Të nderuar miq !
Kemi ardhur sot këtu, për të përmbushur një detyrim moral, me vendosjen e një përmendoreje, kushtuar dëshmorëve të lirisë, të Lurës historike dhe legjendare.
Lura, e njohur më së shumti për të veçantën e liqejve malorë dhe për bukurinë natyrore, ka shkruar edhe faqe të lavdishme në Historinë e Shqipërisë.
Kur përmendim Lurën, na dalin përpara syve figura të tilla të ndritura, si Dom Nikoll Kaçorri, nënkryetari i Qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit; Ibrahim Gjoçi, luftëtar i paepur për Pavarësinë e Shqipërisë; bajraktari Tahir Mena, i vrarë në njërën nga luftërat kundër turqve osmanllinj; Hakik Mena me të vëllanë, Selmanin, të rënë heroikisht në luftën kundër serbëve e malazezëve, dhe shumë bij të tjerë të kësaj treve, që dhanë jetën për atdhe.
Ka hyrë në Historinë e Lurës e të Shqipërisë edhe Gjok Doçi, “Hero i Popullit”, i cili u vra duke luftuar trimërisht kundër pushtuesve nazi-fashistë. Por, po të jetonte, nuk dihet si do të përfundonte edhe ai; sepse Enver Hoxha nuk kurseu as shokët e tij më të ngushtë të luftës, si Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon e të tjerë, të cilët i shpalli “armiq të popullit dhe të Partisë”, “agjentë e poliagjentë”, dhe i dërgoi përpara skuadrave të pushkatimit.
Lura është edhe vendi ku në çastet më të vështira të historisë janë mbledhur kuvendet e burrave më të shquar të kombit tonë, kanë lidhur besën dhe kanë marrë vendime të rëndësishme për fatet e atdheut. Në Lurën njëqintpërqint shqiptare, ata kanë gjetur mikpritjen dhe sigurinë e duhur, për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. Shtëpitë e familjeve të mëdha lurjane, kanë shërbyer si salla kuvendesh dhe si vendstrehime për delegatët e mbledhur nga e gjithë Shqipëria.
Këtej ka kaluar Abdyl Frashëri me shokë, për të shkuar tek Lidhja e Prizrenit, ku morën pjesë edhe lurjanët Kol Bib Doçi, Hasan Kaca, Halil Mena dhe Ali Mena.
Po këtu do të vinte më pas edhe i biri i Abdylit, Mid’hat Frashëri, për të kryesuar Kuvendin e Lurës, që u mblodh në fundin e muajit gusht të vitit 1943, mbas dështimit të Konferencës së Mukjes. Për krijimin e kushteve të përshtatshme për qëndrimin e delegatëve dhe për zhvillimin e punimeve të Kuvendit, u kujdesën të gjithë banorët mikpritës të Lurës dhe veçanërisht familja Mena, Ibrahim Gjoçi dhe Llesh Doçi. Në atë Kuvend morën pjesë rreth gjashtëdhjetë përfaqësues të forcave nacionaliste prej krahinave të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht nga Veriu. Ishin të pranishëm edhe dy këshilltarë anglezë. U bisedua për mundësinë e shmangies së luftës civile, për të cilën po përgatiteshin komunistët, sipas udhëzimeve të këshilltarëve jugosllavë që nuk e donin bashkimin e shqiptarëve dhe të Shqipërinë etnike, me Kosovë e Çamëri. Ishte kjo arsyeja që Miladin Popoviçi e grisi dokumentin e Marrëveshjes së Mukjes dhe ia hodhi në fytyrë Enver Hoxhës, duke urdhëruar luftë pa kompromis kundër nacionalistëve, më shumë sesa kundër gjermanëve. Dhe ashtu u bë. Filloi lufta shqiptaro-shqiptare, me një tërbim të paparë drejt Veriut, i cili ishte bastioni i fundit i qëndresës antikomuniste. Pati qindra të vrarë nga të dyja palët, në luftimet për jetë a vdekje që u zhvilluan në Krujë, Mat, Dibër, Lumë dhe në Lurë, ku Mehmet Shehu vendosi shtabin e vet, për t’u përgatitur për sulmin e fundit mbi Mirditën e pamposhtur.
Shumë nga burrat e Lurës u grupan në çeta të vogla të armatosura dhe filluan qëndresën antikomuniste, përballë një ushtrie të madhe e të mirëarmatosur, të komanduar nga M. Shehu dhe nga vrasësit e tjerë komunistë.
Në pamundësi për t’i kapur dhe asgjësuar të arratisurit politikë, u arrestuan dhe u torturuan familjarët e tyre; iu dogjën shtëpitë, iu rrëmbyen bagëtitë dhe çdo pasuri tjetër. U krijua një atmosferë mbytëse për fshatarët e ndershëm e atdhedashës të Lurës, krejtësisht të pafajshëm. U internuan mjaft prej tyre në kampet e vdekjes, në Tepelenë, Porto Romano dhe nëpër llucat e Myzeqesë. U trondit dhe u shkretua Lura e bukur dhe paqësore. Filluan gjyqet e montuara të inkuizicionit të kuq, ku u dënuan me burg të rëndë mjaft persona dhe të tjerë u pushkatuan.
Po të llogariten edhe vrasjet në përpjekjet e armatosura midis Forcave të Ndjekjes dhe luftëtarëve të lirisë, numri i të pushkatuarve me gjyq e pa gjyq, arrin një shifër relativisht të madhe, në krahasim me numrin e banorëve të këtij fshati.
Ajo që bie në sy në listat e të pushkatuarve dhe të burgosurve për motive politike, të Lurës, është dënimi njëherësh i dy ose më shumë pjesëtarëve të të njejtës familje, gjë që synonte shpërbërjen dhe asgjësimin e disa familjeve fisnike, që ishin shquar në luftërat serbo-malazeze. Kjo bëhej sipas një studimi paraprak të “këshilltarëve jugosllavë”, Dushan Mugosha, Miladin Popoviç, Velimir Stoiniç, etj.. Kësisoj mbetën shumë fëmijë jetimë dhe grave iu duhej të përballonin vështirësitë e jetesës, të rënduar më së shumti edhe nga presionet psikologjike që ushtronin mbi to pushtetarët komunistë dhe operativët e Sigurimit.
Kështu, p.sh., ndër të pushkatuarit janë: vëllezërit Isa dhe Ali Mena, bijtë e Hakikut; Mark dhe Preng Rajta, bijtë e Gjergjit; Sulejman dhe Bajram Buci, bijtë e Hajredinit; Misim dhe Sulejman Vladi, bijtë e Dullës; Habib dhe Qazim Xhogjegja, bijtë e Ahmetit.
Por, më tronditëse dhe e pashembullt në Shqipëri e në vendet ish-komuniste të Evropës, është vrasja e Selman Menës dhe e gjashtë djemve të tij: Tahirit, Hasanit, Bajramit, Islamit, Qazimit dhe Monit. Është folur e shkruar fare pak ose aspak për krime të tilla të komunizmit të kryera në Shqipëri. Evropa i ka dënuar ato, përpara më shumë se 25 vjetëve, për të gjitha vendet ish-komuniste. Janë edhe dy Rezoluta Evropiane për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, paraqitur shtetit shqiptar për miratim dhe për vënien në zbatim. Të parën, të vitit 1996, Kuvendi ynë e anashkaloi dhe nuk e votoi. Të dytën, të dërguar dhjetë vjet më vonë, në vitin 2006, Kuvendi e miratoi, por qeveritë nuk e zbatuan. Qeveritarët e atyre viteve dhe të tjerët që erdhën më pas, as e kanë çarë kokën fare për këto kërkesa (formale) të Evropës. Po edhe Evropa nuk u ka kërkuar shumë llogari për këtë qëndrim; edhe pse mund të merret si një fyerje për të, mospërfillja e “Rezolutave” të saj dhe hedhja në koshin e plehrave. Përfaqësuesit e Evropës nuk kanë dëgjuar as zërin e shoqatave tona, kur në emër të atyre që përfaqësojmë kemi kërkuar drejtësi. Heshtja dhe harresa u intereson vrasësve komunistë dhe bijve e bijave të tyre, që jetojnë të qetë e të lumtur në këtë farë demokracie, të ndërtuar mbi gjakun dhe vuajtjet e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë të regjimit diktatorial. Asnjë forcë politike e derisotme nuk e ka marrë seriozisht dënimin e krimeve të komunizmit, si edhe rehablitimin e integrimin real të shtresës sonë. Qindra të pushkatuar për motive politike mbeten ende pa varre. Mijëra djem e vajza, nipër e mbesa të tyre dhe të ish-të burgosurve politikë apo të internuarve, edhe pse tanimë të shkolluar e të pajisur me mastera, mbeten të papunë e të përjashtuar nga veprimtaritë politike, sociale dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare. Në njëfarë mënyre vazhdon lufta e heshtur e klasave. Ligji numër 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë nga regjimi komunist”, ndonëse me një përllogaritje qesharake në krahasim me jetët e humbura, edhe tani mbas dhjetë vjetësh vazhdon të zvarritet . Zyrat qeveritare, të çdo force politike, janë të huaja e të mbyllura për këtë shtresë, së cilës nuk i njihet asnjë nga përparësitë që përcakton Neni 12 i Ligjit 7748, datë 29.07.1993 “Mbi Statusin e ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë nga Regjimi Komunist”.
Shtatë vjet më parë, shoqatat tona iu drejtuan qeverisë së asaj kohe, përkatësisht Ministrisë së Kulturës, që e kishte për detyrë, së cilës i paraqitëm kërkesën për ngritjen e një përmendoreje në Lurë, në kujtim të të rënëve nga diktatura komuniste; si edhe për vendosjen e një pllake përkujtimore tek Burgu i Vjetër në Tiranë. Fillimisht e gojarisht ato kërkesa u pranuan nga ish-ministri Ferdinand Xhaferi e pastaj nga ministri tjetër, Aldo Bumçi. Pastaj filloi zvarritja e çështjes, dhe justifikimi se “nuk kemi fonde”(!), deri sa u lanë në harresë e nuk u realizuan.
Pyetja e thjeshtë që del me këtë rast është kjo: vallë, me të vërtetë shteti që është shtet, nuk paska aq fonde sapër një pllakë pëkujtimore dhe për një memorial të thjeshtë?! Apo është vetëm mungesa e vullnetit politik të atyre partive, të veshura me petkun demokratik?
Sidoqoftë, është në nderin e Lurës dhe të birit të saj të denjë, zotit Dod Llesh Doçi, që kjo përmendore kaq shumë e pritur, tanimë është bërë një relitet i prekshëm, edhe pa ndihmën e ndonjë qeverie apo partie politike.
Këta burra dhe djem trima e fisnikë të Lurës, që nuk u pajtuan me regjimin diktatorial komunist dhe që u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar e të përparuar, si gjithë Evropa dhe bota e qytetëruar, e meritojnë të nderohen e të përkujtohen nga të gjithë ne si edhe nga brezat që do të vijnë. Ju faleminderit!
*Fjala e mbajtur në Lurë më 27 gusht 2017, nga Z. Tanush Kaso, Kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Shqipërisë, me rastin e vendosjes së përmendores kushtuar të pushkatuarve dhe të burgosurve politikë nga diktatura komuniste.
Po te pllaka e ish te perndjekurve more zotni ner radhe te pare duhe te heqen pllakat e atyre qei vrane keto harruemit ton .Pore pa u hheq kokat komunistave nuk bahen ato qe mendoni ju .Nuk duhet qe te kerkome meshire nga ato qe i qendruen besnik Sllavo Ruseve per shkatrrimin e kombit
Per kete qeveri qe ESHTE sot me shum rendesi ka memorial turk tek liqeni sesa vellavrasja turp kombetar