Ymer Adem Llugaliu, si njëri nga pedagogët më të dalluar të brezit të tij dha gjithçka nga vetja në ngritjen dhe arsimimin e të rinjve të Beratit, Mirditës, Elbasanit dhe Llapit.
Luan Rama, zëvendëskryetar i LSI- së, pas 44 viteve takon ish- mësuesin e tij, disident Ymer Adem Llugaliu
Ymeri i lindur më 11 shtator të vitit 1936 në Surkish të Podujevës, qysh si nxënës i fillores bije në sy me njohurit e tij të gjithanshme .
Prirjet e tij të theksuara në Gjuhë, Histori, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji dhe Art, u vlerësuan lartë edhe nga arsimtarët e tij të progjimnazit të atëhershëm të Podujevës si:Sabit Kapiti,Nexhmi Sejdiu, Ibrahim Demolli, Abdyl Sokoli, Hasan Shala, Ali Zeneli, si dhe nga vet drejtori i përgjithshëm i kësaj shkolle Tadej Rodiqi, që para një viti kishte ardhur nga Prizreni në Podujevë.
Arratisja e paparalajmëruar e Llugaliut përtej Bjeshkëve të Nemuna,pikënisjen e pati nga një debat i nxehtë me arsimtarin e shkollës së Mesme Zhikica Jovanoviq, i cili jepte Gjuhën serbe.
Jovanoviq, në një orë mësimi kishte thënë “Kam përshtypjen që Gjuha shqipe, është një përzierje shumëgjuhësore çfarë lë me dyshue, a mundet me u quajt gjuhë në vete, apo jo. Ka latinizma, ka turqizma, ka serbizma, ka…”
Në formë kundërshtimi Ymeri kishte thënë jo- jo mësues gabim e keni.Pjetër Budi, librin“Doktrina kristiane”e ka shkruar qartë dhe pastër në gjuhën shqipe, qysh më 1618.
Ai,madje e ka pasuruar gjuhën edhe me neologjizma të burimit shqip, 49 vjet më herët se Johon Milton, gjuhën angleze me poemën “Parajsa e Humbur”.
Duke menduar që debati mësues- nxënës duhet të jetë i shëndosh dhe konstruktiv Ymeri, kishte vazhduar diskutimin e tij me gjuhën e argumenteve.
Ai kishte thënë: ”Mësues nga hulumtimet e mia shoh që serbishtja juaj është tamam një gjuhë laramane me rusizma, bullgarizma të dyja varianteve egjeiane dhe gjevgjeliane, si dhe me mishmashin e gjuhëve të tjera sllave.
Jovanoviq i revoltuar dhe i pakënaqur me debatin,Ymerin e paraqet në Drejtorinë e shkollës,si nxënës provokator dhe me pikëpamje nacionaliste.
Ai mbase do ta denonconte edhe në Polici, por se lejonte sedra e sëmur dhe inatçore me pohuar që në debate me nxënësin e tij çdoherë dilte humbës. Urrejtja e papërmbajtur e shovenve serbë del në shesh me arrestimin e arsimtarit të Historisë,Ibrahim Demolli, nga UDB-ja.
Ai ishte arrestuar vetëm pse i kishte bërë vërejtje tekstit të Historisë,për klasën e – lll- të,në të cilin fillim e mbarim ishte falsifikuar origjina e shqiptarëve autokton.
Ymeri lajmin mbi arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, e kishte pritur me dhembje dhe indinjatë të thellë.
Ai druante që fare lehtë mund ta ketë fatin e mësuesit të tij,të cilin për reagimet e tij konkrete dhe në kohë e quante edhe si mësues “Shtylla”.
Kjo ndjenjë pasigurie dhe mosdurimi ndaj shovenëve serbë e pati detyruar Llugaliun,ende adoleshent që të kalojë në tokën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut me origjinë nga Kastri i Hasit të Prizrenit, me banim në Mat, me ngadhënjimin në Krujë, që shekullin e – XV- e bëri EPOKË të ARBANISË.
Llugaliu,që i hypi krahut të ëndrrës dhe kaloi matanë maleve i bindur që edhe ai është një krah shqipje regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku vitin e parë të studimeve e kryen me sukses maksimal.
Me gjithë rezultatin e arritur në Mjekësi,atë vazhdimisht e tundon dëshira e papërshkruar për të studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe.
Inspirimin për studim të mirëfilltë dhe me rrënjë të Gjuhës,historisë dhe kulturës shqiptare ia ngjalli përçmimi dhe urrejtja që shovinistët serbo- sllav, i bënin Gjuhës shqipe, dhe popullit të robëruar shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë lindore.
Pas përfundimit të studimeve me sukses shembullor Ymeri,priste që të bëjë punën e ndihmës profesorit (asistentit) në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Mirëpo,një ditë fundgushti atij pa kurrfarë paralajmërimi i jepet urdhëri që të shkojë në Krahinën më të prapambetur dhe më të persekutuar të vendit, në Mirditë.
I njohur me virtytet e tij prej burri dhe pedagogu profesionist plot nëntë vjet punon në shkollën e Mesme në Rrëshen,dhe në atë Tetëvjeçare në Kurbnesh.
Llugaliu përkundër kushteve të vështira për punë detyrën e tij të mësuesit të Gjuhës Shqipe,dhe letërsisë,siç ishte emërtuar kjo lëndë atëherë e kryente me mjaft sukses.
Ai duke e konsideruar arsimimin e brezave si burim drite, edhe në kohën kur ishte student kishte punuar si mësues i së njëjtës lëndë 15- 16 muaj, edhe në Berat.
Me përvojën e tij të gjatë ai ishte në gjendje që nëpërmjet procedurave të testimit ta bëjë edhe matjen e inteligjencës të secilit nxënës.
Po ashtu llogaritjen e pikëve për notë e bënte saktë dhe pa i hyrë askujt në hak.Vazhdimisht nxënësëve të tij ua përsëriste thënien “Shumë shpejt e keni kryer punën,nëse e keni kryer si duhet .”
Llugaliu,përveç aftësive intelektuale dhe organizimeve dallohej edhe për respektimin dhe dashurinë e treguar ndaj malësorëve të Mirditës .
Mania e pansllavistëve kokëbosh dhe klysh të Stalinit nëprmjet “fabrikave”të llojit kovaçhane banorët e kësaj zone i detyronte të bëjnë punë skllavi si në feudalizëm.
Ata që kundërshtonin shpalleshin armiq të popullit, dhe përfundonin në kampe internimi,ku vite më radhë thanin këneta e moçale.
Grupi tjetër i “vullnetarëve”amator ndërtonte“pallate”me qerpiç e baltë. Çdonjërit veç e veç, apo si kolektiv për një normë të parealizuar i avullonte jeta.
Këtë diktaturë ekzemplar tmerri disa të verbëruar e atoparlant të monismit e përshkruanin si parasë,vetburgimin liri, diktaturën demokraci .
Kurse,Hoxha gjirokastritin pejgamber,sepse kështjellën e rrezistencës së Gegnisë,të ndërtuar me djersë e gjak nga Buzuku, Bardhi, Bogdani, Budi, Veqilharxhi, Pashko Vasa, Mjeda, Fishta e Migjeni etj, e kishte bërë rrafsh me tokë, nga frika që pasardhësit e tyre po e lidhnin Arbanin me Vatikanin dhe Përendimin.
Llugaliu si bir i traditës kësaj çmendurie paranoiake i kundërvihet me vargjet revoltë të Migjenit”: Oh,si s’ po kam nji grusht të fuqishëm Malit( diktaturës) që vret mu në zemër me ia ngjesh”.
Më 10 nëntor të vitit 1976, nën pretekstin e “ Agjitacion propagandës”Llugaliu u arrestua dhe u dënua me tetë vjet heqje lirie.
Arrestimit të tij i parapriu spiunimi i një “kolegu“në eskursionin me nxënës në Pllajën e Valmorit.
Ai e kishte provokuar mësueses Ymerin,duke i thënë : – Or kosovar si të duket Valmori ?…
Ymeri,modest dhe pa u mburrur këtij të shituri që ishte si gacë e mbuluar me shumë shtresa shpuze iu kishte përgjigjur:” Valmori është i bukur, ama shumëfish më e bukur është Fusha e Kosovës”.
Të nesërmën “kolegu”i tij, një kuisling që regjimi diktatorial e kishte bërë rregëzinë, duke sajuar edhe njëqind gënjeshtra të tjera, raporton tek padronët e tij të Sigurimit të Shtetit.
Pastaj,ata bëjnë atë që s’ kishte arritur ta bëj vëllai i tyre ideologjik Zhikica Jovanoviq. Llugaliun e mbyllin në burgun e Spaçit . Atje i ballafaquar çdoherë me uri dhe etje detyrohet që të kryejë punët më të rënda fizike.
Pas daljes nga burgu rehabilitimin e tij dhe avancimin në pozita,diktatorët gardianë të ferrit të kuq komunist e kushtëzojnë me kërkesën që ai me shkrimet e tij të glorifikoj Kryediktatorin, duke i thurur në të njëjtën kohë elozhe edhe kolektivizimit të vendit, që ishte kthyer në varr të hapur të shqiptarëve.
Llugaliu guximtar dhe frontal,siç janë zakonisht malsorët kësaj oferte i bën refuzim të dyfishtë,jo për mungesë talenti,por nuk donte me u bë në asnjë mënyrë nallban për me mbadh kuaj të xhelatëve komunistë, të cilët gjatë 50 vjetëve- shekuj likuiduan figurat më të ndritura të kombit tonë.
Pas këtij refuzimi atij gojën ia mbyllin e lapsin ia kthejnë në kazmë,duke e izoluar dhe internuar në zona të thella malore, ku nëntëmbëdhjetë vjet rresht, nuk i lejohet kontakti me njeri.
Atë ushqim të paktë dhe pagrimë shije të shumtën e herëve ia hudhnin nëpër sportelet e thurura me thupra hekuri sikur luanit në kafaz.
Edhe pse ishte me qafë nën shpatën e Demokleut, alias Diktatorit, Enver Hoxha, më 13 gusht të vitit 1983,ai bëhet shembull guximi dhe besnikrie. Me katër- pesë shokë e bën varrosjen e disidentes së parë Shqiptare, Musine Kokalari, e cila kishte vdekur në vetmi dhe vuajtje të paimagjinueshme në një kasolle të Rrëshenit .
Pas përmbysjes së Diktaturës, Llugaliu një ditë të vonuar pranvere kthehet në vendlindje, ku e kishte lënë të ndryme rininë e tij të hershme.
Atij i bëhet pritje madhështore. Surkishi ato ditë ishte vend pelegrinazhi, i të gjithë llapjanëve.
Pushtuesit serbë që ishin instaluar në hyrje të këtij fshati me të kuptuar se Llugaliu,ishte kthyer në Dardani,në tokën e të parëve të tij, e arrestojë dhe ia plaçkisin të gjitha peshqeshet, dhe të hollat e dhuruara nga familjar, shokë e miq.
Pas katër- pesë ditëve e dëbojnë matanë kufirit të vendosur me dhunë e gjak. Llugaliu që ishte flijuar për Shqipërinë Etnike, shkon në Elbasan, ku fillon punën e mësimdhënësit të Gjuhës Gjermane në shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja.
Po ashtu kontribuon në të gjitha lëvizjet për liri dhe demokraci të Shqipërisë. Më gjithë ferrin e përjetuar Llugaliu, pedagog dhe krijues më 1993, e boton në “Eurorilindja” Tiranë, librin me poezi,,Luani i Prishtinës”. Pas këtij libri ai ka botuar edhe shtatë- tetë libra të tjerë me temë nga historia,kultura dhe gjuhësia.
Sidomos vëmendjen e atyre që studiojnë Gjuhë shqipe,e kanë zgjuar librat me analiza të ngjeshura nga Fonetika, Morfologjia dhe Sintaksa” Gjuhësi e letrarizueme” dhe ai “ Ma i lashti dhe ma i riu”
Llugaliu, fondin e tij krijues e pasuron edhe me fejtone të shumta të botuara në Gazetat e ditës dhe ato javore në Shqipëri e Kosovë.
Po ashtu është më rëndësi të theksohet që ai më 2005, pati botuar studimin dygjuhësor shqip- anglisht“Pretendimet serbe rreth Kosovës dhe realiteti kosovar”. “ Serbian claims about Kosova and kosovarian reality “.
Ymer Llugaliu, edhe pse në moshë të shtyrë posedon potencial të pashtershëm krijues. Ai ka në dorëshkrim edhe disa tema nga fusha e Gramatikës së Gjuhës shqipe, ku së shpejti pret botimin e tyre të përmbledhur në një libër.
Mirditorët edhe pse ka kaluar gati gjysmëshekulli ndihen krenar me ish- mësuesin e tyre të mrekullueshëm Ymer Adem Llugaliu.
Ata të nxitur nga respekti i pakufishëm ndaj tij nëntorin e vitit të kaluar në mënyrë të organizuar e patën vizituar atë në fshatin e tij të lindjes Surkish të Podujevës.
Ngjashëm me shokët e tij veproi dhe politikologu e publicisti i njohur Luan Rama. Ai me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit,erdhi enkas nga Tirana, në Llap, për t’i shprehur mirënjohjen dhe konsideratën e tij, për punën e shkëlqyer mësuesit dhe disidentit Ymer Adem Llugaliu.
Llugaliu,ndihet shumë i nderuar nga këto vizita të ish- nxënësve të tij, ngase ato janë prova më e mirë që veprën e tij s’mundi me zhduk e as me hijezue diktatura komuniste .
ARIF EJUPI
Komentet