Nuk u shpreh as edhe në një rast të vetëm përcaktimi “sulm terrorist” nga sqarimi i kryeministrit të RSH Edi Rama për sulmin e 24 Shtatorit pranë fshatit Banjskë, ku humbi jetën një punonjës i Forcave Policore dhe u neutralizuan 3 agresorë nga një grup i armatosur serb i përbërë prej 30 personash, të cilët tentuan të strehoheshin në një manastir për t’i dhënë ngjyra fetare konfliktit si dhe më pas kaluan matanë kufirit për t’u fshehur në Serbi.
Mossqarimi i KM Edi Rama, do të mbetet një nga dokument me peshën më të lehtë në diplomaci për çështjen dhe faktorin shqiptar në rajonin e Evropës Juglindore. Në një fjalim një orësh, pas shpine me flamujt e dy shteteve shqiptare, kryeministri Rama u mundua të shpjegonte dhe të ishte bindës sipas tij për rëndësinë e paqes dhe të dialogut. I ndarë në dy 30 minutësha, ky mossqarim pas tre deklaratave në ditë të ndryshme që prej së djelës së kaluar ku pjesa e dytë kishte pyetje-përgjigje me gazetaret/gazetarët, Rama synoi të mbronte politikën e tij të jashtme dhjetë vjeçare të administratës së tij. Ajo që nuk pritej ishte se në pyetjet e marra prej gazetarëve çuditërisht nuk ishte brenda konceptimi i “aktit terrorist” si pasojë e një sulmi të armatosur.
Kjo situatë të lë kuptosh se atij mjedisi mediatik i është imponuar heshtja, i është temperuar edhe ndrojtja në cekjen e kësaj teme dhe mungesa e guximit të ngritjes së kësaj pyetje, do të thotë në mënyrë më lakonike autocensurë.
-A e shikoni juve zoti kryeministër sulmin e armatosur dhe marrjen e jetës të një punonjësi të ruajtjes së rendit të Forcave Policore të Kosovës si një akt terrorist?
Me qenë se kjo pyetje mungoi, ne duam të jemi të përpiktë se vetëm një rast fjala “terrorist” doli nga goja e Ramës gjatë shkëmbimit pyetje-përgjigje. Por edhe në këtë rast të vetëm ai togfjalësh në fjali doli si një “freudian slip”. Një rrëshqitje e mendimit ose tradhëti ndaj vetvetes e kuptuar si një tension që sjell ngarkesa psikologjike në situata të tilla kur janë vënë në rrezik fatet e kombit.
Ja dhe përgjigja e KM, asfare me formatin e burrështetit, por të censorit: “- Karshillëku është shprehje e përgjegjësisë, kështu që mos ma bëni si ata që thonë pse i thua kriminel dhe si thua terrorist se ti je vllau i Vuqiqit. Mësoni pak më mirë shqip”.
Nuk mund të besohet se sot kjo është norma për të komunikuar me median. Një tregues tjetër për shpjegimin e këtij episodi mund të bëhet vetëm prej personit më me plotpushtet, që i ka të gjitha pushtetet në duar e në vend të komunikimit ndërnjerëzor përdor qesëndinë dhe arrogancën njëherësh.
Kur fjalët dhe pyetjet e guximshme të gazetarëve mungojnë, vendin e tyre e zë heshtja, sundimi i ndrojtjes, frikës dhe media shqiptare padashur po e reflekton me gazetaret dhe gazetarët të cilët në këtë rast nuk e patën guximin për bërjen e pyetjes, duke i dhënë komoditetin KM që të mos përgjigjet.
Ishte ky një krye-lajm i ditës nga PM i Shqipërisë që do të mbetet gjatë në kujtesë krejt ndryshe nga qëndrimi i qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si edhe vlerësimi i shumë mediave dhe personaliteteve sikurse bashkëkombësve shqiptarë kudo në diasporë, të cilët e vlerësuan akt terrorist të pastër vrasjen e policit të Kosovës Afrim Bunjaku dhe shkeljen e sovranitetit të Kosovës.
Evropa Juglindore historikisht ka njohur konflikte dhe luftëra të pashmangshme të cilat mund të shmangen sot duke bashkëpunuar për stabilitet, respektuar integritetin territorial dhe kur të gjitha vendet shprehin dhe mbajnë qëndrimin e duhur kundër shfaqjes së çdo agresioni. Shtetet e Evropës dhe veçanërisht jug-lindja e kontinentit kanë provuar dhe po provojnë shumë tragjedi nga luftërat dhe të dënosh me drejtësi terrorizmin kjo është sfida e zhvillimit të qëndrueshëm në qoftë se duam ngadhënjim të paqes dhe të lirisë.
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës) mbetet i përkushtuar në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe gjithmonë do të kërkojë dhe vlerësojë guximin e gazetarëve për mbrojtjen e së vërtetës, që publiku të mirëinformohet me ngjarjet dhe si i tillë ka fuqinë për të ushtruar presion mbi shmangien e konflikteve që sjellin me vete luftërat shkatërrimtare.
29 Shtator, 2023
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)