“I mjere ashte ai vend qe ka nevoje per heroj” (Bertolt Brecht)
“I mjere ashte ai popull qe ka nevoje per revolucione” (Timothy G.Ash)
Hyrje.-Njizete e pese vjet ma pare, nji e papritun e madhe u mireprit me entuziazem nga shqiptaret. Studentet e Universitetit te Tiranes (brezeni e indoktrinueme per 45 vjet me rradhe nga propaganda e PKSH/PPSH) u revoltuen dhe konfirmuen traditen revolucionare te brezenive te mapareshme Ata shqiptuen fjalet magjike dhe vendimtare:”Liri! Demokraci! E duam Shqiperine si gjithe Europa!”, qe do te mbeten te skalituna ne histori , ashtu si parullat “lufte kunder okupatorit”, (1939-45) e “rrofte Shqiperia e lire e demokratike” (1945-1990) E kaluemja komuniste 45 vjeçare u shkelmue si reaksionare e anti-popullore. Qielli i muzget i Shqiperise kerkonte drite – e drita erdhi fale guximit te studenteve tone. Te revoltuem, e me kerkesen e se rese qe frymezon e premton njikohesisht, ata formuluen “te ardhmen” me nji shprehje lapidare ne permbajtje, dhe esthetike ne formen e saj.”Liri! Demokraci!” perfaqsojshin dy themelet e shoqenise se lire dhe shtetit demokratik; “Europa” percaktoi rrugen qe duhej ndjeke, formen konkrete te nderteses se re qe duhej ngrite.
Shtatedhjete vjet ma pare, thirrja “Buke e paqe edhe liri” mobilizoi miljonet, e prindet e breznise se re.
Sot, “Liri! Demokraci” ishte thirrja e kohes sone! Kerkohet Europa!
***
Ne procesin e shperbamjes se imperatorise sovjetike, Shqiperia ka qene “dominoja” e fundit. Ne te gjitha vendet e Europes Lindore zhvillimi i levizjes pwr liri dhe demokraci filloi te ndjehet qe ne ditet e para te pushtimit ushtarak te atyne vendeve. Fryma e lirise dhe deshira per demokraci parlamentare u plotesuen, ne pergjithesi, paqesisht, me tolerance dhe mirekuptim ( me perjashtim te Rumanise)
Zhvillimi i tyne u thellue sidomos ne Aktin Final te Helsinki-t (1975) dhe rritjes se mundesise per monitorimin e shkeljeve te te drejtave dhe lirive te njeriut mbrenda kampit sovjetik Europa Lindore kishte perjetue dite te veshtira sidomos gjate viteve te mbas L2B dhe te rregjimit te diktatorit sovjetik J.V.Stalin (1945-1953) dhe periodikisht edhe invazione ushtarake sovjetike ne Berlin e Wroclaw (1953), ne Hungari (1956) dhe ne Çekosllavaki (1968), nga forcat e Traktatit te Varshaves. Kambengulja per respektim te lirise dhe dinjitetit te qytetarit u ba anmiku numer nji i tiranise!
Çdo nderhymje ushtarake sovjetike bashke me shtypjen pruni edhe forcimin e frymes te rezistences, ndergjegjsimin e popullsise per gjendjen e krijueme, dhe nevojen me u organizue, ne forma qytetare per shpetimin e nderit dhe dinjitetit te kombit “te robnuem”. Me rastin e pare, keto organizata fillestare –sidomos ne mesin e institutive fetare- moren jete, fituen mirebesimin e popullsise, grupeve intelektuale dhe qendrave punetore, dhe paralelisht edhe autoritetin e nevojshem me fole, me shkrue, dhe me drejtue opinionin publik ma pare, e veprimtarine ne politike ma vone. Kjo mundesi u krijue me ardhjen ne fuqi te Sekretarit te Pergjithshem te PKteBS, M.S.Gorbachev., udheheqes dinamik “me nji dimension njerezor” (Ronald Reagan), i vendosun “me çlirue” B.S. nga pesha e okupacionit te territoreve te Europes lindore.
Pa kercenimin ushtarak sovjetik, çlirimi i vendeve te E.L. u ba i mundun. Ish strukturat flillestare te rezistences u ringjallen, moren inisiativen, drejtuen masat e gjana qe kerkojshin liri e ne veprim kolektiv marshuen drejt emancipimit social nga komunizmi dhe çlirimit kombetar nga pushtuesi i huej. (Ne rastin gjerman edhe bashkimit kombetar te dy Gjermanive (8 nandor 1989). Polonia, Gjermania lindore, Çekosllovakia dhe Hungaria triumfuen ne perpjekjet e tyne.
Mbeteshin Bullgaria, Rumania, Shqiperia staliniste, dhe vendet baltike.
Bullgaria, e lidhun ngushte me Mosken historikisht u “çlirue” me “keshilla” nga Moska, dhe me vendime te marruna nga Byroja Politike e Partise Komunist Bullgare. Rumania qe mbante nji distance nga Moska veproi koke me vete, e perfundoi me revolucion qe i kushtoi jeten çiftit Ceausescu.
Qe nga viti 1945, Europa ishte e ndame ne dy kampe kundershtare:Perendim dhe Lindje. Ne Europen Perendimore u ndie nevoja e organizimit dhe bashkepunimit per mbrojtje nga mundesia e nji sulmi sovjetik, nji kercenim i perhereshem, sidomos deri me vdekjen e J.V.Stalinit, 1953. Keshtu filloi rruga e Bashkimit Europian, u formulue strategjia e infrastruktures ekonomike dhe e formimit te aleances ushtarake te NATO-s (1949). U formuen shoqata per mbrojtjen e individit te lire kryesisht nga “Shteti”. Karta e OKB-se u nenshkrue me sigurue “paqen”. Deklarata Universale (1948), Akti Final i Helsinki-t (1975), Konventa e Kopenhagen dhe Karta e Parisit (1980) kodifikuen mendimet ma te avancueme per mbrotjtjen e qytetarit te lire, “…krijese e lindun e barabarte ne liri dhe ne dinjitet, e paisun me arsye dhe me ndergjegje, dhe ne marredhanjet me te tjeret e ushqyeme me frymen e vellaznimit”.
Krahas ketij organizimi te ri europian qendronte edhe potenciali politik, ekonomik e ushtarak i SHBA-s si anetare e plotefuqishme.
Ne Europen Lindore (E.L.) te pushtueme ushtarakisht me 1945, nga divizionet e ish Bashkimit Sovjetik qe ushtronte presion policor, lindi reagimi i natyreshem: rezistenca, qe solli ndryshimin. Ne 1990, Presidenti çek Vaclav Havel, permblodhi “Zeitgeist”-in e E.L.” ne E.L., nevoje ekzistenciale, u konceptue nga mendje paqesore, u zhvillue ne menyre mbas 45 viteve me keto fjale: “Popull, qeveria e juej u kthye perseri tek ju!”. Nji “revolucion demokratik paqesore, (me perjashtim te nderhymjeve sovietike) dhe u perfundue triumfalisht pa dhune, pa gjak ashtu si e deshirojshin te gjithe, kryeaktoret dhe aktivistet. Bota mbar duertrokiti!
Konteksti nderkombetar.- Me L2B Europa hyni ne nji faze te veshtire te historise saj. Mbrenda nji viti, Europa u okupue nga nazistet gjermane. Polonia u nda ne mes te Gjermanise dhe Bashkimit Sovietik., nji situate qe zgjati deri me 9 maj 1945, dita e fitores se Koalicionit Anglo-Sovjeto-Amerikan. Gjate luftes u mobilizuen 70 miljone persona, u vrane 22 miljone, dhe u plagosen 27 miljone te tjere. Damet materiale jane te pallogariteshme! Ky ka qene çmimi i botes se re qe lindi nga lufta Vendet e Europes Lindore rane nen dominimin sovjetik i cili krijoi nji zone te re. “Nga Danzig deri ne Trieste, nji perde e hekurt ra mbi Europe”(W.Churchill) Zona e njohun si “Europa Lindore” i u nenshtrue nji rregjimi te ashper sovjetik, u organizue ne nji kamp ushtarak “Traktati i Varshaves”, u formue si nji bllok ekonomik ndervares me ne krye ish-Bashkimin Sovjetik. Deri ne vitin 1968, edhe Shqiperia ishte pjese e ketij konglomeracioni te imponuem.
Disa shtete te E.L.–kryesisht Polonia, Gjermania Lindore, Çekosllovakia dhe Hungaria- kane qene vende te banueme nga popullsi te arsimueme, me sisteme politike dhe shoqeni demokratike te lidhuna ngushte me Europen. Ndamja e forcueme mori karakter shtypes e kolonialist. Reagimi i popullsise mori forma kryengritese, si ne Berlinin lindor dhe Wroclaw te Polonise (1953), Hungari(1956) dhe Çekosllovaki(1968) levizje te shtypuna nga ish ushtria sovjetike. Pushtimi sovjetik nxiti kryenaltesine kombetare. Kerkohej me kambengulje nji “ndryshim”. Populli i heshtun per vite te gjata ngriti zanin, e qartesisht priste rastin e pare me ngrite edhe grushtin. Duhej prite rasti i volitshem, sepse prania e divizioneve sovjetike, pengesa kryesore, mbetej nji kercenim i perhereshem. Masakrat e Berlinit dhe te Wroclavit, shtypja e revoltave hungareze dhe çeke ishin te fresketa ne kujtesen e popullsise qe ziente nga nevoja e mbrendshme me shperthye.
Dy ngjarje me randesi primare transformuen atmosferen e frikes ne nji fryme premtuese ku lindi shpresa:
E para, vizita e Papes Gjon Pali II ne Poloni, 1979, tregoi sa afer ishin polaket njeni me tjetrin; sa i forte ishte vellaznimi ne mes tyne, dhe sa i madh ishte potenciali i Kishes Katolike ne Poloni. Vizita mbushi polaket me guxim per veprim.
E dyta, dalja ne skene e ish presidentit Mikail S. Gorbachev ne BRSS, dhe “doktrina” e tij per mos-nderhymje ushtarake ne grindjet e mbrendshme te anetareve te Traktatit te Varshaves. Ne fakt, ai nxiti levizjet per pavaresi ma te madhe. “There is a human dimension in Gorbachev” deklaroi Presidenti i SHBA-se , R. Reagan, mbas nji takimi.
Ne kete situate, çdo njeni ishte gati me sulmue Bastille-n e tij. “Tani ashte koha!’ u ba parulla kryesore. Gazetaret filluen me shkrue te verteten, punetoret gati me ba greve; intelektualet gjeten zanin e tyne, dhe Europa perendimore ishte aty me tregue perparimet e arrituna.
Kerkohej matuni: levizje masive pa dhune, pa provokime, dhe forume demokratike per diskutime te lira, si dhe pergatitjen e terrenit per nji “tranzicion” qe duhej arrite me “dialog”, e mundesisht pa nderpremje te dhimbeshme te jetes ekonomike. “Ndjenjat popullore ishin te atilla, dhe ererat e jashteme aq te favorshme sa qe gjithçka perfundoi mire!” shkroi historiani i Oxfordi-t, Profesor Timothy G. Ash ***
Poloni.-Nji vit mbas vizites papenore, u krijue levizja “Solidarnost” ne Poloni (1980) e para levizje punetore e pavarun ne boten komuniste. Grevat u perhapen. Qeveria u detyrue me negociue. Ishte fitorja e pare, e madhe anti-komuniste. Solidarnost mori ngjyre politike: ”Ska liri pa Solidarnost!” u ba fjala e dites. Udheheqsi Lek Walesa bashke me nji grup intelektualesh e klerikesh formoi ”Komitetin e Qytetareve”. Ata nuk fituen pushtetin, por kapitalin moral qe mbajti te gjalle rezistencen.
Mbas grevave te vitit 1988, ne prill 1999, Solidarnost mori pjese ne zgjedhjet e para te lira. Filozofi Adam Mishnick parashikoi:”Keto zgjedhje do te jene fundi i sistemit shtetnor totalitar!” Ne shkurt, 1989, u ba rregjistrimi zyrtar i Solidarnost qe hapi rrugen per “Bisedimet e Tryezes se Rrumbullakte” me 5 prill. Ishte hymja ne rrugen e demokracise parlamentare, dhe i ndertimit te nji Polonie te pavarun e sovrane. Vitet e pushtimit sovjetik te E.L. ishin tashma te numrueme. Zgjedhjet e 4 qershorit 1989, perfunduen me triumfin e Solidarnost. Festivale te improvizueme popullore. Kerkesa e pare: kontroll mbi TV shtetnor. Triumfi u konsolidue me njohjen e “fitores” se Solidarnost nga Qeveria komuniste, megjithese ushtria, policia, Partia, administrata mbeten ne duert komuniste. Si kunderpeshe, Solidarnost fitoi perkrahjen e plote te udheheqjes se Kishes Katolike. Dy dite mbas zgjedhjeve diktatori Jaruzelski pranoi:”Ashte hera e pare qe votueset ishin ne gjendje me zgjedhe lirisht…Kjo liri u perdorue me çrregjistrue te gjithe ata qe kane qene ne pushtet deri tashti”. Ai premtoi “vazhdimesine” dhe siguroi se BRSS nuk do te nderhyje – kondite vendimtare. Per kete roli i Jaruzelski-t ishte i domosdoshem dhe ai u ri-zgjodh “president”, si pjese e nji kompromisi politik. Ne gusht 1989, katoliku, Mazowicki, i aferm me Papen Gjon Pali II u ba kryeminister Titulli “popullor” u hoq nga “Republika e Polonise” Shumica e administrates qendrore mbeti aty ku ishte, por punoi me ndershmeni dhe e gatishme me sherbye “padronet” e rij.
Gjermania lindore.- Mbas kryengritjes gjermane qe u shtyp me gjak, 17 qershor 1953, BRSS i frikesuem nga influenca e forte perendimore ne Berlin, vendosi ngritjen e nji muri te nalte qe ndau kryeqytetin gjerman ne dy pjese: perendimore dhe lindore. Per kater dekada, pjesa lindore i u nenshtrue nji rregjimi te ashper policor, dhe indoktrinimit komunist. “Muri i Berlinit” u ba simboli i okupacionit sovjetik, dhe i ndamjes nga Europa, nji situate qe nuk u pranue nga popullsia vendese. Mijera te rinj e te reja gjermane rane viktime ne perpjekjet e tyne per arratisje.
Edhe ne Gjermanine lindore “efekti Gorbachev” ka luejte nji rol kryesor, me qene se ky shtet varej shume nga ish B.S. (“Republika Demokratike Gjermane ashte e lidhun per jete dhe ne menyre te pazgjidheshme me BRSS” shkruente ish-Kushtetuta gjermane e vitit 1974). Ne festimet e 40 vjetorit te RDGJ, 7 tetor 1989, çfaqjet anti-shtet ne popullsi u bane nji kercenim per rendin publik. Opinioni i pergjitheshem ishte se Gorbachevi vete ka ndihmue ne mbajtjen e kesaje fryme, me deklaraten e kalkulueme: “”Vete historia ndeshkon ata qe vonohen”. Zane te pakonfirmueme qarkulluen se ai i ka transmetue presidentit E.Honnecker:”Trupat sovjetike nuk do te nderhyjne per shtypjen e levizjeve te mbrendshme” si dhe per inkurajim te elementit revizionist (Krentz dhe Schvabowski) “…me largue nga pushteti presidentin (fanatik)E.Honnecker” (Th.G.Ash)
Ne kete moment Honnecker hapi kufinjte me Austrine . Populli filloi arratisjen drejt Perendimit, faktori kryesor i rrokullisjes se ngjarjeve ne Gjermanine lindore deri ne permbysjen e rregjimit, e te bashkimit kombetar gjerman. Aktiviteti anti-qeveritar u rrit gjate veres, 1989, dhe gjeti perkrahjen e dy kishave: katolike dhe protestane. Protestat popullore arriten kulmin sidomos mbas vizites se Gorbachevit ne Berlin, me 8 tetor 1989. Vetem nji dite ma vone, 9 tetor,“Muri i Berlinit” ra!
Qe me shtator 1989, lutjet e mbramjes ne Kishat filluen te transformohen ne manifestime popullore kunder rregjimit. Me 25 shtator, manifestimet numrojshin 15-20.000 persona. Manifestuesit kendojshin Internacionalen dhe kerkojshin njohjen zyrtare te “Forumit te Ri” qe u krijue, dhe u ba epiqendra e levizjes demokratike. Qeveria u pergjegj me kercenime, Demonstratat u rriten ne 70.000 persona. Ministri i Mbrendshem, Kreutz, kerkoi nga demonstrueset te protestojshin paqesisht, dhe vendosi mos me perdorue forcen. Ky qendrim evitoi katastrofen dhe siguroi fitoren e demonstruesve. Krentz fitoi prestigj. Nande dite ma vone, Presidenti E.Honnecker dha doreheqjen. Frika kishte vdeke! Levizja u rrit. Tashti protestat numrojshin ma shume se 100.000 pjesemarres. Lutjet e mbramjes u bane demonstrata. Gjermania lindore ishte ne process te lindjes si nji shtet i ri “Liri! Liri udhetimi!” ishin parullat kryesore E gjithe Qeveria dha doreheqje. Demonstrueset thrrisnin:”Na jemi populli!”, e udheheqja hapi dyert per udhetim lirisht.
Pa prite, ata u gjeten para dilemes: “A duhet te mbijetoje Gjermania lindore?” Me largimin e shtypjes policore, pa friken e nderhymjes ushtarake sovjetike, gjithçka shpertheu! Populli gjermano-lindor zbuloi solidaritetitn qe sjellte çlirimi. Thirrjet “rrofte Revolucioni i Tetorit 1989” mbushen rruget. “Ishte revolucioni i pare paqesor ne historine gjermane!” (Th.G.Ash) Shtypi nderkombetar raportoi se ne week-endin e 12 nandorit 1989, afer dy miljone gjermane kaluen zonen e Murit per vizite ne Berlinin prendimor, manifestimi ma i madh popullor ne rruge ne historine e botes.
Ne fushen politike u theksuen dy kerkesa: zgjedhje te lira, dhe fund rolit udheheqes te Partise. Thirrjet: “Bashkeatdhetaret e RF Gjermane nuk jane te huej; jane vellaznit tone!”,”Socializmi premton por genjen!” “Gjermania ashte nji atdhe, e gjermanet jane nji komb”,”Per sa kohe qe jemi te ndame, nuk jemi nji komb!” shoqenoheshin nga thirrjet e popullit; ”Na jemi nji popull! Gjermani, Gjermani!’…Megjithate, kur erdhi momenti i “bashkimit”, shumica dermuese qendroi ne vend me ndihmue ndertimin e atdheut te shkretnuem. Qytetari e nalte! Patriotizem i paster!
Mijera tryeza te rrumbullakta kerkuen ndryshimin e plote. Ata fituen “autoritetin” me besimin e popullit. Anetarsia e Partise u shkri si kripa ne uje. “Bashkimi gjerman” u perjetesue nga populli i thjeshte, sepse ishin ata qe e deshen, ata qe fituen te drejten me fole e me levize lirisht. Ishte momenti i emancipacimit social nga diktatura dhe i çlirimit kombetar nga i hueji. Nji deshmitar shkruente: “keto jane momente kur njeriu ndien krahet e engjellit qe te mbeshtjelle!”
Hungaria.- Ndryshimet politike ne Hungari kane nji moment katalizator: rivarrosjen e ish Kryministrit kryengrites Imre Nagy, ekzekutue me 16 qershor 1958, nga sovjetet, mbas shtypjes se revolucionit te 1956-s. Kujtesa e atyne diteve revolucionare nuk u zbeh asnjihere, ashtu si edhe ndjenja e represionit te gjate. Ne pranevere te vitit 1988, te afermit dhe miqte qe mbijetuen krijuen “Komitetin per Drejtesi Historike”. Udheheqja qeveritare kuptoi se ishte imperative me rihabilitue kete viktime, “emni i te cilit i çveshte te gjithe nga kredibiliteti ne popullsi”.
Ne janar 1989, Qeveria vendosi çvarrosjen, identifikimin, dhe rivarrosjen me dinjitet te kufomes. Nji Komision qeveritar u formue me rivlerezue ngjarjet e 40 viteve te fundit dhe me paraqite ngjarjet e vitit 1956 jo si “kunder-revolucionare” por si “kryengritje popullore”, kunder klases sunduese qe kishte damkose popullin.
Gjate shume viteve te rregjimit komunist, Hungaria ka lejue “partite politike” me funksionue nen kontrollin e Partise (sic!) Me rivarrosjen, keto parti u bashkuen me organizatoret ne nji ceremoni qe mund te kthehej ne “ringjallje politike”: ajo qe biente ne sy ishte kambengulja e organizatoreve per “qetesi e dinjitet” e ”pa shperdorim politik!”
Funerali i Imre Nagy-t u kthye ne nji vale zemrimi anti-qeveritare, dhe si fillimi i nji veprimtarie ma te organizueme. Parulla kryesore ishte: ”Programi i jone ashte me ndryshue sistemin, jo me e riformue!” si dhe “Hungaria duhet te dale jashte Paktit te Varshaves!” Akte te ketilla u mundesuen nga “terheqja” e Qeverise para presionit te ngjarjeve, jashte dhe mbrenda vendit. Qe nga viti 1988, politika e “Partise” ka qene e pasigurte; e tronditun, ne fund te vitit, “Partia” lejoi krijimin e grupeve te verteta opozitare dhe te drejten per demonstrata.
Ne janar 1989, grupet opozitare fituen garancine ligjore per mbledhje dhe shoqenim te lire Nji muej ma vone Qeveria deklaroi, ne parim, mbeshtetjen e saj per tranzicion ne nji system shumepartiak. Qe ne prill 1988, “Partia” hodhi parimin Leninist “centralizem demokratik”, me shprese se mund te kthehej mbrapa ne pozitat “liberale” te viteve 1948, dhe 1956. Hija e Kardinalit Mindzenty, figure qendrore e rezistences anti-komuniste para vitit 1956 , ndiehet kudo.
Ne qershor 1989, dita e rivarrosjes se Imre Nagy-t hiqet ylli partizan nga flamuri kombetar. Pjesemarresit mbajne flamuj te zez. Jane pese arkivola: I.Nagy dhe kater bashkepunetore. Nji arkivol nuk ka emen. Emnohet: “Kryengritesi i Panjohun!” Muzika funebre, lule, delegacione, autoritet kishtare, diplomate por jo anetare te “Partise”. Ndigjohet nji fjalim i rregjistruem i Nagy-t ku ai ban thirrje: “…per nji tolerance te ndersjelle dhe zemer-gjanesi kundrejt atyne qe mendojne ose veprojne ndryshe nga ne, sepse vetem keshtu do te kemi mundesi…me sigurue tranzicionin paqesor ne nji shoqeni europiane moderne, te lire e demokratike”. Mandej, 200.000 pjesemarres kendojne vargjet e poetit Shandor Petoef (1848): “Kurre s’do te jemi skllave perseri! Kurre s’do te jemi skllave perseri!” Ri-varrosja u ba pikerisht ne vendin e ekzekutimit. Çdo fjale e gjest kishte kuptimin simbolik! Shembull i nalte qytetnimi!
Ky mesazh u drejtohej hungarezve qe perballeshin me okupacionin sovjetik, me kambenguljen e Partise komuniste me ruejte pushtetin, dhe me nji shoqeni te lodhun nga vuejtjet…! E gjithe ceremonia u transmetue nga TV qeveritare.
Tri jave ma vone,. Gjykata Supreme rihabilitoi Imre Nagy-n Ashtu si zgjedhjet e lira ne Poloni, funerali i tij ka qene nji date e randesishme ne Europen e mbasluftes. Me 14 shtator 1989, u arrit “Marreveshja” per zgjedhjet e lira parlamentare. Partia e Punonjesve Hungarez u shpernda. Lindi Partia Socialiste Hungareze . Pese dite ma vone, deklarohet “Republika e Hungarise” e motivueme nga mesimet historike te kryengritjes dhe levizjeve kombetare per pavaresi te tetorit 1956.
Me keto zhvillime, Hungaria siguroi nji system shume partiak para se te deklarohej demokracia, ndersa shpejtesia e ndryshimeve u ba e detyrueshme nga keqesimi i shpejte i gjendjes ekonomike.
Çekosllovakia.- Ndryshimet politike ne Çekosllovaki u zhvilluen me shpejtesi te madhe dhe u karakterizuen nga nji improvizim dhe fryme optimiste, levizje e drejtueme nga shkrimtari Vaclav Havel, figure qendrore.
Me 23 nandor 1989, fill mbas ramjes se Murit te Berlinit, krijohet ne Prage koalicioni kryesor “Forumi Civik” qe u ba menjihere shtabi i koordinimit te levizjes per demokraci. Kjo levizje filloi me studentet, grupe te vogla aktivistesh qe vepruen per afer nji vit me metoda studenteske: trakte, revista, diskutime e klube te rinjsh. Ata mbajten kontakt me eliten opozitare dhe shperndane letersine e ndalueme (samizdat). Si pjesetare te grupeve rinore u lejuen me u organizue e me demonstrue ne perkujtim te pervjetorit te viktimave te masakres naziste te studenteve- si dhe te rinjeve te rame ne 1918, 1948, 1968 perseritje e respektit per traditen. Por ne qender te qytetit, Sheshi Veceslav, u ndaluen nga policet. Filluen thirrjet:“Liri! Liri!” dhe u kendue himni :”Ne do te fitojme!” (himn fetar i zezakeve te Amerikes) Studentet vuen lule ne gryken e pushkeve te policeve, e tue ngrite duert nalt perseritshin:” Nuk kemi arme!” Por, Policia i rrahu, tue perfshi edhe grate e femijte qe u derguen ne spital.
Dhuna qeveritare ka qene shkendia qe ndezi zjarrin ne Çekosllovaki! U fol se ka te vdekun. Studentet deklaruen greve. Populli pushoi punen per dy ore ne dreke. Thirrjet ishin:”Mos pritni! Veproni!” Gjaku i studenteve ishte derdhe. Kerkohet legalizimi i shtypit klandestin dhe heqja e rolit udheheqes e Partise.
Ne kete moment, ish nenshkruesit e “Charter 77” grup opozitar, dhe grupet tjera opozitare takohen ne Theatrin e Prages. Grupe e klube te “Forumit Civik” formohen kudo dhe kerkojne doreheqjen e pergjegjesve te masakres, dhe ata te okupimit sovjetik te vitit 1968 – tue fillue me Presidentin Husak, sekretarin e Partise Jakesh, Ministrin e Mbrendshem e te tjere, hetime per masakrat, dhe lirimin e te gjithe te burgosuneve politike. “Forumi” mori persiper udheheqjen e Levizjes.
Ne rruget e sheshet, populli proteston me parullat: “Jepni doreheqjen. Tani ashte koha!” Kesaj rradhe policia e milicia speciale nuk guxuen me nderhye. Kryeministri deklaroi se nuk do te kete gjendje te jashtezakonshme. Nji dite ma vone, dy klerike katolike se bashku me V.Havel perseriten kerkesen e “Forumit” para demonstruesve.
Presioni popullor rritet çdo dite. Frika ka humbe peshen e vet. Qeveria kerkon bisedime me “Forumin”. Marrin pjese ekonomiste sepse ekonomia ashte shume me randesi per popullsine. Formohen komisione: organizim, teknike, informim e konceptim. Populli ndien eren e lirise e entuziasmohet. Dilema e zakonshme çfaqet me urgjence: imperativi politik per aksion te shpejte kundrejt imperativit te demokracise se mbrendshme. V.Havel ashte arbiter i pazevendsueshem. Hymja ne TV siguroi perkrahje ma te madhe edhe nga jashte.
Nderkaq, prezenca e Gorbachev-it mbrapa Qeverise ashte e qarte. Sovjetet presin nji delegacion te “Forumit Civik”. Gorbachev udhezon Kryeministrin (mbas takimit me Presidentin Bush ne Malta, nandor 1989) me denue invazionin sovjetik te vitit 1968, dhe pa tjeter ndryshime ne Qeveri.
Ne TV opozita reklamon:” Bota ju sheh ju sot!” TV nderkombetare dhe mjetet e informimit hetojne, informojne, dhe nuk lejojne rrahjet e keqtrajtimet. Frika ka vdeke! Ne kete moment vendimtar vjen mesazhi i Kardinalit Tomashek: “Kisha Katolike qendron plotesisht me ju, ne anen e popullit, ne kete perpjekje. Une falenderoj te gjithe ata qe luftojne per te miren e te gjitheve, dhe kam besim te plote ne Forumin Civik qe ashte zadhanesi i kombit”. Klerike katolike luejne nji rol vendimtar ne udheheqje te Forumit. Po ate mbramje, TV njoftoi se e gjithe Byroja Politike dhe sekretariati i Komitetit Qendror kane dhane doreheqje.
Ne nji takim te “Forumit Civik” kerkohet legalizimi i grupeve politike, lirimi i te gjithe te burgosuneve politike, planifikimi per bisedime te mavoneshme, fund i rolit udheheqes te “Partise”. Nga populli kerkohen zgjedhje te lira. Çeket kerkojne ”nji vend normal ne qender te Europes”. Shpallet greva e pergjitheshme.
Greva u tregue nji sukses i madh. “Forumi” percakton objektivin politik: hapje definitive e shoqenise çeke per zhvillimin e pluralizmit politik, dhe zgjedhjet e lira. Kerkohet nji qeveri e koalicionit, e perbame me eksperte, elemente kompetente dhe me integritet moral. Ne nji takim me Qeverine premtohet se Qeveria e re do te formohet me 3 dhetor 1990, do te eliminohet roli udheheqes i “Partise”, dhe fryma Marksiste-leniniste ne arsim. “Forumi” furnizohet me lokale te pershtateshme. Ministrat e Mbrendshem dhe Mbrojtjes jane civile jo-komuniste. Te gjithe akademistet e perjashtuem per arsye politike kthehen ne detyre. Forumi deklaron:“njizete vjet jemi trajtue si kriminele. Sot , na kerkojme me ringjalle vlerat çeke: sjellje njerezore, tolerance, pa urrejtje dhe pa hakmarrje!” Sens i nalte i historise çeke!
TV lajmeron perfundimin me sukses te takimit Bush-Gorbachev ne ishullin Malta dhe takimin Gorbachev me vendet e Traktatit te Varshaves, ne Moske, si dhe nji tjeter me udheheqsit komuniste çeke. Per Boten, ashte kercimi nga Yalta ne Malta, nga nderhymja ushtarake (doktrina Brezhnjev) te zgjedhjet e lira ne Europen lindore (fryma Gorbachev)
Menjihere, Presidenti çek Husak instalon qeverine e re, dhe ne mbramje jep doreheqjen. Qeveria e re ka kryeministrin komunist dhe 12 ministra jo-komuniste. Kumbonet e kishave tingellojne ne te gjithe vendin.
Me 28 dhetor 1989, Vaclav Havel zgjidhet President i Çekosllovakise. Dubcek, ish kryeminister ne 1968, zgjidhet kryetar i Parlamentit. Forca e trete ashte Kardinali Tomaçek. Çekosllovakia ish-komuniste, ne qender te Europes, lindi perseri si nji shtet i lire, modern e demokratik.
Nga vendet ballkanike, Bullgaria, Rumania dhe Shqiperia, e para ka qene plotesisht e varun nga Moska. Ironia e fatit ashte qe vendet e lidhuna me ish BRRS, siç ka qene rasti i Bullgarise u emancipuen nga diktatura, dhe u çliruen nga tutela sovjetike pa veshtiresi te medha, e pa gjakderdhje. Dy vendet e “pavarura” Rumania e Shqiperia u desh te kalojshin neper faza te veshtira per arsye te fanatizmit partiak qe nguli kambe ne mbajtjen me dhune te rolit udheheqes te partive komuniste vendese.
Bullgaria.- Me 10 dhetor 1989, T.Zhivkov, komunist ortodoks dhe shef i padiskutueshem i shtetit bullgar dha doreheqje mbas 37 vjet sundimi Ai u zevendesue nga nxanesi i tij P.J.Mladinov, i njohun per qendrime ma te buta ne ekonomi dhe ne politike. Mladenov ndau “shtetin” nga “Partia” me qellim qe te ndiqte zhvillimet e shpejta ne Europen Lindore. Ai njoftoi anetaresine e “Partise” se nuk kishte rruge tjeter veç ristrukturimit (perestrojka). Sistemi penal ishte pengese e forte per programin e shoqenise ne te gjitha sferat. Ai kerkoi “me transformue Bullgarine ne nji shtet modern, demokratik me “sundim te ligjit”. Ndryshimet e mavoneshme u bane pa rezistence qeveritare.
Rumania.- Si fenomen historik vendet e Europes Lindore iu nenshtruen nji diktature te dyfishte: presioni politik i partive komuniste vendese, dhe tutela sovjetike, e pame si okupacion i huej nga popullsia.
Ne rastin e Rumanise e Shqiperise situata ishte e ndryshme. Pa presionin sovjetik per akomodim me forcat e levizjeve demokratike ne vend, ata rezistuen çdo ndryshim qe dobesonte rolin udheheqes te “Partise”. Ne Rumani, mbas perleshjeve me demonstruesit, sidomos minatoret rumune, diktatori Ceausescu abandonoi kryeqytetin, u kap nga nji grup kryengritesish, u gjykue nga “gjykatat revolucionare” dhe u ekzekutue ne vend, se bashku me bashkeshorten. Vendi kaloi ne kaos, dhe perpjekjet per nji shoqeni demokratike u kryesuen,.ne shumicen e rasteve, nga ish elita komuniste qe vonuen demokratizimin e shoqenise rumune Autoritarizmi dhe korrupsioni mbizotenuen. Organzimi i forcave demkratike u ba pothuejse i pamundun, nji gjendje qe deshmojme akoma edhe sot.
Shtetet baltike. u mbajten nen tutelen sovjetike per ma shume kohe. Perballe denimit popullor te veprimeve ushtarake nga foract e BRSS kunder demonstratave masive, Presidenti Gorbachev shkeli nji nga parimet qe kishte mbrojte ma pare: “glasnost”, hapjen e shoqenise se lire. Por ne shenj mosaprovimi, popujt e vendeve baltike u hodhen ne demonstrata akoma ma te medha, dhe perbuzen friken me pjesemarrje ne funeralet e viktimave te shtypjes . U desht “shuemja” e ish BRSS me mundesue çlirimin e tyne nga okupatori qe ne vitin 1941.
Ma ne fund, me 8 dheror 1991, ne qytetin Brest te shtetit bjelorus, udheheqsit politike te Rusise, Bjelorusise dhe Ukraines deklaruen solemnisht se “Bashkimi Sovjetik pushon se ekzistuemi” dhe se deklarohet formimi i “Komonvelthit (Bashkesia) te Shteteve te Pavaruna”. Me kete hap, Gorbachev mbeti pa funksione qeveritare, dhe u largue nga skena politike. Te gjithe ish 16 republikat e BRSS u lane te lire me deklarue pavaresine ose “me u anetarsue” me organizimin e ri shtetnor. Vendet baltike vendosen me deklarue pavaresine, dhe sot jane anetare te NATO-s qe siguron mbrojtjen e tyne .
Fenomeni shqiptar.-Mbetej Shqiperia–e izolueme, e pavarun nga Moska, dogmatike, e pa-afte me kuptue zhvillimet politike ne Europe, e pa pergatitun me pranue vlerat dhe parimet demokratike, e vorfen (shumica e popullsise jetonte ne nivel vorfenie) pa nji te kalueme demokratike, shtet i shtypjes dhe terrorit 45 vjeçar,“ku shkalla e brutalitetit dhe shnjerezimit ishin pothuejse te pa imagjinueshme” (OSCE,Washington,1998),ku sundimi i ligit ishte “i huej”, ku toleranca per diversitet e liri fjale e mendimi ishte krim, ku parulla “me ne o kunder nesh” shihte çdo qytetar me dyshim dhe subjekt per persekutim, vendi ku klasa intelektuale shihej si “armike e popullit” per definicion dhe prandej duhej eliminue, ku u vrane kuadot e pergatituna ne universitetet europiane, studente te universitetit dhe gjimnaziste, e sidomos qendra e katolicizmit shqiptar, kuvendet, kleri e seminaret me profesoret e tyne, etj.
E çveshun nga nji elite intelektuale liberale, Shqiperia u kthye ne nji fortese mesjetare, fanatike dhe obskurantiste, e pa-afte me ndertue nji shtet modern e demokratik. Kjo shoqeni e nji shtetit te pavarun nga B.S. dhe pa kercenimin e divizioneve sovjetike, nuk gjeti aftesine me dale nga guaska e vete-izolimit vullnetar, sepse nuk u ndergjegjsue qe jetonte ne guaske; ndergjegjsimi ashte kondita e pare me dale nga ajo!
Mobilizimi disproporcional i burimeve me ruejte rolin udheheqes te Partise (PKSH/PPSH) qe kishte ardhe me dhune, dhe mbahej me dhune per 45 vjet me rradhe, damtoi shtetin shqiptar, dhe vorfenoi popullsine vendese. Shteti u ba “prone private” e udheheqjes komuniste, dhe korrupsioni nji menyre e pranueshme e jetes. Kontrolli i rrebte ushtarak, si ne kohen e Luftes, imponoi konformitetin e jetes si ne burg.
E lanun ne fatin e saj, vete-izolimi nga bota e mbylli ate edhe nga vala e emancipimit social qe perfshiu te gjithe E.L. Ashte ironike me mendue se nji situate pavaresie e Shqiperise, ne vend qe te shpejtoje emancipimin, u ba pengese kryesore, kryeneçe, dhe kundershtare e interesit te vet.
KJo ka qene gjendja e Shqiperise diten e 8 dhetorit 1990, dita kur shpertheu vrulli revolucionar dhe optimizmi i rinise studenteske shqiptare!
“Demonstratat studenteske te dhetorit 1990, e hudhen Shqiperine ne nji platforme te re qe premtonte demokraci e prosperitet”, shkruente ekpserti i çeshtjeve shqiptare, Elez Biberaj. “Por perpjekjet e deshprueme te Presidentit Ramiz Alia me orkestrue procesin e ndryshimeve (politike) dhe me zgjate kontrollin komunist mbi qeverine sa ma shume qe te ishte e mundun, i shkaktuen dam te madh stabilitetit te vendit, pruen shkaterrime masive ekonomike, dhe anarki te gjithaneshme. Si rrjedhim, levizja drejt demokracise u kthye ne nji ndermarrje jashtezakonisht te veshtire ne Shqiperi- ma e veshtire se ne çdo vend tjeter ne rajon”. Shqiperia paguen sot çmimin e konsekuencave te nji veprimi te ketill.
Ka qene presioni i jashtem qe tronditi themelet e tiranise komuniste ne Shqiperi. Raportet shume negative te organizatave per mbrojtjen e te drejtave te njeriut (sidomos ai i Minnesota Lawyers, janar 1990) tue theksue “minoritetet” sidomos ate grek, cilesoi Shqiperine si “nji shtylle nderkombetare e shtypjes”. Shtypi i huej raportoi se ne Veri ka protesta e demonstrata sidomos ne Shkoder, qe shtypen egersisht,; raproti i Helsinki Commission amerika, Sen. DeConcini e cilesoi shtypjen ne Shqiperi “te veshtire me u imagjinue”. Te alarmuem, udheheqja komuniste e Tiranes interpretoi Mbledhjen e Maltes (Bush-Gorbachev te dhetorit 1989) si nji kercenim per destabilizimin e Shqiperise, ndersa ai takim vulosi qendrimin sovjetik te mos-nderhymjes, tregojne konfuzionin e madh ne qarqet qeveritare.
Qendrimet negative te Tiranes ngjane pikerisht kur vendet tjera te Europes Lindore pakesuen shtypjen, e permiresuen ekonomine. Shqiperia e uritun deklaroi:”Na nuk do te heqim dore kurre, dhe nuk do te lejojme dobesimin e rolit udheheqes te Partise marksiste-leniniste” dhe “socializmi e pluralizmi politik jane dy ide te kunderta” Kambengulja ne “mbeshtetje ne forcat tona” kishte humbe besimin sidomos mbas krizes se rande ekonomike te viteve ’80-ta, e cila damtoi rande prestigjin e Partise. Shkrimtaret ngriten zanin per ma shume liri krijuese. Keqesimi i situates vazhdoi edhe mbas perpjekjeve te Gorbachev-it me vendsoe “glasnost” e “perestrojka” per forcimin e sistemit socialist. Udheheqja e Partise nuk kuptoi asnjihere qe bota per rreth po ndryshonte radikalisht “Ndryshimet ne E.L. nuk do te ngjasin kurre ne Shqiperi” deklaronte Presidenti Alia edhe ne dhetor 1990. Ka qene ramja e Ceauscescu-t ne Rumani qe tronditi gjumashet komuniste shqiptare. Frika zuni vend dhe zotenoi ne mendjet e tyne.
Per fat te keq, udheheqsit e partive opozitare qe dolen ne skene – Partia Demokratike me 17 dhetor 1990- dhe ajo republikane- ishin te drejtueme nga ish-elemente te PPSH-se dhe nuk frymezojshin besim ne masat e vendit. Nji fenomen i ketille u vrejt edhe ne New York City, ku Sali Berisha, dhe Gramoz Pashko vizituen Ameriken per here te pare, pranevere 1991. Audienca nderpreu fjalimet e tyne me thirrje “Ju jeni komuniste! Pse duhet te ju besojme?”
Sundimi me dhune dhe nji system privilegjesh per anetaret e partise nuk lejoi formimin e nji klase drejtuesesh ekonomike. Klasa e mesme ishte asgjasue. Nji “klase e re” u krijue me privilegje ekonomike, jete luksoze, e pa informueme dhe e izolueme nga qytetare te thjeshte. Ne viti 1990, sfida kryesore ka qene thellimi i rrezikshem i krimit moral dhe shpirtenor, Pa komunikacionin e nevojshem, me eksporte ne zbritje dhe pa investime nga jashte, Shqiperia hyni ne rrugen e falimentimit te plote ekonomik.
Konditat e veshtira te jetes per studentet e Universitetit te Tiranes sollen levizjet e para protestuese anti-qeveritare. Nga ekonomia u kalue ne politike. U fillue me kerkesen per depolitizimin e mesimeve . U krijue Shoqata e Studenteve “Fan S.Noli”, organizate per te gjithe studentet, me udheheqe levizjen dhe me marr kontakt me universitete te jashteme.
Karakteri paqesor i levizjes studentore u ba i qarte me qendrimin e tyne :”jepni paqes nji shans” dhe me kange nga John Lennon dhe “Beatles”, per nji bote ma te mire. Mesimet u bojkotuen, Filluen talljet per ish-diktatorin E.Hoxha. Ne mitingun e janarit 1991, pese studente u arrestuen sepse kishin thirre:”Enver-Hitler”.
Situate u acarue me 22 janar kur Presidenti Alia dekretoi mbrojtjen e monumenteve dhe ndalimin e demostratave. U ngjall kerkesa per heqjen e emnit “Enver Hoxha”, nga UT, dhe depolitizimin e shkolles. Qeveria nuk u pergjegj. Lindi ideja e “nji greve urie” si alternative paqesore me avancue kerkesat. Te lodhun nga pritja, javen e dyte te shkurtit 1991, nji fjalim i zjarrte nga studenti Shinasi Rama pati nji efekt elektrizues. U krijue atmosfera e duhun per veprim. Ajo nxiti perfaqsueset e partive politike me marre parasyshe kerkesat e studenteve. Perfaqsueset e PPSH-se nuk u lejuen me fole. PD-ja nuk perkrahu levizjen. Kristalizimi i kerkesave mori hov e u rrit; ashtu e dhe radikalizmi i tyne. Studentet Azem Hajdari, Shinasi Rama, Tefalin Malshyti, dhe Arben LIka (ideator i greves) e qindera te tjere u pagezuen ”heronj te veteflijeses”.
Ne mungese te nji zgjidhje, studentet vendosen me shpalle greven e urise qe filloi me 18 shkurt 1991, me pjesemarrjen e 723 studenteve, e me motivacion: heqja e emnit E.Hoxha nga UT (kerkese qe çmitizoj figuren e satrapit aziatik). U kerkue lirimi i te burgosuneve politike. Studentet ishin te vendosun me evitue nji lufte civile sidomos mbas provokimeve te “Shoqates Vullnetaret e Enverit” dhe perleshjeve ne Shkollen e Bashkueme ushtarake. Propozimi i Presidentit Alia per nji referendum, nuk u pranue. Si kunderpeshe, doli organizata prokomuniste FRESSH, grup i perbame nga bijte e bijat e kuadrove komuniste me qellim te dobesimit te levizjes studenteske . Grupet e opozites nuk e perkrahen greven e urise.
Perpjekje te vazhdueshme deshtuen me nxjerre studentet nga ndertesa e Kino-Theatrit te UT. Mbrenda atmosfera ishte e qete, optimiste por serioze. Flamujt shqiptare nuk mbajshin yllin e kuq usurpues, partisan. Kordoni i Policise rrethonte ndertesen. Populli i Tiranes filloi te grumullohej rreth nderteses. Rreth mesnates, dy shefa komuniste kerkuen bisedime me studemtet, dhe iken pa rezultate.
Diten e dyte, 19 shkurt 1991, arriten telegrame urimi e inkurajimi nga jashte, sidomos nga rinia studenteske kosovare Dera u mbyll per udheheqsit e opozites se re. Nji delegacion i Grupit Helsinki erdhi, fotografoi dhe u largue.
Ne mengjezin e dites se trete, 20 shkurt 1991, u hap fjala e rreme se u hoq emni i E.Hoxhes nga UT. Sindikatat e Pavaruna deklaruen greve solidariteti, nji kombinacion dinamik qe zakonisht perfundon ne revolucion. Mijera banore te Tiranes u grumullune tek Kino Theatri. Nji ambulance terhiqte studentet e dobesuem nga uria, Mjeke dhe infermiere u mobilizuen me sherbye. Jashte populli therriste: “Studentet jane heronj! Te hiqet emni! Jemi me studentet!”
Nderhymnja e Policise detyroi demonstruesit me u drejtue kah qendra e Tiranes, Mbas disa perleshjeve me Policine, qafa e munumentit te diktatorit u lidh me kablo çeliku, u terhoq, dhe monumenti u rrezue per toke. Ora: 14:08 . Te gjithe sikur e
ndjene veten te liruem. Fitorja ishte akoma ma e madhe sepse u ba pa gjakderdhje. Ma vone, ata qe rrezuen monumentin u arrestuen, u torturuen dhe me 10 prill 1991, u denuen me 45 dite burgim.
Çmimi qe u pague ka qene i rande. Gjendja e jashtezakonshme, mbyllja e UT, ekzodi i marsit 1991, vrasjet mbas shpinde, lenia ne harrese, mergimi i detyrueshem i udheheqesve te levizjes, perbaltja dhe manipulimi rreth levizjes studentore… Shume e dhimbshme ashte vrasja e kater deshmoreve shkodrane, me 2 prill 1991, qe tregoi se bisha e kuqe nuk kishte dhane shpirt akoma. Emnat e tyne jane sot simbole heroizmi: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku, dhe Besnik Ceka, deshmore te demokracise, “heronjte e 2 Prillit” siç njihen ne popull.
Por fakti mbetet se “greva u ba me varrose njihere e pergjithmone ‘mitin e rreme’ te Enver Hoxhes”, perfundon aktivisti i dalluem i 8 dhjetorit 1990, studenti Edvin Shvarc.
Me keto zhvillime historike dhe anti-historike kemi hy ne histori. Rruga e ndjekun keto 25 vjetet e fundit ne tranzicion ka qene e veshtire, e dekurajuese. Por e veshtire ka qene edhe e kaluemja e jone. As e tashmja ma e mire, as e ardhmja premtuese nuk ndertohen pa marre para syshe te kaluemen tone, te mirat dhe te metat e saj, me mbeturinat qe na ndjekin kamba kambes.
Por shikimi i jone duhet te jete gjithehere me besim ne forcat tona, sidomos te rinise sone, me solidaritet te ndergjegjshem.
Komentet