
ungjë Abasn’ e Hamzanë;
Aliu Xafer Tajarë
kish vëlla, që është vrarë,
ish njeri shum’ i-lëvduar,
edhe zot’ i zotëruar,
kish dhe Ykajlin’ e-ndjerë,
q’ ish i-butë posi shqerë;
m’ i dashur nga miqt’ e tija
ish Selmani nga Persija.
Ata kishin miqësinë
më të tërë njerëzinë,
po armikëtë s’ i linin,
ngado vijnë pas u binin,
papo të gjithë u derdhë,
edhe përsipër’ u erdhë,
po, kur pan’ atje Alinë,
muarrë dhe agjirratinë,
sa muntn’ e shtuanë vrrapnë
s’ mbet as një, po u përhapnë.
Ca i bëri trimërija,
të tjeratë urtësija,
Arabija, q’ ish e-shuar,
e në bot’ e-padëgjuar,
me një her’ u lulëzua.
Vunë lig’ e fe e besë,
njeriut i dhanë shpresë.
Arabëtë më ç’ do anë
gjith’ ubënë Mysllimanë.
Muhammeti ca më parë
ish martuar’ e kish marë
grua Meme-Hadixenë,
me të bëri Fatimenë.
Aliu me Fatimenë
bënë Hasan’ e Hysenë;
njer’ ish djell, njeri hënë,
dhe ata dy yj ubënë.
Kur erth koha për të ndarë,
Muhammeti duke marë
Alinë me Fatimenë,
edhe Hasan’ e Hysenë,
posi squka zoqt’ i mblodhi,
peqinjtë sipër u hodhi;
djemt’ e mij, tha, këta janë,
Ali-Aba ndaj u Thanë.
Mblodhi shokëtë në mbledhë,
dh’ ata erdh’ e bënënë rredhë,
u tha: këta të m’i doni,
kurrë të mos m’i mundoni,
kush më ka dashur mua!
të dojë këta që dua!
Të parë u le Alinë,
t’ a kini si Perëndinë.
Kështu tha dhe psherëtiti,
e një pikë lot’ i xbriti!
Gjithë shokët’ e tij qanë,
dhe undan’ e më s’e panë.
E mbaroj punën’ e tija,
dhe vete te Perëndija,
shpirti me trupt uxbërthyen,
dhe prapë nga erdh’ u kthyen,
njëri nga Zoti kish xbritur,
tjetri nga dheu ish ngritur.
U mbloth gjithë njerëzija,
pleqësi e vegjëlija,
ca të urt’ e ca të-marrë,
të vinin një të-parë!
thanë shumë thash’e theme
të vërteta e të rreme,
ubënë fjal’ e trazime,
dhe hoqnë shumë mundime,
xgjuadhë Ebabeqirë,
atë gjënë më të mirë.
Pa Beqiri la Ymerë
q’ ishte ndaj soje m’ i-ndjerë;
pas ati vunë Osmanë,
q’e kishte ungjë Syfjanë!
Me qën’ Aliu në jetë
burr i urt’ e i vërtetë,
tjetrë njeri s’ duhej vënë,
po ç’ të duash! ishte thënë.
Vërtet i par ish Osmani,
po mbretëronte Mervani,
q’ ishte i nip’ i Syfjanit,
kushrir i-par’ i Osmanit,
njeri shum’ i-mallëkuar,
dhe i-lik e i dëbuar
fajtor i-keq kish qënë
pa e kishinë përzënë,
Osmani atë e solli,
gjithë ligësit’ i ndolli,
ç’hoqnë vëndësit e-gjorë,
q’ i pat Mervani në dorë;
Kish Jemen e Arabinë,
Persini Iraknë Syrinë,
Egjyptënë e të tjera
mbretëri shumë të gjëra.
Mblodhi Mervan’ i Osmanit
gjithë farën’ e Syfjanit,
edhe i vuri në punë,
pa ata kosënë vunë!
ishinë të liq të tërë,
nukë lanë dhe pa bërë
botën gjith’ e munduan,
e rropnë dh’ e përvëluan,
Mavijes i dha Syrinë
e lartësoj faqe-zinë!
q’ ishte i bir i Syfjanit
i-kushërir’ i-Mervanit,
i bir’ i Hindusë shtrigë
q’ ish e nëmurë dh’ e ligë.
Hoqi shumë njerëzija,
mori këmbë ligësija!
Bota më këmbë u ngrinë,
dhe Osmanit po i vinë,
Egjyptasitë më parë
po vininë duke sharë,
me të gjeturë Osmanë,
gjithë me një her’ i ranë.
E kish keq punën Osmani,
të mos ish Imam-Hasani;
ashpëruarë të-tërë
rrëmuj’ e-madhe ish bërë.
Në mest të ati rrëmeti,
që zjente gjithë qyteti,
del Aliu me të mirë,
e me shumë ëmbëlsirë,
fjalë të bukurë zuri,
punën ndë udh’ e vuri.
E-tërë bota pushuan,
e fjalë tej -a dëgjuan,
u bint gjithë njerëzija
në fjalët t’ ëmbla të-tija,
sicili i-urtë ndejti
e njeri nukë bëzejti,
po të-tërë u qetuan,
unjnë kryet’ e pushuan.
Atë rrëmuj’ e pushojti
dhe u ngrit’ e më s’mënojti,
vate të shite Osmanë,
aty la Imam-Hasanë.
I thotë Osmanit Aliu,
është si foshnjë njeriu,
po t’ i këllaç djallëzinë,
e mahnit fare njerinë,
bëhetë si egërsirë,
dhe soje s’ vjen pun’ e-mirë,
kur t’ i tregosh urtësinë,
e bën si ëngjëll njerinë.
Ligësi shum’ u rrëfye
andaj bota ngriti krye.
Një njeri që ësht’ i-parë,
është shumë nënë barrë
dhe ndaj zotit të-vërtetë,
dhe ndaj njeriut në jetë,
bariu ka bagëtinë,
i madhi sheh njerëzinë,
s’ i bëjnë dëm bagëtisë,
qysh t’ i bëjmë njerëzisë!
sillej mirë Muhammeti,
pa e doj gjithë rrëmeti,
e di ç’ hoqmë ti dhe unë,
sa i ndrejtmë këto punë
në kohëzat të atija,
që na shihte Perëndija?
Kush i bën liksht njerëzisë,
ka nëmën e Perëndisë,
janë shumë të-këqija;
rëndësi e marrëzija,
në mest t’ ënë ndryshim s’ kemi
të gjithë vëllezrë-jemi,
duhet të jemi të mirë,
të kemi dhembj’ e mëshirë.
Me njerëzit, që dërgoni,
botënë po e mundoni.
Abdullllahu, që ka vatur
n’ Egjyptë, dorën ka xgjatur,
pa rënkim i varfërisë,
çpejt i vete Perëndisë.
Dëgjo dhe neve një herë,
Abdulllahn andej e ngrerë
m’ atë vënt dërgo-Mehmenë,
t’ ardhurit bashkë të venë,
e deshnë Ebubeqirë,
dota duan dhe të birë.
Ky n’ Egjyptë të dërgohet,
rrëmuja kshu të qetohet.
Atje të zer’ urtësinë,
të dëbonjë marrëzinë,
të përzerë ligësitë,
dhe gjithë makutëritë,
me Perëndi të punonjë,
gjithë punët ti ndërtonjë,
të vështrojë varfërinë
edhe gjithë njerëzinë
pas udhës së Perëndisë
pas mëndjes e urtësisë.
Lakmim të mos bënjë kurrë
po të jet’ i-drejt e burrë.
S’ heth poshtë Perëndija
atë qe do njerëzija.
Kshu tha mbret i urtësisë,
shtyll e lart e njerëzisë.
Çfjalë the të qofsha falë!
fjala jote tuntte malë!
erdhi e-shoq e Osmanit
Najleja si ftuj e stanit;
i tha plak! dëgjo Alinë,
që të tregon urtësinë,
mos dëgjo Mervan e-marrë
që rreh të të bënjë varrë.
Kështu e bintnë Osmanë,
bëri sindëkur i thanë.
I ngrit e hipi Mehmeti,
edhe dolli nga qyteti.
Egjyptasit pas i ranë
dhe të tjerët’ u-përndanë,
u hap gjithë ç’ish rremeti
qyteti në prehje mbeti.
Po nukë flij djallëzia,
që lint soje ligësija
u ngrit shum’ e-shëmëtuar
myxyra e-mallëkuar,
djallëzija fjeshtë vet,
dhe po vij rrotull’ e qetë!
ndenj në zëmërt të Mervanit,
q’ ishte i zot i Ozmanit.
Papo erth uzgurdullua,
edhe qëndroj u mejtua,
djallëzija e mësonte
dhe ajy po më s’ mënonte.
Njjeri n’ Egjyptë dërguan
dhe Abdullllahut i shkruhan:
Po të vjen aty Mehmeti,
bashkë me të dhe rrëmeti,
ti vështro t’ a vraç Mehmetnë,
edhe t’ a përndash rremetnë,
se u bë me të përdhunë
pa dashurë ne këto punë,
dhe vështro e mos i lerë
të vinë tjatërë herë
njerëzija këtu kurrë,
po qëndro trim edhe burrë.
Kartënë e shkroj Mervani,
edh’ e vulosi Osmani,
nuk’ e dimë vetë deshi,
apo Mervani e qeshi.
I dërguari s’ mënojti,
po mori kartën e shkrojti.
Tek vij njeriu i-gjorë,
të mos na bjerë në dorë!
mun në dorët të Mehmetit,
në mes të gjithë rrëmetit!
papo, kartënë ja gjenë
edhe kokënë j’ a prenë!
Kartën në dor’ e rrëmbyen;
të-tërë prapë u kthyen,
thanë: opopo ç’ na qeshnë!
edhe na bënë si deshnë.
Këta shumë t’ ashpëruar,
edhe fort të-idhëruar,
e rrethuan Medinenë,
dh’ e tuntnë gjithë qytenë.
U mbyll në shtëpit Osmani,
me ca shokë dhe Mervani,
se ata Mervanë donin,
pa Osmanë s’ e kërkonin.
Të dy zotërinjtë tanë
Hasani, Hysejni vanë
muarrë edhe Kamberë
e qëndruanë më derë,
që të ruanin Osmanë,
edhe shokët e Mervanë,
pa armë në derë rrinin,
njeri të hyj nukë linin,
pa rën unë; tha Hasani,
nukë vritetë Osmani
djal’ i mëmë Fatimesë
nga dera më s’ u la shpresë.
Bota gjithë e mësuan
dhe armikëtë u shtuan
u bënë si mizërija,
u mbloth gjithë njerëzija.
Në rremet i njerëzisë
i vanë prapa shtëpisë
pa e rëzuanë murë,
e duke hequrë gurë,
bënë shtekn’ i hynë Osmanit,
gjenë shokët e Mervanit
me vërtik të-math u ranë,
e të-tërë ç’ qen’ i vranë.
Njëri heq kordhën e prehtë,
q’ ishte posi pend e-lehtë,
edhe Mervanit i bije,
si shakull përdhe e shtije!
pastaj shtinë më Kamberë,
u plagos dhe ra në derë,
e Hysejni me Hasanë,
të dy bashkë brënda vanë,
në mest të tyre u hynë,
e në gjak të dy u mbynë;
ca nga armikët’ i vanë
dhe tek rrij e vran Osmanë.
Aliu me armë dolli,
dhe pakë shokë pas solli,
po armikët u përndanë,
si e vranë dhe Osmanë,
as një aty nuk mbeti,
po duallë nga qyteti.
Aliu vdekurë plaknë,
e gjet, e topilë gjaknë
i erth keq pa afr’ i erdhi,
qau e lot shumë derdhi
pasdaj e qërtoj Hasanë,
që s’ e shpëtoj dot Osmanë.
Pa Telhanë, q’ u gëzua
pa shumë ju zemërua,
tha: e patmë shok në jetë,
dhe ish njeri shum’ i-qetë,
miku për miknë helmohet,
s’ është mirë të gëzohet,
pa dhe vdekja s’ është bërë
për një, është për të tërë.
Po Mervani çbënet vallë?
ra, po edhe ish i-gjallë!
Qafënë ja kishin prerë,
pa kish rën’ e ishte nderë,
kur hyri brenda Hasani,
u përmënt pakë Mervani,
shërbëtor i-tij e mori,
pshehtazi më krah e nxori
tek një plak e ve e shpuri,
ajo plagënë ja zuri,
qafa e-shtrembër i mbeti
që vdekj’ e zezë s’ e gjeti!
E shpëtoj Imam Hasani,
pa kish vaturi Mervani;
kish më punë të punonte,
andaj e thëna s’ nxitonte!
–
II
Njerezitë gjith u mblodhë,
Alinë të-par’ e xgjodhë,
edhe Telhaj Zyberë
e gjithë burrat e tjerë
thanë: të vemë Alinë,
e të zemë njerëzinë,
gjithë kush dorë të marë,
e t’ a kemi për të parë.
Aliu, mua më ndjeni,
u tha, një tjetrë të gjeni,
në këtë punë s’ i qeshi,
me të-vërtetë s’ e deshi,
po e-tërë bota donte,
këtë barrë t’ ja ngarkonte.
Kshu umbloth’ e upërmblodhë,
barrënë siprë j’ a hodhë,
edhe Telhaj me Zyberë
dhe gjithë shokët e-tjerë,
thanë: Puna s’ vete mbarë
po s’ vum’ Alinë të parë.
Ata të-tërë kshu thanë,
Ajy tha: vini Telhanë.
Telhaj tha: Përpara teje
s’ del, mos kini shpresë meje.
Ajy tha: vini Zyberë,
pa ka dhe shumë të tjerë;
kë të doni atë vini,
u lutem mua më lini,
unë nga gjithë më parë
dorën e tij duke marë
dota kem mik e mi krye.
Maliq Eshteri ju kthye,
tha: Është jotja kjo punë,
pas fjalësë që di unë
mëmëdhenë mos e lerë
të prishet far’ e të bjerë
nuk e la në dorët t’ ënë,
m’ i-pari ynë, ç’ ka thënë?
punën e drothm e përdrothmë
degë më degë e hothmë,
gjer sa hynë djallëzitë,
na prunë më këtë ditë!
punës pse i rri i-huaj?
kë pret t’ a bënj as më thuaj!
s’ sheh se ç’ bëri ligësija?
e qysh u bë Arabija?
Nga vdekj’ e të parit tënë
vjet njëzet e pes u bënë,
bota nga dale po vinë
në rripë e në greminë;
puna jon u çkatërrye,
edhe fat i-bardhë u thye.
Gjithë ç’ bëmë dëm na vanë,
ligësitë në shesht janë,
puna, q’ është marë xvarë
të mos përmbysetë fare.
Po s’ more ti parësinë
dot’ a qajmë Arabinë,
se nuk’ i le ligësija
e rremja e dhelpërija,
djallëzit’ e marrëzitë,
të qasenë mirësitë!
Nuk’ s’ bëjnë dot të-tjerë,
pa të hysh ti këtë herë
ka nevojë njerëzija
tani ti dhe Perëndija!
Puna është më qaf t’ ënde,
ç’ të kanë thënë përmënde!
në na lënç dhe këtë herë,
neve vamë në skëterrë,
gënjeshtrë të madhe ngjallë,
së-vërtetës t’ i kesh mallë!
po s’ të vumë ty të parë
ne djalli do të na marë!
epna dorënë t’ a zemë,
se ne tjetrë njeri s’ vëmë.
Kështu tha Maliq-Eshteri,
pa Telhaj edhe Zyberi
u lëshuan me një herë
edhe të-tjer e të-tjerë,
e tërë ç’ ish njerëzija
muarrë dorën e tija;
gjithë dorë duke marë,
e bën Alinë të parë;
barrënë siprë ja shtinë
Aliut me të-përdhunë.
P’ ajy s’ e doj madhërinë,
kish të bën me Perëndinë,
gjithënjë në këtë jetë
ishte me zotn’ e vërtetë,
kishte mik varfërinë,
e kish t’ ulëtë shtëpinë,
madhërinë nuk e donte,
përpara njeriu s’ shkonte,
makutësin e përzinte,
lakmimetë s’ i dinte
të varfëritë kujtonte,
edhe qant’ e afëronte
në prakt të tij kushdo shkelte,
duar thatë nuk delte,
e prishte gjën e shtëpinë,
për t’ yshqyer varfërinë,
dhe shpirtinë t’ i kërkonin,
kurrë, jo, nukë dëgjonin,
një të dij, që s’ ha një ditë,
svinte në gojë kafshitë;
kujdo i flit me të mirë,
dhe me shumë ëmbëlsirë,
njeriu edhe t’ a shante,
kurr ajy mëri s i mbante
gjithë ç’ është njerëzija
ishte fëmijz e-tija,
për ç’ do njeri kish mëshirë,
dhe kujdo i bënte mirë.
Armik kurrë nuku kishte,
me gjithë botën mik ishte,
puonte për Perëndinë,
duke dashurë njerinë,
Perëndin atje e gjente,
ajo udhë i pëlqente.
Dituria, njerëzija
miqësija, dashurija
urtësitë, mirësitë
të gjitha ishin të titë,
ashtu edhe trimërija
ish e tërë gjë e tija.
Djallëzitë, ligësitë
pabesitë, marrëzitë
kurrë afërë s’ i shkonin,
ëngjëllitë ja mërgonin
thua q’ ish Zot i vërtetë
çfaqurë në këtë jetë.
Aliu kishte dëshirë,
që të bij ditën e-mirë,
të vijë ligë njerëzinë
edhe besë urtësinë.
Mëndj’ e tij ish shum e lartë,
nukë shkruetë në kartë!
Po njerëzit e Mervanit,
fara e fis’ i Syfjanit
përsipër e kishin marë,
si cili ish bër i parë,
gjithëkush mbret ishte bërë,
edhe të-rëndë të-tërë
pa njëri nuku peshonin,
e fjalë nukë dëgjonin.
Po m’ i lik edhe m’ i ndyrë
dhe më djall e me myxyrë,
gjithë ligësija vetë,
që s’ kishte gjë të vërtetë,
që përmbysi mirësinë,
la për jetë djallëzinë
ishte i bir’ i Syfjanit
m’ i dashuri i Mervanit,
Mavijeja pastë nëmë
që ishte myxyr e gjëmë!
ish i lik e i pabesë,
pej njerëzije s’ kish pjesë
djalli vet ish faqe-ziu
me fytyrë pej njeriu!
mbledhur gjithë djallëzitë,
e të-tëra ligësitë
m’ atë fytyrë pej njeriu!
popo! e-madhe myxyrë!
Aliu ish e vërteta,
që mbahetë soje jeta,
ishte vetë njerëzija,
q’ atje është Perëndija;
Mavijeja nj’ egërsirë,
shpirt errët e pamëshirë,
ish i rënd e i-mërzitur,
i paudh e i-mahnitur,
s’ donte të shih njeri mirë,
për të-liga kish dëshirë,
kët’ armikn’ e Perëndisë,
dëmëtar e njerëzisë
kush e nxori pej skëterre.
Zot i-math! ti pse t’ a lere
kush e pru, q’ ish i-përzënë?
ti, o shtrig o moj e-thënë!
Zot i-math e i-vërtetë!
dëm i-math u bë në jetë!
Mavijeja marrëzitë,
dhelpërit e ligësitë,
dhe djajtë të gjith i mblodhi,
punënë në mest e hodhi,
pa ata të-tërë ç’ qenë
një ngajë mezi e gjenë!
u ngrinë far’ e Syfjanit,
kërkonin gjakn e Osmanit.
Thoshin, Aliu t’ a marë,
andaj e vumë të parë.
Nuk e doninë Alinë,
se s’ e vrau njerëzinë!
Gjaku nga kush duhej marë?
Kë të vrisninë më parë?
Mavijenë dhe Mervanë,
q’ e ngatëruan Osmanë,
ata të dy djajt e ndyrë
e prunë atë myxyrë!
Në shtek ish gjaku i-shkretë,
pa nuk ish fjal’ e-vërtetë
se Syfjanasit e vranë,
edhe pun e tij, Osmanë.
Aliu njerës të-mirë
me mënt shum e me mëshirë
xgjodhi e i vu në punë,
po të shumët ja përzunë!
se fare turp s’ kishte mbetur,
i vërtetë kishte vdekur!
gënjeshtra mbretëronte,
dhe djallëzija gjykonte
bota u bë e pa besë
për shtëpit të Fatimesë!
Shumë të këqija bënë
popo! mos u qoftë thënë!
Pas vdekjes së Hadizhesë
nga vashat e Medinesë
Muhameti punë-mbarë
dhe gra të tjera kish marë,
një ng’ ato ish Ajisheja
qe gënjeu Mavijeja;
m’ e-rënd’ ish nga gjithë gratë
Ebabeqir e pat atë.
Fatimeja kishte shkuar,
pas t’ et më s’ kishte mënuar
gjalljen pas Ati s’ e deshi,
dhe më buza nuk i qeshi!
I la fëmijënë krerë
Zonj’ e-madh’ e shum’ e-ndjerë
Atë breng’ aqe të-gjatë
t’ a hiq dita bëhej natë!
dhe e dinte Fatimeja
ç’ do të bënte Mavijeja!
Aliu për Fatimenë
dhe Hasani me Hysenë
qante gjithë njerëzija,
pa jetën e mbuloj zija!
O mëma jon’ e vërtetë!
të qofshim fjalë për jetë!
ç’zemërë të bardhë pate!
te-keqen e baltës s’ ate!
Atë q’ e do Perëndija,
i ep shumë të-këqija!
shih Ibrahimn e Musan,
dhe Merjemen edhe Isanë
Isufnë dhe Jakupnë,
e të-varfërin Ejupnë,
dhe Dautn’ e Sylejmanë
Zeqirjan e Jahjanë!
dhe Mensur e Nesiminë,
e Myhjiddin-Arabinë!
për njerëinë u përpoqnë,
nga njeriu brengë hoqnë!
sja mer mëndja njerëzisë
punërat e Perëndisë!
Ish martuar tjatrë herë
Aliu dhe djem të-tjerë
kishte, si Abas Alinë,
si Muhammet-Hanifinë,
edhe të tjer’ e të-tjerë
burra të mir’ e të-ndjerë.
Ngrihet atje djallëzija
e gjettë nga Perëndija!
mer fytyrën e Nymanit
edhe fjalët e Mervanit
le qytetn e Medinesë,
i derdhetë Mavijesë,
vate n’ atë Shamt të-shkretë
djallëzija vet’ e-qetë,
mer dhe linjën’ e Osmanit,
ja sjell të birt të Syfjanit!
Linjënë në shesht e nxjerrin,
e të-rreme shumë tjerrin,
nden linjënë e Osmanit
vetë i bir’ i-Syfjanit,
dhe ze e lëvdon Osmanë
edhe shokët’ e Mervanë
bota qajn’ e më s’ pushojnë!
edhe gjakn e tij kërkojnë!
Pa i dërgon Ajishesë
nj’ a dy a tre të-pabesë.
Si e mësoj Mavijeja,
del në Meqe Ajisheja,
edhe xegit njerëzinë,
bint të-tër ata, që s’ dinë,
dhe kërkon gjakn e Osmanit!
si tha i-bir’ i-Syfjanit!
Ngrihetë djalli më këmbë,
e ha njerëzit me dhëmbë!
edhe Telhaj me Zyberë,
me dy tre shokë të tjerë
ikinë nga Medineja,
ashtu u tha Mavijeja,
në Basrë ngrihen e venë!
marrënë dhe Ajishenë!
lenë besënë më njanë,
edhe fjalënë që dhanë!
Po ajo zëmëra trime
s’ bije fare në shtërngime
as prishetë as ngushtohet,
nga njerëzija s’ mërgohet.
Është ngriturë rëmeti,
sicili hiqet si mbreti,
kanë zënë marrëzinë,
lëftojnë me Perëndinë!
Aliu nukë lëftonte
me urtësi doj t’ i shtronte
po armikëtë s’ dëgjonin,
urtësinë nuk e donin.
Ajy kish shumë dëshirë,
t’ i vij në udhë të-mirë,
po ishin të pabesë
gjithë miqt’ e Mavijesë,
e kishinë me të dhënë,
me të marr’ e me të ngrënë,
me të rrjepur varfërinë,
andaj s e donin Alinë!
Ajy i mbante si shokë,
edhe miq e përmbi kokë,
ata e kishin me frikë,
edhe me kordh’ e me thikë!
Mavijeja njeri s’ donte,
e njeri nukë peshonte
po ng’ ajy qen’ i-pabesë
të-liqtë kishinë shpresë!
gjithë bota u mahninë,
kërkoninë robërinë,
i vanë pas Mavijesë
që s’ kish njerëzija pjesë!
Njeriu le njerëzinë,
edhe xgjedh makutërinë
mer të-ligën, le të-mirën
le dritën, mer errësirën,
këto i nisi Mervani,
q’ e vuri më pun’ Osmani.
Ajy ishte i-përzënë,
se trathëtor kishte qënë
s’ bënë mirë, që e prunë
e në punëra e vunë.
Foshnjat, kur lintnin qëmoti,
ja sillninë ati Zoti,
që vu lig’ e bes’ e shpresë,
edhe ligësivet lesë,
e punoj për njerëzinë,
ndritoj gjithë Arabinë,
i-ati i-Fatimesë,
q’ i pru njerëzija besë,
i përkëdhelt’ e i donte,
i këndont’ e i uronte.
Kur lindi, edhe Mervanë
ja pru e-ëma me tanë,
t’ a këndonte e t’ a uronte,
t’ an e t’ ëmën t’ i gëzonte.
Po me të parë Mervanë,
thirri, mos m’ a qasni pranë!
se ky është djalli vetë
q’ është çfaqurë në jetë
ligësi dotë punonjë,
jetënë dot’ a shkretonjë
e njohu ngah fytyra,
që ishte vetë myxyra.
–
III
Ajisheja me Telhanë
në Basrë ungrin e vanë,
muarrë edhe Zyberë
me pakë shokë të-tjerë,
atje mblodhë ushtërinë,
të lëftojnë me Alinë.
Djalli vetë ishte ngritur,
edhe bota ish mahnitur,
parësi e vegjëlija,
si cili qëllimn e tija,
nukë kishte mbetur besë
në ditët të Mavijesë
njeriu hante njerinë,
të huajnë dhe të-tinë
Aliu me shok’ e panë,
q’ undes zjari më ç’ do anë,
i la Sehlin Medinesë,
Kasëmn’ i dërgoj Meqesë,
dhe vet’ unis me një mijë,
të vërë punët më vijë.
Ajisheja me të-tjerë,
me Telhan e me Zyberë
më një vënt posa arriti
fjal’ e të shoqt’ e mahniti,
se atje i lehnë qëntë,
dhe pa përhapurë dhëntë
fjala qi kish thën’ i dolli
vëndi në mëndje ja solli.
Ja kishte thënë më parë
këtë që kish për të ngarë.
Fajn e njohu me një herë,
dhe la Telhan e Zyberë,
u tha unë do të kthehem
pas këtaj nukë gënjehem
po ata prap e gënjyen,
edhe me vehte e kthyen,
Ajisheja me Telhanë,
e me të-tjerëtë vanë,
Barsësës ju afëruan,
një njeri brënda dërguan,
u thanë, neve lëftojmë
gjakn’ e Osmanit kërkojmë
n’ ubëfshi me ne u qasim,
në mos u bëfshi, u vrasim.
Basrasit më dysh u ndanë,
gjysmët vanë me Telhanë
thanë, Aliu pa marë
gjaknë, s’ bëjmë të parë
të tjerëtë deshn Alinë,
dhe njohnë parësinë.
Aliu kishte dërguar
në Basrët të-mallëkuar
Osman Anifnë, q’ ish burrë
e të rreme s’ thoshte kurrë,
u dha gjithë njerëzisë,
mos hiqni pas djallëzisë
se kjo në kurt dot’ u shtjerë
të mos delni tjatër herë,
bëhuni me Perëndinë,
edhe dëgjoni Alinë,
q’ është mbret’ i urtësisë,
njeriu i Perëndisë,
mos ju falni Mavijesë,
q’ është i-lik e i pabesë.
Basrasit e gjor u çanë
e më dy gjysma u ndanë,
ca u bënë me Alinë
e ca me Telha-fatzinë
Harithi që doj Alinë,
s’ doj Mavije-faqezinë
i tha Telhajt e Zyberit,
mos i shtini vlejten nderit;
ju pa lënë Mehdinenë
zutë dor’ e bëtë benë,
dh’ e bët Alinë të-parë
punën e patë të mbarë
të vërtetënë e njohtë,
tani përse u përndahtë?
një njeri po që dha fjalë
nga besa qysh munt të dalë.
Ju të dy s’ na kishit shkruar?
s’ mbani mënt që na kërkonit
e gjithënjë na shtrëngonit,
që ta nxirnim ne Osmanë
e ta përzinim Mervanë?
tani doni gjakn’ e tija
s’ kini turp nga Perëndija,
gruan e të-parit t ‘ënë
përpara e kini vënë
e kini bërë si shtrigë,
dhe të-pabesë e të ligë
juve deshtë me kurorë
bëki një grua këmborë
e shkeltë me këmbë nderë,
dh’ e shpini derë më derë
s’ kini turp të turpëroji
pa mblidhni mënt e mejtoji
Harithit i tha Zyberi
me pahir Malik-Eshteri
na vu e muarmë dorë
se na kish gjetur të gjorë
Harithit këto i thanë
Zyber-plaku me Telhanë.
Dhan e dhan edhe gjë s’ bënë
djalli zihjen u kish shtënë
u nda i biri me t’ anë
e vëllaj la të vëllanë
kishte vleftë djallëzija,
pa nder s’ gjente urtësija
bënë shumë fjal e punë
po nonj udhë nukë vunë
muarr armëtë nër duar,
u zu luft e-mallëkuar;
ushtërit aqe lëftuan,
sa njerëzitë u shuan
u shua gjithë qyteti,
thua, se njeri më s’ mbeti!
Osman i Hanifit iku,
se shokët ja shoj armiku;
tek vij mbudh Alinë gjeti,
u turpërua dhe mbeti,
po Aliu m’ ëmbëlsirë,
me të mir e me mëshirë
e pyeti gjër e gjatë,
i mësoj gjithë të-ratë,
punëtë q’ ishinë bërë,
edhe luftënë të-tërë.
Pasandaj Osman’ i mjerë,
i tha, Telhaj me Zyberë
s’ vinë n’ udhë me të mirë,
me paqë e me mëshirë,
fjal’ ata nukë dëgjojnë,
janë gati të lëftojnë,
ësht’ e madhe djallëzija
pa s’ shkon fare urtësija!
ata udhe kanë dalë,
nukë bindenë me fjalë;
po me luftë do t’a ndani!
këto fjal i tha Osmani.
Aliu pak u mentua,
Osmanit i tha, s’ më thua!
këta mos janë të marrë?
s’ janë ata q’ ishin më parë?
kshu tha dh’ e ngrin ushtërinë,
si ndenjn e hangër e pinë.
Pastaj në Pikar vent zunë
ushtërin atje e shpunë,
e tek do dërgoj të-parë,
të mbledhënë ushtarë.
Dërgoj Mehmen e Xhaferit,
pastaj Maliqn e Eshterit
në Qofe, edhe të-tjerrë,
van’ e erdhë disa herë,
po të gjith ata, që vanë,
nuk’ e bintnë Ebumusanë!
që ishte atje i-parë
i-paudhë e i-marrë
sicili donte të vinte
po ajy s’ donte t’ i linte,
kërkonte gjakn e Osmanit
ishte nga an e Syfjanit.
Më pastaj dërgoj Hasanë,
me Amarë të dy vanë,
Amar i bir i Jasirit
i-mir i-bir i të-mirit,
uzu me Epumusanë,
ushan’ e nga dish u vranë,
po Hasani me të mirë
me paq’ e me ëmbëlsirë,
djal i urt i Fatimesë
qëndroj në mest të Qofesë,
bindi gjithë njerëzinë,
u rrëfeu urtësinë,
dhe me vehte duke marrë
shtatë mijë ushtëtarë,
u ngrit erdhi tek i ati
me gjith ushtërit që pati;
Maliqi me shokë vate,
hyri në Qofe ndaj nate
Ebumusan e përzunë,
një tjatrë të-parë vunë;
Telha-plaku me Zyberë,
Ajisheja e të tjerë
e ngrehnë në Basrë fronë!
të-rreme shumë po thonë!
e xegjitin njerëzinë,
të lëftonjë me Alinë!
Aliu njerës dërgonte,
vëllazërinë kërkonte,
shumë t’ urta fjal u thotë,
po të gjitha dëm e kotë!
fjalëtë për dit i kthenin
e kërkonin ta gënjenin.
Aliu me ushtërinë
ngrihen e në Basrë vinë,
dy ushtëri kundrejt vanë,
një më njan e një mënjanë.
Më nesëret që me natë
Aliu mer shokë shtatë,
edhe në shesht duke dalë,
ndenji hipurë më kalë,
kërkoj Zyber e Telhanë,
ata të dy bashkë i vanë.
Aliu si ish më kalë,
zu e u tha këto fjalë:
Vëllezërë, pa më thoni,
ç’ janë këto që punoni?
juve të-parë më vutë,
pastaj tjatër udhë zutë?
pa më thoni ç’ u kam bërë?
që u mblothtë kshu të-tërë?
kështu është njerëzija?
përse humbi miqësija?
s’ ishim kurdo-herë shokë,
dhe miq për jet’ e përkokë?
të zihemi në mest t’ ënë?
S’ e mbani mënt ç’ kini qënë?
bota nesh do të mësonte,
për jet’ ashtu të punonte,
kur bëjmë ne marrëzinë!
ç’ do të thon ata që vinë?
të heqë nesh njerëzija!
na ndjen vallë Perëndija?
Për atë zon’ e vërtetë!
kjo pun është shum e-metë!
që tani mirë mentohi,
se pastaj do të pendohi,
këto punë foshnje janë,
mirësi me vehte s’ kanë,
për njerëzit e-vërtetë
nuk i vlen këto kjo jetë,
gjer më sot për Perëndinë
dhe për gjithë njerëzinë
jemi përpjekur të-tërë,
sot tjatrë punë është bërë!
Kështu u tha zot’ i-ndjerë,
pa tha Telhaj me Zyberë:
Gjakn e Osmanit kërkojmë!
kurrë nuk’ e harrojmë!
Ajy tha, ata q’ e vranë
dhe meje mallëkim kanë,
nga vrasj e tij, as më thua
vallë nesh kush u gëzua.
I lutemi Perëndisë
në mesthit të njerëzisë,
të jetë i mallëkuar
ajy që është gëzuar
Telhaj fjalën’ e dëgjojti,
unji krye e pushojti!
Këto fjalë si i thanë
të dy bashkë me Telhanë.
Aliu pyet Zyberë,
i tha, e mba mënt një herë
me ty bashkë Muhammeti
ç’ erth në shtëpi e më gjeti,
edhe posa më pa mua,
qeshi pak e u gëzua,
ti i the pse me Alinë,
e ke kaqe miqësinë.
Të tha ty, duke uruar,
Ajy zot i-zotëruar,
shih t’ a kesh vëllazërinë
për jetë ti me Alinë,
edhe si do që të bjerë
ti t’ a kesh mik kurdoherë.
Këto fjal’ i tha Zyberit,
ati zëmëra të mjerit
j’ u droth! pa duke mejtuar,
i tha, e paskam haruar!
pasdaj lottë çurk’ i-vanë,
mi leshat të kalit ranë!
Tha, ti gënjeshtërë s’ thua,
tani m’ erth në mënt dhe mua.
Këto fjalë atje thanë,
pasdaj ikn’ e u ndanë.
Vate n’ ushtërit Zyberi,
dhe i tha Telhajt i-mjeri:
Unë s’lëftonj me Alinë,
nuk’ e bënj dot marrëzinë,
Zyberit Telhaj i thotë:
Qeshemi në gjithë botë,
të shkuarat t’ i harrojmë,
dhe nesërë të lëftojmë!
Punënë kshu e vendosnë
edhe fjalëtë i sosnë.
Ata mijë plot tri-dhjetë,
Aliu kish dhet’ e tetë.
Lufta dhe nuk ishte zënë,
e-shigjeta s’ ishte shtënë,
Aliu mbleth njerëzinë
porositi ushtërinë,
u tha: Ne vëllezrë jemi,
e të ndarë nukë kemi
tani hyri djallëzija,
pa u prish vëllazërija,
ne lëftojmë djallëzinë,
po s’ e mërzitim njerinë.
Këta zotërinj që shini,
të gjithë fort mir’ i njihni,
që janë miqthitë t’ anë,
dhe shumë të mirë janë!
pa kemi qënë një herë
shokë me këta të mjerë!
kur patmë të-parin t’ ënë,
vëllezërë kemi qënë!
pa tani ka hyrë djalli,
e të-varfërit’ i talli!
Ju mos u bëni të-marrë,
mos u bini për të vrarë,
po vetëm sa të mburohi,
se ndryshe do të pendohi,
mos i ndiqni, mos i goditni,
janë vëllezërit t’ anë,
vret i vëllaj të vëllanë?
Kështu u tha parësisë,
edhe gjithë ushtërisë:
Luft’ e-zezë me të zënë,
s’ qen’ ata që kishin qënë!
u ndes aqe luft’ e shkretë,
sa u bë gjaku kënetë!
U plagos Telhaj i-mjerë
dha shpirtin më një ferrë!
m’ anët tjatrë ca të-tjerë
vranë dhe Zyber e-mjerë!
Aliut van’ e i thanë
duke lëvduar q’ e vranë!
U tha, nëmë dotë ketë
nga Zot i math i-vërtetë
dhe mallëkim kurdo-herë
ajy që vrau Zyberë!
Se ata, q’ e kishin vrarë,
s’ bënë si u tha më parë,
po u ranë e i vranë
dhe Zyber’ edhe Telhanë
Aliu me lot i qau.
Mervani me shok’ i vrau,
të shtonte armikërinë,
pasdaj të bënte të tinë!
këta të dy duke vrarë,
më nukë lanë të parë,
nd’ arkë Ajishen e shpunë,
e mbi kamilët e vunë
me hekura e mbuluan,
pas soje gjith u lëshuan.
Aliu tha, mos u bini,
po kamilënë të zini,
dhe dërgoj Maliq-Eshterë
me pakë shokë të-tjerë,
ata u derdhë t’ a zënë,
po armikëtë s’ i lënë,
dhe me shigjeta u shtinë,
këta përpara i vunë.
Maliqi, trim i-vërtetë
i pret atje shtat a tetë,
pa po me vrap u lëshua,
kamilës ju afërua,
gjith armikëtë i theu
edhe frenë e rrëmbeu,
shokëtë gjith u përndanë,
vetëm Ajishen s’ lanë.
Kamila s’ donte të vinte,
vëndinë që kish s’ e linte,
Maliqi një kordh i bije,
si lisnë mbë dhe e shtije!
Aliu dërgoj Mehmenë,
që t’ a mirte Ajishenë.
Pa shih ç’ punoj djallëzija,
e gjettë nga Perëndija!
Ajisheja me Mehmenë
motërë dhe vëlla qenë.
Kësaj lufte an’ e mb’ anë
luft’ e kamillës i thanë,
shigjetë Aliu s’ shtiri,
e dorë në kordhë s’ vuri.
Kur e gjet vrarë Telhanë
e qau si të vëllanë,
Ajishenë Basr’ e shpunë,
dhe në një shtëpi e vunë,
Aliu me miqt’ e tjerë
j’ a bëri si duhej nderë,
e faj asaj nuk i shtinë,
po atyre, që e vunë,
s’ nëmi Aliu Osmanë,
as Zyberë, as Telhanë,
s’ e mallëkoj dhe Ajishenë,
po Mervan e Mavijenë,
q’ i prunë më atë ditë,
e i hodhë në rrëshkitë,
se ajy ish zot i-mirë,
kishte të-madhe mëshirë,
pa dhe këta kishin pjesë,
në punët të Mavijesë.
Pastaj Ajisheja dolli,
zoti Ali e përsolli,
pa i dha edhe Mehmenë,
edhe Hasan e Hysenë,
atë në Meqe e shpunë,
kshu u mbarua kjo punë.
Aliu i ndjen fajtorët,
ngushëllen edhe të gjorët,
të plagosurit i shrojti,
të vdekurit i mbulojti.
Ndenj në Basrë edhe cazë
pa la Abdhullllah-Abazë,
vetë vat’ e zu Qofenë,
të sill m’ udhë Mavijenë.
–
IV
I dashur’ i Perëndisë,
q’ ish miku i njerëzisë,
kart’ i dërgoj Mavijesë,
asaj bushtrës së pabesë,
po i biri i Syfjanit
s’ ju përgjiq t’ et të Hasanit.
Amr’ i-Asit i pabesë
ish miku i-Mavijesë,
ish njeri i-mallëkuar,
e fort shumë i-djallëzuar,
s’ kish nga njerëzija pjesë
pa desh t’ i vij Mavijesë,
të bijt’ e tij nuk e lanë,
të dy me një her’ i thanë:
Mos u bëj me Mavijenë,
që ka rrjepur mëmëdhenë,
të bëhemi me Alinë,
që është me Perëndinë.
Amri u tha, Mavijesë
dot’ i vet’ e të mar pjesë
nga ç’ ka mar e do të marë
këtë punë shoh të-mbarë!
Mavijeja e pat bërë
këtë, q’ ishte djall’ i tërë,
shumë të math e të-parë,
se po shum i kishte ngarë,
e pyetnë dhe dëgjonte,
punë pa atë s’ punonte.
I thotë, tani ç’ të bëjmë?
e ç’ ngajë vallë të gjejmë?
kshu tha i-bir i Syfjanit,
Ajy tha, gjakn e Osmanit!
atë neve të kërkojmë
kurrë të mos e harrojmë,
linjënë me gjak t’ a nxjerrim
e injët’ t’ ona t’ i çjerrim,
duke thirur nat’ e ditë,
dhe me, të dhën’ e me të mitë
t’ i gëxitim njerëzinë,
e të ngrehim mbretërinë.
Këto punëra punuan
njerëzinë e marruan,
kushdo, q’ ishte i pa-besë,
i vate pas Mavijesë,
ca me frikë ca me mitë
i mbaruan djallëzitë
humbi fare urtësija,
e drejta e njerëzija!
ç’ erdhi një e-zeza ditë
që s’ vleninë mirësitë,
Aliu luftë po s’ donte,
po këto gjith i mësonte
u dërgoj fjalë të vinë,
edhe mblodhi ushtërinë,
pej Meq’ e pej Medineje,
pej Basre e pej Qofeje,
papo j’ u derth Mavijesë,
asaj dhelprës së-pabesë.
O moj dhelpëra dinake!
të vërtetënë e flake,
edhe të rremënë prure,
e në vënt t’ asaj e vure!
njerëzinë e shkretove!
dhe besën e turpërove!
Syfjanasitë u ngrinë,
mblodhë gjithë ushtërinë,
Mavijeja vu të parë
Amrinë mi ushtëtarë.
Amri nga ata, që mblodhi,
një mijë të-fortë xgjodhi
mbi ata vuri Verdanë,
edhe i dërgoj më njanë,
pas ati dhe Amri vetë,
unis me mijë tri-dhjetë;
pas ati dhe Mavijeja
dolli me rrëmet si reja!
Aliu nisi Kamberë
me dy tri mijë të-tjerë,
vu mbi të-tjer’ ushtëtarë
të bir e Nasrit të-parë,
dhe i nxori nga qyteti,
vetë me të tjerët mbeti,
pasdaj dhe vetë s’ qëndrojti,
nga ur’ e Beskësë shkojti.
Mavijeja dhe të tjerë
dërgoj me Ebu-Averë!
Aliu kundrejt Averit
nisi të bir’ e Eshterit,
këtë trimnë vu të-parë
përmbi gjithë ushtëtarë.
Nga nj’ anë vinte Averi,
nga tjatra Maliq-Eshteri
papo të dy ushtëritë
u afruanë një ditë;
një më nj’ an e një më nj’ anë
përtej e përkëtej ranë,
nëpër bregore u hodhë,
ndenjnë një dit e u çlodhë.
Dërgoj i bir’ i Eshterit
një kart’ e i shkroj Averit.
Nukë erthmë të lëftojmë,
kemi ardhur të gjykojmë,
njerëzija të mos vritet,
gjaku të mos përsëritet,
nuk’ i do zot’ i-vërtetë
të këqijatë në jetë,
ka besuar Perëndinë
ajy, që e do Alinë,
në dashtë bota t’i mbesë
këjo punë Mavijesë,
edhe neve ndryshe s’ themi
e nga erthmë prapë vemi,
po njerëzija e dinë,
nuk e çkëmbejnë Alinë,
gjithë kush po dotë shohë,
të drejtënë dot’ a njohë.
Maliq-Eshteri kshu shkrojti,
shpejt kartënë j’ a dërgojti,
Aliu u kishte thënë,
luftë kurrë të mos zënë,
potë dërgojn’ e t’ a thresin,
të qëndrojnë e t’ a presin,
ajy luftënë s’ e donte,
gjak e dëm nukë kërkonte,
i vij keq për njerëzinë
e kish të-tërë të-tinë.
Ja dhanë kartën’ Averit,
pa i shkroj Maliq-Eshterit.
Neve erthmë të lëftojmë,
pa të këtilla s’ dëgjojmë,
duan luftë, nuku fjalë,
kush është burrë të dalë!
Maliqi duke kënduar
kartënë i zemëruar,
me vrap e nisi një djalë,
Averit i dërgoj fjalë:
Ne të mos vim’ e të vemi,
këto sy-për-sy t’ i themi.
Averi këtë s’ e deshi,
dëgjoj fjalënë dhe qeshi.
Ahere u ashpërua,
hipi dhe u afërua
Maliq i-bir i Eshterit,
papo i thiri Averit:
Del, i tha, del të lëftojmë,
ne të dy të mos mënojmë,
se kam turp nga Perëndija,
të vritenë njerëzija,
janë vëllezërit t’ anë,
këta neve faj s’ na kanë.
Kështu tha Maliq Eshteri.
Birruni thiri Averi,
Averi i vëngër ishte,
mëndjen të-verbër’ e kishte.
Gjith ushtarët që qenë,
si greratë u përzjenë;
u therr, u prenë, u vranë,
me mijë të-vrarë ranë!
Maliqi kordhën e hoqi,
armikëtë gjith i ndoqi,
të shumët syresh i preu,
dhe të tjerëtë i theu.
Burr o i bir’ i Eshterit!
ç’ i dhe dërmënë Averit!
Averi do-mos-do iku,
se më s’ qëndroj dot armiku.
Në Siffin vate Averi,
aty mbet Maliq-Eshteri,
Averi me shokë venë,
gjen’ atje dhe Mavijenë
Aliu duke arritur
e nga kali duke xbritur,
i dërgoj fjalë, t’ a presë
me një djalë Mavijesë.
Po Mavijeja s’ dëgjonte,
në jetë njeri s’ peshonte,
ushtëri e Mavijesë,
balt’ e Shamit e-pabesë,
anë lumit kishte rënë,
ujëtë e kishin zënë.
Shokët e Aliut vanë,
dhe përtej atyre ranë
ubë e-madhe rrëmujë
se s’ donin t’ u epin ujë!
këta për ujë po vinin,
ata s’ doninë t’ i linin!
Aliu të gjith’ i mblodhi,
parësin e pleqtë xgjodhi,
pa ja dërgoj Mavijesë,
tha: ujët të mos e presë,
këtu as ajy, as unë,
nuk’ erthmë për këtë punë,
në mest t’ ënë një gjyq kemi,
po armikë nukë jemi,
në mest t’ ënë s’ ka të-ndarë,
dhe të-pasdajm’ e të parë,
pleqësija le t’ a gjenjë,
të xgjedhë kë të pëlqenjë,
neve s’ erthmë për rrëmujë,
e të zihemi për ujë,
s’ vuajmë për vehten t’ ënë,
se kështu s’ na kanë thënë,
po vetëm për njerëzinë
se besojmë Perëndinë;
për udhët të Perëndisë
pas ligjës së urtësisë
për komp e për mëmëdhenë,
për bes e për Muhammenë.
Mavije zemërë-guri
pleqësinë e përzuri,
u tha prapë të mos vini,
ujë nga unë ju s’ kini!
kshu tha djall i mallëkuar!
Maliqi me të-dëgjuar
këtë fjal u ashpërua,
dhe u bë posi dragua,
s’ kishte nge për të mejtuar,
se ish shum’ i-zemëruar,
hoqi kordhën u lëshua
mi armikët si fajkua.
I ndoqi si shqipia zoknë,
më s’ e panë shoku shoknë,
të-gjithë në armë erdhë,
shumë gjakëra u derdhë!
armikëtë i përzunë,
edhe përpara i vunë,
Maliqi ujët e zuri
ushtërin atje e shpuri.
Këta etjenë e shuan,
e prehnë e u qetuan,
ushtëri e Mavijesë
mbeti pa uj’ e pa shpresë.
Mavijeja pleqësinë
e dërgoj e pan Alinë,
përpara soje qëndruan,
edhe ujë i kërkuan.
Aliu tha: Le të vinë,
të marën’ uj’ e të pinë,
neve ujëtë s’ e zemë
pa atë juve s’ u lemë.
Uji ësht’ i Perëndisë,
nuk’ është i njerëzisë,
ç’ bëtë ju neve s’ e bëjmë,
se atë të lig’ e gjejmë,
një, që beson Perëndinë,
s’ e mundon kurrë njerinë,
shithin’ e shtijenë retë,
lumën e bëjnë rëketë,
lumi, që vjen valë valë,
edhe çan fushën e malë,
del të nginjë njerëzinë,
dhe kafshët e bagëtinë,
edhe ajy sokth i-qetë
pi e ngre sytë përpjetë,
po ju këtë t’ a kujtoni,
kurrë të mos e harroni!
Me të thënë këtë fjalë
lott’ i vanë posi valë!
pa vështoj Fyratn’ e-shkretë,
edhe tha: Zot i-vërtetë!
Se atje tek ajy lumë
do të ngjasin punë shumë!
Fyrati rrjeth dhe taninë,
njerëzitë ven’ e s’ vinë!
po të drejtënë të themi,
si ajy dhe neve vemi,
ajy vet’ e vjen ne deti,
edhe ne tek i-vërteti,
sindëkur nukë shtron lumi,
kshu dhe njeri brengë-shumi!
Lum kush është zemrë-qruar,
posi lumi i-kulluar,
mjerë kush vete i ngarkuar
si lumi i-trubulluar!
Katr’ a pesë ditë shkuan,
që ndenjn’ e nuku lëftuan.
Aliu nisi Besherë
me shtat’ a tetë të-tjerë
këta pleq të-mirë vanë
e Mavijesë i thanë:
ç’ po bën kshu ti? o i-gjorë
pendohu edhe hiq dorë,
se te Zoti kur të vemi,
ne të mjerëtë ç’ ti themi?
pa nukë do Perëndija
të vritetë njerëzija,
të rrish pak e të mentohesh,
nga këto dotë pendohesh.
Ti të zihesh me Alinë!
e të mundosh njerëzinë!
s’ ke frikë nga Perëndija?
edhe turp nga njerëzija.
Kshu i thanë pleqt’ e-ndjerë
ajy kthenet me një herë:
Duamë gjakn’ e Osmanit!
u thot’ i-bir i Syfjanit!
P’ ati i thotë Besheri:
Dhelpëritë tani leri,
jak’ u bëj mik me Alinë,
hidhe poshtë djallëzinë,
pa ajy gjyq dotë shihet,
dh’ e-vërteta dotë njihet,
si j’ a zunë gjithë shtigjet,
Mavijeja u përgjigjet:
Duamë gjakn e Osmanit!
kshu tha i-bir’ i Syfjanit!
pa tha, kordha dota ndanjë,
gjaku gjaknë dot’ a lanjë!
kjo fjal e zemëroj plaknë,
tha, nga kush e kërkon gjaknë?
Atë let’ a gjenj Aliu,
tha Mavijeja faqe-ziu,
këtë fjalë e dëgjuan
pleqtë, dhe s’ dënjnë po shkuan
Aliut van e i thanë,
qëllim për paq ata s’ kanë
gjithë duan të lëftojnë,
dhe s’ e dinë ç’ gjë kërkojnë!
Pas kësaj luftënë zunë,
opopo! e-madhe punë!
përpiqeshin ushtëritë,
e lëftoninë për ditë!
u vran’ u therrë, u prenë,
u shuanë e më s’ benë!
Katrë muaj ushtëritë
lëftoninë nat’ e ditë!
qenë tetë-dhet’ e shtatë
luftëra më të-mbëdhatë!
Aliu luftën e preu,
prapë pleqësin’ e kreu,
van’ i thanë Mavijesë:
Në ke Perëndi e besë!
fjalët e të-parit t’ ënë
nuk i mba mënt, një ka thënë?
Ti ç’ kërkon në këtë jetë,
duke qën Aliu vetë?
pa hiqu, për Perëndinë!
mos e vra kshu njerëzinë!
Kshu i thanë Mavijesë
pleqt’ e-urtë paçin ndjesë!
Mavijeja u tha: mua
vallë më pandehtë grua,
apo të mitur e djalë,
të më gënjeni me fjalë?
Pleqtë te Aliu vanë,
të gjitha ç’ u tha j’ a thanë.
Aliu tha: Unë donja
këto punë t’ i drejtonja
me fjalë e me të mirë,
për luftë s’ kisha dëshirë;
më mirë le parësinë,
se të shuanj njerëzinë,
po e shoh që t’ qënka thënë,
dhe s’ është në dorët t’ ënë,
nuk e le dot Mavijenë
që ta prishnjë Mëmëdhenë.
J’ a rrëfej gjakn e Osmanit
unë të-birt të-Syfjanit.
Kshu tha pa zu luft’ e-rezë,
vdekja zbriti posi rezë
lëftoninë dit e natë,
mbretëront’ e shkreta shpatë,
gjer sa vranë dhe Amarë!
plakn’ e-urtë! kordhëtarë!
Dolli edhe fjal’ e-thënë
e ati të parit t’ ënë:
Ana, që të vras Amarë,
nëmën e ka për të marë.
Oh! ç’ u vra Amar-Iasiri!
ra i-vdekurë i miri!
Amar’ e doj Muhammeti,
Aliu edhe rrëmeti.
Aliu kur pa Amarë,
plakn’ e varfërë të vrarë,
qau shum e psherëtiti,
dhe sytë përpjet i ngriti,
deti p’ an u trumbullua!
edhe shum’ u ashpërua!
Tha: Kordhë s’ donja të shinja,
e mi djemt’ e-mij të shtinja,
po më qaf i past armiku!
se zëmërënë ma pshiku.
–
V
Më nesëret me gdhirë,
u ngrit ajy zot i-mirë,
u fal me Zotn’ e-vërtetë,
dhe hipi e dolli vetë.
Kal i tij kur hingëlliti,
gjithësin e trënditi!
U tremp shumë nga dyldyli
Mavije zëmërë fyli,
se s’ e kish parë më parë
përmbi krye Zylfikarë!
aqe shumë ju tremp syri,
sa brenda në tendët hyri,
dhjetë mirë e rrethuan,
me kordhë në dor’ e ruan,
sillni, tha, kalën të hipënj,
se më s’ ri dot, po dot’ ikinj!
Si ljepuri ishte bërë,
edhe po dridhej i-tërë!
Amri pej krahu e zuri,
e me vrap në vënt e vuri,
i tha: pa qëndro një herë,
Aliu s’ vjen të na bjerë,
Mavijeja u qetua,
Aliu u afërua,
tha: Pa i thoni të dalë,
se dua t’ i them dy fjalë,
ku ësht i bir’ i-Syfjanit?
që kërkon gjakn e Osmanit.
Armikëtë zë s’ i bënë
s’ gjenin fjalë për të thënë.
Del! tha pa del! o Mavije!
se unë më tjetër s’ shtije.
Neve të dy të lëftojmë,
njerëzinë t’ a shpëtojmë,
se s’ na ka faj njerëzija,
a e gjeç nga Perëndija!
Mavijeja vdiq nga frika,
s’ u përgjiq se i ra pika.
Dyldyli u ashpërua,
u ngjeth edhe u harbua,
dy, tri herë shkrefëtiti,
e një herë hingëlliti,
papo me vrap u lëshua,
armiku u tëmërrua!
gjithë shokëtë u derdhë,
bashkë me Alinë erdhë,
edhe hyn’ e u përzjenë,
Aliu doj Mavijenë!
pa Maliqi me Averë
dhe të tjerëtë u therrë!
atë dit e ata natë
mbretëroj lufta me shpatë
sa u bë vëndi kënetë!
thoshnje, bije gjak nga retë!
Më nesëret duke gdhirë,
u ndes prapë lufta mirë!
ushtëri e Mavijesë
më nukë kishinë shpresë,
ikën e muarrë dhenë,
edh’ e lanë Mavijenë.
Pesë-dhjetë mij u vranë
të Mavijesë m’ at’ anë!
dhe këtej njëzet e pesë
mijë ranë miq me besë.
Mavijeja ish qetuar,
rrij si ljepuri mbuluar,
Amrit i thotë, na zunë!
nga të ikim ti dhe unë?
një të-rremë të mejtojmë
mase me atë shpëtojmë!
Amri thirri ushtëtarë!
ne na kanë për të vrarë
po lini shigjet e pallë,
se po na zënë të-gjallë
vini mi ushta Kuranë!
se të shumëtë na lanë!
Ata kuranëtë vunë,
dhe ulërimënë zunë!
se ish ahere kurani,
q’ e pat mbledhurë Osmani.
Këta e panë kuranë,
edhe luftënë e lanë.
Thanë, ky letë ndanjë
edhe të-liknë t’ a shanjë.
Ati ne i prumë besë
zihjen ajy le ta presë!
Aliu tha: O të marrë
pse s’e bëninë më parë?
kët’ e bënë si u muntnë,
edh’ e panë të lik funtnë,
këtu s’ ka gjë të vërtetë,
ësht’ e-rremë kjo e shkretë,
sa gjakëra që u derdhë!
punët gjer këtu sa erdhë
ne me fjalë po kërkonim,
edhe me gjyq të mbaronim,
ata luftënë e zunë,
më këtë shkallë e prunë,
tani gënjeshtërë gjenë,
si e panë, që më s’ mbenë,
i besoni Mavijesë!
ka ajy fe edhe besë,
të-rremen Amri e gjeti,
juve mbi atë po fshteti,
e bënë sa të shpëtojnë,
pa prapë do të lëftojnë,
këta juve u gënjejnë,
e të tilla u rrëfejnë,
po juve mos i besoni,
ngrihi me vrap e lëftoni.
Doni fjalën e vërtetë
njeriu është kuran vetë,
besa është në krahruar,
nuk’ është në kartë shkruar
kshu njeriu i vërtetë
tha, dhe hodhi një shigjetë,
po shokët u zemëruan
dhe gjith’ u ngrin’ e ndaluan.
Pa u tha? qënki të marrë
të-tillë njerës s’ kam parë
mezi punën e mbaruam,
pa me një her e rrëzuam.
Kshtu u tha. Ata thanë,
S’ e godijmë dot kuranë
thirrë dhe Maliq-Eshterrë,
t’ i ler e të mos u bjerë.
Kshu thanë, se djallëzitë
na kallë atë ditë.
A moj djallëzi e shkretë
të shoftë Zot’ i vërtetë
Maliqi dhe po lëftonte,
të-rremetë s’ i dëgjonte.
Këta gjith u zemëruan,
dhe Maliqnë e ndaluan.
Popo tha Maliq-Eshteri,
e më shpëtoj nga dora derri
dota zinja Mavijenë
e t’ a ngorthnja posi qenë.
Maliqi vjen dhe u thotë:
a u turpëruat në botë
si i vram e si na vranë,
pastaj nxuarrë kuranë.
Unë gjall s’ e kisha lënë
ç’ bët’ a mos u qoftë thënë
derthmë gjak edhe lëftuam,
më së fundi gjë s’ fituam
njerëzin e gjor e vramë,
e fajtorëtë i lamë
qysh u mundi dhelpërija
e u humbi marrëzija.
Kshu u tha Maliq-Eshteri
e me lot qau i-mjeri.
Ata tjatrë fjalë s’ thanë,
po s’ e godijmë Kuranë.
Këta tani po u falë,
ta gjejmë punën me fjalë!
Maliqi tha: qënka thënë
s’ qënka në dorët t’ ënë
t’ i bën Zoti s’ më haj malli,
po janë punë prej djalli.
Kshu tha trimi dhe pushojti,
pranë Aliut qëndrojti.
Kshu u mahnit ushtërija,
se i hyri djallëzija,
njeri më nukë dëgjonin,
punënë s’ e kupëtonin,
gënjeshtrës i prunë besë,
dhe Amrit e Mavijesë!
Aliu nis pleqësinë,
t’ a pyesë faqëzinë,
punënë si dot bëjnë,
e ç’ mënyrë do të gjejnë.
Kurani qysh dot’ i ndanjë,
e të-këqijat t’ i lanjë,
dhe fjala ku dotë mbesë?
Kshu i thanë Mavijesë.
Mavijeja tha: Ne jemi
vëllezër’ e nukë kemi
armiqësi në mes t’ ënë,
po kjo punë kshu ish thënë!
Tani dy njerës të vemë
dhe në dorët t’ ua lëmë,
të atyre këtë punë,
papo Amrinë vë unë,
vini dhe ju kë të doni,
po nxitoni, mos mënoni!
Pleqtë u kthyen e vanë,
Aliut këto j’ a thanë.
Ata q’ ishinë të kthyer,
dy të marr e të gënjyer,
me një herë gjithë thanë,
të vëmë Ebu-Musanë!
Aliu tha: ju të-tërë
at’ e dini ç’ na ka bërë.
Po ata me të përdhunë
prap Ebu-Musanë vunë.
Hyri në mest t’ ushtërisë,
marrëzi e djallëzisë
njeri më nukë dëgjonin,
bëninë sindëkur donin
e lidhë fjalën e thanë;
Amri me Ebu-Musanë,
edhe gjithë pleqt e tjerë,
që janë t’ urt’ e të-ndjerë,
pas dhjetë muajsh të mblidhen,
në Xhendel gjithë të hidhen;
ata të dy të gjykojnë,
të-tjerëtë të dëgjojnë;
ata të dy si ta gjejnë
të-tjerëtë t’ a pëlqejnë.
Maliqi me shokët s’ donin,
po të marrëtë s’ dëgjonin.
Aliu tha: kur e thoni,
letë bëhetë si doni,
se unë për ju përpiqem,
mundimitë nuk i hiqem;
po t’ a dini këtë punë
nuk’ e pëlqenj kurrë unë.
Këto bën e kështu thanë,
edhe më pas u ndanë.
Në Qofe erdhi Aliu,
në Sham vate faqe-ziu.
Aliu shokët’ i ndjeu,
edhe grat’ i përdëlleu
që qanin e s’ pushonin,
se të-vrarëtë kujtonin
kush të bir’ e cila t’ anë,
kush të shoqn’ a të vëllanë
njëri mikn a kushërinë,
e sicili do të tinë.
Po ca nga ata, q’ u kthyen,
nga të-marrët q’ u gënjyen,
si erdh’ aty u pendohnë,
fjanë pas kohe e njohnë,
vin’ e Alinë’ e shtërngojnë
dhe duanë të lëftojnë
edhe i thonë të dalë
Aliu tha: dhamë fjalë,
tani nukë bën t’ a kthejmë,
e marrëzi të rrëfejmë,
unë për mirë s’ e pashë,
dhe që ahere u thashë;
e bëtë me të përdhunë,
tani si t’ u a bënj unë!
Kështu u tha Zot’ i mirë,
me mëshir’ e m’ ëmbëlsirë,
se kishte shumë durime,
ish pa nonjë fare sqime
ajo Zemr’ e-bardh e-mirë,
që ishte plot me mëshirë,
nuk’ i qasej ligësisë,
dhelpëris e djallëzisë.
Këta gjithë krye ngrinë!
donin t’ a vrisnin Alinë!
thoshnin: Na la Mavijenë,
të na Mbretëronjë, qenë,
atë qenë e-tërbuar,
njerinë e mallëkuar,
Mavijenë vet e lanë,
dhe më-së-fundi kshu thanë.
Pa këtyre që u ndanë,
bota të dalë u thanë;
se nga udha kishin dalë,
e kishinë marë malë.
Ishte gjisht i Mavijesë,
pa u bënë të pabesë.
Muajtë e shkretë rrodhë,
bota në Zhendel u mblodhë;
Amri me Ebu Musanë
nga gjithë shokët u ndanë,
bashkë më një tendë hynë,
shoku shoknë nga dish mbynë
dhan e muarr e u zunë,
Amri thosh: Të bëhem unë
a t’ ja lemë Mavijesë,
dhe puna këtu të mbesë!
Kët’ Ebu-Musaj s’ e deshi,
po dhelpëra plak e qeshi,
i tha: Të nxjerrim Alinë,
dhe Mavije faqe-zinë,
të mblidhetë pleqësija,
edhe gjithë njerëzija,
kë të duanë të venë,
dhe në parësit t’ a lenë.
Fjala në funt këtu mbeti,
po prite gjithë rremeti.
Del Ebu-Musaj së pari,
se u gënjye i-marri!
Pleqësi! tha, pa dëgjoni!
juve vini kë të-doni.
Kshu tha dhe unazën nxorri,
në dorët tjatër e mori,
edhe tha, duke treguar
unazën që kish nër duar:
Unazënë si e nxorra,
edhe në dorët e mora,
ashtu nxjerr edhe Alinë,
dhe Mavije faqezinë,
juve një të-parë gjeni,
e vini, kë të pëlqeni.
Kështu tha plaku dhe ndejti,
edhe më nukë bëzëjti.
Dolli dhelpra rrjepacake,
shtrig e ligë varfanjake,
Amri, djall i-mallëkuar,
shpirt-lik e sy-xgurdulluar,
si tjatri unazën nxorri,
edhe në dorët e mori.
U thotë me zë të-thatë
unazënë a e patë?
si nxorrë këtë taninë,
ashtu e nxjer dhe Alinë!
Kshu tha, pasdaj prap e vuri
unazën e fjalën zuri,
pa tha: e shihni, o burra!
prap unazën si e vura?
ashtu ve dhe Mavijenë,
u rroft edh’ e paçi mbrenë.
Kshu tha dhe dhelpëra dinake,
skil e ndyrë rrjepacake,
Ebu-Musaj e dëgjojti,
pa e shau dhe e qërtojti:
Qen’ i qenit, i tha ç’ thua,
Mavijenë unë s’ e dua.
U rrëmbyen’ e u zunë,
mjekëratë i këpunë,
posi qent’ u përlëfytnë,
njeri tjatrinë mbytnë,
gjykatëritë u zunë,
edhe s’ mbaruanë punë,
gjith bota u përndanë,
nga kishin ardhur vanë.
U prish gjithë jet e shkretë,
më s’ mbeti gjë e-vërtetë.
Armikët e rinj po shtohen
të ligatë po madhohen,
i vëllaj le të vëllanë,
hidhetë më tjatër anë,
njerëzija egërsirë
bëhet e më s’ sheh të-mirë,
të pak’ ishinë me besë,
dhe ata mbenë pa shpresë.
Të dalëtë u mahninë
donin ta vrisnin Alinë!
po Aliu me të-mirë,
me mëshir e m’ ëmbëlsirë
doj të vinte urtësinë,
e t’ a xbutte njerëzinë,
me të-mirëzë kërkonte,
zemratë t’ i ëmbëlsonte,
e t’ a shtronte Arabinë
duke sjellë mirësinë,
paqenë donte të vinte,
edhe luftënë ta ngrinte,
po urtësija s’ bën punë!
ata kërkoninë drunë!
gjer sa pshoj zemëra-trime,
u dha nëm e mallëkime.
Armikëtë që e lanë,
van e zunë Nehrivanë,
edhe luftënë kërkonin,
Alinë më nuk’ e donin!
Do-mos-do kordhën u vuri,
i ndau e i përzuri,
dhe me këtë hoqi shumë,
u derth gjaku po si lumë.
Dhe Egjypta u trazua,
e shumë u ngatërua,
Mavijeja zjarrë kalli,
njerëzin e mori djalli.
E kupëtoj Mavijenë
Aliu dhe nis Mehmenë,
dërgoj Mehmenë një herë,
nisi dhe Maliq-Eshterë.
Mavijeja me të msuar,
djallëzit’ i kishte ftuar;
atje tek shkon udh e gjerë,
që vij bota kurdoherë,
ishte i-parë Zebleja,
q’ e kishte mik Mavijeja;
pa Mavijeja Zeblesë,
q’ ish si ajy i-pabesë,
i dërgon gjë shum e mitë,
dhe i këllet djallëzitë,
e i thotë që t’ a ftonjë
Maliqnë e t’ a elmonjë!
Vërtet Zebleja e ftojti,
se Maliqi atje shkojti.
Oh! pastë nëmë për jetë!
e helmoj trimnë e vërtetë!
Burrë si Maliq Eshterë
mëmë më s’ pjell tjatrë herrë!
E bëri këtë Zebleja,
dërgoj me vrap Mavijeja
Amrinë, djall’ e vërtetë
n’ atë Egjyptë të shkretë,
q’ ishte shum e-djallëzuar,
edhe fort e-trumbulluar.
Gjithë ç’ qenë të-pabesë,
i ndininë Mavijesë!
Lëftoj me Amrin Mehmeti
edhe i-tërë qyteti,
me zëmërim shum u vranë
u tunt vëndi an’ e mb’ anë,
po shokëtë me Mehmenë
n’ Egjyptë të pakë qenë,
trimatë të gjith u vranë,
e armëtë nuk i dhanë!
Në një gërmadhë Mehmenë
hipurë në kal e gjenë,
pa i ranë edh’ e vranë,
dhe barkun e kalit çanë,
e atë brënda e kallë
q’ i vëllaj t’ a dij të gjallë.
Se i vëllaj i-Mehmetit
ishte në mest të rrëmetit,
ajy ish me Mavijenë,
nuku ishte me Mehmenë.
Kur hyn në mest djallëzija
s’ ka duk as vëllazërija,
Aliu duke mësuar
e shumë duke helmuar,
e qau Maliq-Eshterë
dhe atë Mehmetn’ e-mjerë,
disa dit e mbajti zinë,
fare s’ e hapi shtëpinë.
Abdullllah Abazi erdhi,
e bashkë me atë lot derdhi.
Dot’ i vinin Mavijesë,
po s’ mbet njerëzi e besë.
–
VI
S’ e munt djalli Perëndinë,
as Mavijeja Alinë,
se s’ mundetë mirësija,
s’ bije poshtë Perëndija.
Nj’ emërë që rron për jetë,
thua ësht i-Zoti vetë.
Aliu zemrën e kishte
trime shum e nuk e prishte,
me fjalë plot ëmbëlsirë
zih t’ i bij në udhë të mirë,
të mblith mëntë njerëzija,
e të ngrihej ligësija.
Po kur Mavijeja fjalë
dërgon dhe kart’ e të-falë,
vëndin i thotë t’ a ndajmë
kështu zihjenë t’ a lajmë,
un’ Egjyptën e Syrinë,
ti Persin e Arabinë,
Aliu nuk i sill besë,
pa s’ ju përgjiq Mavijesë,
se ndryshe thosh, ndryshe bënte,
të vërtetë nuk i gjente.
Më njanë paqe kërkonte,
më anët tjatrë dërgonte,
vëndet një nga një i zinte,
e njeri të gjallë s’ linte,
lufta ishte e pa prerë
e gjaku derdhej për-herë,
njerëzija hoqi shumë,
punët’ ishinë për lumë;
më pasdaj dërgoj Besherë
me shumë shokë të-tjerë,
ven’ e zënë Medinenë,
bënë Ebu-Hyzejrenë,
pa i derdhënë Meqesë,
e bëjnë të Mavijesë.
Aliu nis Harithenë,
e zu prapë Medinenë,
u ngrit Ebu-Hyzejreja
e iku nga Medineja;
dhe Vehapi zu Meqenë,
prapë si ishinë mbenë.
Po bota ish trubulluar,
njerëzija ish tërbuar,
burri burrit po i binte,
e dy gurrë bashkë s’ linte.
Donin t’ a vrisnin Alinë,
dhe Mavije-faqe-zinë,
edhe Amrin e-pabesë,
se njeriu s’ i mbet shpresë.
Pa thonë në Sham vanë,
edhe Mavijes i ranë,
s’ e vranë, po e plagosnë,
nukë vdiq s’ edhe s’ ju sosnë!
edhe n’ Egjyptë vanë,
të vrisnin Amrin thanë,
e atje thonë lathitnë,
s’ e njohn’ e tjatrë goditnë.
Të dy të liqtë shpëtuan,
pa Aliut j’ u lëshuan,
t’ a vrisnin me të pabesë,
mos paçin nga Zoti ndjesë.
Abdurrrrahman’ i Mylxhemit,
i-rrem i bir’ i të rremit,
nga Egjypta ishte thanë,
nga ata, që vran’ Osmanë,
dhe ca thon’ ish nga Iemeni
Abdurrrrahman zemrë qeni;
Thonë ky ish zemëruar
ng’ ajy Zot’ i lartësuar,
se një kordh i preu më parë,
Aliu s’ ja kishte marrë;
i kishte thënë s’ e dua
se kjo nuk është për mua,
kjo të duhetë një ditë,
që të mbaronç porositë.
Ca një grua kanë thënë,
q’ ish e bukurë si hënë,
Abdurrrrahmani e donte,
po ajo paj i kërkonte
gjakn e Aliut taninë
shih si e shit bukurinë,
as po kshu edhe Shënjt-Janë
armikët e tij e vranë.
Po këto mëngjan të-rreme
janë gjith e thash e theme,
ishte gjisht’ i Mavijesë,
pun’ e dhelprës së pa-besë.
Aliu vetëm shëndinte,
madhërit ajy s’ i dinte,
nukë mbante shërbëtorë,
po shkonte me shkop në dorë,
të varfërit i donte,
keq t’ i bënin nukë mpshonte,
dhe pleqet u bënte nderë,
u vij në shtëpi nga herë,
dhe foshnjët’ i përkëdhelte,
zëmërënë u’ a çelte.
Nata s’ ishte shum e-gjatë,
Zoti yn u ngrit me natë,
vate t’ i falej për jetë
ati Zotit të-vërtetë.
Shpirti edhe mëndj’ e tija
ishinë te Perëndija.
Abdurrrrahmani së-qeti
erdhi, tek falej, e gjeti,
së prapi me të pabesë
hoqi kordhënë t’ a presë
qen i-qetë posi hije
shtij e në kokët i bije,
pas asaj rrojti dy ditë,
pa ufut drita në dritë.
Në Nexhet shokët e shpunë,
opopo, e madhe punë.
Miqtë Alinë e qanë,
të-parë vunë Hasanë.
Ka vdekur pandeni vallë,
ajy për jet’ ësht’ i-gjallë
se s’ vdes kurrë urtësija,
nukë humbet Perëndija.
Ajy dhe sot ësht’ i-gjallë
për atë, që i ka mallë,
Miqtë vun’ Imam-Hasanë
që ngjan së gjithash më t’ anë;
kishte gjithë urtësinë,
dhe mëndjen e diturinë,
mirësitë si i-ati
dhe Imam-Hasan’ i pati.
Mavijeja u harbua
thosh: s’ ma del dot njeri mua,
mblodhi gjithë mizërinë,
të rrëmbente Arabinë.
Miqt e Aliut s’ u kthyen,
shpirtin e tyre s’ e lyen;
si dhe Abdullllah-Abazi
miqësin e tij s’ e xbrazi,
q’ e kish kushëri të-parë
nga një vatrë ishin ndarë
pa s’ u bë me Mavijenë,
nuk’ e peshoj fare qenë.
Zijasi ish me Alinë,
e urdhëronte Persinë,
i këllasën djallëzitë,
i apënë gjë e mitë,
e gënjejn edh e rrëmbejnë
e me vehte e këthejnë,
pa ngjizin shumë të rreme,
të prapëta thash e theme,
edhe më-së-fundi thanë,
q’ e kish at Ebu-Syfjanë,
ish vëllaj i-Mavijesë
nga një mëmë pa martesë,
ngordhi kau, i la viçnë
e bëri vëlla dobiçnë,
pa e mori të vëllanë,
e mbante gjithënjë pranë.
Të-parëtë duke ndarë
tutj’ e tëhu si kusarë,
gjithë botënë e rropnë,
dhe me gjë nuk u ngopnë.
Dyzet mijë kordhëtarë
Imam-Hasani ka marë,
i derdhetë Mavijesë
me ushtërit të Qofesë;
po ata të mallëkuar
s’ kishin zemrë të qëruar,
pa gjithënjë e gënjenin,
edhe fjalën e këthenin,
kishte vdekur mirësija
ishte ngjallur djallëzija.
Shumë herë helm i hodhë,
shumë her e rropn e vodhë,
në luftë vetëm e lanë,
dhe së-pshetazi i ranë.
Ajy fort mir i njihte,
po bënte sikur si shihte,
pa dhe helmi s’ e helmonte,
edhe shigjeta s’ e shponte.
Qysh ra poshtë mirësija,
edhe humbi njerëzija,
u bë bota e-pabesë
nga punët e Mavijesë.
I dhanë breng’ e munduan,
zëmrënë ja përvëluan.
S’ ka hequr njeri në jetë,
sa hoq Imam i-vërtetë,
nga do vat’ e tekdo iku,
gjet një brengë nga armiku.
Hazezhi, një i pabesë
nga ushtëri e Qofesë,
s’ pat nga Perëndija frikë,
i ra sa mundi me thikë
në kofshët Imam-Hasanit,
edhe hipi majë manit.
Hasani tha: mos e ngisni,
lereni e mos e vrisni,
po shokët e tij e vranë,
nuk’ e dëgjuan Hasanë;
ng’ ajo plagë sa u shrua,
zemëra ju përvëlua.
Nga njerëzit’ e pabesë
më s’ i kishte mbetur shpresë,
dy-zet herë helm’ i dhanë,
e me të-pabes i ranë,
dhe nër miqt’ e tij kur vinte,
armiku pa dëm s’ e linte.
E shih se ditë-me-ditë
po shtoheshin djallëzitë,
pa i mblodhi njerëzinë
edhe nisi ligjërinë:
un u tha madhëri s’ dua,
nuk’ është punë për mua,
dua shumë urtësinë
s’ ma ka kënda marrëzinë;
lufta, gjaku s’ më pëlqejnë
dhe njerëzit që më rrejnë;
u shoh q’ u bëtë të marrë,
s’ jini si qetë më parrë;
për ju dua të përpiqem,
në zjart të hynj e të digjem
t’ u shpëtonj nga ligësitë,
dhe t’ u nxjerr të shini dritë
se jini në errësirë,
punënë s’ e kini mirë.
Po ju s’ dashki Muhamenë,
qënki me Mavijenë,
un u dita miqtë t’ anë,
ju besuaki Syfjanë.
Nuk e dashki lirinë,
kërkuaki ligësinë,
s’ u pëlqejnë mirësitë,
andaj xgjothtë marrëzitë.
Unë dua t’ u bënj mirë
si im atë me mëshirë,
juve njëdizaj t’ im atë
me të pabes ma vratë,
doni me vrarë dhe mua,
e përse? ç’ u paskan hua?
juve dashki Mavijenë,
t’ u vërë në gojë frenë,
në të këqija t’ u hedhë
e t’ u mbanjë nënë xgjedhjë
edhe tu ketë në dorë
si rop e si shërbëtorë!
gjithë komp i Arabisë,
q’ i vate pas djallëzisë,
mallëkim pastë për jetë
nga ay zotth i vërtetë!
Më vjen keq për ju të-gjorë,
po pas këtaj hoqa dorë.
Unë u shoh për të huaj,
po shini punën t’ uaj,
se të-mirën s’ e pëlqeni,
me të-ligët e çkëmbeni,
pa më qafë mos më bini,
se mua shok më s’ më kini.
U ftohç nga njerëzija,
u porçe te Perëndija,
e lashë dhe parësinë,
edhe plakn edhe shtëpinë,
se po kaqe të këqija,
s’ i duron as Perëndija.
Dot’ i lutem’ Perëndisë
t’ u ap udhën e lirisë,
e t’ u heqë djallëzitë,
t’ u sjellë mëndje dhe dritë.
Zot’ i math e i vërtetë,
pa dashur njeriu vetë,
nukë ja ep djallëzitë,
sindëkur dhe mirësitë.
Pas këtaj si bëfshi gjeçi,
un’ ikënj! ju mirë mbeçi!
Kshu tha dhe u mallëngjye,
edhe fytyra j’ u kthye.
Mer udhën e Medinesë,
e le vëndin’ e pabesë.
Shkoj në Medine Hasani,
po atje ishte Mervani!
në këmbët të Mavijesë!
dhe i-par i Medinesë!
Mervani këllet një plakë,
q’ i kish sytë të kuq flakë,
atë plakë, si na thonë,
e quanin Ansonë;
po ajo gënjen Esmanë,
ta helmonjë Imam-Hasanë!
E shoq’ e Imam-Hasanit
me arratit të Mervanit
u bë grua e-pabesë!
popo! pun e Mavijesë!
Shum i falë gjë e mitë,
pa e prunë më atë ditë
Esmasë helmin’ i prunë,
dh’ e vunë në këtë punë!
O popo! e shkreta mitë
qysh i dha kshu arratitë!
O Esma! moj e-pabesë!
ti të birt të Fatimesë
i dhe helmin e helmove!
shtëpizënë e shkretove!
s’ pate frikë Perëndije!
edhe turp prej njerëzije!
mënt-shkurtër e leshra-gjatë
turpërove gjithë gratë,
s’ atë vjehre pse s’ ingjave!
që u dha nder gjithë grave.
Shumë her i kishin dhënë
helminë, po s’ e kish zënë,
e shoqeja shum’ i shturi
këtë her’ edh’ e sëmuri!
Imami yn atë ditë
nga goja nxori mëlçitë,
ishte shtriturë si shtyllë,
dhe verdhurë e bërë dyllë!
Imam-Hysejni i vate,
pa i tha: vëlla! ç’ pate?
e pa shtritur e të verdhë
lottë si breshri j’ u derdhë.
Fëmijënë e thërriti,
edhe ndënj i porositi,
si të sillenë në jetë,
qysh të jenë të vërtetë.
Më pasdaj pakëz e lanë
Me Hysen’ Imam-Hasanë,
Imam Hyseni më s’ dolli
pa gjithë brënda i solli,
qani, u tha, shokë! qani!
se na la Imam-Hasani!
qau me lot të vëllanë,
edhe gjithë ç’ qenë qanë!
Motërat e gjithë gratë,
dhe plakat edhe të-ratë
me mallëngjim shumë qanë
qanë për Imam-Hasanë!
Edhe ju syt e mij qani!
e ju! o shokë! zi mbani!
qaj, pa qaj, o zëmra ime,
se më s’ më mbenë durime!
me ner të math shum’ e shpunë,
në Beki Iman’ e vunë.
Deshnë t’ a vininë pranë
Muhametit, po s’ i lanë,
kishte duk fjal’ e Mervanit,
edh’ e të birt të Syfjanit!
Ata që donin Alinë
e besonin Perëndinë,
kishin gjithënjë dëshirë
për njerëzi, për të mirë;
pa gjithë miqt e Hasanit
nuk i ngjaninë Mervanit,
s’ i ngjanin as Mavijesë,
e të-tjerët të pabesë.
Vëndin e të parit t’ ënë
Aliu e kishte zënë,
pa Aliu la Hasanë,
edhe ajy të vëllanë;
atë vënt njeri s’ e zinte,
tjatrë nukë munt të rrinte;
Mavijeja u çpengua,
nga këto pun u gëzua.
Tani as gjakn e Osmanit,
as plagënë e Mervanit,
Mavijeja s’ i kërkonte,
as ngoje t’ i zinte donte.
Rrëmbeu dhe Arabinë,
edhe Jemen e Persinë,
dhe më i shtoj ligësitë,
të rremet’ e djallëzitë;
e pat prishur parësinë,
ngrehu në Sham Mbretërinë
s’ mbetej një nga të-këqijat,
të-tëra ishin të-tijat;
botënë po e mundonte,
njerëzinë e helmonte,
njerëzit e tij e miqtë
ishinë gjithë të liqtë.
Syfjanasitë i prunë
të-tërë në pun’ i vunë;
gjithë ç’ ishinë të parë,
qenë rrokës e kusarë;
miqt e Aliut ku qenë,
ikën e muarrë dhenë!
se Mavijeja i zinte,
e të gjallë nuk i linte!
i mundont’ e i helmonte
shtëpinë u a shkretonte!
Mi gjithë këto kuxonin,
Alinë e mallëkonin!
nëmnin fëmijën e tija!
shumë duroj Perëndija!
papo duk e shar Alinë!
shpërnderonin Perëndinë
t’ u bëfsha Zot i vërtetë
si s’ e prishe këtë jetë!
Më pasdaj për me mos dalë
në shesht nonj e-pshehtë fjalë,
e muarrë dhe Esmanë
Syfjanasit edh’ e vranë!
lanë foshnjatë pa mëmë,
e bënë mëngjezë mbrëmë
ditënë e bënë natë,
i lanë pa mëm e atë.
Mundi dritën errësira!
mbet e liga vdiq e mira
e vërteta u mbulua
gënjeshtra u lulëzua!
Mavijeja dit’ e natë
në të lig e në mëkatë,
ish njeri i shëmëtuar,
edhe shum i sgurdulluar,
hante sa hanë tre kuaj,
e sa hanë pesë buaj!
edhe një fjalë kur fliste,
njerinë sikur e vriste
s’ kish me vethe një të-mirë
pa ishte shum i-pështirë,
ligësitë shum i donte,
një ditë pa dëm s’ e shkonte;
s’ kish në zemërë mëshirë,
dhe mëndjen e kish këllirë;
njerëzit e tij i ngjanin,
njerinë me dhëmbë e hanin.
Si Mervani e të-tjerë,
mjerë njerëzi e-mjerë
ish i-lik e ish i-ndyrë
ish shum e madhe myxyrë.
Miqt e Aliut që mbenë,
të gjith i zun e i prenë,
i kërkuan më ç’ do anë,
e me të pabes i vranë!
Pa pru Hyxrin e Adiut,
q’ ish një nga miqt e Aliut,
me shumë shokë të tjerë,
të tërë burra të ndjerë,
u tregoj së pari varrë,
q’ e kish hapurë më parë,
Mavijeja vet u thotë:
tani mos mundohi kotë,
po në doni të shpëtoni,
Alinë t’ a mallëkoni!
Hyxri erth u zëmërua,
pa i tha: ç’ fjalë thua:
nuk e mallëkonj Alinë,
s’ e shpërnderonj Perëndinë,
po dotë shanj Mavijenë,
që na shkretoj Mëmëdhenë,
nëmë të ketë për jetë,
nga zot i-math i vërtetë,
dhe nga njerëzi e tërë
me ç’punëra na ka bërë!
për të rrojtur dhe tri ditë,
ne s’ i zemë ligësitë,
më mirë sonte të vdesim,
se me turp të math të mbesim.
Dhe të-tjerëtë kshu thanë
pa i zun e gjith i vranë!
Ng’ ata burratë me besë
gjithëkush deshi të vdesë!
Trimëri shumë rrëfyen,
fjalënë nuk’ e këthyen,
s’ e harruanë Alinë,
as besën as miqësinë,
shpirtinë me gas e dhanë,
fjalën e ligë s’ e thanë,
o ju burrat’ e-vërtetë!
u qofsha falë për jetë!
–
VII
Mavijeja mbret ish bërë,
e njerëzitë të tërë
i pabesi i mundonte,
dhe njeri nukë peshonte,
shumë punë shtoj e nxorri,
botënë më qaf e mori,
me një tërkuzë të-shkretë
njerin’ e lidhi për jetë!
S’ qenë mjaft këto që bëri
Mavije zëmërë-gdhëri,
po shtërngoj dhe njerëzinë,
parësin e pleqësinë,
që të njohënë të-birë,
atë Jezitn’ e fështirë!
për mbret pas vdekjes së tija!
popo! mjerë njerëzija!
Atë njeri, që s’ e donte,
nuk e lij, po e helmonte!
ngrysej i gjori e s’ gëdhihej,
dh’ emëri më nuk’ i ndihej!
veç farës’ së Mavijesë
tjatrë të mos ketë pjesë,
ata në front të qëndrojnë,
për jetë të mbretërojnë!
gjithë botës i ra pika
njeri s’ bëri zë nga frika!
ajy, q’ është nënë zgjedhë,
mëndjen nukë mund t’a mbledhë!
kët’ e bëri Mavijeja,
po trazoj dhe Mugireja,
q’ ish njeri shum i-pabesë
dhe ndihmës i Mavijesë,
të dy dhelpëratë dinake
ishinë posi binjake!
Vetëm pesë njerës s’ deshnë,
një fjale s’ i vunë veshnë:
Imam-Hysejni q’ ish burrë,
e s’ vij n’ atë fjalë kurrë,
Abdurrrrahman’ i Beqirit,
që më s’ ish i të pahirit,
Abdullllah-Abaz i gjorë,
që më s’ kishte gjë në dorë,
se ish plakur e ish shuar!
dhe nga syt’ ishte verbuar,
Abdullllahu i Ymerit,
dh’ Abdullllahu i Zyberit.
Mervani më nukë rrinte,
po këta s’ munte t’ i zinte,
erth dhe vetë Mavijeja
në Medine si rrufeja;
ca i qërtoj ca i trembi,
pa qëndroj në mest si gjëmbi
po s’ bënë dot prapë punë
pa e hoqn’ e s’ e këpunë.
Mavijeja ish një kërmë,
q’ u dha botës kaqë dërmë!
vdiq e vate në skëterrë,
e kallë në dhet si derrë;
vate ne djalli shpirt’ i-ndyrë
po mbet një tjatrë myxyrë.
Ç’ do njeri po dotë vdesë!
jet’ e-shkret’ është si vesë
po lum kush është i-mirë
mjer ajy, q’ ësht’ egërsirë.
Mavijeja tej çe nxorri?
nëmënë me vehte mori.
Të paudhëtë u ngritnë,
e vunë në front Jezitnë.
Jeziti s’ ish si i ati,
ish më shum i lik lugati,
fat i-zi o fat’ i-shkretë,
Jezitnë bën mbret në jetë.
Më njan ishte mirësija,
m’ anët tjatrë djallëzija,
më njan ishin urtësitë,
m’ anë tjatrë marrëzitë,
më njan ishte e-vërteta,
më njan e-rremja e-shkreta,
më njan ish Imam-Hyseni
m’ anët tjatrë Jezit qeni;
njër” ish djal i Fatimesë,
tjatri i Mavijesë;
Hysejni kish at’ Alinë,
Jeziti kish faqe-zinë;
njër’ ish mbret i-bir’ i-mbretit,
dhe i nip i-Muhametit;
tjatr’ ish i-bir’ i-Zyfjanit,
i-kushërir’ i-Mervanit,
njër’ ish me Zotn e vërtetë,
tjatri ish djalli vetë.
Drita që ndrin gjithësinë,
e na rrëfen Perëndinë,
ishte Imam i vërtetë,
që la emër për jetë.
Për atë Zot s’ ka lëvdatë
kjo fjal është shum e gjatë;
mirësi e ati s’ thuhet,
është e-lart shum e s’ shkruhet,
gjer atje ne nukë vemi,
pak është sado të themi.
Jeziti fronë e zuri,
në ligësit dorë vuri,
ndenj në front të gjakëtuar,
në një vënt të mallëkuar,
njerëzis i vuri frenë,
e shkoj shumë Mavijenë,
të ligat ajy i zuri,
e ky gjer në funt i shpuri.
Imam-Hysejnë kujtonte
nat’ e dit’ e shkumbëzonte.
Në Medine nga Jeziti
ish dërguarë Veliti,
Jeziti ati i shkrojti,
e një kartë i dërgojti,
i thotë: Zoti im atë,
që përpiqej dit’ e natë
e ish njeri i uruar
pa dhe vdiq i-shenjtëruar,
me urdhërit të tij vetë
më ka lënë mbret në jetë,
kush s’ më bënetë rrop mua
t’ a vras se më nuk e dua.
Ja dha Mervanit Veliti
kartën qi dërgoj Jeziti,
Velitit Mervan’ i thotë,
tani kohë mos hump kotë,
po vra më parë Hysenë,
në do të shpëtosh vehtenë!
Hysenë! tha, veç atija
kam frikë nga Perëndija,
ësht’ i nip i Muhametit,
s’ bënet ësht urdhër’ i mbretit.
Mervani i thotë vraje,
punënë që sot ti ndaje!
Kështu tha Mervan i-ndyrë,
q’ ishte e madhe myxyrë!
Pa e thir Imam-Hysenë
Veliti me Mervan-qenë,
me gojë këto ja thanë,
edhe kartënë ja dhanë.
Imam’ i thotë Velitit
nuk i bënem rop Jezitit;
thotë vetëm këtë fjalë,
edhe ngrihetë të dalë.
Mervani thotë t’ a vrasim,
Veliti tha, nuk e ngasim,
se na nëmin njerëzija,
na vret edhe Perëndija.
Pa Imami me të dalë,
i dërgoj Veliti fjalë,
i tha: me vrap këtej ikë,
se është e madhe frikë
Mervani s’ të le të-gjallë,
ti e njeh fort mirë djallë.
Imami u ngrit e iku,
se nuk e linte armiku,
iku me gjithë fëmijë,
opopo, brëngë me mijë,
la qytetin e Medinesë,
j’ u lëshua Meqesë,
po ashtu ish dhe Meqeja,
e kish shkelur Mavijeja.
Në Qofe kjo u dëgjua,
pa bota gjith u gëzua,
të tërë vrap u mblodhë
katr’ a pesë njerës xgjodhë,
j’ a dërgojn Imamit t’ ënë,
me kartëra duke thënë:
Neve qemë të-pabesë,
po sot të kërkojmë ndjesë
se e pamë Mavijenë
dhe njerëzit’ e tij ç’ qenë,
hoqmë shumë të-këqija
nga ligësit e atija,
pa jemi të-dëshëruar,
të djegur të përvëluar;
Jezitnë neve s’ e njohim,
se po punërat i shohim,
sonte jemi zëmrë-larë,
dhe ty të kemi të-parë,
dota prishim gjaknë t’ ënë
dota prishim edhe gjënë,
se neve s’ jemi të-huaj,
jemi të shtëpisë s’ suaj,
ne armëtë do t’ i marim
e të liqtë dot’ i therim;
po jakë sa munt më parë,
të mos e ftohimë zjarrë.
Këto fjalë dhe të tjera
fluturake posi era
Imamit ata i shkruan,
e në Qofe e kërkuan.
Miqtë Imamit i thanë,
edhe nër këmbë i ranë,
të mos dilte nga Meqeja,
si dolli nga Medineja,
s’ e njerëzit e Qofesë
nukë mbajnë fjal e besë;
po ata prap i dërgonin
kart’ e njerës edh’ e ftonin.
Nis të kushërinë Myzlimnë,
e dërgoj në Qofe trimnë,
i bir’ i Ykajlit ishte,
e shokët të-rrall i kishte,
i-tha të vij e të shohë,
të-vërtetënë t’ a njohë;
Myslimi në Qofe vate,
dhe u fut brënda ndaj nate;
Vanë bashkë me Myslimnë
Myhtari me Ibrahimnë,
ishin të dy djemt e tija,
që u ndanë nga fëmija,
Ibrahimi ish vjetsh tetë,
Myhtari nëntë, a dhjetë.
Ajy Imam i-vërtetë,
që nukë kish shok në jetë
nukë vetëm nga Qofeja,
nga Basra, nga Medineja,
po dhe nga vënde të tjerë
mirte kartra nga herë,
gjithë për të-par e donin,
edhe me drit e kërkonin.
Myslimnë atje e pritnë,
miqësin e përsëritnë
edhe fort shum u gëzuan,
të gjithë miq ju treguan,
njëzet mijë kordhëtarë
Imamn e njohnë të parë.
Myslimi punë mbarojti,
Imam-Hysejnit i shkrojti:
të vinç sa të munç më parë,
se puna po vete mbarë;
Jezitnë nuk e durojnë,
gjithë ç’ janë të kërkojnë;
po ngreu çpejt edhe jakë,
mos mëno as shum as pakë.
Kshu i shkroj Myslim i gjorë
gjithë miqtë vunë dorë;
pa i shkroj dhe parësija:
Në je ti e Perëndija!
të na dëgjosh këtë herë,
në rrobëri mos na lerë.
Këta gjithë bënë benë,
që të vdesim me Hysenë.
Imami punën e dinte
po gjetkë s’ kish ku të vinte
se dhe në Meqe s’ e linin,
armikëtë pas i vinin!
duhej të linte Meqenë,
të vij e të zij Qofenë;
ndonëse miqt e tij s’ donin
ta mbanin aty kërkonin.
Në Basrë dërgoj Selmanë,
të mblithte sa miq që janë,
dhe gjetkë dërgoj të-tjerë,
miqtë nga janë t’ i bjerë.
Pa pastaj u ngrit e dolli,
parësija e përsolli,
me gjithë fëmijë iku,
të mos ja zinte armiku!
Fëmijënë s’ doj t’ i shpinte,
po nukë kish ku ti linte!
se armikëtë j’ a ngrinin,
n’ atë Shamt të-zi j’ a shpinin!
Në Qofe kishte dërguar
mbretëri e mallëkuar
të parë Numan-Beshirë,
q’ ishte një plak i pështirë.
Ngrihetë djalli pa ndjesë
q’ ësht i lik e i-pabesë,
mer një fytyrë të-ndyrë,
bëhetë posi myxyrë,
pa vete e pjek Numanë,
duke hequrë më njanë
a e di ç’ bëhet’ i thotë,
a po rri pa pun’ e kotë?
Këtu njerëzi e tërë,
me Hysejnë janë bërë,
punënë më udh’ e vunë,
së pari Myslimnë prunë,
tani dhe Hysejnë presin,
bënë be gjithë të vdesin.
Numani mbleth njerëzinë,
dhe ata të-gjithë vinë,
u thotë: dëgjonj një fjalë,
e s’ e di si dot’ u dalë;
një punë të-ndryshme zutë,
Myslimnë këtu e prutë,
dhe Hysejnë po e prisni,
brënda në qytet t’ a kllisni!
Mos-ni, se nuk u del mirë
se Jeziti s’ ka mëshirë,
e ka zëmrënë të gurtë
edhe shpirtinë të-murtë
mjerë! mjer’ ajy i gjorë!
që t’ i bjer ati në dorë!
ësht i keq edh’ egërsirë
s’ ka vetëdijë të-mirë
të dëgjonjë për Hysenë,
e përmbys gjithë Qofenë!
edhe foshnjëzat e mjera
dot’ i thernjë posi shqera.
Kshu tha, ata u përndanë,
e lanë vetëm Numanë,
q’ ish një plak i përzhëlitur
si kalliz’ i kahënitur.
Po njerëzit e pabesë,
këlyshët e Mavijesë,
Jezitit i kishin shkruar,
punën ja kishin treguar.
U zemërua Jeziti,
botënë më këmb e ngriti.
Të-parë Jeziti thonë
në punëra kish Serhonë,
që ishte një i Krishterë
me zëmrë të zezë sterë,
të dy bashk ata u mblodhë,
e Ybejdullllanë xgjodhë,
q’ ishte i bir i Zijadit,
nip i Mavije-lugatit,
se Zijadi kishte vdekur,
ky në vënt të tij kish mbetur,
në Basr’ e kishin dërguar
njerinë e mallëkuar,
pa këti me vrap i shkruan,
e njeri çpejt i dërguan;
një tjatrë atje të lerë,
dhe mjaft ushtëri të ngrerë,
edhe Qofenë të zërë,
e të shohë ç’ është bërë.
Ybejdi Selman e zuri
me shokëtë zëmrë guri,
vrau ata dhe Selmanë,
pa la aty të vëllanë,
dhe ju lëshua Qofesë
me mijë katër a pesë.
Si rrufeja me vrap vate,
dhe hyri brënda ndaj nate,
pa, për të mos kupëtuar
me napë ishte mbuluar!
njerëzitë, që e shinin,
nukë muntninë t’ a njihnin,
i gënjeu gjithë qeni
e pandehnë q’ ish Hyseni!
pa të gjithë u gëzuan,
e zëmërat u zgjeruan!
po pasdaj të gjith e njohnë,
së rish zëmërat u ftonë.
Hyri në Qofet të-shkretë
Ybejdi me shumë vetë;
më nesëret pleqësinë
mbleth e gjithë njerëzinë,
ca gënjeu, ca lëvdojti,
ca shau e ca qërtojti,
gjithë kërkon t’ i gënjenjë,
e Myslimnë rreh të gjenjë!
Myslimi ish te Haniu,
q’ e kish pasur mik Aliu;
atje edhe djemtë venë,
Ybejdullllahu rreh dhenë!
kishte një rop zemrë-kllirë,
ajy gjen një plak të-mirë,
dhe i thotë me të qetë
O ti! njeri i vërtetë!
që besove Perëndinë,
edhe Muhamet-Alinë,
a mos ke parë Myslimnë?
q’ e kam t’ afërë e t’ imnë,
nga Hysejni diç i bije,
dhe dua tani t’ ja shpie!
pa shih, i tha, se ç’ i solla,
dhe i rrëfen ca të holla!
e rrejti me të pabesë
plaknë qen i Mavijesë,
dhe plaku, q’ ishte gënjyer,
Myslimnë ja pat rrëfyer!
vete atje dhe ja shpije,
edhe në këmbë i bije!
Myfeddal quhej ky djalë,
që bën gjithë këto fjalë!
Këta këtu i gënjeu,
dhe Ybejdit i rrëfeu.
Zot i math e i-vërtetë
ajy ishte djalli vetë!
Pa ja rrethojnë shtëpinë
edh’ e marrënë Haninë,
te Ybejdi e këllasin,
s’ e lenë gjall po e vrasin.
Myslimi dyke mësuar
dhe djemtë duke dërguar
te Sherihu, q’ ishte burrë,
e syri s’ i trembej kurrë,
miqet u dërgojti fjalë,
kush është trim letë dalë,
njëzet mijë kordhëtarë
q’ i dhanë fjalë më parë,
me Myslimnë u lëshuan,
Ybejdinë e rrethuan;
u ndes me nxit luft’ e-shkretë,
dhe u vranë shumë vetë,
Myslimi kordhën’ e zhveshi
dhe u hoth posi rrebeshi,
armikëtë duke prerë,
e të vrarë duke nderë
e bëri gjaknë kënetë,
duke vrarë mijë tetë!
Ybejti gënjeshtrë gjeti
si e pa qu munt rrëmeti,
me gënjeshtrët të-gatuar
nis Shimrin e mallëkuar,
me të-tjerë të-pabesë
ng’ ata djajt e-Mavijesë,
duallë dhe ulërinë,
thanë opopo! se ç’ vinë!
me mijë vin ushtëtarë
pej Shami po ca më parë
ndahi e zini shtëpitë!
u therrë si bagëtitë!
Pa njerëzi e Qofesë,
që nukë kish shumë besë,
me një herë u përndanë,
Myslimnë vetëm e lanë!
po nata, duke nxituar
me errësirë nër duar,
arrin dhe mbulon Myslimnë
e shpëton ng’ armikët trimnë!
Myslimi rrotull po vinte,
nga të bënte nukë dinte,
pa i dërgoj Perëndija
nja dy e tre miqt e tija,
me ata bashkë i miri
vate te Mehmet Qethiri.
I zot i shtëpis i priti
me gas shum e i gostiti.
Ç’ ësht e mirë miqësija
në të-tilla të këqija!
–
VIII
Më nesëret në të ngdhirë
e thirrë Mehmet Qethirë!
se armikët kallëzuan,
papo erth e i rrethuan.
Me të vajturë Mehmeti,
prap u ngrit gjithë qyteti,
Ybejd’ i kërkoj Myslimnë,
dhe Myhtar e Ibrahimnë.
Mehmet Qethiri ish burrë,
i tha: nukë të jap kurrë!
Kush më shkel prakn e shtëpisë,
më vjen ng’ an’ e Perëndisë,
pa vrarë mua më parë,
atë s’ munt njeri t’ a marë.
Këta ziheshin me fjalë,
të-tjerëtë duke dalë,
Ybejdullan e rrethuan,
Mehmet-Qethir i kërkuan.
E lëshoj Mehmet-Qethirë,
po i mbajti penk të-birë.
Nga të parët e Qofesë
djal’ i Ebu-Ybejdesë,
Myhtari, trim i-vërtetë,
mblodhi dhe shokë tri-dhjetë,
e poqi Mehmet-Qethirë,
i tha, të nxjerën të-birë,
pa të mblidhenë të tërë,
gjithë bashkë duke bërë
edhe Qofenë t’ a lenë,
të gjejnë Imam-Hysenë,
si duhetë të lëftojnë,
armikëtë t’ i dëbojnë.
Këta këto fjalë thanë
po kur nga Shami u dhanë
dhjetë mijë ushtëtarë,
Amirë kishin të parë,
ajy Ybejd i-pështirë
e thërret Mehmet Qethirë;
Ajy me mijë tri-dhjetë
niset e hyn brënda vetë,
Ybejdi e shan më parë,
Ajy heq kordhën e larë,
desh t’ i bij po nuk e lanë,
e së prapësmi i-ranë,
Mehmet Qethiri u bije,
katr a pesë poshtë shtije,
pasdaj të-tjerët i ranë
të gjithë bashk’ edh’ e vranë!
Si u vra Mehmet-Qethiri,
mbi ta u vërvit i biri,
vrau disa, pa e vranë,
e të gjallë nuk’ e lanë.
Të tjerëtë u vërvitnë,
ushtëritë u goditnë,
atë ditë aq u vranë,
sa numurë nukë kanë!
Gjithë Qofeja u shua
u bë gjaku si përrua!
Ata që mben u përndanë,
prapë Myslimnë e lanë;
i-varfëri nga do vinte,
më tufë armikësh binte;
nukë del dot nga qyteti,
se ish rrethuar i shkreti;
armikët vetëm e panë,
dhe ju qepn e pas i ranë;
do-mos-do kalit i xbriti,
dhe u psheh e zë më s’ qiti.
Ybejdi tha: Kush t’ a gjenjë,
dhe të vinj e ta rrëfenjë,
dot’ i jap ç’ gjë të kërkonjë,
po ajy që të kuxonjë,
e më shtëpi t’ u këllasë,
vetë vehtenë të vrasë!
Si u err u bë skëterrë,
del andej Myslim i-mjerë,
edhe vete më një krua,
kur atje na gjen një grua,
ish një plakëz e drobitur,
e-fishkur e përzhëlitur,
e kish afrë krojt shtëpinë,
plaka, q’ ish me Perëndinë;
ajo më shtëpi e kalli,
se s’ kishte pjesë nga djalli,
donte Muhammet-Alinë,
andaj ja hapi shtëpinë
Myslim i gjor atë natë
u mejtua gjër e gjatë,
i erdhi nër mënt fëmija,
edhe djemthit e shtëpija,
edhe Hyseni, që po vinte,
e në rrezik të-math binte,
pa qau e psherëtiti,
po thua shpresën e ngriti,
i vanë lotë si lumë,
pa s’ e zu i shkreti gjumë,
plakëz e varfërë qante,
me shpres e gjora e mbante,
edhe fjalënë s’e priste,
me zë të unjëtë fliste.
Djal i plakës i-pabesë,
që rrij xgjuarë në shtresë,
fjalëtë duke dëgjuar
i paudh i mallëkuar,
më nesëret kallëzojti,
e të gjitha i tregojti!
Ybejdi vesh mir e mori,
dhe Mehmet-Eshathnë nxori,
armikëtë me vrap vinë,
edh’ e rrethojnë shtëpinë!
Myslimi armëtë mori,
edhe kordhënë e nxorri,
del me vërtik shum e shtije
më s’ vuri re se ku bije!
nja dy qint armik i preu,
të-tjerët gjith i theu,
po ata më shumë u shtuan,
gjithë bashkë e rrethuan,
pa i ranë me shigjeta,
edhe me ushtat e shkreta,
ca me shpat e ca me drurë
ca me balt e ca me gurë!
kokën e ballët ja çanë
të dy krahëtë ja thanë,
dhe krahërorë ja çpuan,
e shumë herë e rrëzuan,
krahët i vuri një muri,
Beqir-Hamrani i shturi,
buzënë ja pret me shpatë
një tjatr i ra me sëpatë.
Me gjithë këto Myslimi
u hoth së rish si zok trimi,
Beqirit një i bije,
të vdekur mbi dhet e shtije,
pa çdo plag ish bërë krua
gjaku i vij si përrua,
prapë atë murë zuri,
edhe krahëtë i vuri,
armikëtë rreth i vanë,
e së rish sa munt i ranë.
Myslimi atje qëndrojti,
e një ujë u kërkojti,
ata ujë nuk i dhanë
po së-rish të gjith i ranë,
tek bëhej ajo rrëmujë,
një grua i pruri ujë.
Myslimi vate ta pinte,
po gjaku ritht’ e s’ e linte,
rithte gjaku gjithë valë,
Zot i-math të qofshim falë.
Një armik me usht i bije
në dhet posi lisn e shtije,
pa të-tjerëtë e zunë,
Ybejdullllahut ja shpunë.
Ybejdullllahu j’ u kthye,
i tha, përse ngrite krye?
Myslim i tha, ju u ngrittë,
e njerëzin e mahnittë,
latë Muhammet-Alinë
për Mavije faqezinë,
latë dhe Imam-Hysenë,
edhe zutë Jezit-qenë.
Ybejdi tha, pa e nxirrni,
tani kryetë t’ i mirni.
Myslimi tha nga Meqeja
në ka, a nga Medineja
nonjë këtu, le të dalë,
se dot’ i them dy tri fjalë
Ymer i Sadit i vate,
dyke thënë, ç’ fjalë pate?
I tha: kam pakëzë hua
këtu, që m’ i thanë mua,
shitni kalën e i lani,
nënë barrë mos më mbani,
Imam Hysenit t’ i shkruash,
më tha Myslimi, t’ i thuash,
të mos dalë nga Meqeja,
se s’ paska besë Qofeja.
Kështu tha Myslim’ i-mjerë,
dhe psherëtiti një herë,
më nukë kish fuqi trimi
gjaku i vij si burimi!
syn e kish të-vagëlluar,
dhe trupnë të-dobëtuar!
me një ushtëri të-tërë
i-vetëm luftë kish bërë,
Ybejdi po e dëgjonte,
edhe në syt e shikonte,
Myslimi mbaroj të flasë,
ajy tha, kush dota vrasë?
armikëtë gjith i thanë,
ky q’ i vrau dije t’ anë,
e kishte vrarë Beqirë,
pa rrëfyenë të birë.
Ky Myslimn e gjor e mori,
nga rrëmeti jasht e nxorri,
pasdaj ju mat me një herë,
kokën i kish për të prerë
po kur i çfaqet një hije,
kordha nga dora i bije,
pa iku, se u tmerrua,
tha popo ç’ më gjeti mua.
Pasdaj dhe të-tjerë vanë,
po atë hijen e panë,
dhe u trempn e u tmerruan,
papo e lanë dhe shkuan.
Ybejdi të gjith i shau,
u tha, nga frika u ngau.
Pa të gjithë bashk i vanë,
me vrap i ranë dh’ e vranë.
Myslim, o lule sa hoqe,
për një të-drejt’ u përpoqe!
le fëmijën e shtëpinë,
zure dhen’ e Perëndinë!
O shokë! qani Myslimnë,
qani, qani me lot trimnë!
se më s’ pjell mëm e-mjerë
atë trim tjatërë herë.
Ybejdi po më s’ mënojti,
në Sham kryet i dërgojti,
të rrëfente trimërinë,
të gëzonte faqezinë!
Pasdaj të dy djemtë donte,
gjithë botën e shtrëngonte,
Sheriu u ngrit pa gdhirë,
dhe i nisi me të birë,
i tha, sonte pej Qofeje
tregëtarë pej Meqeje,
dalën për udhë po shih-i,
folë me ta mir e njih-i,
pa u ep djemtë t’ i shpijen,
dhe kart andej të na bijen.
Kshu tha, pa derdhi florinjtë,
djemet u mbushi peqinjtë,
edhe vet’ u mallëngjye,
e zëmëra j’ u xbërthye.
Djali s’ i gjet tregëtarët,
se ikënë si kusarët,
pa i kërkoj e s’ i gjeti,
kishin ikur nga qyteti.
Më të hapur ish dhe dita,
po vinte nga zoti drita.
Ajy djali i mësojti,
pas atyre i dërgojti,
djemt’ ata po i kërkonin,
dhe sa muntninë nxitonin.
Po armikëtë i zunë,
Ybejdullllahut j’ a shpunë,
pa u lidhi këmb’ e-duar,
të dy i mbylli në quar.
Qaninë foshnjat’ e mjera
n’ atë burg, q’ ish si skëterra.
Hapës-mbanjës ish me besë,
e mori ndë sy të vdesë;
tha me mënt më të rronj s’ dua
dhe derësë j’ u lëshua;
kshu u mejtua Meshquri,
se ishte shpirt-mirë burri.
Në mest të natës i mori,
jashtë qytetit i nxorri,
pa me ta bashkë qëndrojti,
për ç’ do punë i mësojti,
u tha akëku të vini,
e kaqë kohë të rrini,
akëcilënë të gjeni,
e punënë t’ u rrëfeni,
se ajy njeri ësht imi,
vëlla me bes është trimi.
Kshu tha, dh’ u mejtua cazë,
pa nxjerr u ep një unazë,
dhe u thotë po t’ a shohë,
këtë, ajy dot’ a njohë.
Kur shpëton nga kuvlija
ç’ ndjen zogu në shpirt të-tija?
në zëmërët të-gëzuar
ndjen lirin e dëshëruar:
Ashtu dhe djemthit e mjerë
u gëzuan këtë herë,
muarrë udhën’ e shkuan,
nga mundimetë shpëtuan,
si ëngjëllitë nxitonin,
nëpër erë fluturonin,
leshrat i kishin pej ari,
vështimn’ e tyre pej zjari,
me frikë shumë nxitonin,
kishin shpresë të shpëtonin,
në vërsët të foshnjërisë
i zu breng’ i djallëzisë,
n’ atë të-bukurë ballë
ç’ u kish shkruar Zoti vallë.
Ybejdi këto i mësojti,
se djalli ja kallëzojti,
Meshqur e-gjorë e vranë,
dhe njerës shumë përndanë,
gjithë udhëtë i zunë
e bënë të-madhe punë.
Ëngjëlli u paska thënë,
që udhëtë janë zënë,
Ibrahimi me Myhtarë
u kthyen dyke qarë.
Dielli ishte përmbysur,
dita ishte më të ngrysur.
Vëndi ish i-tër’ i-qetë,
hëna ishte pesë-mbë-dhjetë,
papo epte shumë dritë,
edhe nata ish si ditë.
Ata të dyth po nxitonin,
dhe ktheheshin e vështonin.
Lisi, pema, shkarpa, druri,
fleta, dega, maja, guri,
përroj, rëkeja, moçali,
fushatë, gjethetë, mali,
të gjitha i frikësonin,
u vij si kur i vështonin,
zëmër’ e-bardhëz’ ndrihte,
njëri tjatrinë shihte,
gjith’ u dukeshin gogolë
po me gojë nuk’ u folë,
i pandeninë armikë,
papo u vij shumë frikë,
djersë të-ftohta u binin,
nukë dijnë nga vinin!
një fletë të përpërinte
gjaku foshnjevet u ngrinte!
të-gjorëthitë sa ndezë!
pa kur zoti dha mëngjezë.
Të dy djemthit u qetuan,
ndëjnë pak e u qetuan,
dhe me zëmërë të-qetë
thoshinë, Zot i-vërtetë!
nga mëngjezi u gëzuan
se po nga frika shpëtuan,
nata ka të rëndë hije,
në të madhe frikë bije;
kur vjen e-shkretëza natë,
drurëtë duken lugatë!
gjithë të-vdekurit ngrihen,
e prapa gurëvet pshihen!
Herë qajnë, herë qeshin.
Herë llërëtë përveshin!
këto i bën frik’ e shkretë,
pa s’ ësht’ as një e-vërtetë.
Të dy djemthitë u ç’ lodhë,
dhe mëndjenë pak e mblodhë!
të-varfëritë ç’ i gjeti!
erdhë prapë te qyteti!
Në kopshë hyn’ u pshenë,
dhe qent’ i pan e s’ u lehnë!
se qeni është m’ i mirë
nga njeriu pa mëshirë.
Kur një plakë shërbëtore
erth e i mori pej dore,
dhe tek e zonja i shpuri,
brënda në një dhom i vuri.
Vate zonja dhe i biri,
dhe shërbëtori i-miri,
të dy ëngjëllit’ i panë,
dhe uj’ e bukëz u dhanë.
Qau e zonj e shtëpisë
për brengët të foshnjërisë.
Mbrëmanet i-shoqi erdhi,
helminë nga goja derdhi!
tha, na u shua qyteti,
njeri nga trimatë s’ mbeti,
atë të-madhë e vranë,
po s’ di djemt e tij ku vanë!
brengë të-madhe na prunë,
nuk’ e di dot a i zunë:
pa e-zeza dot’ i presë!
Kshu tha Harith’ i pabesë!
Fëmijën e kish të-mirë,
e vet’ ishte shpirt-shëllirë,
qysh ish mbledhur Perëndija
më një vënt dhe djallëzija!
Të keqe ëndëerë panë,
djemt’ e varfërë pa qanë;
i-paudhi i dëgjojti,
dhe punën e kupëtojti!
U ngrit me nat’ i mori,
m’ anët të lumit i nxorri,
qiti kordhënë t’ i priste!
edhe ish gati t’ i vriste,
po djali me shërbëtorë
erdhë pas ata të-gjorë,
dhe e-shoqja duke qarë
për Ibrahimn’ e Myhtarë,
edh’ e zun’ e nuk’ e linin,
duartë mi djemt i vinin.
Ajy djall u zemërua,
edhe aq’ u keqësua,
sa, si pa që s’ hiqnin dorë,
pret djalën e shërbëtorë!
dhe gruanë e plagosi,
punën’ e atyr’ e sosi!
pa djemet kokën u preu
djallë nuk’ e piu dheu!
Trupat i hodhi në lumë,
oh! e keq’ e-madhe shumë!
popo! ç’ bëri faqe-ziu!
s’ ishte punë pej njeriu!
kokëtë Ybejdullllahut
ja pruri si zoqt e gjahut!
Ybejdi u zëmërua,
i tha, pa pyetur mua,
pse e bëre këtë punë?
të till’ emrë s’ dhashë unë,
pse i vrave? pa më thua?
djemt unë nga ti i dua.
Mereni, tha mos e lini
nxireni jasht edh’ e vrini!
Njerëzit me vrap e zunë,
tek kish vrar ata e shpunë.
Kur panë dhe dy të-tjerë
atje të vrar’ e të-nderë,
pan dhe gruanë vrarë,
mësuanë ç’ gjë kish ngjarë,
pa shumë u zemëruan
e nëmnë dh’ e mallëkuan,
pasandaj të-gjith i ranë,
atje tek kish vrar e vranë!
Hiqu, djall nga njerëzija
më të shoftë Perëndija!
Djall është njeriu vetë,
kur nuk është i vërtetë,
të tëra ç’ jan an e mb’ anë,
te njeriu gjithë janë!
Zot i math me mirësitë,
dhe djalli me djallëzitë.
–
IX
Qasuni, shokë të qajmë,
e zi paskëtaj të mbajmë
për dhëmbjet t’ Ali-Abasë,
se j’ u qasninë Qerbelasë!
Thotë peshë Qerbelaja,
edhe të-ngarët’ e saja,
njerëzinë e peshojnë,
të vërtetënë tregojnë;
këjo e rrëfen njerinë,
mirësin’ e ligësinë;
më nj’ an’ është Perëndija,
e drejta dhe njerëzija,
m’ anët tjatrë djallëzitë,
turpetë e ligësitë;
njëri ësht Zot’ i-vërtetë,
e tjatëri djalli vetë,
janë mbledhurë të-tërë,
kë të duash, atë zërë.
Ajy, që zë mirësinë,
piqetë me Perëndinë,
ajy, që mer ligësitë,
nukë del kurrë në dritë.
Zot’ i-vërtetë me djallë
bënenë një kurrë vallë?
e mira është Perëndija,
djalli është ligësija.
Këto ngjarje na rrëfejnë,
e mira dh’ e-liga çvlejnë;
s’ dalënë ballë-për-ballë
Judha dhe Krisht i-gjallë
Syfjani me Muhamenë,
Aliu me Mavijenë,
e Mervani me Hasanë;
pa ngjarje në mest po s’ kanë
Hinduja me Fatimenë,
e Jeziti me Hysenë,
ligësija me të mirën,
e drita me errësirën.
Po gjith i janë mësime
njerëzisë për durime;
ç’ hoqnë Zotërinjtë t’ anë,
ne mësime na i lanë:
të-këqijat t’ i durojmë,
e ne të mos i punojmë;
se ata nuk’ i punuan,
dhe hoqnë shum e duruan.
Zotërinj! u qofsha falë!
që e ndatë me një fjalë:
ligësisë nëm i dhatë,
mirësis’ i dhat’ uratë.
Jeziti i-Mallëkuar
ishte dehur e tërbuar,
ish i-zi posi kërcuri
dhe zemrën e kish pej guri,
ishte shum i shëmëtuar,
dhe fare i pa-mësuar,
shum’ i lik ish e i-ndyrë,
qe djalli n’ atë fytyrë!
Syfjanasit e mësuan,
se djajt’ atyre u shkruan,
q’ e la Imami Meqenë,
e vate të zij Qofenë,
i mblodhi gjithë Jeziti,
botënë më këmb’ e ngriti,
Ybejdullllahut i shkruan,
me lëvdata e mburruan,
shum’ i falë gjë e mitë,
dhe të-gjitha madhëritë,
e tërbuan fare qenë,
që të vrit Imam-Hysenë!
ushtëri mblodh e dërguan,
fuqinë shumë j’ a shtuan!
Ymer i-Sadi-Vekasit
ish i-lik si Amr’ i Asit,
i doj shumë madhëritë,
andaj gënjehej me mitë.
Ybejdi me shok e thirri,
i tha: Ti, që je m’ i miri,
të març shumë ushtëtarë,
e të jesh mi gjith i-parë,
të veç e të zesh Hysenë!
në do që ta kesh mik brenë.
Ymeri s’ deshi ta marë
përmbi vehte këtë barrë,
tha: Këtë s’ e bënj dot unë
shum’ e-madh’ është kjo punë
kam frikë nga Perëndija,
edhe turp nga njerëzija,
s’ mund t’ a nxinj faqenë t’ ime,
shpirtin t’ a heth nër mundime!
Këta Ymerit i dhanë
Rijën’ e Taberistanë,
të tija ato t’ i ketë
e nën’ urdhërë për jetë!
Nga e-vërteta u kthye,
i-nëmuri u gënjye!
Ty! o lakmim i-shkretë!
të shoftë Zotth i vërtetë!
Mbi mijëra ushtëtarë
u bë Ymeri i-parë,
edhe më s’ e nxij qyteti,
ish ngrihurë posi mbreti!
Ulëshua nga shtëpija,
pa i thotë djal’ i tija:
Ti të vraç Imam Hysenë,
s’ bër-e ti me shokët benë?
edhe kartë nuk i shkrove?
të vij këtu s’ e kërkove?
mos je foshnjë sot a djalë,
që të këthesh bes e fjalë!
Për të fituar gjënë,
të na ndysh farënë t’ ënë!
të na mbesë mallëkimi
për jetë edhe mundimi!
Turp të-math ke për të lënë
edhe nëmë në fist t’ ënë.
Se djalën’ e Fatimesë
për të bir’ e Mavijesë!
Sa e doj yt at’ Alinë
e kishte si Perëndinë!
Kurrë nukë ndahej soje,
gjithënjë e zinte ngoje.
Le besën e Perëndinë!
edhe ze makutërinë
që është gjë e-pështirë,
kurrë fundi s’ i del mirë!
Këto fjal i tha i biri,
se ndryshe po s’ thot i-miri.
Djali tjatërë i thotë:
ç’ e dëgjon këtë! flet kotë,
ti vështo punënë t’ ënde,
se po të falë dy vënde.
Ymeri më s’ u mejtua,
tha, ju mos më msoni mua.
Kshu e mbyti babëzija,
pa u nda nga mirësija
la më njanë Perëndinë,
edhe mori ushtërinë,
ndau dy mij ushtëtarë,
pa Hyrë vuri të parë,
dhe të tjerë njerës vuri,
gjithë vëndetë i zuri,
udhët të-tëra i prenë,
të mos vin’ e të mos venë
ushtërin e kishte ndarë.
Hyrrë e dërgoj më parë.
Imam-Hysejni po vinte,
njerëzija pas i binte,
edhe foshnjatë dhe gratë,
plakatë edhe të-ratë
ati zoti pas i ranë,
pej gëzimit me lot qanë.
Ish i-bir’ i Fatimesë,
q’ i kishinë prurë besë,
ishte drit e Perëndisë,
mburronjës’ i njerëzisë,
të-vërtetënë mburonte,
njerinë doj t’ a shpëtonte.
Pa Firisdik vjershëtorë
e gjet mbudh Imam i gjorë,
ju fal shum u gëzua,
qau me lot posi grua,
i tha: Drit e gjithësisë,
hij’ e lart’ e Perëndisë
mos i sill besë Qofesë,
janë njerës të-pabesë.
Imami kartëra shkrojti,
njeri në Qofe dërgojti.
Atë të-varfër e zunë,
Ybejdullllahut ja shpunë,
e nxuarrë duke sharë,
pa pyeturë e varrë!
Imami hoqi Zehirë,
q’ ishte njeri shum i-mirë,
kish besuar Perëndinë,
dhe doj Muhammet-Alinë,
Imam-Hysenë Zehiri
duke parë me gas thirri,
pa i tha vinj pej Meqeje,
e paskëtaj s’ ndahem teje.
Kshu tha njeriu me besë,
se kish njerëzije pjesë.
Andej në Shekik arritnë,
atë natë atje zbritnë.
Ymer-Sadi kish dërguar,
njeri e kartë kish shkruar,
këtë njerinë që vinte,
e gjëmë të madhe shpinte,
më nesëret mb’ udh’ e hasnë
dhe te Zoti yn’ e qasnë.
I dha kartënë në dorë,
në zëmërt i vu dëborë!
Karta thosh: Myslimn e vranë
dhe miqt’ e tij j’ a përndanë
kokën në Sham ja dërguan,
dhe djemt e tij shumë vuan,
pasdaj armikët i gjenë,
të dyve kryet u prenë
punë shumë kanë ngjarë,
shumë njerës janë vrarë!
Tani mërzit-e Qofenë
dhe mos e lerë Meqenë.
Myslimi kshu më pat thënë
pa prapë gojën e zënë.
Kështu thoshte kart’ e shkretë!
Imami me zë të qetë
këndoj kartënë dhe mbeti,
pa tha, opopo! ç’ na gjeti
dhe qau me ngashërimë,
në zëmrët ndjeu një limë.
E-tërë fëmija qanë,
dhe në zi të-madhe ranë!
Për djemthit e për Myslimnë,
s’ e mbanin dot mallëngjimnë!
vashat e djemt’ e Myslimit
ng dhëmbjet e idhërimit
qaninë me gashërimë!
me lot e me psherëtimë.
Ç’ u prunë të madhe gjëmë,
armikëtë paçin nëmë.
Njerëzija erdh e vanë,
Imam-Hysejnë e panë,
dhe i kishin dhënë besë,
si cili me të të mbesë.
Posa u hap këjo fjalë,
të shumët muarrë malë!
ata të-liqtë u ndanë,
e sicili shkoj më nj’ anë
të mirëtë pas i ranë,
edhe vetëm nuk’ e lanë.
Imami u tha: Të shkoni
nukë dua të qëndroni,
kush e mer në syt të vdesë
ajy me mua të mbesë,
papo të-shumëtë shkuan
e të pakëtë qëndruan.
Kshu shkuan dy a tri ditë
sa undanë mirësitë,
edhe ligësit u ndanë,
e më tjatrët anë vanë.
Shumë njerës erdh’ i thanë,
armikëtë shumë janë,
dhe vëndet i kanë zënë,
as një udhë s’ kanë lënë,
po vinë si mizërija,
nëm’ u dhëntë Perëndija.
Kthehu prapë nga Meqeja,
se s’ është nd’ udhë Qofeja.
Ata gjithë kshu i thanë,
se rreziknë mir e panë,
po nuk’ e lij vetëdija.
Si ta bënjë Perëndija,
tha, se unë s’ munt të kthehem
si foshnjë nuku rrëfehem.
Kshu tha Imam i-vërtetë.
Ajy ish Aliu vetë.
Muarrë udh’ edhe pakë
pej Qofeje fill e flakë.
Hyrri me gjith ushtërinë,
Imamit kundrejt i vinë,
dhe posa j’ a zuri syri
u gëzua shumë Hyrri,
i la shokëtë mërguar,
dhe erdhi duke gëzuar,
Imam’ i tha: Pa më thua,
erdhe të lëftonç me mua?
a për ndihm’ e për të-mirë?
me ç’qëllim e me ç’ dëshirë?
Ajy i tha, jam mik unë,
dhe ju derth i puthi gjunë,
pa i tha: Besonj Alinë,
si besonj dhe Perëndinë,
po të lutem, kthehu prapë,
pa Zoti si të t’ a apë;
nxirr-e nga mëndja Qofenë
hiq së-rish zërë Meqenë,
se njerëzit e Qofesë
kurrë s’ mbajnë fjal e besë,
ndryshe, dhe po janë vrarë
këtë her’ edhe më parë,
njeri s’ ka mbetur me besë,
paskëtaj të mos kesh shpresë!
Mua më vjen shumë frikë,
të lutem ktheu dhe ikë;
se po vinë mizërija,
që i shoftë Perëndija!
Hyrrit Imami i thotë:
s’ kthehem se qeshem në botë,
s’ jam kthyer praptazi kurrë,
do të vdes këtu si burrë!
nga udh’ e Zotit nu kthefsha,
këmbënë mb’ udhëz e thefsha,
për një të drejtë përpiqem,
për të-vërtetën po digjem,
për udhët të Perëndisë,
për shpëtimt të njerëzisë!
vdekjen përpara e kemi,
për jetë këtu po s’ jemi,
një her as po do të vdesim?
sonte! ne për se të mbesim?
se me syt e-mij sot unë,
nuk’ e shoh dot këtë punë!
a dotë shpëtonj njerinë,
të vë besë njerëzinë,
apo këtu dotë bije,
njeriut kshu i ka hije.
Kshu tha Imam i-vërtetë
me zëmrë shumë të-qetë.
Hyrri tha: kjo ësht’ e-vërtetë,
po sot s’ mbeti gjë në jetë,
të-mirënë nuk’ e njohin,
të vërtetënë s’ e shohin,
po mbretëron marrëzija,
nukë ka duk urtësija,
thuaj fjalë sa të duash,
dëm e kotë dotë vuash!
I ka verbuarë frika,
edhe u ka rënë pika!
hiq’ e më zerë Meqenë,
leri në djallt le të venë!
t’ a mbarojnë ç’ kanë zënë,
se kështu qënëka thënë!
Je me gra e me fëmijë,
pa kjo punë ska shijë,
përpara një mizërije,
e ndaj kaqe ligësije
ç’ munt të bënjë e vërteta?
është përmbysurë jeta!
Më dërguan për të zënë
mua, nukë për të lënë;
po ne me të bërë natë
nukë bijem këtu njatë,
do t’ a mërgonj ushtërinë!
punënë të mos e dinë,
ju ngrihi prëm e mos flini,
dhe ikëni e mos rrini.
Kshu i tha dhe bindi Hyrri,
fjalënë ja hëngri syri.
Me të ngrysurë u ngrinë,
u kthyenë dhe po vinë,
lanë udhën’ e Qofesë,
e j’ u kthyen Meqesë.
Po nat’ e shkret’ ishte sterrë!
edhe qielli skëterrë!
në të zi ishinë veshur
ishin vrënjtur, s’ kishin qeshur
qiejtë me lot po qanin,
edhe yjtë zinë mbanin,
hëna ish pshtjellë në rezë
jeta ish e tër e-zezë!
Veç vetëtima j’ u ndrinte,
në t’ errët fare s’ i linte,
vetëtimatë po ndrinin,
zëmëratë psherëtinin!
edhe gjëmimi kërcitte,
gjithë dhenë e trëndintte!
i ishin nisur Meqesë,
fëmijz’ e Fatimesë,
po në atë errësirë
udhënë s’ e gjenë mirë!
pa më tjatër’ udhë ranë,
e vanë më tjatërë anë!
s’ kishin marrë udhë mirë,
nata ishte më të gdhirë.
Kal’ i Imamit qëndrojti!
nguli këmbët’ e më s’ shkojti
dhe sa mundi shkrefëtiti,
me zë të-math hingëlliti!
O moj kafshëz’ e-uruar!
e-thëna të ka ndaluar!
aty n’ atë vënt u bënë
punëratë, q’ ishin thënë!
Zoti ynë s’ di çpërmëndi,
tha ç’ i thonë këti vëndi?
Këti vëndi an’ e mb’ anë
Qerbela! i thon’ i thanë!
Tha: Zoti pastë lëvdatë!
fjala që ka thën’ im atë!
Ahere më nuku priti,
po me vrap nga kali xbriti!
Ngriti kryetë përpjetë,
edhe tha: Zot i-vërtetë!
urdhëri yt u mbaroftë!
edhe fjala jote shkoftë!
Kshu tha edhe puthi dhenë,
shokët e panë dhe mbenë!
Atje i shpu Perëndija!
pa xbriti gjithë fëmija.
Po dhe në Meqe të vinte,
armiku nukë e linte!
i vëllaj, q’ u hoq më nj’ anë,
për se të gjallë s’ e lanë?
Ç’ u bëri Imam-Hasani?
q’ i dha helminë Mervani!
Kudo t’ ish e ç’ do të bënte,
e dij q’ ajo dota gjente!
Popo! se ç’ kanë punuar
armikët e mallëkuar
për djemthit e Fatimesë!
kurrë mos paçinë ndjesë!
Dita ishte duke hapur,
edhe drita duke çapur,
errësira ish mbaruar,
se u bënë s’ ishin shkruar!
dielli nga mali dolli,
ditënë mbi dhet e solli!
dielli nga ajo ditë
më të mos dhënëke dritë!
të perëndonte për jetë!
qielli të mbetej shkretë,
e dita më të mos vinte,
dheu në t’ errët të binte,
yjtë të qenë përpjekur,
njerëzit të kishin vdekur.
O moj hën’ e jetë-gjatë,
ti kur s’ ndrite atë natë
më të mos ndritkëshe kurrë,
po të nxiheshe si urë,
gjëllimi të kish pushuar,
jeta të ishte mbaruar.
Zot i-math, përse duronje?
as po gjith’ i përvëlonje,
s’ e pandeh të jesh i-gjorë,
e të mos kesh gjë në dorë,
edhe e-tërë kjo jetë
të jetë pa zot e shkretë.
Drit’ e-lart’ e mirësisë,
shtyll’ e gjithë njerëzisë,
bashkë me shokët e-tija
u falë te Perëndija.
Atje ranë, pa kur panë,
rreth e rrotull Qerbelanë
armikët’ e mallëkuar
e paskëshinë rrethuar.
Më një vënt të-lart’ u mblodhë
ndënjnë pakë e u çlodhë,
pa gjithë punënë zunë,
ç’ do gjë në radhë e vunë,
tendëtë atje i ngrehnë,
armikëtë gjith’ u pshehnë,
vënt të mirë shumë zunë,
e mbaruanë ç’ do punë,
grat e foshnjatë më nj’ anë,
m’ anët tjatrë burrat vanë.
Nisetë me shok Ymeri,
q’ ish ndër kryerë si derri,
erdhi te Imam-Hyseni,
duke hiruar si qeni,
afërë tendëse xbriti,
Imami ungrit e priti,
pa i tha: Për të lëftuar
ke ardhur duke harruar
miqësin e Perëndinë
edhe Muhamet-Alinë?
Ti vetë nukë më shkrove?
në Qofe mua s’ më ftove?
së pari ju më kërkuat,
tani besën e harruat,
nuk’ e di, o jetë-gjatë,
sa na doj neve yt atë?
ajy ty kshu të la fjalë,
sa qe gjall kur ishe djalë.
Gjyshi im u vuri besë?
a i at’ i Mavijesë?
atë të parënë t’ ënë
s’ mbani mënt, ç’ u ka thënë?
e latë besën e fenë,
edhe zutë Mavijenë!
mirë bët’ e bukur bëtë!
se u marruanë gjëtë!
po mua pse më gënjyet?
pa tani besën e kthyet!
më shkruatë e më thatë,
të vinj me dit’ e me natë,
t’ u shpëtonj nga robërija,
e nga gjithë ligësija.
Pandeh se dua fitime?
a punonj për vehtet t’ ime?
unë për ju po përpiqem,
dhe përvëlohem e digjem,
nuk e dini ç’ kanë bërë
Syfjanasitë të-tërë?
Jezitit i vunë besë!
që më të gjallë t’ u vdesë!
unë kam shumë durime,
po është më qafët t’ ime
dhe shpëtim i njerëzisë
edhe udh’ e Perëndisë.
S’ e kanë fajnë të-tjerë,
po ju, që jini të-blerë,
se nderë e kini shitur
te Jeziti i-mërzitur,
shpirtinë t’ uaj e shittë,
dhe njerëzin e rrobittë,
s’ u ka mbetur as vetijë,
as zëmër as vetë-dijë!
botën ju më qaf e kini,
ndaj Zotit qysh dotë vini?
ç’ do punë, që bën në jetë,
e gjen te Zot i vërtetë,
të-liga na bëtë kaqë,
prapë unë dua paqë,
pa juve luftënë zutë,
paqënë në dhet e vutë,
ku është vëllazërija?
që na fali Perëndija!
vëre në vesht këtë fjalë,
se, një herë do të dalë:
këtë, që më bëtë mua,
e kini për jetë hua,
do t’ a hiqni nonjë herë,
Zoti nukë dot’ a lerë,
mua bë-më-ni ç’ të doni,
po njerëzinë mejtoni.
Kshu tha Imam’ i-vërtetë,
i qofshim falë për jetë,
Ymeri u turpërua,
edhe ndenj e u mejtua,
tha: Këto, t’ u ngjattë jeta,
janë gjithë të vërteta;
po fuqi e gjë e-shkretë
ç’ do pun e muntkan në jetë
dh’ e-drejta edh’ e-vërteta
mbetkanë fare të-shkreta,
paska fuqi djallëzija,
sa s’e muntka urtësija,
të-gjithë nuk’ e durojmë
Jezitnë, dh’ e mallëkojmë,
që prishi besën e fenë,
na vuri në gojë frenë,
edh’ e mbyti krejt lirinë,
bëri ligë ligësinë,
gjë në jetë nukë mbeti
nga ç’ pat bërë Muhammeti.
Jeziti ësht’ egërsirë,
e dimë dhe ne fort mirë,
u bë mbret e mbret mundonjës
edhe prishës e shkretonjës,
lig’ ajy ka djallëzinë,
s’ do ta dijë mirësinë,
s’ ka pjesë pej njerëzije,
as frikë s’ ka Perëndije,
po punëtë kshu u bënë,
nuk e di pse qënka thënë,
gjith u bënë egërsirë,
është keq njerith imirë,
se është dit e të-ligut,
kanë nder punët e shtrigut,
djallëzija vete mbarë,
së drejtës s’ i mbet as farë,
neve një frik e një shpresë
na bënë kshu të-pabesë,
ti po mundohesh për neve,
që t’ u heqç xgjedhënë qeve,
po ne jemi të liq-vetë,
pa na mundojnë si qetë,
dhe puna si është bërë,
njeriu s’ di nga t’ a zërë.
Kshu tha Ymer’ i mahnitur,
po besën e kishte shitur,
këto pun ata i bënë,
pa nuk është se ish thënë.
Atë ditë këto thanë,
ndenjnë pakë, pa u ndanë.
–
X
Zoti ynë me Ymerë
u poqn aty shumë herë,
edhe shumë fjalë thanë,
po punënë nuk e ndanë,
pasdaj erdhë me Ymerë
dhe shumë shokë të-tjerë,
pa u tha Imam-Hyseni.
Ju zotërinj si e gjeni?
Unë u them, mos më ngini
në punët t’ ime më lini,
të këthehem nga Meqeja,
e të mar nga Medineja,
të rri në punëzët t’ ime,
se kam hequr mjaft mundime,
këtu po juve më prutë,
në këto brengë më shtutë;
a në dashçi në Sham vemi,
se frikë nga njeri s’ kemi,
pa të shoh, ç’ thotë Jeziti
kjo madhëri nga i xbriti,
po në Qofe këtë herë
s’ vete, se ësht’ e-përzjerë.
Ju punën tuaj vështoni
edhe bëni si të doni,
e cilënë të pëlqeni.
Kshu u tha Imam Hyseni.
Ata, fare mirë, thanë
fjalënë këtu e lanë,
Ybejdullllahut i shkruan,
këto gjithë ja treguan.
Po Ybejdi, derr i derrit,
i përgjigjetë Ymerit,
i thotë: Ju mos mënoni,
Imam-Hysenit i thoni
Jezitnë për mbret ta njohë,
dhe punën e-vet të shohë;
pasdaj kartë më dërgoni,
e ç’ të thotë më tregoni.
Ybejdi kështu kish shkruar,
djalli qoft’ i mallëkuar.
Këta me kartët u derdhë
te Imam-Hyseni erdhë,
kartën në dorë ja dhanë,
edhe, ç’ na thua? i thanë.
Imam Hyseni tha: Unë
nukë njohë të-tillë punë,
botës i dhanë lirinë,
duke ngrehur parësinë,
të xgjedhënë një të parë,
dhe të-urtë, jo të marrë,
lakëmimet, madhëritë,
të ligatë rëndësitë,
gjakëratë, marrëzinë,
mundimetë robërinë,
të gjitha i kemi prerë,
së-drejtës i dhamë nderë,
të-paudhëtë i shtumë,
ligësitë i përzumë
njerin e lamë të-lirë,
të bënjë si është mirë
këto me shumë mundime
u bën e me hidhërime
Syfjanasit zunë fronë,
edhe më s’ dinë ç’ thonë.
Me pahir gjith’ i rëmbyen
edhe besën e çkëmbyen,
njerëzinë e mundojnë,
e rrjepin e përvëlojnë
udhën e Zotit e lanë
të-paudhën besë kanë,
ç’ po bëjnë e ç’ kanë bërë
juve i dini të-tërë.
Po t’ a njoh mbret Jezitn’ unë
si thoni me të përdhunë,
e të bënem rop i tija,
mar pjesë nga ligësija,
pasdaj gjithë marrëzitë,
dhe dëmet e pabesitë,
e djallëzinë të-tërë,
meret vesh, q’ un’ e kam bërë,
posa të njoh mbretërinë,
e le të shkretë njerëzinë,
se vëmë mbret ligësitë,
dhe të parë djallëzitë
djallëzija është vetë
Jeziti në këtë jetë!
pa s’ i le dot mirësitë,
të bënj besë djallëzitë,
këtë fjalë mos m’ a thoni,
e këto mos mi kërkoni,
unë se njoh ajy, vetë,
si të dojë letë jetë!
Nuk e le dot Perëndinë,
e të njoh Jezitërinë,
se s’ turpërohem në jetë,
edhe te Zot i-vërtetë,
pa vdekjenë pjes e kemi,
kemi ardhur, dotë vemi,
po mos u mundoni kotë,
Imami këto u thotë.
Ajy s’ kishte shok në jetë,
ishte si Zot i vërtetë,
kish të-bukurë vetijë,
e të lartë vetë-dijë,
zemrën e kish të-qëruar,
dhe fjalënë të-peshuar.
Ata fjalët, që dëgjuan,
Ybejdullllahut j’ a shkruan.
Pa ajy u egërsua,
edhe shum’ u ashpërua,
thirri Shimrë-dhil-Zevshenë,
popo ku e gjeti qenë,
që donte Jezitërinë,
ish armik me njerëzinë.
Shimrin’ e Shithn’ e Nemirë,
q’ ishin fjeshtë egërsirë,
këlyshët e Mavijesë,
të-paudh’ e të pabesë,
i dërgoj me mirë dhjetë
kundrejt Zotit të-vërtetë.
U tha: Ujëtë t’ u prisni,
edhe të gjithë t’ i vrisni,
kët ujëtë e prenë,
dhe më s’ i lenë të venë.
Hëna kishte ditë shtatë,
kur i lanë buzë-thatë,
dielli të përvëlonte,
njeriu pa ujë s’ rronte,
foshnjatë me lot po qanin,
dhe zi të-mjeratë mbanin.
Abas-Aliu del vetë,
mori shokë pesë-dhjetë,
pa drejt ujit u lëshua,
edhe shum u zëmërua,
tha: E mbani mënt një ditë,
q’ ishin të dy ushtëritë,
edhe ahere t’ im atë
juve pa ujë e latë,
ajy ujët kur e zuri,
garth si juve nukë vuri,
po u tha të mos harroni,
këtë punë t’ a mejtoni,
për këtë dit’ u ka thënë,
fjalën andaj e ka lënë
ky lumë ishte ky, Fyrati,
që j’ a ndalonit t’ im ati.
Kshu tha i bir’ i Aliut
n’ ushtërit të faqe-ziut,
po ata nuk e dëgjonin,
dhe ujëtë s’ e lëshonin,
këta kordhëtë i çkulë,
edhe më t’ i bënë vrulë,
dhe muarrë uj’ e prunë,
po prapë ata e zunë,
mijë plotë gjashtë-mbë-dhjetë
vunë n’ at ujë të shkretë.
Më nesëret dhe një herë
Imami kërkoj Ymerë,
i thanë pakë të dalë,
dot’ i thotë dy tri fjalë.
Pa u poqnë me Ymerë,
Imam’ i tha këtë herë:
Ymer, ç’ është kjo rrëmujë?
pse s’ lini të marrën ujë?
kemi gra kemi fëmijë,
ju s’ pasëki vetëdijë,
foshnjatë s’ rrinë pa ujë,
pse e bëni? a për bujë?
frikë Perëndije s’ kini?
juve ç’ farë njerës jini?
Kshu i tha të qofsha falë,
i duhej thënë kjo fjalë.
Kemi urdhër, tha Ymeri,
ç’ të bënj edhe un i-mjeri,
se pasdaj mua më vrasin,
të-gjallë në dhet më kllasin,
më humbasinë për jetë,
dhe djemtë m’ i lenë shkretë.
Kshu tha dhe u ngrit e iku,
i pabes’ ishte armiku!
Si iku andej Ymeri,
i vate atje Berjeri,
që ish një plak shum i-ndjerë
poqi shokët’ e Ymerë:
Utha shumë fjalë plaku,
se i ish ndezurë gjaku.
Ymeri i tha: Më dhanë
Rijën’ e Tabëristanë,
s’ e le dot të-mirën time,
e gjithë këto fitime.
Këto fjal i tha Ymeri,
pastaj j’ u kthye Berjeri,
i tha: O i-mallëkuar,
s’ i ke për të trashëguar,
veç nëmënë do të merri.
Kshu tha dhe iku Berjeri.
Ungrit Habib-Myzahiri,
dhe dy a tre shokë thirri,
hipnë në kuaj e brodhë,
nër fshatra ndihmës mblodhë,
Habibi, q’ ish vet i-tretë,
mblodhi shokë nëntë-dhjetë;
po armikët’ e mësuan,
shum ushtëtarë dërguan,
pa udhënë u a prenë,
nukë doninë t’ i lenë,
pasdaj uzu luft’ e-shkretë,
e u vranë disa vetë,
nga ndihmësit shumë ranë
të-pakëtë u përndanë.
Habibi me shokë iku,
nuk’ e zuri dot armiku,
erdhë prap, aty tek qenë.
Nuk’ e lan Imam-Hysenë.
Hën’ e-shkretë kishte tetë,
nata po vinte e qetë,
e dëgjuan njerëzija,
që mbet pa ujë fëmija,
dhjetë trima pshatëtarë,
njerës me bes e të-parë,
në gjithë atë rrëmujë
u prunë fshehtazi ujë.
Njerëzit këta i panë,
i njohnë cilëtë janë,
ata më nukë qëndruan,
po lan ujëtë dhe shkuan.
Ish e-gjallë njerëzija,
po s’ e lij Jezitërija.
Njerinë Zot’ i-vërtetë
nuk’ e le dhe fare shkretë.
Më nesëret nëntë hëna,
po afërohej e thëna.
Shimri kartë kishte shkruar,
Ybejdit j’ a kish dërguar,
e thoshte për Ymerë,
s’ do ti shtërngonj e t’ u bjerë
se s’ e harron miqësinë
e t’ et, që kish me Alinë.
Po merr një kartë Ymeri
nga Ybejdullllah-shpirt-derri
i shkruan, fortt t’ i shtërngoni
dhe dendurë t’ i rrethoni,
as të hynjë, as të dalë
njeri as t’ u thotë fjalë,
rreth e rrotullë t’ u vini,
ujë fare mos u lini.
Pa ti Ymer në ke frikë,
lëre Shimrinë dhe ikë.
Kshu i shkroj Ybejd-shpirt-derri,
pa u tremp shumë Ymeri,
papo me vrap atë ditë
i përhapi ushtëritë,
e rrethuan Qerbelanë,
njeri të vij nukë lanë.
Jet e-zez o jet e-shkretë,
që s’ ke gjëzë të-vërtetë.
Ajo fëmij e-uruar,
që njerin e kish ndrituar,
të heqë kshu të-këqija,
pse i duroj Perëndija?
Grat e foshnjatë po qanin,
lottë s’ muntninë t’ i mbanin,
burratë gjithë po rrinin,
fundin e punës e dinin.
Imam-Hysejn-brengë-shumi,
u pshtet pak e zuri gjumi,
n’ ëndërrë pa Perëndinë,
edhe Muhammet Alinë,
edhe Mëmë-Fatimenë,
gjithë të-mirëtë ç’ qenë,
pa dhe Imam-Hasanë,
q’ i rrij Fatimesë pranë
e pa të-tër atë jetë,
fron e Zotit të vërtetë,
ëngjëllitë duke qarë,
me fytyrëzë të-vrarë,
me një herë, gjith i thanë
po të presin më kët’ anë.
Imam Hysejni u xgjua,
nga ëndërra u gëzua,
po më pasdaj psherëtiti,
posi shi një lot’ i xbriti
Zejnepa dhe Gjylsyma
të dyja ngrinë si bryma
q’ ishin motërat e tija,
t’ ardhura nga Perëndija,
pa i mblodhi gjithë gratë,
dhe zuri fjalë të gjatë,
u tha: Të kini durime
të jini si burra trime,
puna si do që të ngjanjë,
nonjë nga ju të mos qanjë,
neve na dha Perëndija,
kaqe shumë të këqija
që të shohë sa durojmë,
e gjer më ç’ vënt e besojmë;
na dha të-këqija Zoti
si dhe të-tjerët qëmoti
që paskëtaj njerëzija,
kur të heqin të këqija
të mos thonë që s’ na deshi
Zoti, po na ther rrebeshi
për njerinë u përpoqmë,
edhe nga njeriu hoqmë
të këqijatë, që pamë,
njeriut mësim ja lamë,
un i falem Perëndisë,
që ja bëri njerëzisë
mundimet tona pasqyrë,
t’ i ketë më ç’ do myxyrë,
brengën tënë të rrëfejnë,
shpirtinë t’ a përdëllejnë,
andaj dhe ju të duroni,
si në mësim t’ i tregoni;
se i duhet njerëzisë,
që i beson Perëndisë,
zëmrënë mos e ngushtoni,
dhe Zotnë mos e harroni,
sa do të rrojmë më jetë,
s’ shpëtojmë nga vdekj’ e shkretë!
Imami tha këto fjalë,
dhe pushoj i qofshim falë!
Ahere një i-mallëkuar
nga armikët del kaluar,
Imamit i tha ca fjalë
po kur trëmbet ajy kalë!
pa iku dh’ e mori xvarrë!
cop e bën e s’ e le fare!
Armikët çudin e panë,
po djallëzitë s’ i lanë!
Prap Imami fjalën zuri,
nër zëmëra duri shturi.
Shehrë-banun e kish grua,
q’ i vanë lottë si krua,
ish njeri i Perëndisë,
bij e mbretit të Persisë.
Dita po ngrysej e shkreta,
nata po vij këmbë qeta!
Ybejdi i-mallëkuar,
prapë njerës kish dërguar,
pas urdhërit që u prunë,
armikëtë luftënë zunë!
Imami s’ doj të lëftonte,
nxorri Abaz u tha: Sonte
s’ mbet kohë, që të lëftojmë
gjer nesërë të mënojmë.
Armikëtë së pari s’ deshnë,
dhe fare s’ i vunë veshnë,
po pastaj dh’ ata e panë
q’ u ngrys e luftën e lanë.
Imami u tha, pa mihnë
burratë dhe grat u ndihnë,
rreth tendëvet dhen e hapnë,
e bënë të thellë trapnë,
pa hodhë shkarpa e gjëmba,
që nuk i shkelte dot këmba,
një derëzë vetëm lanë,
pa gjith Imamit i vanë.
Zoti ynë atë natë
shokëvet u dha uratë,
u tha fjalë fort të-mira,
e për jetë të-pavdira;
pa u tha pasdaj t’ a lenë,
dhe të ikin e të venë,
se më qafë s’ munt t’ i marrë,
si kush të shkonjë më parë;
ata, nuk ikim i thanë
dhe gjithë ndër këmb i ranë.
Neve me ty dotë vdesim,
pas teje s’ duam të mbesim.
i thanë gjith edhe qanë,
pasdaj gjithë bashkë vanë,
të-vërtetit Zot ju falë
me zëmërë, jo me fjalë.