Presidenti rus, Vladimir Putin ka reaguar pas publikimit të listës nga Departamenti amerikan i Thesarit në të cilën janë të përfshirë 210 zyrtarë rusë dhe miliarderë, të cilët konsiderohen të afërt me Putinin dhe në të ardhmen mund të përballen me sanksione.
Putin e ka cilësuar listën, “akt armiqësor”.
I publikuar sot, i ashtuquajtuari Raporti i Kremlinit, përbëhet nga 114 figura politike ruse dhe 96 “oligarkë”, për të cilët autoritetet amerikane thonë se kanë fituar pasuri apo fuqi përmes lidhjeve me Putinin.
Putin e ka kundërshtuar raportin, duke thënë se mund të komplikojë marrëdhëniet me Uashingtonin, të cilat edhe ashtu tanimë janë të tensionuara.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë synuar targetimin e çdo qytetari rus, mirëpo në të njëjtën kohë ka dhënë shenja, se Moska mund të mbetet e heshtur.
“Ne nuk kemi qëllim të përshkallëzojmë situatën”, ka thënë Putin.
“Ne dëshirojmë dhe synojmë që me durim të ndërtojmë marrëdhënie të çfarëdo shkalleje për të cilat është e gatshme ana amerikane”, ka thënë ai në një takim me mbështetësit e tij në fushatën për rizgjedhjen si president.
Komentet