Importet e Serbisë në Kosovë gjatë një dhjetvjeçari 2 miliardë e 599 milionë Euro. A po krijon Kosova varësi ekonomike nga Serbia?!
Se çfarë ka hequr populli shqiptar i Kosovës në 100 vjet e sa janë të vrarët nuk ka nevojë ta themi se dihet. Historia është e përgjakur. Historia e re duhet të ndërtohet ndryshe dhe krimet duhen dënuar të paktën moralisht për të nisur një udhë të re, por ndonjë ndjesë të shtetit serb ndaj shqiptarëve për masakra e gjenocid që ka bërë, nuk ka e as ka për t’u dukur në horizont. Ky është poshtërim që nuk është lehtë të gëlltitet nga ata që ndjehen shqiptarë në asht e jo me fjalë e kolltuk. Por se çohen tregtarët-sarafët kosovarë dhe e fusin krejt ekonominë e Kosovës në varësi të Serbisë, kjo është më të vërtetë skandaloze. Gjithnjë e më shumë po më mbushet mendja se Kosovën e çliruan amerikanët dhe po e shtyjnë drejt Serbisë sarafët vendas, që para fitimit nuk po kanë parasysh asgjë. Këta edhe shampot po duan t’i marrin në Serbi me çdo kusht, sepse mesa duket ndokush po ndihet më mirë të lahet me shampo serbe sesa me shampo italiane. Ku vemi kështu?! Në vitin 2003, importet nga Serbia në Kosovë janë në shumën 156 milion Euro, në 2004 bëhen 161 milion Euro, e në vazhdim me një progresion deri sa në vitin 2012 arrin në 378 milion Euro, një vit më pas 285 milion. Viti 2014 ka patur një rritje akoma më të madhe dhe në 10-vjeçar, i bie që Serbia të ketë eksportuar në Kosovë 2 miliard 599 milion Euro mallra serbe. Serbia pasurohet, Kosova varfërohet. Miliona euro i shkojnë Serbisë, e cila një pjesë të fitimit i çon për armatim, pavarësisht se flet për paqe. Të gjithë ujqërit flasin për paqe para se t’u futen kopeve…Si ka mundësi që nuk ka një bashkëveprim mes tregtarëve nga Kosova e ata nga Shqipëria për t’i sjellë punët në mënyrë të tillë që fitimi të mbetet në trojet shqiptare, të forcohen këto troje apo gjithmonë do të na mbrojë Amerika?! Shihni tabelat se si janë rritur importet e përvitshme serbe në Kosovë që të kuptoni se ekonomikisht po krijohet një varësi e tillë që po shkoi gjatë do të jetë fatale për shqiptarët në Ballkan. Edhe politikanët shqiptarë po na shesin shumë kopalla nga Tirana për vlerat e bashkëpunimit me Gjermaninë. Janë të gjitha rrena. Gjermania zë vendin e shtatë në lidhjet ekonomike dhe investimet në Shqipëri. Shesin kopalla sepse po na mburret politika se një kompani gjermane do të hap një supermarket në Tiranë, a thua pak qendra tregtare e supermarkete kemi. Mendjen vetëm për të shitur, po kush do t’i blejë sa kohë që fuqia blerëse e shqiptarit është në skaj të fundit. Nuk e thonë por shqiptarët e kanë 7 herë më të ulet nivelin e jetesës sesa grekët që na qenkan në krizë e po u qan hallin politika jonë marroqe. Greket dinë fort mirë ti bëjnë punët e veta dhe do t’ia dalin po ne që mbetëm e mbetëm në këtë baltovinë të skamjes si më të varfërit e Europës dhe më gjerë. E pra jemi shteti, këtu po flas për Shqipërinë por edhe Kosova njëjtë, që kemi pasuri të mëdha natyrore nëntokësore, krom, bakër, magnez, naftë. Si u katandisëm kaq të varfër. Ku shkojnë pasuritë kombëtare. Kush i vjedh në këtë shtet rrumpallë?! Dikush mund të thotë: çfarë pune ka politika kombëtare me tregtinë. Ka posi, sepse varësia ekonomike e shet farë lirë sovranitetin shtetëror dhe një ditë mund të ndodhemi të pushtuar, e të na duket pushtimi lumturi. Ka pushtime shumë më të sofistikuara sesa ato ushtarake. Mendjengushtët tregtarë të Kosovës e Shqipërisë mbase nuk e dinë, por për mua më shumë qëndron versioni – bëjnë sikur nuk e dinë dhe kësisoj janë gati të shesin Kosovën dhe Shqipërinë. Dhe po e shesin….e ne populli, qytetarët, që këndojmë sa na shqyhet gurmazi “O sa mirë me qenë shqiptar”, si të ishim tufë delesh, shkojmë ku të na çojë çoban jarani, a në lëndina, a në kasaphanë, një Zot e di. Por veç turbullira në horizont po shohim plot, e nuk po dimë, a jemi gati t’i përballojmë apo do të dalim humbës si gjithherë në histori…. 12 korrik 2015
Komentet