Të njejtat televizione që favorizuan humbjen e PD-s, vunë kujën kur humbja e saj u vërtetua më 25 qershor. Nuk munguan as kambanat funebre. Shigjetat me helm u drejtuan ndaj kryetarit që “u vetëngri”, Lulzim Basha.
“Lulushi” i paradokohshëm, që e tradhtonin kordat e zërit, që nuk kishte takat të ulurinte si ujk a të kreshpëronte krifën luanore, nga të njëjtët përfolës, sigurisht të mirëpaguar me honorare të majme, u shndërrua në njeri autoritar, pengmarrës partie që shkelmon pa drojë struktura drejtuese e rregulla statutore. Ata që ndollën katastrofën, të përjashtuarit nga lista e kandidimeve, u përpoqën të skandalizoheshin nga humbja. Shtuan kërcënimet, vikamën folklorike ndaj Bashës. Rrëketë e helmit të urrejtjes përmbytën ekranet gjatë dhe pas zgjedhjeve deri në çastet e fundit të garës brenda Partisë Demokratike, ku nuk u kursye as rivali tjetër Eduart Selami.
Megjithatë mëtonjësit e përçarë të fronit partiak, nuk arritën të nxirrnin një figurë konsesuale përballë Bashës, ndoshta nga synimet e secilit që ëndërronte syhapur, secili për hesap të tij, fronin e Partisë, e cila pa praninë e tyre meritonte të zhdukej nga faqja e dheut. Ndoshta nuk do të përllogaritet kurrë efekti negativ i këtij helmi disfatist në rezultatet katastrofike të 25 qershorit. Ndoshta prej këtij helmi të përditshëm, te një pjesë simpatizantësh, madje edhe anëtarësh u tulat besimi te fitorja, çka ndikoi edhe në rritjen e mospjesmarrjes në zgjedhje. Vetëm 450 mijë zgjedhës, sipas rezultatit zyrtar të çertifikuar, i besuan Republikës së Re të Lulzim Bashës.
Nga vlerësimet e anshme dhe të paanshme kësisoj PD-ja ka humbur nga 200-260 mijë votues të saj. Disfatistët bojkotues patën përse të fërkojnë duart, ndonëse ngazëllimi prej humbjes, siç u pa, nuk u solli kurrfarë dobie. Në dijeninë time nuk ka ndonjë studim të veçantë të qëndrimeve të medias ndaj Partisë Demokratike gjatë fushatës zgjedhore. Por në perceptimin tim qëndrimi i saj në të shumtën e rasteve ka qenë i ftohtë, madje dhe mosbesues e mohues. Mos të flasim për rezultatet dhe qëndrimin e partive politike të shkëputura prej PD, që sfiduan zgjedhësit me poza demokratike duke shpresuar se do t’i zinin vendin “nënës së lanetosur” që nuk do të merrte pjesë në zgjedhje. U kishte pikur fati nga qielli, po që për dreq, ua grabiti në çastin e fundit me “një deux ex machina” i dërguari amerikan që la në tavolinën e politikës shqiptare kushtet e tij të panegociueshme.
Pas marrëveshjes së përfolur dhe të mallkuar të Edi Ramës me Lulzim Bashën, në një fushatë me tensione më fort të nëndheshme, PD-ja doli humbëse, po jo aq humbëse sikur, siç shpresonin disa, të mos merrte pjesë në zgjedhje. Mospjesmarrja në zgjedhje, edhe sipas mendimit tim, do të ishte fatale për PD-n. Pas garës zgjedhore nuk u vërtetua shpresa bojkotuese e disfatistëve. Masivisht, më shumë se gjysma e anëtarisë mori pjesë në zgjedhje duke votuar në shumicë dërmuese për Lulzim Bashën. Ndoshta prej qëndrimit negativ të një pjese mediash dhe qëndrimit mohues të bojkotuesve të çoroditur, gara zgjedhore brenda PD-s u shndërrua në një referendum për Lulzim Bashën. Për shkak të zgjedhjeve të mia, nuk kam pasur mundësi të votoj as pro, as kundër Lulzim Bashës. As t’i bashkohem bojkotit. Sepse, pavarësisht qëndrimeve dhe simpative, nuk kam qenë asnjë ditë antar i Partisë Demokratike.
Kundërshtarët e Lulit, duke lënë në harresë 450 mijë votues të PD-s, duke mos i njohur vetes së tyre ndonjë meritë për këta votues, janë interesuar fort këto ditë për listat e anëtarisë. E çuditshme, të mos i kenë ndërkohë këto lista, kur paskan qenë disa që prej themelimit, pjestarë të asaj ngrehine që u dha emër, famë dhe pasuri! Vallë kanë qenë bashkëpronar apo vetëm qiraxhinj? Sidoqoftë, prania e disfatistëve, pavarësisht dozës së helmit të fortë opozitar, brenda apo jashtë strukturave aktuale, vetëm do ta forcojë Partinë Demokratike. Jo ta ringrejë. PD-ja nuk është rrëzuar, siç duan ta paraqesin. Ndonëse tejet e dobësuar ajo qëndron në këmbët e veta edhe si një shpresë më shumë për vendin
Mendesi korruptuese, qe nuk i sherbejne liris, as vendi , vetem nje grup njerEzish si ne kohen e Enverit, edhe Ramizi kishte sipatizan ,problemi qendronte, se ishin meturinat e nje sistemi totalisht te kalbur siç eshte sot……………Shkrimi shto miell ,shto uje!
Çka ke dashte te thuash me kete shkrim. Thuaje me ha pet dhe me kthjellet. Mos u mundo te zbukurosh fjalet. Mundohu te shprehesh mendimin.