Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi selinë e trupave ruse që luftojnë në udhëtimin e tij të dytë në territoret e kontrolluara nga Rusia, që nga muaji mars.
Një video e publikuar nga Kremlini dhe e transmetuar nga televizioni shtetëror rus shfaqte Vladimir Putinin duke vizituar postin komandues të forcave ruse në rajonin jugor të Khersonit. Ne video shfaqet presidenti rus duke mbërritur me helikopter për të marrë raporte nga zyrtarët ushtarak për situatën.
Udhëheqësi rus më pas u zhvendos me helikopter në selinë e Gardës Kombëtare Ruse të rajonit lindor të Luhanskut, për të dëgjuar raportin nga komandantët.
Në të dyja zonat, Vladimir Putini uroi ushtrinë për Pashkët ortodokse që u kremtuan të dielën dhe u dhuroi atyre ikona.
Rusia aneksoi rajonet Kherson dhe Luhansk së bashku me rajonet Donetsk dhe Zaporizhia në shtator, një veprim që u hodh poste nga shumica e vendeve të botës si i paligjshëm.
Ishte e pamundur të vërtetoheshin në mënyrë të pavarur pamjet e vizitave të presidentit Putini që u publikuan nga Kremlini.
Muajin e kaluar, Vladimir Putini vizitoi qytetin port të Mariupolit në detin Azov, i kontrolluar nga Rusia, i cili u pushtua nga trupat ruse në muajin maj të vitit të kaluar pas dy muajsh luftime të ashpra.
Udhëtimet e presidentit rus ndodhën ndërsa Ukraina po përgatitet për një kundërofensivë të re për të rimarrë territoret e pushtuara.
Lufta e Rusisë në Ukrainë është kthyer në një ngërç mes luftimeve të ashpra në lindje të vendit, veçanërisht rreth qytetit Bakhmut, i cili për 8 muaj e gjysmë ka qenë skena e betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se po blejnë kohë duke lodhur forcat ruse në betejë, ndërsa Kievi përgatit një kundërofensivë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka argumentuar se nëse Rusia fiton betejën e Bakhmutit, mund t’i krijojë mundësi Vladimir Putinit të provojë të sigurojë një mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje, që do t’i kërkonte Ukrainës të bëjë kompromise të papranueshme për t’i dhënë fund luftës.