Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.
E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Kampe-burgjet e punës së detyruar, kudo nëpër Shqipëri-
(1945-1991)
“Rruga e dhimbjes”
Në ato ditë vjeshte të 1960-ës, kur ne mendonim se në Shqipëri diçka e madhe do të ndodhte, në shtëpinë time në Tiranë, në rrugën “Mihal Duri”, nr. 25, u mblodhën: Uran Kalakula, Riza Kuçi, Tanush Kaso, Karaman Paftali dhe unë. Mbas një analize të gjatë të gjendjes së brendshme, vendosëm krijimin e grupit klandestin social-demokrat.
Në këtë mbledhje, u muar në shqyrtim hedhja e një trakti, ku t’i bëhej thirrje popullit, për përmbysjen e diktaturës të urryer komuniste dhe të bëheshin kontaktime me element antikomunistë, që kishin pikëpamje politike të afërta me tonat. U takuam me Pjetër Arbnorin, i cili kishte në atë kohë një grup klandestin në Durrës dhe vendosëm bashkimin e dy grupeve tona. Ky bashkim u bë vetëm në zbarën e Gjykatës Ushtarake të Tiranës, se aktiviteti u denoncua dhe pjesëtarët e tij u arrestuan. Grupi hetimor M.P. të Brendshme, më kish rezervuar qelinë nr. 26, në Burgun e vjetër të Tiranës.
Një gardian, hapi derën dhe më hodhi me përbuzje një batanije të vjetër, gjithë njolla gjaku. Me një labërishte të rëndë, filloi të më shpjegojë rregulloren e qelisë, duke shtuar mbas çdo fjalëve; “e more vesh”?! Më vonë mësova se ky ishte kapter Velua, gardian burgu, qysh në fillim të 1945-ës, që me fjalët dhe pamjet e tij, më tepër të bënte të qeshje, se sa të frikësonte.
Qelia ishte një varr mbi tokë, ku nga një baxha e vogël futej një dritë e zbehtë. Në dysheme dhe në katër muret, po të shikoje me kujdes, dalloje emra njerëzish dhe toponime, që kishin kaluar nëpërmjet asaj qelie, në platonet e ekzekutimit, në burgjet e errëta ose në kampet me punë të detyruar. Në qeli të mbyste era e urinës, se të arrestuarit urinonin nëpër vrimat e dyshemeve, mbasi sipas rregullores, gardianët nuk të çonin në WC më shumë se dy herë gjatë 24 orëve.
Në ato rrethana të tensionuara për të arrestuarin, veshkat ishin organet që prekeshin më tepër, kurse dëgjimi arrinte shkallën më të lartë të perfeksionimit. Në çdo katër orë, ditën dhe natën, sa herë ndërroheshin gardianët, çelej me të përplasur dera e qelisë dhe i arrestuari do t’i nënshtrohej një kontrolli të imët, nga anusi, gjer në fijet e flokëve.
Të dënuarit me vdekje, mbaheshin nëpër qelira të lidhur me pranga në këmbë dhe duart nga mbrapa. Gardiani shoqërues, të çonte në zyrat e hetuesisë, që ishin ngjitur me qelitë, të lidhur me pranga gjermane dhe të kapur fort nga krahu. Hetuesit nuk përdornin kurrë emrat e të arrestuarve, por numrat e qelive, ku ata ndodheshin.
Kapteri, që rrinte roje te dera e hetuesit, merrte porosinë prej tij dhe thërriste në korridorin e qelive: “Më sillni 32-shin”! Tridhjetë e dyshi çohej në zyrën e hetuesit dhe ulej në karrigen e betonuar. (Katër këmbët e karriges ishin të futura në beton). Puna e parë që bënin hetuesit, ishte denigrimi i personit të arrestuar, duke përdorur sharjet më të ndyra për atë dhe pjesëtarët e familjes së tij.
Këto sharje shoqëroheshin me grushta turinjve, me shqelma në kërcinj dhe në organet gjenitale, me vizore kokës, me shishe boje ballit, me dru zjarri shpinës dhe me çdo gjë që kishin mbi tavolinat e punës dhe rreth e qark zyrës. Një ditë, hetuesi im, major Llambi Titani, ish-çirak këpucar, me pesë klasë fillore, më çoi në dhomën e torturave.
Aty kishte çengela, për të varur njerëz, dollapë hekuri, ku të fusnin brenda dhe të mbanin me ditë, shtretër të hekurt, ku viktima lidhej dhe torturohej me hekur të skuqur, ose me vaj të nxehtë, fuçi me ujë të ftohtë dhe copa akulli, ku futnin lakuriq të arrestuarin, pinca për heqje thonjsh, karrige elektrike, ku bëheshin seanca elektroshoku, ampula me vajguri e të tjera medikamente, për të ç’personalizuar të pandehurin.
Shkurt, ajo dhomë ishte një arsenal veglash torturash, nga më primitivet gjer në më modernet. Hetuesi xhelat, më tha me një ton kërcënues dhe mburrës, se në atë vend torturash, kishin dhënë shpirt, shumë “armiq të popullit”, se dhe mua një fat i tillë më priste, në qoftë se nuk hapja gojën. Një ditë më mori në pyetje, krye-hetuesi i Republikës, gjenerali Nevzat Haznedari, një nga xhelatët më me zë të diktaturës komuniste, bëmat dhe gjëmat e të cilit, nuk kanë të numëruara.
Ai shoqërohej nga një tufë çakejsh dhe lakenjsh, që qëndronin gatitu në fund të zyrës. Nga një përgjigje imja, që nuk i erdhi për mirë, më qëlloi në kokë me tehun e vizores. I mbytur në gjak, rashë në dysheme pa ndjenja. Gjurmët e vizores më kanë mbetur në ballin tim, megjithëse kanë kaluar më tepër se katër dekada. Gjatë hetuesisë, me anën e ushqimit jepeshin dhe droga, për t’iu dëmtuar të arrestuarve sistemin nervor. I kam ndjerë për shumë vjet, efektet e atyre drogave kobzeza, nga të cilat shumë të dënuar, kanë pësuar trauma psikike të përhershme.
Një natë korriku, erdhi për inspektim në qelitë e burgut të Tiranës, Prokurori i Përgjithshëm, inkuizitori Aranit Çela. Të arrestuarit ankoheshin, për torturat që ju bëheshin nga hetuesit xhelatë. Unë ju ankova, për torturën që na bënin me ndalimin e ujit të pijshëm, në ato ditë të nxehta vere, por ai me një egërsi prej ujku, m’u përgjigj: “Dashkeni dhe ujë, mor armiqtë e Partisë?!. Mos doni dhe birrë”? A s’e keni marrë vesh se në Shqipëri, sundon Diktatura e Proletariatit, që ju thyen dhëmbë e dhëmballë”?! Dhe duke u kthyer nga hetuesit e gardianët, që i rrinin nga mbrapa, la porosinë, që kusur mos të linin ndaj të arrestuarve. Ja si e mbronte ligjin, Prokurori i Përgjithshëm!
Nga fundi i korrikut 1962, më dhanë akt-akuzën, ku akuzohesha me nenin 64, për “tradhti të lartë” dhe nenin 73, për “agjitacion e propaganda” në grup. Ndërmjet të tjerash, akuzohesha se “deshëm të përmbysnim pushtetin popullor, duke krijuar grupin Social- Demokrat”. Një Zot e di, me se do ta përmbysnim ne, atë regjim të urryer policor, kur veç shkumësave, nuk zotëronin asgjë tjetër.
Kulmi i cinizmit, ishte interesimi i hetuesve, për të dalë para gjyqit me kostume të reja, paçka se pantallonat i kishim pa kopsa, pa rripa dhe detyroheshim t’i mbanim me duar, për të mos na rënë në tokë. Dënimet ishin paracaktuar nga hetuesia dhe shpesh, hetuesit na thonin, pa pikën e ndrojtjes, se gjyqi është formal, se ata kishin dhe arrën dhe darën në duart e tyre. Vetëm në këtë rast, ata nuk gënjenin. Nuk thanë të caktonim avokatët mbrojtës, por hetuesia i caktoi vetë, pa marrë aspak pëlqimin tonë.
Më 7 gusht 1962, të shoqëruar në një “Gaz” me oficerë Sigurimi, të lidhur me pranga me duart nga mbrapa, duke na mbajtur nga krahët policët, na hipën në auto-burg dhe na çuan në gjykatën e Tiranës. Do të gjykoheshim nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, me kryetar, kolonelin Llazi Polena, ish-sheqerxhi, me arsim fillor.
Qysh nga vendosja e diktaturës komuniste, kolonel Llazi Polena, kishte dhënë me qindra dënime me vdekje, duke lënë shumë nëna pa djem, gra pa burra, motra pa vëllezër dhe fëmijë pa prindër. Ai, ia kishte shpërblyer ashtu siç duhej “Nënës Parti”, postin që ajo i kishte dhënë, këtij katili xhahil. Prokuror, ishte major Sami Kapllani, identik i Llazi Polenës. Te dera e gjyqit më priste nëna, që qëndronte si burrneshë, pa ju tundur qerpiku. Kur grupi ynë iu afrua derës, ajo na u drejtua me këto fjale: “Mos kini frikë”!, “Qëndroni si burra! Populli e di, që s’keni bërë asgjë të keqe”.
Oficerët e Sigurimit iu vërsulën gjithë egërsi, duke i thëne: “Mbylle gojën moj plakë e keqe! Tani, të hedhim hekurat dhe të zhdukim nga faqja e dheut”! Nëna i shikonte me përbuzje dhe duke iu kthyer shpinën, shqiptoi me të madhe; “Jazëk ju qoftë”! Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në sallë kishte vetëm oficerë të M.P. të Brendshme dhe funksionarë të Partisë-Shtet. Te dera e sallës, qëndronin dy policë dhe dy oficerë Sigurimi. Ata, nuk lejuan as familjet tona, të dëgjonin zhvillimin e gjyqit.
Akt-akuza ishte përpiluar me fraza standarde, që përdoreshin në gjyqet e inskenuara të “Armiqve të Popullit”. Formulimet pak a shumë ishin të tilla: “Kanë propaganduar kundër Partisë së Punës dhe Pushteti Popullor. Kanë mohuar arritjet madhështore të Republikës Popullore të Shqipërisë, në lëmin politik, ekonomik dhe shoqëror. Kanë propaganduar mënyrën borgjeze të jetesës. Kanë vjellë vrer kundër realizmit socialist. Kanë përgojuar udhëheqësit e Partisë dhe të Pushtetit. Kanë dashur të krijojnë Partinë Social-Demokrate. Kanë dashur t’i bënin thirrje popullit, për kryengritje për përmbysjen e Pushtetit Popullor. Kanë dashur…”!
Dhe të tjera trillime të shpifura, të huazuara nga propaganda marramendëse komuniste, që të pandehurit, i paguanin me kokat e tyre dhe me burgime të tej zgjatura. Ne pranuam ato që kishim bërë, kurse akuzat e tjera, i hodhëm poshtë. Gjyqi vazhdoi katër ditë dhe më 11 gusht të vitit 1962, koloneli Llazi Polena, lexoi vendimin. Uran Kalakula dhe Pjetër Arbnori, u dënuan me vdekje, kurse, ne të tjerët, me dënime mbi 10 vjet burgim. Pas një muaji, atyre iu fal jeta, duke ia kthyer dënimin me 25 vjet burgim.
Portrete bashkëvuajtësish
- Mësues, shok dhe bashkëvuajtës
Në një ditë të ngrohtë tetori të vitit 1962, për herë të parë pas dënimit, dilja në oborrin e burgut të Tiranës. Një mori të burgosurish, të të gjitha moshave, po bënin pajtosin. Njerëz kockë e lëkurë, me fytyra të drobitura, të veshur me lecka të arnuara me lloj-lloj ngjyrash, tërhiqnin me mundim këmbët e lodhura. Në dritaret e katit të dytë, ku ndodhej drejtoria e burgut, shiheshin turli hetuesish dhe oficerë të Sigurimit, që me buzëqeshje cinike, i tregonin njëri-tjetrit viktimat e tyre.
Midis të burgosurve, më tërhoqi vëmendjen një njeri i shkurtër, me syze të trasha miopi, që mbante në kokë një peshqir në formë turbani indian. Nga pamja dukej intelektual që kish pësuar një traumë të fortë psikike. Kur unë u ndodha pranë tij, ai u ndal dhe më vërejti me kujdes, nga koka tek këmbët. Më hetonte me një mënyrë të habitshme dhe pas disa minutash më pyeti:
“A mos je Agimi ti? Më njeh mua”? – dhe vazhdoi të më zhbironte me një vështrim gjithë frikë. Ishte e pamundur ta njihja këtë njeri të shndërruar në një qenie gjysëm njerëzore dhe gjysmë shtazore. Vetëm timbri i zërit të tij ishte njerëzor dhe i njohur për mua. Këtë zë e kisha dëgjuar shumë kohë përpara, për një kohë të gjatë. Nga timbri i veçantë ky zë më ishte ngulitur në mendje dhe, megjithëse kishin kaluar shumë vjet, e njoha. Ky ishte zëri i mësuesit tim të letërsisë, Gjergji Komninos. Gjergji Komnino, mësuesi im elegant në gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, si të paskan katandisur kështu?! Si të kanë transformuar në një dordolec! Kush janë ata “Kompraçikos” të shek. XX-të! Sa mllef paskan pasur kundër teje?! Ç’mund të kesh bërë ti, o shpirt njeriu, që janë hakmarrë kaq mizorisht”?! Mezi mblodha veten dhe e pyeta me zë të dridhur se kur ishte dënuar dhe sa.
– “Më dënuan me vdekje më 1956-ën. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni, në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj….. U mundua të drejtonte duart, por më kot. Të shkuara, i thashë. Jo, më tha me irritim, s’ka të shkuara, ose të harruara! Diktatura ka qenë, është dhe do të jetë, sa të jetë gjallë Satanai”! “Jo, or Gjergj, çdo gjë ka një fund dhe fundi po afron”, i thashë.
I dhashë disa biskota që më kish sjellë familja. I hëngri me nofulla, se në gojë s’i kishte mbetur asnjë dhëmb, asnjë dhëmballë. Nuk desha ta lodhja me pyetje. Do kisha kohë për të mësuar tragjedinë e tij. Ato pak ditë që qëndrova në burgun e Tiranës, prej tij mësova se kishte punuar në Institutin e Shkencave, në degën e folklorit.
Ishte denoncuar nga një e afërt dhe e kishin arrestuar për një raport që kishte hartuar, për gjendjen reale në vend. Ishte një kronikë, një kronikë e zezë, por e vërtetë. Puna e tij si mbledhës i folklorit i kishte dhënë mundësi që ta njihte mirë Shqipërinë, nga jugu në veri, nga perëndimi në lindje. S’kishte lënë njeri pa takuar dhe skutë pa u futur. Si pjesëmarrës i Luftës Nacionalçlirimtare, ishte i zhgënjyer.
Si idealist ishte deziluzionuar plotësisht. “Çdo gjë gënjeshtër, prapaskenë, kurth, antikombëtare, anti-humane qysh nga fillimi dhe vazhdon, vazhdon” dhe e mbylli bisedën, me ekslamaconin: “Deri kur, o prapësi, o dreq, deri kur, o mallkim”?! Sytë i shkreptinin dhe mjekra i dridhej. Kalova me Gjergjin disa vjet vuajtje nga një burg në tjetrin. Ai s’e hiqte turbanin nga koka dhe trastën e librave nga qafa.
Nëpër kampet me punë të detyruar, gardianët e ngacmonin vazhdimisht dhe e shihnin me përçmim si dembel, që; “hante supën e qeverisë kot”. Ai fshihej me kujdes nga sytë e tyre përgjues dhe s’pushonte për asnjë çast të filozofonte me bashkëvuajtësit për Kantin, Volterin, Bejkonin, Pirandelon, me të cilin kishte mbrojtur diplomën në Universitetin e Zagrebit, paçka se shumë prej tyre s’e kuptonin dhe disa vagabondë, mundoheshin edhe të talleshin me të.
Vuajti 15 vjet burgim, pa ndihma, vetëm me supën e burgut, nga një kamp në tjetrin, duke ndërtuar “veprat e socializmit”. U lira në fund të vitit 1971, në moshën 53 vjeç. Pushteti “popullor” nuk i siguroi as punë, as pension. E strehuan në një dhomë të braktisur, ku ç’binte jashtë, hynte brenda. U struk si Diogjeni në strofkën e vet.
Dilte vetëm natën, për të mbledhur letra në kazanët e plehrave, autori i parë te ne i monografisë voluminoze për poetin tonë kombëtar Naim Frashërin. Pas shembjes së diktaturës komuniste në Evropën Lindore, ishte gjallëruar së tepërmi. Për asnjë çast nuk pushonte së agjituari me njerëz të çdo moshe dhe profesioni.
Fliste për drejtësinë, për humanizmin, për të vërtetën. “Lektorati i tij i preferuar” ishin policët. U lutej si Krishti që të mos përdornin dhunë dhe i bënte të stepeshin edhe ata më fanatikët. Shkoi gjithë entuziazëm të merte pjesë në grevën e urisë së studentëve në shkurt 1991, por ata ia kundërshtuan kërkesën, për shkak të moshës së tij të thyer (74 vjeç).
Me lekët e bukës së gojës, u drejtua në postën më të afërt, për t’i dërguar telegram solidarizimi komisionit të grevës. Tri ditë para se të largohej nga atdheu, më erdhi në shtëpi. Kishte hartuar një program për Shoqatën e ish-të Burgosurve, të Internuarve dhe të Persekutuarve Politike.
Sytë i shkëlqenin dhe timbri i zërit ishte më kumbues se asnjëherë tjetër. Kurrë s’e kisha parë aq dinamik. “Ne jemi opozita e vërtetë – më tha, – dhe s’jemi pak, por me dhjetëra mijëra, me qindra mijëra. Ne dhe fëmijët tanë duhet të rrokim flamurin e lirisë dhe të demokracisë, meqë dhamë jetën, rininë dhe gjithçka për lirinë dhe demokracinë. Ne, që u persekutuam, u burgosëm, u torturuam, u pushkatuam dhe u shpërndamë si zogjtë e korbit në pesë kontinentet. Ne… “- dhe fliste e fliste me një zjarr që më bëri të dyshoja se mos ishte prekur përsëri nga ndonjë krizë psikike.
U mundova ta qetësoja, duke e vënë në dijeni se shoqata po formohej dhe punët e saj po ecnin në rrugë të mbarë. U ndamë miqësisht, si gjithmonë. Pa kaluar as pesë ditë, mbeta i shtangur para ekranit të televizionit, kur Rai-Uno po jepte lajmet e orës 23.00. Ato ditë kishte ndodhur eksodi masiv nga Vlora dhe Durrësi. Fytyra e Gjergjit, doli në ekran, duke u intervistuar nga një gazetar italian. Fliste me kokë e me duar për Shqipërinë. Fliste ashtu siç dinte ai, midis asaj morie refugjatësh.
O Gjergji, o vëlla! Në çfarë trysnie psikologjike u ndodhe kur i ktheve krahët Atdheut, që ti e deshe aq shumë?! A mos vallë t’u kujtuan prangat, torturat, kazanët e plehrave? A mos vallë të erdhi ndërmend thënia e San Zhystit: “Një popull i shtypur, nuk ka aspak atdhe?”. A mos vallë u nise si misionar për t’u treguar vëllezërve arbëreshë, plagët e nënës? Për një gjë jam i sigurt, o mësuesi im i shumëvuajtur, se kudo që të ndodhesh, do të mbetesh, një atdhetar i flakët. Memorie.al