Zakoni i kahershëm i kameleonit shfaqet çuditërisht edhe në miqësitë dhe dashuritë e mëdha të regjimeve po edhe të njerëzve.
Në vendin tonë, pas dashurisë së madhe me Jugosllavinë dhe mareshallin Tito, do të konsolidohej dashuria tjetër sllave, ajo ruse. Pa kushte. Siç janë të gjitha dashuritë e mëdha që nuk pyesin as moshë, as acarin e dimrit e as zhegun e vapës së gushtit.
Dhe robi i ngratë, i adopton ndjesitë sipas këtyre dashurive.
***
Shoku Ropi, ushtarak i nivelit të lartë i sapograduar një shkallë më lart në karrierë, hyn në një nga restorantet kryesore të qytetit, i shoqëruar nga dy vartës. Uniforma tok me gradat i ri bukur dhe e bën edhe më imponues në sytë e kureshtarëve. Shtatlartë si një kavak i drejtë, ecën madhështor sic thuhet. me supe.
Orkestra në cep të sallës së madhe të restorantit luan ato çaste melodinë “Московский вечер” (“Mbrëmja e Moskës”) . Pastaj, “Oci ciornie”( Очи чёрные). Klientët shijojnë gjellët e servirura dhe padyshim, muzikën e ditës në modë. Në sfond tani po luhet “Katyusha “dhe pas pak orkestra bën një pushim . Njeri nga orkestranët e plotëson vakuumin pa vonesë me një pllakë gramafoni dhe në sallë përhapen tingujt e të famshmes “Kalinka” nga Kori i Ushtrisë së Kuqe dhe këngëtari Evgeny Belyaev.
Salla e restorantit klas mbushet nga meloditë sipas një programi ritual që do të vijojë me hite muzikore të kohës nga vendi, Bashkimin Sovjetik dhe krejt kampin socialist.
Atmosferë tërheqëse. Muzika përzihet me zëra të gëzueshëm dhe herë pas here me tingëllimat e gotave prej qelqi me të cilat bëhet ‘gëzuar’ nga klientët.
Kamerieri tek e shikon ushtarakun e ri në tavolinë, imponues dhe madhështor si Kutuzovi, i afrohet me hap të nxituar gjithë përulësi.
-Urdhëroni, shoku komandant….
-Sillna në fillim sallatën!-porositi me ton imponues ushtaraku.
Tjetri, mori porosinë dhe fluturoi në portën e kuzhinës prej nga vinin erërat e mira që po sulmonin stomakun madhështor të komandantit.
Kamerieri që iku si rrufe u rikthye pas një grimë here, suferinë.
Vendos mbi tavolinë gjithë stil e delikatesë sallatën në një pjatellë të madhe porcelani të dekoruar.
-Urdhëroni, shoku komandant! Kjo, është sallata dhe pas pak, do të sjellim edhe mish fileto dhe pjatat e tjera…Sigurisht të ngrohta….
Komandanti me grada të rënda mbi spaleta që të kujtonin tujet e dikurshme, hodhi një sy mbi porosinë e parë dhe u ngrys. Pastaj, ngriti vetullat kaleshe dhe hodhin shigjetat e vështrimit shpues mbi kamerierin që tashmë ishte në pritje si mbi gjemba .
-Ç’është kjo?!-thirri muzgët ushtaraku me pamje të rëndë.
-Saa..sallatë…, -tha kamerieri i drojtur.
Ushtaraku lëvizi nga vendi dhe vartësit e tij, njeri majtas dhe tjetri djathtas, po e ndiqnin me sy si në nje operacion delikat që po zhvillohej mbi tavolinë.
-Ç’far sallate është kjo, more shok? Ç’farë sallate është kjo, more, more…!? Gjë, e shpifur që, meriton ta hedhësh në mur dhe të ngjitet atje si llaç ose, si mastiç?!….-.e ngriti zërin kreshendo njeriu i veshur me kostum festiv.
Tjetri e sheh i habitur. Lebetitet nga toni i porositësit me grada.
Pastaj, shoku Ropi e provon me pirunin që e merr nga tryeza si një bisturi. Dhe mbledh buzët.
-Ç’është kjo dreq sallate, kështu? Kjo është të tallesh me klientët.Të tallesh me popullin! Pa le me kuadrot që ju, merrni kurajon me këtë biçim gjëje që i thënkeni sallatë !
Hodhi edhe një sy nga salla dhe kuptoi se kishte tërhequr vëmendjen.
– Hiqe, se do ta hedh në mur ose mbi surrat!
Tjetri afrohet i hutuar. Me drojtje dhe një ndjenjë faji merr sërish pjatellën që sapo vendosi në tryezën e ushtarakut.
Klientët rrotull tashmë kane ngulur sytë nga skena me shefin e ri me grada që dukej se ishte persni më i rëndësishëm zyrtar në atë sallë.
Pa bërë as dy çapa dhe pa i kthyer shpinin klientit të pazakontë, kamerieri mundi të bëjë një sqarim me gjysmë zëri.
-Më falni, shoku komandant po ajo, është sallatë… Sallatë ruse, madje!
Tjetri, befas u kthjell si pas nje trandje nga përgjumja ose si ta kish pickuar dicka e padukshme në karrige.
– Sallatë ruuuse? Si more, sallatë ruse?
-Po, shoku komandant!
-Ruu-use? Ruse the? Po, përse nuk ma the që në fillim?!
Dhe, duke parë me krenari nga klientët e tjerë rrotull, kumtoi sikur jepte urdhër para një batalioni ushtarësh:
-Ik dhe më sill tani, një dopjo sallatë ruse! Dheee, për gjellërat e tjera, këtu jemi!.
Tjetri u përkul i bindur dhe pas pak, u bë erë drejt portës së kuzhinës prej nga ndiheshin në të gjithë sallën e madhe aromat e mira.///
—- o0o —–
Komentet