Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka akuzuar vendet anëtare të NATO-s për pjesëmarrje në konfliktin në Ukrainë, duke i dhuruar armë këtij shteti, dhe ka thënë se Perëndimi po planifikon të shkatërrojë Rusinë.
“Ata po dërgojnë armë në Ukrainë në vlerë të miliarda dollarëve. Kjo është pjesëmarrje”, ka thënë Putin në një intervistë për kanalin Rossiya-1.
“Kjo nënkupton që ata janë duke marrë pjesë, ndonëse jodrejtpërdrejt, në krimet që po kryhen nga regjimi i Kievit”, ka thënë Putin.
Ekspertët e ligjit ndërkombëtar pajtohen se dërgimi i armëve në luftë nuk e bën furnizuesin palë në konflikt – pavarësisht se çfarë armësh janë ato.
Putin ka thënë se vendet perëndimore kanë “një qëllim të vetëm – për të shkatërruar ish-Bashkimin Sovjetik dhe pjesën e tij kryesore – Federatën Ruse”.
“Vetëm atëherë ata ndoshta do të mund të na pranojnë në të ashtuquajturën familje të njerëzve të civilizuar, mirëpo vetëm ndaras, secilin veç e veç”.
Përgjatë intervistës, Putin i ka përsëritur thirrjet për një botë multipolare dhe ka thënë se “nuk ka dyshim” që kjo do të ndodhë.
“Çka kundërshtojmë ne? Jemi kundër faktit që kjo botë e re, që po merr formë, është duke u ndërtuar vetëm në bazë të interesave të një vendi, Shteteve të Bashkuara”.
“Tani që tentimet e tyre për të rikonfiguruar botën sipas dëshirës së tyre, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, kanë rezultuar me këtë situatë, ne jemi të obliguar që të reagojmë”, ka thënë mes tjerash Putin.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.