Qendrat e emigrantëve të ngritura në Shëngjin e Gjadër ku do të akomodohen emigrantët që kapen në brigjet e Italisë, bazuar në marrëveshjen mes Kryeministres Giorgia Meloni dhe kreut të Qeverisë shqiptare, Edi Rama, vijojnë të prodhojnë debate në Itali.
Ish kryeministri italian Mateo Renzi, pjesë e opozitës, ka propozuar që këto qendra emigrantësh të kthehen në burgje, ku të vuajnë dënimin shqiptarët që sot ndodhen në burgjet italiane.
Ndërsa ka kritikuar ashpër Melonin që shpenzoi 1 miliardë euro për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shqiperi, Renzi hodhi idenë që në to të akomodohen 2 mijë shqiptarët që vuajnë dënimin në Itali.
“Ajo qendër emigrantesh nuk do të funksionojë kurrë. Por tashmë paratë janë shpenzuar. Propozimi im është i thjeshtë: vendosim në qendrën e emigrantëve rreth 2000 të dënuar shqiptarë që sot janë në burgjet italiane. E mbyllim kështu super dështimin. Reduktojmë kostot dhe të mos mbajmë më karabinierë dhe policë në Shqipëri, duhen në itali. Këta agjentë duhen për rrugët tona. Të transformojmë qendrën e emigrantëve në burg për të dënuarit shqiptarë dhe këtë ta bëjmë menjëherë”, shprehet Renzi.
Qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër u vunë në funksion dy muaj më parë, kur erdhi grupi i parë me 16 emigrantë afrikanë, 12 prej të cilëve u vendosën në Gjadër për pak ditë. Ata u kthyen në Itali pas vendimit të Gjykatës së Romës që konsideroi se Egjipti dhe Bangladeshi nuk ishin vende të sigurta, sikundër trajtoheshin këto dy shtete në dekretin e Qeverisë Meloni.
E njëjta gjë ndodhi edhe me grupin e dytë të emigrantëve që erdhën në Gjadër në nëntor dhe që u kthyen në Itali me vendim të gjykatës së Romës që tashmë e ka përcjellë për interpretim çështjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Pas kësaj autoritetet italiane reduktuan numrin e personelit civil dhe ushtarak në Shqipëri dhe çdo që ka mbetur e pezulluar.bw