Vrasja Ditën Kombëtare të Rinisë e një të riu 25-vjeçar nga policia e shtetit në derën e shtëpisë, tregon më së miri se ku ka degraduar dhe degjeneruar shteti në Shqipëri. Fatkeqësisht sot ne kemi një shtet ku policia e shtetit që paguhet me taksat tona për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, jetën dhe pronën e qytetarëve si gjërat më të shenjta, vret një të ri 25-vjeçar, të pafajshëm, të pa-armatosur dhe krejt të pa-rrezikshëm. Policia e vrau Klodjan Rashën pa shkak dhe arsye, pa gjyq, pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me çdo ligj, dhe ky ishte krimi i parë i policisë. Por nuk mbaron këtu skema e krimit, pasi policia vazhdon krimin me mashtrime të pa-principta dhe falsifikime faktesh, me qëllimin e vetëm që të justifikojë krimin shtetëror të kryer nga kriminelë me uniformë policie.
Të gjitha versionet e policisë për ngjarjen janë fatkeqësisht të pavërteta dhe kanë vetëm një qëllim, që të fajësojnë “viktimën e krimit shtetëror”, duke e etiketuar fillimisht person me precedentë penalë apo probleme mendore, pastaj pasi ra kjo hipotezë fabrikuan gënjeshtrën tjetër se i riu kishte armë dhe vendosën një armë dikund rreth 200 metër larg vendit të krimit, siç bënin komunistët dikur duke future armë në kisha dhe xhami, dhe pastaj i vrisnin klerikët “për armë-mbajtje pa leje”. Gënjeshtrat e policisë vazhdojnë se i riu vdiq në spital, ndërkohë që ai ka dhënë jetë në vend, dhe ajo që iu vë kapak të gjitha dizinformimeve të policisë është fakti se i riu është qëlluar pas shpine, në ikje e sipër, gjë që rrëzon të gjitha gënjeshtrat e policisë.
Ndërsa krimi i parë ishte vrasja e të riut, krimi i dytë ishte dizinformimi publik nga autoritetet publike me qëllim për të mbuluar një krim, gjë që përbën vepër penale dhe dënohet nga kodi penal. Ky krim shtetëror nuk ndodh rastësisht dhe nuk është i pari, pasi rilindja që kur erdhi në pushtet në vitin 2013 e filloi me represion, me dhunë dhe terror mbi qytetarët e varfër që nuk “paguanin dritat”, duke i burgosur për dhjetë mijë leke të vjetra, dhe shumë prej këtyre qytetarëve për arsye morali, sedre apo nga turpi dhe zakoni, kaluan në depresion dhe vetë-vrasje, dhe ka pasur shumë raste të tilla. Në atë kohë askush nga qeverisja apo sekti i rilindjes nuk e hapi gojën, me qëllim që të ndalohej sadopak ky represion i ngjashëm me represionin serb në Kosovë gjatë viteve ‘80. Ndërkohë që arroganca dhe represioni i qeverisë së rilindjes ndaj qytetarëve rritej eksponencialisht me pasurimin e tyre të paligjshëm dhe inkriminimin e tyre. Nga njëra anë rritej arrogance ndërsa nga ana tjetër forcohej pushteti i drogës, horrave, vagabondëve, gangsterëve, banditëve.
Për pasojë arroganca dhe pushteti represiv rritej, ndërkohë që fryma kriminale e qeverisë çdo ditë e më shumë bëhej njësh me krimin. Dhe ja ku jemi sot, ja ku erdhëm, është vrarë një 25 vjeçar i pafajshëm, kanë kaluar më shumës se 48 orë nga vrasja shtetërore e Klodjan Rashës dhe askush nga qeverisja nuk ka kërkuar falje për krimin shtetëror, askush nuk ka dhënë dorëheqje, dhe ky është morali kriminal i kësaj qeverisje. Baballarët e tyre kanë vrarë 50 vjet rresht në diktaturë me dhe pa gjyq, me dhe pa ligj, dhe nuk iu hyri gjemb në këmbë, as nuk kërkuan falje, as dhanë llogari për krimet e kryera, por vdiqën si heronj me gjoksin e mbushur me dekoratat e krimit 50-vjeçar. Tani vrasin pinjollët e tyre, dhe as falje nuk kërkojnë, por këta nuk duhen falur. Asnjë krim i kësaj qeverisje kriminale nuk duhet falur. Ky krim shtetëror ka prekur shpirtin dhe zemrën e çdo shqiptari dhe ka ndërgjegjësuar të gjithë qytetarët e republikës dhe shoqërinë civile, të cilët kanë protestuar parmbrëmë në Shkodër dhe dje gjatë gjithë ditës në Tiranë. Asnjë jetë tjetër nuk duhet falur, asnjë kriminel me uniforme policie apo politikani, qoftë drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit, qoftë ministër, apo kryeministër nuk duhet falur. Populli duhet ngritur në këmbë për të përmbysur këtë klikë kriminale pasi nuk i meritojmë këta talebanë në pushtet, ata nuk duhet lejuar që të rrinë asnjë sekondë më gjatë në pushtet, dhe të gjithë kriminelët duhet të përballen me drejtësinë. Nëse nuk ndodh kjo, nesër askush se ka më jetën e sigurtë në këtë vend, jo vetëm nga bandat e rrugës që janë liruar nga burgjet nga kjo qeverisje, por edhe nga banditët me uniforma.
Dje u përcoll për në jetën tjetër Klodjani i pafajshëm që priste të martohej dhe të krijonte familje, që kishte ëndrra si çdo i ri për të ardhmen, por që ëndrrat e tij u këputën në mes nga plumbat e policisë së inkriminuar. Nëse ne heshtim dhe rrimë pasiv, radhën do ta kemi ne të gjithë, një e nga një dhe të gjithë së bashku, pasi kambanat po bien pareshtur për të gjithë ne. Opozita duhet të thërrasë urgjentisht të gjithë popullin në protesta, kësaj klike nuk i duhet dhënë më oksigjen, pasi duke i dhënë oksigjen kësaj bande, ata do të vazhdojnë që t’i japin plumba popullit!
Komentet