Qemal Vogli, i konsideruar si; “Macja e zezë”, e portës së “Dinamos”, së viteve ’50-të, mahniti sovjetikët dhe fitoi lavdet e legjendës së portës, Lev Jashin. Por historia e tij e suksesit, fatkeqësisht, qe e shkurtër. Për herë të parë kjo seri shkrimesh, do e tregojë duke përcjellë edhe dokumente të Sigurimit të Shtetit. Qemali u lind në lagjen ‘Zguraj’ të Kavajës, në një datë të diskutueshme mes 15 marsit dhe 29 shtatorit të vitit 1929–1930. Shqipëria asaj kohe, qe nën mbretërimin e Ahmet Zogut. Një çertifikatë e vitit ‘75, e arkivuar nga Sigurimi i Shtetit, thotë se; Qemali u lind më 15 mars 1929. Diku tjetër, thuhet se datëlindja e tij, është 29 shtatori 1929, ndërsa në hetuesi, vetë Vogli, shkruante se u lind në vitin 1930.
Deri në adoleshencë, Vogli do të jetonte historinë më të vështirë të Shqipërisë. Periudha e Mbretërisë së Zogut, u mbyll nga pushtimi fashist dhe nisja e Luftës së Dytë Botërore. Nazistët, zunë vendin e fashistëve. Pas çlirimit, në Shqipëri u ngrit regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili do ta cilësonte familjen Vogli “me biografi të keqe”, për lidhje të dyshuara me organizatën nacionaliste “Balli Kombëtar”, organizim që komunistët e lidhnin me nazistët.
Nxitur nga ky cilësim, në vitet e para pas çlirimit, regjimi do t’i burgoste Qemalit, dy vëllezërit (Mahmut dhe Xheladin Vogli), duke e lënë atë vetëm me nënën, motrën, kunatën dhe dy fëmijët e, njërit prej vëllezërve. Më pare, i qe ndarë nga jeta babai, Bakiu, dhe vëllai i madh, Myslimi. Mirëpo Qemali, çlirohej prej këtyre vështirësive vetëm nga futbolli. Me lartësinë që kishte – rreth 1 metër e 90 centimetra – spikati që në vitin 1946, si portier i ekipit “Besa” së Kavajës. Megjithëse adoleshent, talenti i hapi rrugë të kalonte te skuadra e “Yllit të Kuq” – sot Teuta – në Durrës. Atje ra më tepër në sy dhe fitoi vend në kombëtare, ku debutoi më 25 maj 1947 – Kupa e Ballkanit: Shqipëri 0–4 Rumani.
Në Durrës, filloi punë ndihmës-saldator në port, vend në të cilin Sigurimi i Shtetit, kishte plot spiunë, tre prej të cilëve, do të raportonin me nofkat: “Goma”, “Çapkëni” dhe “Jehona”. Këta, do ta spiunonin për çdo sjellje, pasi regjimi e cilësonte Voglin, me “njollë politike”. Spiunimi, do të ishte më i madh pasi, Qemali, debutoi me kombëtaren në vitin 1947.
Raportim i bashkëpunëtorit “Goma”, 10 tetor 1947, kur Vogli ishte 18 vjeç!
“Qemali kur la punën, e kishte lënë aparatin e saldaturës së elektrikut, me fije të takuara dhe aparatin e kishte lënë përsipër në kuvertë të rimorkiatorit, kështu vuri në rrezik personelin dhe rimorkiatori të digjej, sepse nga vesa e natës, ose nga të lagurit, mund të ndizej dhe të merrte korrent i gjithë rimorkiatori dhe të gjitha mjetet e lundrimit e kantierit. Kur një marinar, do të dilte përjashta në tokë, pa se bënte masë, duke e hedhur përpjetë korrenti dhe me të shpejtë doli jashtë e thirri punëtorët, të cilët ishin në konferencë, menjëherë vijnë teknikët e elektrikut dhe stakojnë fijet e korrentit. Në këtë mënyrë, shpëtoi rimorkiatori bashkë me ekuipazhin, që ishte brenda. Aparati doli jashtë përdorimit, se u dogj, rimorkiatorit nuk u riparua dhe ekuipazhi i tij mbetën pa punë.
Qemali ka dhe dy vëllezër në burg, njërin si “armik populli” dhe tjetrin, se deshtë të arratisej në Itali. Ky shoqërohet më tepër me; Z.R., O.M., I.D”! Ky rast, i raportuar nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, u bë problem për Voglin. Dokumente tregojnë se; në këmbim të shfajësimit për dëmet e pakujdesisë në punë, Sigurimi, e detyroi të bëhej informator. Mirëpo Vogli, të cilit regjimi i kishte burgosur vëllezërit, nuk bashkëpunoi.
Pjesë e raport-biografisë së mbajtur nga Kryetari i Degës III-të, Halim Xhelo, në vitin 1955:
“…Për të gjitha neglizhencat e dëmtimet, del se Vogli, në vitin 1947, ishte gati për t’u arrestuar, por siç duket, atëherë nuk është aprovuar nga Drejtoria dhe është thirrur nga organet e Sigurimit në kantier, për ta këshilluar, ku në këtë kohë, është rekrutuar B.P. informator. Më 1950, është marrë si sportist shumë i mirë (portier) i skuadrës “Dinamo”. Si lojtar, është paraqitur shumë i mirë, është treguar i vullnetshëm dhe guximtar. Njëkohësisht, prej vitit 1950 deri në 1954-ën, ka qenë në lidhje si B.p. i organeve tona, por në këtë drejtim, nuk ka dhënë asgjë, sepse nuk ka dashtur të bashkëpunojë…”!
Në vitin 1950, regjimi komunist i Enver Hoxhës, pasi kishte lidhur marrëdhënie zyrtare me sovjetikët, ngriti Klubin Sportiv “Dinamo”, i projektuar sipas modelit rus, të “Dinamos”, së Moskës, që ishte nën tutelën e Ministrisë së Brendshme. Vogli, ishte 20 vjeç dhe u thirr te “Dinamo” nga trajneri i asaj kohe, Ludovik Jakova. Kështu Vogli, u shpërngul në Tiranë, por shkëputja nga familja, ishte e vështirë për të, sepse nëna ishte pika e tij e dobët. Në kryeqytet, Klubi Sportiv e sistemoi me punë në ofiçinën e Ministrisë së Brendshme, kjo më tepër për ta pasur në vëzhgim, pasi biografia familjare dhe fakti se vëllezërit i kishte të dënuar, nuk nxisnin besim te ai.
Mirëpo, sukseset me “Dinamon”, i dhanë jashtëzakonisht popullaritet portierit kavajas. Për rreth 5 vite, u vendosën rekorde dhe u fituan disa kampionate radhazi. Me gjasa, popullariteti e bëri “Sigurimin” që të mos vepronte kur raportimet nisën të vinin se; në daljet jashtë shtetit, Vogli po kryente kontrabandë, veprim që ç’është e vërteta, kryhej nga shumica e futbollistëve të “Dinamos”.
“S.P., e cila kishte dëgjuar prej K.H. (shoqja e P.H. muzikant në bandën ushtarake), se sportisti Qemal Vogli, i cili banon afër shtëpisë së K.H., kur është kthyer një herë nga turneu që skuadra jonë kombëtare, ka bërë jashtë shtetit, ka sjellë kontrabandë, një sasi të konsiderueshme gjilpëra makinash qepëse, gurë çakmaku etj., të cilët i kishte futur në tri komardare biçiklete, këto, i shiti dhe fitoi nga kjo kontrabandë, rreth 300 mijë lekë”.
B.p. “Bjeshkorja”, 10 prill 1954
“…më ka thënë se edhe disa rroba që ka dhe plaçka në shtëpi, i ka blerë herën e fundit, kur doli jashtë shtetit me disa kontrabanda, si një sahat dore dhe një kuvertë, që kishte marrë me vete dhe kishte fituar gati 40.000 lekë”.
B.p. “Biblioteka e Pogradecit”, 8 qershor 1955
Bashkëpunëtori me nofkën “Biblioteka e Pogradecit” ishte një ish-i burgosur për vjedhje, i cili qe punësuar në ofiçinën e Ministrisë së Brendshme, në vitin 1950. Aty qe miqësuar me Qemalin dhe raportonte për Sigurimin, çdo gjë deri dhe marrëdhëniet e trazuara familjare.
Në disa nga raportimet, në qershor 1955, Sigurimi i merr informacion se; Vogli, po mendonte edhe për t’u arratisur.
“…Qemali më tha: Unë dua vrarë, se në 1950-ën, kur na linin të lire, unë isha edhe beqar, nënën nuk e kisha unë, nuk e vendosa, bile kur erdha këtu, vëllai më tha; pse e prure kokën”?!
B.p. “Biblioteka e Pogradecit”, 21 qershor 1955
Sigurimi, udhëzon “Bibliotekën e Pogradecit”, që ta ngacmojë më tepër…!
“Në takimin që do të bëni, mos jep prapë shkak të hapjes prej teje, të bisedimit për arratisje. Mundohu që, bisedimi i tillë, të hapet prej Qemalit. Ti qëndro i mërzitur, duke lidhur me trajtimin e keq që të është bërë gjoja, pastaj shfaqi dyshimin, se edhe në punë, nuk po më marrin. Në rast se ai fillon bisedimin për arratisje, mundohu t’i marrësh sa më shumë hollësira, se si mundohet ta organizojë, a ka shokë të tjerë, po me kujdes, që të mos i lësh dyshime”!
Detyra të ngarkuara për B.p. “Biblioteka e Pogradecit”, nga Kapiteni Parë, Hito Hitaj, 21 qershor 1955 Qemal Vogli, arratiset një vit pas këtyre raportimeve, më 3 shtator 1956.
Historia e kampionit të futbollit, që komunizmi e bëri të harrohej…! Në vitet ’50-’60-të, portieri Lev Yashin (Jashin), ishte krenaria e futbollit sovjetik. “Heroi i klasës punëtore”, i priste goditjet, a thua se kishte tetë duar dhe për faktin se vishej përherë me të zeza, mbi quhej; “Merimanga e zezë”.
Për 20 vite, mbrojti portën e “Dinamos” së Moskës. Në karrierë fitoi shumë trofe, mes të cilëve, medalje olimpike dhe Kupë Evrope, me përfaqësuesen sovjetike. Në historinë botërore të futbollit, Lev Jashin, i shpallur portieri më i mirë i shekullit XX-të, mbetet ende i pathyer, për faktin se është i vetmi portier, që është vlerësuar me ‘Topin e Artë’. Megjithatë, në ato vite, në Shqipëri, ai kishte një moshatar, i cili potencialisht i kishte mundësitë për ta konkurruar, por që fati nuk i rezervoi të njëjtin sukses. Emri i tij, ishte Qemal Vogli. Edhe ai, vinte “nga klasa punëtore”. Edhe ai mbrojti portën e “Dinamos”, por të asaj të Tiranës. Spikati me veshje të zezë në portë dhe prej hedhjeve që bënte, mori nofkën; “Macja e zezë”.
Me Jashinin, u takua në vitin 1954, në Moskë pas një ndeshjeje miqësore mes dy “Dinamove”. Sovjetikët kishin dëgjuar për Voglin, që prej miqësores së vitit 1951, në Tiranë, (Shqipëri 1–1 “Spartak” i Moskës), ku Vogli kishte dalluar për daljet dhe hedhjet e përkryera, në portë. Jashin dhe Vogli – asokohe të dy 25-vjeçarë – e vlerësuan me konsiderata njëri-tjetrin.
Me “Dinamon”, në 6 vite, Vogli do të ishte protagonist në fitoren e 5 kupave e 5 kampionateve. Ende të pathyera për futbollin shqiptar, janë rekordet: 25 fitore radhazi (sezoni 1951–‘52) dhe vetëm 5 gola të pësuar, gjatë një kampionati. Por, megjithëse të shumtë ishin krenar për arritjet e tij sportive, Vogli, nuk u bë “Hero” i futbollit komunist shqiptar, përkundrazi. Gjithçka e Voglit, u mbyt në harresë, kur më 3 shtator 1956, ai u arratis drejt Perëndimit. Ishte 27 vjeç dhe kishte vetëm 10 vite futboll profesionist. Rrethanat bënë që, pas një miqësoreje tjetër me “Dinamon” e Berlinit, ai të kalonte në Berlinin Perëndimor. Ishte koha kur ende, nuk ishte ndërtuar muri. Ishte koha kur arratisjet, regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i dënonte rëndë.
Prej vitit 1956, e deri më sot, historia e Qemal Voglit, është treguar mes rrëfimeve dhe pak dokumenteve. Kjo seri shkrimesh do të nisë ta tregojë historinë e një prej sportistëve më të jashtëzakonshëm të futbollit shqiptar, duke iu referuar dosjes që Sigurimi i Shtetit, mbajti për të. Në dosje tregohet se, në të vërtetë, për Voglin, Sigurimi kishte grumbulluar informacione, që kur ai kishte qenë adoleshent. Pranë tij, Sigurimi kishte 10 bashkëpunëtorë të njohur, me pseudonimet: “Çapkëni”, “Goma”, “Jehona”, “Bjeshkore”, “Biblioteka e Pogradecit”, “Topi”, “Stina e Shiut”, “Besuesi” dhe “Lumi”. Biografia e Voglit, paraqitej me një lidhje familjare të angazhuar me “Ballin Kombëtar”, por megjithatë, ai privilegjohej prej dhuntive sportive dhe nuk penalizohej, madje as për kontrabandën që bënte, njësoj si disa sportistë të tjerë, të cilët kur dilnin jashtë shtetit, në kthim, edhe pse nuk lejohej, merrnin sende të ndryshme me vete.
Sidoqoftë, Sigurimi, e vëzhgonte vazhdueshëm Voglin, për sinjalizimet e bashkëpunëtorëve, rreth tendencave për arratisje që ai shfaqte ndonjëherë. Arratisje që do ta konkretizonte në vitin 1956, por që nuk zgjati shumë. Ai u kthye në Shqipëri, me versionin që regjimi propagandoi: kinse, u kap falë agjenturës së Sigurimit dhe bashkëpunimit me agjenturat simotra, të vendeve të tjera komuniste. Në dosjen e tij, janë fshirë të gjitha gjurmët, por ka një korrespondencë të mbajtur me STASI-n, homologen e Sigurimit të Shtetit, në Gjermaninë Lindore. Për shkak të popullaritetit, që kishte mes njerëzve, portieri i “Dinamos”, u dënua vetëm 15 vite burg, më vonë, u amnistua dhe pas 5 vitesh, u lirua.
Mirëpo, nuk ishte më e njëjta gjë. Atij iu ndalua të luante futboll, ndërsa dokumentet tregojnë se, u mbajt nën vëzhgim të vazhdueshëm të Sigurimit të Shtetit, deri në vitin 1991, shpesh duke u cilësuar, si; agjent i fshehtë. Dënimi më i rëndë që mori, me gjasa, ishte ndarja me të bijën, kur ishte ende e vogël dhe ndalimi i të luajturit futboll, gjatë gjithë jetës. Qemal Vogli, me shumë mundësi, mund të mos fitonte medalje olimpike, Kupë Evrope, apo Top të Artë, por e sigurt është se, po të vazhdonte të luante futboll, do të ishte një histori shumë herë më fantastike e futbollit shqiptar, histori që nuk do të harrohej kurrë. Memorie.al