Pamje nga Kukesi sot
Pas dy ditëve të para të festës së vitit të ri, për banorët e qarkut të Kukësit dimri është shfaqur me gjithë ashpërsinë e tij, me temperature të ulta dhe reshje të dendura bore.
Reshjet e borës janë shfaqur fillimisht në bashkinë e Tropojës, ku trashësia e borës ka arritur në 20 centimetra, ndërsa nga mesdita, reshjet e dendura të dëborës janë bërë prezente në të gjithë rajonin.
Burime zyrtare të policisë rrugore bëjnë të ditur se, si pasojë e ngricave dhe reshjeve të dëborës, kanë nisur të shfaqen edhe vështirësitë e para në lëvizjen e mjeteve në akset kryesore rrugore. Kështu në aksin rrugor tuneli i Kalimashit-Kukës-Morinë, trashësia e dëborës ka arritur në mbi 15 centimetra.
Për mbajtjen nën kontroll të situatës po punojnë 4 borëpastruese.
Ndërsa në akset rrugore Krumë – Qafë Prush, Bajram Curri – Lekbibaj, Bajram Curri – Qafë Morinë dhe Bajram Curri – Valbonë, ku trashësia e borës ka arritur në rreth 20 centimetra, nga policia u është kërkuar drejtuesve të mjeteve të lëvizin me shpejtësi të kufizuar dhe me zinxhirë.
Për mbajtjen nën kontroll të gjendjes nga firmat kontraktuese që tashmë janë të gjitha në punë në akset rrugore që kanë marrë përsipër, po hidhet kripë e skorje me synim mbajtjen e tyre hapur, pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës që po vazhdojnë.
Reshjet e dëborës në zonat më të thella kanë krijuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve. Kështu në akset rrugore Kukës – Shishtavec, Kukës – Peshkopi është vështirësuar ndjeshëm lëvizja e mjeteve. Ndërsa reshjet e dendura të dëborës thuajse e kanë bërë të pakalueshme aksin rrugor që lidh Kukësin me zonën e Arrnit. Po ashtu thuajse e pakalueshme është bërë rruga që lidh zonën e grykë Cajës dhe Kalimashit sit me qytetin e Kukësit për shkak të trashësisë së dëborës që ka arritur në mbi 20 centimetra.
Ndërkohë, si rrjedhojë e reshjeve të shiut gjatë paradites së sotme ka patur edhe rrëshqitje të dherave e gurëve në trasenë e autostradës.
Gjithsesi, deri tani situata është mbajtur nën kontroll dhe lëvizja e mjeteve ka vazhduar normalisht, edhe pse me shpejtësi të limituar.
Gjithsesi vazhdimi I reshjeve të dendura të dëborës gjatë orëve të natës mund të sjellë përkeqësim të situatës, vecanërisht në zonat e larta malore, bile edhe izolim të fshatrave rurale.
RIZA HOXHA
Komentet