Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e nis sesionin e ri politik me një goditje në kabinetin e saj. Në një intervistë televizive për Rai ministri i Kulturës Gennaro Sangiuliano, një besnik i kryeministres ka pranuar publikisht i prekur se u përpoq të punësonte të dashurën e tij si konsulente në ministri. Ai u shpreh se i kishte ofruar dorëheqjen kryeministres, por ajo e refuzoi.
Lëvizja erdhi si reagim ndaj një skandali që shpërtheu javën e kaluar kur Maria Rosaria Boccia, një ndikuese e mediave sociale, njoftoi në Instagram se kishte një rol të ri si këshilltare për eventet kryesore të Ministrisë së Kulturës – një pretendim që vetë Ministria e mohoi.
Influencjerja më pas publikoi dokumente dhe fotografi të saj në udhëtime pune me ministrin Sangiuliano, duke përfshirë vizitat për takimin e ardhshëm ministror të G7 për kulturën në Positano, Itali.
Ministri i cili në të njëjtën kohë është i martuar me një grua tjetër, pranoi se Boccia e kishte shoqëruar në udhëtime pune dhe pretendoi se fillimisht i kishte ofruar një vend pune, por më vonë e “revokoi” ofertën pasi mori këshilla se do të ishte një konflikt interesi për shkak të “marrëdhënieve sentimentale”.
Në intervistë, Sangiuliano këmbënguli se nuk u përdorën para publike për të paguar udhëtimet e tij me Boccia-n dhe se ajo nuk kishte akses në dokumente konfidenciale.
I pyetur nga gazetari i RAI-t që e intervistoi nëse do të kërkonte falje, Sangiuliano u përgjigj me një listë:
“Shikoni, personi i parë që duhet t’i kërkoj falje sepse është e jashtëzakonshme, është gruaja ime (gazetarja Federica Corsini). Më pas i kërkoj falje Giorgia Melonit, e cila më besoi, për sikletin që i shkaktova asaj dhe padyshim qeverisë”, shtoi ai.
“Kërkoj falje edhe për bashkëpunëtorët e mi, të cilët në mënyrë të pahijshme, edhe pse nuk kanë bërë asgjë, e kanë gjetur veten të investuar në këtë aferë”.
Meloni ende nuk i ka kërkuar Sangiulianos të japë dorëheqjen, por ajo ka thënë se një hetim ishte në vazhdim.
Ky është skandali i dytë që prek ministrinë e kulturës këtë vit pasi nënsekretari i kulturës, Vittorio Sgarbi, dha dorëheqjen në shkurt pasi u akuzua se kishte mbuluar vjedhjen e veprave të artit. bw