Drejtori i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi u pushua nga puna pas një interviste për Zërin e Amerikës lidhur me turizmin natyror në Shqipëri.
Agjencia e Zonave të Mbrojtura, përmend si shkak të pushimit nga puna mos-marrjen e lejes tek eprorët për intervistën.
Duke folur për Zërin e Amerikës, zoti Koçi thotë se shkaku është qesharak, pasi sipas tij, shkelja ishte etike dhe nuk përbën faj administrativ për pushimin nga puna.
Pas gati dhjetë vitesh në detyrë, Ardian Koçi, drejtor i Parkut Divjakë-Karavasta, Parku më i madh Kombëtar në Shqipëri, pushohet nga puna.
Më 12 shkurt të këtij viti, zoti Koçi u intervistua nga Zëri i Amerikës, së bashku me disa ekspertë të tjerë, lidhur me turizmin natyror në Shqipëri. 10 ditë pas intervistës, më 22 shkurt, ai njoftohet nga Drejtoresha e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, se ndaj tij kanë filluar procedurat disiplinore, pasi nuk kishte marrë leje për intervistën. Më 3 mars, vetëm 9 ditë pas fillimit të procedurave, atij i njoftohet zyrtarisht pushimi nga puna.
“Më erdhi shkresa që më lajmëronte ndërprerjen e detyrës sime më 8 Mars. Të them që erdhi si rrufe në qiell të pastër nuk e them dot. Mund të them që erdhi si një rrufe në qiell të vrenjtur, sepse më kishin dhënë shenja se kërkonin shkarkimin tim. Kohë më parë, në fund të janarit, unë jam thirrur nga drejtoresha ime e përgjithshme dhe më është kërkuar dorëheqja pa asnjë shkak, ose shkaku që ajo më tha ishte se unë përdorja shpesh Facebook-un dhe shpesh edhe në mënyrë kritike. Por u la një “por” dhe veç dorëheqjes u tha se “shiko se ne kemi edhe prova për abuzimet e tua” dhe unë preferova pas kësaj të ndiqja rrugën e dytë: I thashë unë nuk jap dorëheqjen, por ju vazhdoni dhe evidentoni povat e mija dhe më shkarkoni nëse ato janë të vërteta”, thotë zoti Koçi.
Në rregulloren e brendshme të Agjencisë, u kërkohet zyrtarëve të kërkojnë leje për intervista, por nuk është e qartë nëse mosrespektimi i saj është shkelje, që të çon deri në pushim nga puna. Po ashtu nuk është e paqartë, nëse një standard i tillë dhe masë ekstreme, zbatohet njësoj për të gjithë punonjësit e sektorit publik në Shqipëri. Në njoftimin dërguar zyrtarit në fjalë, agjencia nuk përmend ndonjë masë, apo vërejtje të marrë më parë ndaj tij, për shkelje të ngjashme.
“U gjet një shkak, për mua qesharak, një intervistë e imja që doli tek Zëri i Amerikës më datë 12 shkurt dhe që unë flisja për rreth 20-30 sekonda duke promovuar turizmin në park. Duke thënë shifra që ishin publikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, duke thënë një strategji, që në fund të fundit, është një strategji kombëtare e mbajtjes së turistëve në Shqipëri, se si ne turistin nga një ditë që konsumon sot në park ta mbajmë për disa ditë. Dhe kjo ishte gjithë intervista ime. Më thirrën në Komisionin e Disiplinës ku unë parashtrova argumenet e mija dhe akuzohesha se kam shkelur rregulloren e brendshme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që më ndalon dhënien e intervistave pa marrë leje nga eprori. Prisja një vendim tjetër mbase ndonjë vërejtje por më erdhi vendimi për ndërprerjen e marëdhënieve të punës.”
Zëri i Amerikës i kërkoi Ministrisë së Turzmit dhe Mjedisit, institucionit qëndror nga varet Agjencia e Zonave të Mbrojtura një prononcim per rastin dhe nje përgjigje se a parashikonte Kodi i Punës ndërprerje të marëdhënieve të punës për shkak të shkeljes e rregullores së brendshme për dhënien e intervistës pa miratimin e eprorit.
Deri në përgatitjen e kësaj kronike Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk iu përgjigj interesimit të Zërit të Amerikës.
Për transparencë me shikuesit, Zëri i Amerikës sjell citimin e plotë të zotit Koçi në kronikën për sfidat e turizmit natyror në Shqipëri transmetuar më 12 shkurt të këtij viti.
“Ka qenë një vit i sukseshëm do të thoja me mbi gjysëm milionë turistë që kanë vizituar Parkun Kombëtar Divjakë Karavasta nga të cilët rreth 65 mijë ishin turistë të huaj. “Kërkojmë që turisti që arrin këtu të mos harxhojë disa orë, por disa ditë, duke qëndruar në Park dhe kjo bëhet duke shtuar atraksionet turistike. Po punojmë për të shtuar itineraret. Nga ana tjetër përparësi është mbrojtja e mjedisit të parkut dhe resurseve të tij. Kaluam një vit të vështirë me një verë tejet të thatë dhe me rrezimshmëri për zjarret edhe në stinët që pasuan dhe kjo u përballua mjaft mirë nga stafi i parkut.”
Zoti Koçi thotë se gjatë këtyre viteve që ka drejtuar parkun ka dhënë intervista të shumta për mediat e njohura kombëtare dhe ndërkombëtare, për të promovuar parkun, pa marrë leje dhe as nuk i është tërhequr vëretjtja për to.
“Kemi përdorur për promvomimin e parkut rrjetin social Facebook, pasi nuk kishim një faqe të dedikuar në internet, si dhe reportazhet në mediat më të mëdha ndërkombëtare. Në argumentet që unë përdora në mbrojten time në ecurinë disiplinore, që më thirrën, përmenda 12 kanale televizive nga më të njohurit në botë përfshi Zërin e Amerikës, BBC, ARTE ZDF që me anën e reportazheve kemi bërë promovimin e zonës sonë.”
I pyetur se cilat kishin qenë disa nga sfidat në drejtimin e Parkut Kombëtar të Divjakë – Karavstasë Zoti Koçi u përgjigj:
“Sfida më e madhe ka qenë të përballosh presionin e zhvillimit ekonomik që ka zona, sepse gjithmonë ky presion vjen nga qeverisja. Sfidat e tjera kane qenë pastaj gjuetia, prerja e drurëve në park por këto ishin sfida më të lehta për t`u përballuar sepse ishin sfida ku kishe të bëje me persona të veçantë. Ndërsa të përballosh sfidën e zhvillimit ekonomik në kurriz të mjedisit kjo ishte diçka shumë e rëndë, por e kemi përballuar”. Sfidë tjetër ka qenë turizmi. Po të krahasojmë turizmin psh në vitin 2014 shifrat e turistëve në vit ishin 230-240 mijë nga të cilët 1500 ishin të huaj ndërsa sot numri kalon gjysëm milioni, nga të cilët 65 mijë janë turistë të huaj.
Zoti Koçi thotë se pas pushimit nga puna bëri një padi në gjykatën civile të Lushnjës për Agjensinë e Zonave të Mbrojtura për zgjidhjen e padrejtë të marrëdhënieve të punës dhe tha se do të largohet nga Shqipëria.
“Për fat të keq kam menduar të largohem nga Shqipëria. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 2010 dhe mendoja që ishte stacioni i fundit për mua, por do largohem përsëri për në Itali. Do më mungojë shumë natyra shqiptare, parku, por s’do rresht së luftuari për të mbrojtur natyrën. Sigurisht tani e bëj si qytetar i lirë, që nuk ka forcën që të jep ligji prapa për të mbrojtur natyrën por nuk do resht asnjëherë së mbrojturi atë. Cdo gjë të kësaj zone e kam dashur pasi jam rritur këtu. Kam kaluar fëmijërinë time dhe kur u caktova drejtor mu duk sikur u ktheva në vendin tim të lindjes, në familjen time. Ky ka qenë një park nga më problematikët në Shqipëri, një park ku rreth orës 13 – 14 pasdite gjuetarët fillonin të zinin vendet e gjuetisë dhe vijonin gjithë natën dhe tani është kthyer në një park të qetë dhe në një destinacion për turistët, jo vetëm vendas por dhe të huaj.”
Zoti Koçi, thotë se në punën e tij ka patur mbështetjen e njerëzve të thjeshtë, atyre që ishin të lidhur me natyrën, por ka patur përplasje me politikanët lokalë , që siç thotë ai, i kanë bërë presion.
“Fillimisht kisha edhe mbështetjen e politikës derisa fillova të konsiderohesha si një pengesë për politikanë lokalë edhe më gjerë në drejtim të lënies dorë të lirë për të vepruar në park si ata kërkonin”,thotë ai.
Zona Divjakë Karavasta për herë të parë u shpall park në vitin 1966 dhe në vitin 1994 zona është shpallur zonë natyrore ndërkombëtare Ramsar. Në vitin 2007 është shpallur Park Kombëtar me sipërfaqe të zgjeruar 22.230 ha.