Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) mëson me dëshpërim të thellë se klika uzurpatore ka ndërruar përsëri bravën e Selisë së Vatrës në Nju Jork, duke ua bërë të pamundur sërish të ndaluar vatranëve shtëpinë e tyre të trashëguar nga Konica, Noli, etërit e tjerë të Vatrës, deri tek më të vonët, Agim Karagjozi dhe Gjon Buçaj.
Siç është në dijeni opinioni, të shtunën, më 10 shkurt 2024, grupimi i vatranëve për mbrojtjen e Vatrës nga klika uzurpuese e paligjshme, duke pasur edhe praninë dhe ndihmën e forcave të rendit, mundën, pas disa vitesh të hyjnë në Selinë e Vatrës në Nju Jork.
Grupimi i vatranëve për mbrojtjen e Vatrës nga klika uzurpuese e paligjshme e Vatrës përbëhet nga shqiptaro-amerikanë atdhetarë demokratë, kontribues prej dekadash në Vatër, pagues të rregullt të kuotizacionit, emra që e nderojnë Vatrën, kombin shqiptar dhe vetë Amerikën, vendin ku ata jetojnë. Ky grupim, me këtë rast, kërkoi mbështetjen e faktorëve shqiptarë në Diasporë dhe në Atdhé, në mënyrë që Vatra t’iu merret uzurpatorëve dhe t’iu rikthehet vatranëve. Që të ndodhë kjo domosdoshmëri, Vatra duhet të hyjë në një proces të ri zgjedhor të votës së lirë e të ndershme, mbi bazën e Kanunores së trashëguar nga etërit e Vatrës. Kështu do të mundësohet që shqiptaro-amerikanëve në veçanti dhe shqiptarëve të tjerë, kudo që ndodhen, t’iu kthehet një faktor i fuqishëm demokratik, kombëtar dhe antikomunist siç është Vatra, kapitull i rëndësishëm i historisë sonë që daton nga fillimi i Shekullit XX.
Kryetari i Kuvendit të Vatrës 2022 ende në fuqi deri në zgjedhjet e reja, z. Ervin Dine, siç e theksuam edhe në qëndrimin e djeshëm të UGSHPD, bëri menjëherë një deklaratë, ku shprehte mbështjen e plotë ndaj grupit të Vatranëve “të cilët dje paqësisht hynë në Selinë e Vatrës në New York dhe me kurajo e vendosmëri qëndruan në të drejtën e tyre në sallën e Vatrës, derisa oficerët e zbatimit të ligjit amerikan u angazhuan në zgjidhjen e situatës.” Kështu, siç u shpreh në deklaratë Kryetari i Kuvendit të Vatrës, iu jepet e drejta “Vatranëve të të dyja krahëve, si anëtarë të barabartë para ligjit të Vatrës, për të hyrë dhe përdorur ambientet e Vatrës në mënyrë të barabartë për të gjithë.” “Shtëpia e Vatrës është dhe duhet të jetë e hapur për çdo Vatran që ka kontribuar për Vatrën në çdo kohë të historisë së saj dhe për çdo shqiptar patriot.”, shkruhet në deklaratën e z.Dine i cili po ashtu i bën thirrje “kryetarit të Vatrës, që të marrë masat e nevojshme dhe të krijojë kushtet, që sa më parë të thërrasë një Kuvend i ri të Vatrës, në mënyrë që Vatra të kthehet në binarë kushtetues.”
Në një akt regresiv, përçarës, që e poshtëron imazhin e Vatrës, menjëherë pas deklaratës së Kryetarit të Kuvendit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, Selisë së Vatrës iu vu përsëri dryni nga uzurpatorët. Sekretarja e Përgjithshme e Vatrës zonja Nazo Veliu dhe Vatranët Agustin M.Mirakaj, Mark Mernaçaj, Kejvi Mirakaj e Vatranë të tjerë të pranishëm, u bënë dëshmitarë të këtij akti të papërgjegjshëm antidemokratik, antikombëtar dhe antiqytetar shumë herë të përsëritur nga “uzurpatorët të cilët nuk kanë kryer asnjë mbledhje në respekt të statutit dhe Kanunores së Vatrës i kanë vënë vetes vetëm një funksionon atë të dryvënësave”, siç pohuan me të drejtë dëshmitarët nga grupimi për mbrojtjen e Vatrës.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) e rithekson me forcë mbështetjen e fuqishme ndaj grupimit për mbrojtjen e Vatrës dhe fton përsëri të gjithë faktorët shqiptarë dhe të gjithë faktorët miqësorë të shqiptarëve në Amerikë, në Perëndim dhe në Atdhé të japin edhe ata mbështetjen e tyre në mënyrë që Vatra t’iu merret uzurpatorëve të paligjshëm dhe t’iu kthehet Vatranëve.
Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim me vëmendje të plotë zhvillimet aktuale në Vatër duke bërë thirrje dhe duke shpresuar që Vatra të kthehet sërish në legjitimitetin demokratik.
12 shkurt 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des journalistes professionells albaniase de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)