Raportohet se janë bastisur zyrat e Wagnerit në Shën Petersburg
Zyrtarët rusë për zbatim të ligjit raportohet të kenë kryer bastisje në zyrat e Wagnerit në Shën Petersburg.
“Zyrtarë për zbatim të ligjit kanë hyrë në Qendrën e Wagnerit në Shën Petersburg”, ka raportuar mediumi Fontanka.
Sipas saj, dy autobusë me forca speciale të policisë dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare kanë hyrë në ndërtesë.
Britania: Wagneri është nisur drejt Moskës
Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë në përditësimin e fundit të saj se disa njësite të Wagnerit “janë nisur në veri përmes rajonit Voronezh, dhe pothuajse me siguri e synojnë Moskën”.
Vorenezh shtrihet në mes të Moskës dhe Rostov-on-Donit, qytetit rus të cilin Wagneri pretendon se tani e kontrollon.
Polonia po e monitoron situatën në Rusi
Presidenti polak, Andrzej Duda, ka thënë të shtunën se është konsultuar me kryeministrin dhe Ministrinë e Mbrojtjes rreth situatës në Rusi, duke shtuar se Varshava është duke e monitoruar situatën.
“Rrjedhja e ngjarjeve përtej kufirit tonë lindor është duke u monitoruar vazhdimisht”, ka thënë ai.
Britania: Shteti rus po përballet me sfidën më të madhe të kohëve të fundit
Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë të shtunën se shteti rus është duke u përballur me sfidën më të madhe të sigurisë në kohët e fundit.
“Në orët e ardhshme, besnikëria e forcave ruse të sigurisë dhe sidomos e Gardës Kombëtare të Rusisë, do të jetë kyçe rreth asaj se si do të zhvillohet kriza”, ka thënë ministria britanike përmes një deklarate. REL