Foto: Tek Ura e Gurit
Jemi këtu pas shumë vjetësh. Natyrshëm ndjenja e mallit dhe ndjenja e kureshtjes janë të pandashme. Janë këto dy ndjenja të ndryshme nga kolegët tanë të APES, me të cilët qëndruam katër ditët e fundit të shkurtit në Maqedoninë e Veriut.
Nga udhëtimi ynë i mëparshëm, ky vend ka ndryshuar një herë flamurin, dy herë emrin e shtetit, disa herë kushtetutën. Rezistenca ndaj këtyre ndryshimeve i ka marrë shumë kohë dhe energji, e ka vonuar në proceset integruese euro-atlantike, i ka kushtuar së tepërmi edhe në rritjen e brendshme në shumë rrafshe. Vetëm në vitin 2019, pas 28 vitesh këmbëngulje nga Greqia fqinje, ka pranuar të ndryshojë emrin në Republikë e Maqedonisë Veriore, çka e ka lejuar të anëtarësohet, më në fund, në NATO. Vetëm më 2019, 18 vjet pas marrëveshjes së Ohrit, ka hequr dorë nga rezistenca dhe e ka futur në kushtetutë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare bashkë me maqedonishten në nivel shtetëror. Kohë dhe energji të mëdha i mori edhe çështja e Kishës Ortodokse të Maqedonisë, e cila shpallte autoqefalinë që më 1967, por i njihej nga Kisha Ortodokse e Serbisë dhe Patriarikana vetëm në vitin 2022. Tashmë vendi ndodhet nën një trysni të re nga Bullgaria, e cila nuk lejon përparimin e proceseve drejt anëtarësimit në BE pa përfshirë në kushtetutë edhe bullgarët si pakicë kombëtare e MV-së.
Boris Trajkovski (Strumicë- Maqedoni, 25 qershor 1956- Beçrkoviq- Bosnjë, 26 shkurt 2004), Presidenti i dytë i Maqedonisë (1999- 2004), një nga firmëtarët e Marrëveshjes së Ohrit (13 gusht 2001) ka pasur këtë vizion për këtë shtet: “Republika e Maqedonisë po ndërtohet mbi idealet dhe vlerat demokratike, jo mbi grupet etnike. Këto ideale dhe vlera përfshijnë mundësitë ekonomike, mundësitë e gjuhës dhe të arsimit, të drejtat fetare dhe proceset politike.”
Na mjafton ky vizion si njësi matëse për të parë dhe për të prekur në realitetin e tyre, sa afër dhe sa larg këtij vizioni janë zhvillimet e derisotme të këtij vendi dhe prirjet e mëtejshme të këtyre zhvillimeve.
Bashkëjetesë apo jetesë paralele?
Të gjithë mikpritësit tanë e pranojnë që Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik. Në enciklopeditë bashkëkohore thuhet se “Në shtetet multietnike, politikat që promovojnë përfshirjen dhe barazinë janë thelbësore për të ruajtur harmoninë sociale dhe për të shmangur përplasjet etnike.” Si shembulli më i mirë i shteteve aktuale multietnike, me popullsi të ndryshme që kanë identitete të ndryshme etnike, përmendet Kanadaja.
Në pyetjen që ia drejtuam zotërisë Izet Mexhiti, se cili është modeli i suksesshëm i shteteve multietnike perëndimore i parapëlqyer nga MV, zëvendëskryeministri i parë i MV, u përgjigj se modeli i përshtatur për këtë shtet është sipas parimeve të Badinterit, mbi të cilin u krye shpërbërja e ish – Jugosllavisë.
Kryetari i BDI Ali Ahmeti (Zajas i Kërçovës, 4 janar 1959), në politikë që nga viti 1981, përfaqësues politik dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare më 2001, na priti në selinë qendrore të partisë në Tetovë. Ahmeti thekson se mutietniciteti është i garantuar nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, e firmosur edhe nga përfaqësuesit kryesorë të aleatëve perëndimorë. Ndër të tjera, theksoi ai, Marrëveshja garanton edhe barazinë e gjuhës shqipe në vend. Ahmeti ngre zërin kundër planeve të administratës së re për të rishikuar ligjin për gjuhën që e flet më shumë se 20 për qind e popullsisë, pra, për gjuhën shqipe. Ndërsa z. Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i qeverisë aktuale, lidhur me këtë temë na tha se koalicioni VLEN në përbërje të qeverisë së re, e quan fyese për shqiptarët ligjin aktual, i cili nuk e përmend fare gjuhën shqipe.
Çka nuk përfytyrohej më parë, sipas Ahmetit, falë luftës së UÇK-së, Marrëveshjes së Ohrit dhe rolit të BDI-së në përbërje të qeverive të MV, nga 3 për qind sa ishte pjesëmarrja e shqiptarëve në qeverisjen e vendit deri më 2001, sot kjo shifër është rreth 23 për qind. Ahmeti shton se kjo shifër nuk është e kënaqshme, sepse shqiptarët nuk janë rreth 25 për qind e popullsisë së vendit, siç e paraqet censi i fundit, por është mbi 30 për qind, madje mund të jetë edhe 40 për qind. “Popullsia shqiptare në Maqedoninë e Veriut është më e madhe se krejt popullsia aktuale e Malit të Zi,” theksoi Ahmeti. Falë luftës së UÇK-së, Marrëveshjes së Ohrit dhe rolit të BDI-së, në Shkup është ngritur shtatorja e shqiptare Nënë Tereza, shtëpia e saj muzé, është ngritur përmendorja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, theksoi Ahmeti. Falë luftës së UÇK-së, Marrëveshjes së Ohrit dhe rolit të BDI-së shqiptarët sot kanë tri Universitete.
Shefi i opozitës shqiptare në MV tha: “Ne shqiptarët e MV e kemi pranuar gjuhën e maqedonasve, e kemi pranuar kulturën e maqedonasve, e kemi pranuar identitetin e maqedonasve. Është radha e maqedonasve që ta pranojnë gjuhën shqipe, kulturën shqiptare, identitetin shqiptar në MV.” Ahmeti shpalli synim imediat të Bashkimi Demokratik për Integrim zgjerimin e partisë edhe me anëtarësi nga bashkësitë e tjera të vendit, duke e bërë BDI-në partinë e parë tejnacionale të MV pas mbarimit të Luftës së Ftohtë.” Bashkëjetesën dhe jo jetesën paralele, përfshirjen dhe jo përjashtimin, rritjen e barazisë dhe jo të hendeqeve ai i quan çelës të suksesit të këtij shteti.

Gjatë vizitës sonë në komunën e Tetovës, me keqardhje, ne mësuam se nxënësit maqedonas nuk shkojnë në shkollat publike të Tetovës dhe të vendbanimeve të tjera shqiptare të MV-së. Që aty, në fakt, njëri komunitet, ai maqedonas, përjashton bashkëjetesën e mirëfilltë me komunitetin tjetër të madh të MV-së, shqiptarët, dhe kështu përvijohet jetesa paralele. Bashkëjetesa, dihet, çon në forcimin e shtetit, shëndoshjen e shoqërisë, perspektivën e sigurt të MV-së. Jetesa paralele, pashmangshëm, çon krejtësisht në të kundërt. Derisa shqipja të gjejë zbatim, sipas Kushtetutës së MV-së, si gjuhë nacionale e këtij vendi, krahas maqedonishtes, vështirë se mund të flitet për bashkëjetesë të mirëfilltë në këtë shtet.

Pikëpyetje ndaj një projekti
Profesor doktor Xheladin Murati (Xhepçishtë, Tetovë- 15 shkurt 1942), figurë e ndritur e arsimit shqip, i mendimit pedagogjik dhe mësimdhënies shqip, deputet nga radhë e Partisë së Prosperitetit Demokratik, anëtar i Këshillit të Sigurisë dhe nënkryetar i Kuvendit të MV në dy mandate, 1991-1994 dhe 1994-1998, na priti në auditorin e madh të Universitetit publik “Fadil Sulejmani” në Tetovë.
Z. Murati iu vë shumë pikëpyetje optikave zyrtare ndaj së shkuarës, realitetit dhe së ardhmes së këtij projekti që tashi quhet Maqedonia e Veriut. Sipas tij, shkaktare kryesore e problemeve të vendit nuk janë faktorët fqinjësorë, por mendësia komuniste e maqedonasve. Ai rendit: Republikë jugosllave që nga 1944, Maqedonia i trajtoi shqiptarët si pakicë kombëtare me të drejta të reduktuara, ndërmori dënime, represione, përjashtime, diferencime, presion për shpërngulje për në Turqi, burgosje të mësuesve, intelektualëve, e tjerë si nacionalistë, irredentistë, përkrahës të demonstratave të shqiptarëve të Kosovës e tjerë. Edhe pas shpalljes së pavarësisë, nën Kiro Gligorovin, Maqedonia nuk e ndryshoi qëndrimin ndaj shqiptarëve. Në këtë kohë, shqiptarët nuk e votuan kushtetutën, nuk e votuan referendumin për pavarësi, por mbajtën referendumin e tyre për autonomi politiko-territoriale. Për këtë shkak, pati shumë parti maqedonase, shoqata, OJQ, komuna, kolektiva të ndryshme që kërkuan të fshihet nga regjistri e vetmja parti shqiptare e atëhershme e shqiptarëve, Partia për Prosperitet Demokratik. Në dy legjislaturat e para partitë maqedonase dhe pushteti maqedonas ishin shumë kufizuese ndaj kërkesave të shqiptarëve, nuk u pranua asnjë amandament, asnjë ligj, asnjë hapje e institucioneve kulturore shqiptare. U bë mollë sherri përdorimi i flamurit kombëtar. Më 9 qershor 1997 ndodhi intervenimi policoro-ushtarak ndaj dy komunave shqiptare, Tetovë e Gostivar. Përpos burgosjes së kryetarëve, u vranë 3 veta, mbi 70 u rrahën, morën lëndime trupore, u shtruan në spitale. Deri më 2001 maqedonasit, udhëheqjet e tyre, partitë maqedonase ishin shumë kufizues ndaj lirive qytetare, arsimit shqip, gjuhës shqipe, kulturës shqiptare, përfaqësimit në pushtet, zhvillimit territorial të balancuar e tjerë.

Profesori është kritik ndaj UÇK-së, e cila, doli në mal për ndarjen e Maqedonisë, duke e ndërruar më vonë kursin se po luftojnë për barazi kombëtare. Është kritik ndaj ndërtimit të brendshëm të shtetit, i cili, nga 31 komuna sa kishte deri më 1990, krijoi 123 komuna, duke e zbritur më vonë në 84, numër tepër i madh, sipas tij, çka vetëm e mbingarkon administratën publike.
Mendësisë komuniste të maqedonasve ia vë fajin Profesor Murati për zhvillimet që çuan deri te 13 gushti 2001 i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit për të drejtat e shqiptarëve, edhe për ato që çuan tek 17 qershori 2018 për ndërrimin e emrit, të tilla, sipas tij, janë edhe problemet aktuale me Bullgarinë. Profesor Murati thekson se Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është sfida më e madhe për integrimin evropian. Edhe pse reagojnë me fjalë, sipas tij, maqedonasit në fakt janë pajtuar me këtë marrëveshje. Profesori thotë: “Maqedonia do të zvarritet edhe gjatë kohë nëpër korridoret e BE-së dhe labirinthet e historisë,” mendon profesori. Dhe shton: “Mendoj se frika themelore qëndron në faktin se, posa bullgarët të bëhen pjesë e kushtetutës, pra 3 500 veta, shpejt do të rriten në 20 për qind dhe atëherë maqedonasit do të mbeten pakicë. Kjo implikon nevojën të bëhet ridefinimi i shtetit.”
Ashtu si Ali Ahmeti, edhe Profesor Murati e thekson se “qëndrimet e shqiptarëve ndaj shtetit të MV dhe ndaj popullit maqedonas janë afirmative dhe pozitive, sepse shqiptarët e pranojnë shtetin e MV, e njohin identitetin maqedonas, gjuhën, kulturën, historinë, personalitetet e tyre, ndërsa maqedonasit nuk tregojnë korrektësi ndaj shqiptarëve, sepse ata ua mohojnë atyre emrat shqiptarë të rrugëve, mohojnë personalitetet shqiptare nga historia, nuk lejojnë që në Tetovë të ndërrohen emrat e rrugëve dhe të shkollave, edhe pse ato mbajnë emra të ish komunistëve e të ngjashme. Figurat shqiptare konsiderohen nga maqedonasit si ballistë, nacionalistë, irredentistë.”
(Megjithatë, konstaton Profesori, ka figura maqedonase që reflektojnë ndaj së vërtetës. Lubçe Georgievski, atëherë kryeministër, para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, doli me qëndrimin që Tetova, Gostivari dhe Dibra t’i bashkëngjiteshin Shqipërisë, çka shqqiptarët nuk e pranuan: “Lubçe Georgievski sot flet gjerësisht se Shkupi është qytet Dardan, ka qenë kryeqytet i Dardanisë, se viset shqiptare janë dardane dhe se këtu është shtrirë Iliria.”)
Qeveria e udhëhequr nga VMRO, tërheq vëmendjen Profesori, faktikisht po bën maqedonizimin e MV-së, sepse po ndodh heqja e gjuhës shqipe, nuk po respektohet dygjuhësia e tjerë: “Gjykata Kushtetuese e MV-së e suprimoi balancuesin, i cili ishte një mjet për sigurimin e barazisë në punësime e administratë. Kohë më parë e paralajmëroi edhe shqyrtimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës së 20 përqindëshit, me të cilin nënkuptohet gjuha shqipe. U paralajmërua se do të bëhet abrogimi i ligjit në tërësi ose do të shfuqizohen disa nene të ligjit.”
Shikimin përtej fqinjëve
Denko Maleskin (Shkup, 14 nëntor 1946) e takuam në auditor në Universitetin publik të Shkupit. Vjen nga një familjet më të besuara të Maqedonisë Veriore, themeluese të saj. Është i biri i Vlado Maleskit, i cili, diku nga viti 1942, shkroi tekstin “Dielli lind mbi Maqedoni” që u bë hymn kombëtar i maqedonasve veriorë. Intelektual, diplomat, profesor i politikës ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare, autor i shumë botimeve, studimeve, eseve, një ndër think tankët më me ndikimin në politikën e vendit, Denko Maleski ishte ministri i parë i Jashtëm i vendit nga 1991 deri më 1993, pastaj ambasador në Kombet e Bashkuara (1993-1997), për t’iu rikthyer sërish jetës akademike.

Profesor Maleski mbahet mend për këto qëndrime të famshme:
Më 2006 një televizioni grek i tha: “Ideja se Aleksandri i Madh na përket neve, ishte vetëm në mendjen e disa grupeve politike të huaja! Këto grupe ishin të parëndësishme në vitet e para të pavarësisë sonë, por problemi i madh është se kombet e vjetra ballkanike mësuan të legjitimojnë veten përmes historisë së tyre. Në [Ballkan], nëse doni të njiheni si komb, duhet të keni një histori 2000 ose 3000 vjeçare. Pra, meqë ju [grekët] na keni bërë të shpikim një histori, ne e shpikim atë! . . . Ju na detyruat ne të biem në prehrin e nacionalistëve ekstremë që sot pretendojnë se jemi pasardhës të drejtpërdrejtë të Aleksandrit të Madh.”
Në vitin 2007, Maleski tha se kombi i veçantë maqedonas u formua në Luftën e Dytë Botërore. Ai gjithashtu deklaroi se maqedonasit dhe bullgarët ishin një komb në të kaluarën. Në një intervistë në vitin 2020 për një kanal televiziv bullgar, lidhur me çështjet dypalëshe maqedono-bullgare, ai tha se “pala maqedonase duhet të përballet me të vërtetën objektive historike”, dhe “pala bullgare duhet të përballet me realitetin e ekzistencës bashkëkohore të kombit dhe gjuhës maqedonase”.
Edhe në takimin me ne Maleski iu përmbajt pikëpamjes së tij se fati midis dy palëve ishte ndarë me krijimin e Jugosllavisë, ndërsa ky fat u nda përfundimisht në Luftën e Dytë Botërore. “Bullgarët na e mohojnë edhe gjuhën, thonë se është dialekt e jo gjuhë. Por maqedonishtja është gjuhë aq sa është sllovenishtja, malazezçja, boshnjakishtja, kroatishtja dhe serbishtja.” Sikurse mikpritësit tanë nga politika, që nga zëvendëskryeministri i parë i MV Izet Mexhit, te ministri i Shëndetësisë dhe kryetar i koalicionit VLEN Arben Taravari, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ishte Presidenti vendit Stevo Pendarovski, e tjerë, edhe Profesor Maleski për ngecjen e dialogut me palën bullgare e fajëson paqëndrueshmërinë politike në Sofje, pasi vullneti dhe gatishmëria për arritjen e marrëveshjes nuk ka munguar nga ana e MV.
“Në Jugosllavi ne nuk ishim të pakënaqur, pranon Profesor Maleski. Kur nisi shpërbërja e federatës, na u premtua se nuk do të ketë Kroaci të Madhe, as Serbi të Madhe, as Shqipëri të Madhe (shënojmë këtu se ndërkohë profesori nuk e përmend mundësinë e një Bullgarie të Madhe). Me zhvillimet aktuale në Republikën Serbe, frut i një spastrimi etnik, përfshirë këtu Srebrenicën, që u njoh nga bashkësia ndërkombëtare, nuk mund flitet më si në fillimet e shpërbërjes së federatës. Dihet fati i serbëve të Bosnjës, dihet fati i kroatëve të Bosnjës, nuk dihet fati i boshnjakëve. Tashi flitet edhe për largimin e Bondstillit. Bondstilli është vetëm 40 kilometra prej këtu dhe është garanci sigurie jo vetëm për Kosovën, por edhe për Maqedoninë dhe për krejt rajonin, i cili para pak vitesh ka dalë nga disa luftëra të përgjakshme. Trumpi është i paimagjinueshëm.”
Në këtë kontekst, Profesor Maleski është shpresëpakët edhe ndaj së ardhmes së BE-së dhe, prandaj, e shikon të zymtë të ardhmen e rajonit. I pyetur nga ne se më pranë kujt prej fqinjëve e gjen MV-ja veten në situatën e pritshme, Profesor Maleski u përgjigj se në situata të tilla kërkohet roli i një fuqie të madhe. Tërthor Profesori iu përgjigj pyetjes sonë: “Vendi i parë që e njohu Maqedoninë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ishte Bullgaria, i dyti ishte Turqia, vend i cili ka mbajtur marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë.” Rolin e Turqisë ndaj këtij MV-së e theksoi më parë një bashkëbisedues mbresëlënës, Stevo Pendarovski, Presidenti i pestë i vendit, 2019-2024, (Shkup, 3 prill 1963). Ditën tjetër, ndërsa ne të APES-it po vizitonim Urën e Gurit të Shkupit, kryeministri Mickoski vizitonte Ankaranë dhe Erdogani deklaronte se miqësinë midis Turqisë nuk e tund dot asgjë në botë dhe se ajo është e fortë si Ura e Gurit në Shkup, urë që është simboli kryesor i qytetit, e ndërtuar mbi themelet romake me mbështetjen e Sulltani Mehmetit II pushtuesit në vitet 1451- 1459. Ura lidh të dyja anët e qytetit. Në njërën anë të Vardarit janë shqiptarët, në anën tjetër maqedonët, “të vetësegreguar”, shkruajnë enciklopeditë. Erdogani nënvizoi sidomos marrëdhëniet dy vendeve në fushën e industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes. Pak ditë më vonë Mickoski hidhte një tjetër shikim përtej fqinjëve, teksa takohej në Budapest me Orbanin.


Profesor Maleski i pranoi problemet mes maqedonsave dhe shqiptarëve në Maqedoninë Veriore. “Ishin shumë të gabuara slloganet e maqedonasve se “shqiptarët e kanë vendin në Shqipëri” ose “t’i përzëmë shqiptarët në Shqipëri”. Pastaj ndodhi përplasja midis UÇK-së dhe forcave të armatosura të Maqedonisë. Për pak, po të mos ishte bashkësia ndërkombëtare dhe Marrëveshja e Ohrit, vendi do të kalonte në luftë civile. Për pajtimin midis dy popujve, edhe 100 vjet janë pak,” ishte i mendimit Denko Maleski.
Shqiptarët – dorë e zgjatur edhe në MV
Në ndërkohët mes takimeve zyrtare, delegacioni i APES u njoh edhe me segmente kulturore e shpirtërore shqiptare që e pasurojnë dhe e dallojnë kulturën dhe, në përgjithësi jetën shpirtërore të vendit. Është jo pa domethënie se dy Nobelat që kanë marrë shqiptarët, të vetmet Nobela edhe për MV-në iu përkasin pikërisht dy figurave nga kjo hapësirë, Shën Nënë Tereza dhe Ferid Murati. Shtëpia përkujtimore për Shën Nënë Terezën, përuruar më 30 janar 2009, është ngritur aty ku, deri në tërmetin e vitit 1963, gjendej Kisha Katolike “Zemra e Shenjtë e Krishtit”, në të cilën Gonxhe Bojaxhiu, u pagëzua vetëm një ditë pas lindjes. Ne vizituam edhe truallin ku dikur ndodhej shtëpia ku lindi Shën Nënë Tereza fare pak larg qendrës së kryeqytetit.

Është mahnitëse të vizitosh të famshmen Xhamia e Larme, një kryevepër ndër objektet me karakter fetar, dhe kompleksin kulturor e historik, në të cilin përfshihet edhe Teqja e Harabatisë dhe Kalaja e Tetovës. Xhami e Larme u ndërtua më 1495. Më 1689 gjithë qytetin e Tetovës e kaplonte zjarri pas betejës me ushtrinë austriake, si pasojë xhamia digjej deri në themel. Më 1815 u rindërtua. Më 1833 u bë zbukurimi nga mjeshtër të ardhur nga Dibra. Asnjë hapësirë në fasadë as interier nuk është lënë pa zbukurime artistike, prandaj e ka edhe emrin Xhamia e Larme.
Shoqëruesi ynë në këto vizita na sqaron se për realizmin e këtyre pikturave janë përdorur të bardhat e vezëve (20,000 vezë), gjaku dhe ngjyrat minerale. Ndër zbukurimet e brendshme janë veçanërisht mahnitëse buqeta lulesh, gjethe akantusi, kalaveshë rrushi dhe 12 medaljone të pikturuara që përmbajnë 12 emrat e të dërguarve të Zotit. Ndërsa në kube janë të paraqitur peisazhe piktoreske nga qytete të ndryshme përfshirë Stambollin, Venedikun, Mekën si dhe pamje nga xhami të ndryshme si: xhamia e Ethem Beut në Tiranë, Xhamia e Beqarëve në Berat. Në xhami janë bërë punime konservuese më 1967, 1979 dhe 1981.
Në Tetovë ne patëm një darkë pune në selinë e “Ecolog” të Lazim Destanit (23 gusht 1954, Bezovcë, Tetovë) një firmë me veprimtari në 55 vende të botës. Nga zonja Pranvera Kasami dhe kolegët e stafit të “Ecolog”, ne mësuam për sukseset e firmës dhe vizionet e pronarit të saj, sipërmarrës, investitor, filantrop, si dhe mbështetës etnuziast i popullit shqiptar e i vendeve të Ballkanit, përkrahës i integrimeve euroatlantike të rajonit. Ndër të tjera është edhe pronar i klubit futbollistik të suksesshëm “Shkëndija” të Tetovës. Te “Ecolog” folëm edhe për rolin e diasporës shqiptare në përgjithësi, të asaj të MV në veçanti, në Zvicër, ku jetojmë ne dhe kudo tjetër në Evropë e në botë. Kjo temë e rëndësishme u trajtua edhe me ambasadoren e Zvicrës në Shkup Véronique H. Marti dhe me të gjithë bashkëbiseduesit tanë.
Në Universitetin publik “Fadil Sulejmani” të Tetovës, në një murale para se të hysh në auditorin e madh janë portrete e figurave më të mëdha të kombit shqiptar, shumë prej tyre janë nga hapësira shqiptare në MV. Këta dhe shumë të tjerë nga të gjitha fushat e dijes, artit, kulturës, shkencës, me famë ndërkombëtare, emrat e tyre, shtatoret e të cilëve do të nderonin rrugët dhe sheshet e krejt MV-së.
Profesor Xheladin Murati na foli për lajmin veçanërisht të mirë se dijetarët nga kjo hapësirë kanë krijuar Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe po presin legalizimin e saj. Përderisa ka një Akademi Maqedonase, ku nuk ka vend për kolegët shqiptarë, natyrshëm do të ketë edhe një akademi të shqiptarëve. Edhe kjo një tjetër dorë e zgjatur e shqiptarëve në MV.


Një e vërtetë tjetër e pakundërshtueshme u shqiptua me plot gojën nga zëvendëskryeministri i parë i vendit Izet Mexhiti e nga ministri i Shëndetësisë dhe shef i koalicionit VLEN Arben Taravari, si dhe nga shefi i opozitës shqiptare Ali Ahmeti: Shqipëria dhe Kosova janë dy fqinjët më të mirë të Maqedonisë Veriore. Të dyja këto shtete e kanë dëshmuar prirjen dhe interesimin për të ofruar dhe për të krijuar hapësirë ndaj MV-së. Kosova e ka sjellë autostradën “Arbër Xhaferi” deri në Bllacë. Edhe Shqipëria po e sjell autostradën deri në kufirin shtetëror, në katrorin e Korridorit VIII, shpallur që në vitin 1991. Ministri Taravari na tha se i është dhënë përparësi nga kjo qeveri autostradës me Shqipërinë, ndërsa autostrada me Kosovën, e gjatë vetëm 12 kilometra nuk do të lihet pas dore. Kryetari i komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami ( Tetovë, 31 korrik 1975 ) na bëri të ditur se po punohet edhe në autostradën Tetovë- Prizren.
Në përmbyllje nuk mund të mos rikujtojmë vizionin e Boris Trajkovskit, përmendur në krye të shkrimit: “Republika e Maqedonisë po ndërtohet mbi idealet dhe vlerat demokratike, jo mbi grupet etnike. Këto ideale dhe vlera përfshijnë mundësitë ekonomike, mundësitë e gjuhës dhe të arsimit, të drejtat fetare dhe proceset politike.”
Në MV, sa herë që vijmë, ne ndihemi në shtëpinë tonë, pothuaj si në Shqipëri dhe Kosovë. Dhe çdo herë largohemi me dëshirën që të kthehemi përsëri dhe ta gjejmë përherë e më mirë këtë vend.


Fotot: Peter Kenny & Pierre Virot