Kap. I – IV
1. Dukja e Pugaçovit
në qytetin e Jaikut
PUGAÇOVI
Ah sa i lodhur jam dhe këmba më dhemb!…
Hingëllin rruga hapsirave të shqetësuara.
Mos je ti, mos je ti Shagan i cubave,
Azil i zhelanëve dhe bishave të tërbuara?
Unë e dua bakrin e stepave të tua
Dhe tokën erë kripë e dua përherë.
Hëna rrokulliset në barin e lagur
Sikur të ish arushë e verdhë.
Jam këtu, më në fund, jam këtu!
Si zinxhirë dallgësh, armata armike u bë thërrime;
S’arritën ta ngulnin në shtizë shelgu
Velën e kokës sime.
Jaik, Jaik, ti më thërrisje
Me rënkimin e një populli të shtypur me tërbim.
Fryheshin në zemër sytë prej bretkose të fshatit
Që trishtohej në perëndim.
Di që këto izba, këmbana druri janë;
Era si mjegull,
Zërin e tyre ka ngrënë.
Oh, ndihmomë o mjegull e stepës
Që unë të kryej planin tim të tmerrshëm!
GARDIANI
Kush je ti o udhëtar? Pse endesh luginës
Dhe qetësinë e natës prish anë e këndë?
Pse të varet koka mbi supe
Si mollë e rëndë?
PUGAÇOVI
Në vendin tuaj të njelmët
Nga vise të largëta kam ardhur
Që arin e trupave të sodis
Arin e dashur të sllavëve.
Dëgjo, atë! Tregomë ëmbëlsisht
Muzhiku ynë i urtë si jeton.
Qumështin e thekrës së arave,
A e kullon vazhdimisht?
Sapo shembet qelia e agimit
A rend tërshëra trokthi në koritë?
Në lehet shkumëzuese të lakrave
Varkëzat e trangujve a zhyten, natojnë?
A është përherë e qetë puna e amvisave?
A dëgjohet njëlloj kërkëllima e qerthujve që punojnë?
GARDIANI
Jo, udhëtar! Me atë jetë Jaiku,
Prej kohësh është ndarë,
Që në ditët e para si u këputën kapistallët,
Që në ditët e para si vdiq Pjetri i tretë,
Mbi lakrat, tërshërën dhe thekrën
Më kot e derdhim, ne djersën si det.
Peshkun, kripën dhe tregun tonë,
Atë që të pasur, punëdashëse këtë tokë e bën
Në mbikqyerje të fisnikëve të saj
Ekaterina e ka lënë.
Dhe tani në çdo kënd
Prej kthetrave të forta Rusia rënkon
Me fytyra në ankim,
Zemra e Kainit, pikëz mëshirë, s’pikon.
Të gjithë i prangosën, skllevër i bënë,
Nga uria dhe hekurin do të shqyenin me dhëmbë,
Nga futi i çarë e qiellit
Agimi kullon fushave paanë.
PUGAÇOVI
E trishtuar jeta juaj!
Por thuamë, thuamë,
S’ka populli forcë dhe energji
Sa të nxjerrë nga çizmet thikat
Dhe zotërinjve mbi shpina t’ua ngulë me furi?
GARDIANI
Ke parë ti
Sesi kosa kërcen në lëndinë,
Duke kafshuar këmbët e barit me dhëmbët e hekurt?
Bari, me këmbë dhe duar qëndron aty,
Me rrënjët mbledhur nën vete,
Dhe nga dhëmbët e egër të kosës
Në asnjë vend nuk gjen shpëtim,
Pasi s’mundet si zogu, ai,
Nga toka, kaltërsive, të ngrihet fluturim.
Kështu dhe ne! Vumë rrënjë me këmbë gjatku në izba.
Ç’na duhet, nëse balli i parë i barit u kosit?
Vetëm ne,
Vetëm ne si luleshqerrave
Të mos na kositen kokat një ditë.
Por duket se janë zgjuar tani,
Dhe rruga jonë, përlotur prej beriozave,
Emrin e Pjetrit të ndierë
Si një mjegull e lagshtë mbështjellë.
PUGAÇOVI
Si, Pjetri? Çfarë the o plak?
……………………………….
Apo klithën retë në qiell atje lart?
GARDIANI
Së shpejti një klithmë e tmerrshme, them,
Duke gëlltitur izbat si bretkosa,
Më shumë se bubullimat do të gjëmojë mbi ne.
Ne na duhet që dikush, gurin e parë të vërvisë,
Revolta tashmë velat po i ngre.
PUGAÇOVI
Ç’mendim!
GARDIANI
Pse po psherëtin?
PUGAÇOVI
Jam betuar të hesht për pak kohë.
……………………………….
Darët e agimit në qiell
Nga goja e errësirës
Yjet si dhëmbë po i shkulin
Dhe unë të dremis askund s’kam mundur.
GARDIANI
Mund të të jepja dyshekun tim
Me kashtë
Ku flenë katër fëmijët,
Por në shtëpi, kam vetëm një shtrat.
PUGAÇOVI
Të faleminderit! Jam mik në këtë qytet.
Do të më strehojnë mua nën çdo çati
Lamtumirë, o plak, mirëmbeç!
GARDIANI
Zoti të ruajtë
……………
……………
Rusi, Rusi! Sa janë ata
Që si në shoshë shoshisin mishin e vet
Dhe enden tokave, hapësirave të tua paanë?
Cili zë ata i thërret dhe ka vënë në duart e tyre
Pishtarin mbi shkopin e gjatë?
Ata ikin, ikin, buçimën e blertë duke lavdëruar,
Duke lagur trupin me erë e me pluhur rrugor,
Gati si t’i çonin në punë të detyruar.
T’ i binin rrotull me këmbë
Globit toksor
Por ç’po shoh?
Eshtë rrokullisuar më poshtë këmbana e hënës në skaj
E vockël si mollë e fishkur.
U shurdhua trokitja e rrezeve të saj.
Mbi hurin e gardhit gjeli tashmë
Ka nisur t’i bjerë harmonikës me zë
2. IKJA E KALMUKEVE
ZERI I PARE
Dëgjoni,dëgjoni,dëgjoni!
A mos keni ëndërruar sonte qarje qerresh?
Sonte në agimin e kthjellët,
Tridhjetëmijë qerre kalmukësh
Janë zvarritur nga Samara drejt Irgisit
Nga tirania e burokratëve rusë
Pasi si fëllëzave u rropën puplat
Livadheve tona.
Si kope breshkash druri
Drejt Mongolisë së tyre morën me ngut.
ZERI I DYTE
Vetëm ne,vetëm ne ngurojmë
Sikur breshëria që na përfshiu,
Të na frikësonte.
Pasi Moska çdo javë ediktet e saja na dërgon
Dhe kudo që të shkosh
Sheh si kërcejnë nga shpatullat ngahera,
Nën shpatën e shtypësve
Koka kozakësh si mace të verdha.
KIRPIÇNIKOV
Kujdes, kujdes, kujdes!
Mos u bëni frikacakë si delet, ju!
Që t’ju fusin në një bëmë të tmerrshme
Traubenberg dhe Tambovçev vijnë, këtu.
KOZAKET
Në djall! Në dreq tradhëtarët!
……………………………….
TAMBOVÇEV
Ku-j-de-s!
Stonikë të reparteve kozake
Përgatituni për marshim!
Sonte hordhitë kalmuke
Të gjitha si bisha të egra
Tradhëtuan perandorinë e Rusisë,
Duke marrë me vete krejt bagëtinë.
Shagani hedh në bregun e ditës
Varkën e zhytur të hënës.
Ata që e duan atdheun
Duhet të më dëgjojnë!
Këtë humbje për vendin,jo,jo,
Ne s’mund, ne s’mund, nuk mund ta lejojmë.
Rusia ka humbur mishrat dhe lëkurët,
Rusia ka humbur kuajt më të mirë.
T’u lëshohemi në ndjekje
Këtyre mongolëve rreptësisht,
Para se Kinës t’i jepen ata,
Plotësisht.
KIRPIÇNIKOV
Mjaft, ataman,
Mjaft me llomotitje në erë!
Për Rusinë ndiejmë dhimbje,
Sepse Rusinë e kemi nënë të gjithë!
Dhe fare, fare s’trembemi ne,
Nëse fushat tona i braktisi ndonjë.
Kalmuku s’është lepuri i verdhë
Që ne për gjah ta gjuajmë me tërbim.
Si era u nis ky mongoli zeshkan,
Zoti i uroftë atij udhë të mbarë
Që rrethimeve tona
Diti t’u shpëtojë pa dhimbje sa më parë.
TRAUBENBERG
Ç’do të thotë kjo?
KIRPIÇNIKOV
Kjo do të thotë
Po qe se izbat tona
Do të ishin mbi rrota
Kuajt tanë do të mbrehnim ne,
Dhe nga hapësirat e kripura
Do të shkonim në arin e stepavè
Kuajt tanë,duke mënjanuar qafat e gjata
Si një trumbë mjelmash të zeza
Nëpër ujiërat e thekrave, atje
Do të na çonin të vrullshëm e të bukur
Në një vend të ri, për një jetë të re.
KOZAKET
Na keni torturuar!Na keni grirë egërsira!
TAMBOVÇEV
Kozakë, po ju keni puthur kryqin!
Jeni betuar…
KIRPIÇNIKOV
Jemi betuar, i jemi betuar Ekaterinës
Që të jemi kështjellë e kufijve të stepave mbarë
Që t’i mbrojmë këto kullota kaltërore
Nga plaçkitja e zogjve grabitqarë.
Po më thoni, më thoni, më thoni
Këta zogj, mos nuk jeni ju?
Banori i fushave tona të vrazhda
Nuk gjen strehim për kokën këtu.
TRAUBENBERG
Kjo është tradhëti!…
Lidheni! Lidheni!
KIRPIÇNIKOV
Eridhi ora, kozakë!
Të përshëndes, o revoltë mizore, unë!
Atë që buzët s’e shprehin dot me fjalë
Le ta tregojnë koburet me plumb.
(qëllon)
Traunbenberg bie i vdekur. Rojat Ia mbathin.
Kozakët rrokin pë freri kalin e Tambovçevit
dhe e zvarrisin atë përtokë.
ZERA
Vdekje!Vdekje tiranit!
TAMBOVÇEV
O Zot!, ç’bëra?
ZERI I PARE
Na ke torturuar o kriminel, tre vjet,
Tre vjet si një hutë e bardhë
S’na ke lënë të qetë.
ZERI I DYTE
Shijo çorbën e stuhisë.
Mbarove së dëfryeri, së fshikulluari, së mburruri.
ZERI I TRETE
Djall, përse ta zgjatim më gjatë me të?
ZERI I KATERT
Ta varim- e mjaft më!
KIRPIÇNIKOV
Moska ta dijë, ta ndiejë-
Ne ndëshkimin e tij do ta shpejtojmë.
Është vetëm gjëmimi i parë,
Është vetëm krisma e parë,
Ta mbajë mend Ekaterina,
Nëse Rusia është një moçal,
Si bretkosa të zeza në baltovinë,
Topat, vezë prej çeliku do të hedhin.
Le ta marrë vesh vendi që kozaku ynë
Nuk është shelg i bardhë mbi shteg
Dhe në thesin me bar të hënës
S’do ta lerë më kot kaptinën e vet.
3. NJE NATE VJESHTE
KARAVAJENI
Mijëra djaj, mijëra shtriga dhe mijëra demonë!
Çfarë shiu! Çfarë shi i keq!
I keq, i keq!
Derdhet nga retë mbi fusha dhe fshatra
Si shurrë e qelbur qesh
Shi i keq
Çfarë shiu i keq!
Shelgjet rrinë të shpupuluar
Si skelete lejlekësh thatimë
Bakrrin e brinjëve, duke kulluar.
Jo në barkun prej druri
Por në tokë do t’i ngrohin vezët e arta të gjetheve,
Nuk do të çelin zogj shelgjet e blertë.
Shtatori rrëshqiti si thikë në fytin e tyre,
Dhe kockat e krahëve thyen mbi çakull
Shiu i vjeshtës
Shi i keq, i ftohtë, akull!
O vjeshtë, vjeshtë!
Kaçube lakuriqe
Ndanë rrugësh lagen si zhelanë.
Në këtë kohë të keqe qentë me bisht në shalë
S’guxojnë të nxjerrin kokën përtej pragut, matanë.
Dhe ty të duhet të rrish gjer në vdekje këtu
Të hash errësirën me sy.
Që të mos futet asnjë spiun
Shi i mallkuar, shi!
Ndëshkimin për revoltën më kujtojnë retë
Që vjellin.
Sa më shpejt, sa më shpejt t’ia mbathim
Nga këto vende të mjelura me gjak.
Sulltani që në luftë me Ekaterinën u mat
Do të na presë të gjithëve krahëhapur sakaq.
Mblidhet populli që gjakun i thithën,
Duke parë veten si minj fshati përreth.
O, diell-këmbanë
Mbase s’do ta dëgjojmë më këtu tili-li-den-in tënd!
Hapa më duket! Po ç’po ndodh kështu de?
Hapa…hapa…
Eh, kush po kalon? Kush po kalon atje?
PUGAÇOVI
Miq…Miq!…
KARAVAJEVI
Cilët miq?
PUGAÇOVI
Jam unë, Emiliani.
KARAVAJEVI
Ah, Emilian, Emilian, Emilian!
A ka gjë të re kësaj botë, Emilian?
Si të duket ty ky shi ?
PUGAÇOVI
Ky shi, dhuratë nga Zoti për fatin tonë,
Po të bjerë gjithë natën, na gëzon!
KARAVAJEVI
Po, po! Edhe unë mendoj po kështu Emilian.
Shi i mrekullueshëm! Shi madhështor!
PUGAÇOVI
Sonte, duke u fshehur në terr
Vura re pozicionet e qeverisë.
Të gjitha rojat u strukën si lepuj
Të trembur mos u qulleshin kapotat sërish.
E di? Nëse të nisemi për marshim
Nata thikat tona, s’do t’i lyejë me gjak
Por me agim.
Të gjithë ushtarët,fare pa e shkrepur
Do të mund t’i fusnim në Jaikun e fjetur…
Në mëngjes, koha, e kthjellët do të jetë
Mjegulla si një kope gri, trokthi do të ecë.
Dëgjo,unë jam nga njerëz të thjeshtë,
I ngjashëm me në bishë stepe në zemër.
Një ditë të tërë pa bërë një verst,
Unë di ta dëgjoj vrapin e erës, hapin e krijesës,
Pasi në gjoks si në strofull
Më rrotullohet bisha e nxehtë e shpirtit.
E dua erën e barit të djegur nga acari,
Fishkëllimën e gjatë të rënies së gjetheve në shtator.
A e di që në vjeshtë arushi ndonjëherë
Shikon hënën
Si gjethe që dridhet në erë?
Nëna me hënën i mëson vogëlushit
Urtësinë e saj prej kafshe i mëon
Që të njohë torollaku arush
Prirjet dhe emrin e tij.
………………………………
E kuptova pra vlerën time tani.
KARAAVAJEVI
Mos është gabim vallë që të besojnë të ty?
PUGAÇOVI
Gjatë shumë,shumë viteve të rënda
Mësova gjykimin e kafshëve…
E di? njerëzit kanë të gjithë shpirt shtazarak;
Kush shpirt ariu, kush dhelpre, kush ujku.
Dhe jeta është pyll që s’i duken anët,
Ku agimi galopon si kalorës i kuq
Duhet t’i kesh të fortë, të fortë dhëmbët
KARAVAJEVI
Po, po! Dhe unë kështu mendoj, Emilian…
Po qe se do të kishim dhëmbë
Regjimentet e Moskës
Nuk do të na hidhnin si peshq në Shagan.
Do të kishin frikë
Të na ndiqnin e të na ndëshkonin kaq lehtësisht
Sepse në tymin e revoltës
Ne vramë dy maskarenj të ligj.
PUGAÇOVI
Të mjerët, të mjerët rebelë,
Lulëzuat, fëshfëritë si thekër
Kokat tuaja si kallinj delikatë
Shiu i korrikut ua ka përkundur,
Krijesave u keni buzëqeshur sakaq…
…………………………………………….
Dëgjoni, a s’është vallë paturpësi
Që me këta surretër të ndyrë
Që të hakmerremi gjer tani s’kemi mundur?
Mund të falet ndonjëherë
Që nga froni një L(avire)
Të shtrijë gishtat si ushtarët
Popullin që rebelon të vrasë?
Jo, s’mund, nuk mund!
Në djall Sulltani me gjithë Turqinë!
Vetëm për kënaqësi të armikut
Ikja është e nxituar,
Duhet të qëndrojmë këtu!
Duhet të qëndrojmë,
Që hakmarrja të vlojë
Si furtunë e artë akaciesh
Që thikat të kullojnë egërsi,
Si shkulme hekuri përsëri!
Mos bëj më roje! dëgjo,
Vrapo dhe hutorin zgjo.
4. NJE NGJARJE NE TALLOVI UMJET
ABOLLAJEVI
Ç’ka ndodhur? Ç’ka ndodhur? Ç’ka ndodhur?
PUGAÇOVI
Asgjë e tmerrshme.Asgjë e tmerrshme. Asgjë e tmerrsme.
Mbi rrugë lagështira e verdhë atje
Si kope delesh mjegullën përzë.
Era, çafkë e lagur, duke pluguar pellgjet e fushave,
I ka shtrënguar të gjitha gjallesat
Të fshiheshin si bretkosat në folet e tyre
I lidhur me një fije shiu
Si kryq i zi në hapësirë
Endet një zog i çmendur, pluskon.
Vjeshta, murgeshë plakë e leckosur,
Rrënimin e dikujt, ajo, parashikon.
…………………………………….
Dëgjoni, diçka më të saktë kam menduar,
Për të mirën tonë.
KARAVAJEVI
Po, po! kemi menduar diçka më të saktë.
PUGAÇOVI
A e dini ju
Se në popull noton lajmi
Si barkë me velat ulur mbi kreshta dallgësh?
Si shtazë muzhiku ynë dëshiron të struket galuc
Dhe ta pijë atë si sisë të madhe lope.
Që nga rërat e Dzhigilit gjer në Alatir
Ky lajm tregon,
Se një prijës i egër
Dërgon në rrafshirat ruse
Hijen e vdekur të perandorit.
Kjo hije, me një litar në qafën thatime,
Tundu nofullën e varur,
Vallëzon me këmbët që i përplas,
Shkon të hakmerret.
Shkon të hakmerret me Ekaterinën,
Duke ngritur krahun si hu të verdhë,
Me bashkëpunëtorët e saj
Pasi brokën e bardhë të kokës ia çau
Zuri fronin e tij
Pastaj.
OBOLLAJEVI
Kjo është vetëm përrallë për t’u argëtuar!
Ti s’ke ardhur sigurisht
Për ta treguar?
PUGAÇOVI
Më kot, më kot, më kot
Mendon kështu, vëlla Stefan.
KARAVAJEVI
Po, po! Edhe për mua më kot.
PUGAÇOVI
Ia vlen vëllë, ia vlen, ia vlen,
Që të vdekurit të mos çohen nga varret?
Megjithatë aty-këtu, ky zë
Si plug ka çarë tokën e tharë.
Kumbimi i revoltës dëgjohet tashmë.
Britma e muzhikëve zenitin mbush
Dhe kopeja e drunjtë e shkurreve
Me degët pa gjethe oshëtin.
Ç’i duhet Pjetrit? me kopenë bishë, mizore?
Duhet vetëm guri i rastit të shumëpritur
Që shtyllat e pogromeve të drejtohen
Mbi atë që ka torturuar e plaçkitur.
Cilido të paguajë gjer më një.
Hakmarrja lind këlysha gjaku.
Kush kërkon të thotë, kështu tërbojnë
Vagabondët, renegatët?,
Kështu tërbojnë rusët!
Dua t’u mësoj atyre nën buzëqeshjen e shpatave
Ta pais me vela atë skelet të kobshëm
Dhe ta lëshoj si varkë
Nëpër stepat e ftohta, hovshem.
Dhe pas tij nëpër kurganët blu
Do të lëvizim
Një flotë gumëzhitëse kokash të gjalla diku.
…………
Dëgjoni!Për të gjithë, tani e tutje
Unë jam Imperantori Pjetër për ju!
KOZAKET
Si, Imperator?
OBOLLAJEVI
Ka dalë mendshë!
PUGAÇOVI
Ha , ha, ha!
Varrmihësi ju ka tmerruar
Që kafkën mban në dorë si kusi,
Sillën me monedha bakri ai zien
Që t’i ruajë për kohëra të zeza, zi.
S’dua t’ ju friksoj me një të vdekur,
Por ju duhet, duhet të kuptoni
Që me këtë plan të varrezave
Do të ngremë armatën e mongolëve!
S’na mjaftojnë njerëzit
Që jetojnë në krahinën tonë,
Le të ndeshet kalmuku dhe bashkiri midis tendave
Me hovin e deshëve!
ZARUBINI
Eshtë e vërtetë, e vërtetë, e vërtetë!
Në djall çdo plan ikjeje!
Më mirë t’ua thyejmë kokat e fëlliqura
Si rrota qerresh këtu.
Do t’i mbulojmë me sharje dhe thika.
Kush s’ka shpatë, të godasë me tulla, me tërbim!
Rroftë Imperatori ynë,
Emilian Ivanoviç Pugaçovi trim!
PUGAÇOVI
Jo, jo, unë, për të gjithë këtu
Nuk jam Emiliani, por jam Pjetri për ju…
KARAVAJEVI
Po, po, jo Emilian, por Pjetri…
PUGAÇOVI
Vëllezër,vëllezër
Çdo kafshë do lëkurën dhe emrin e vet…
E ka të rëndë koka ime
Të stoliset me brymën e huaj
E ka të vështirë zemra, me bishtukun e hakmarrjes,
Të ndriçojë pështjellimin në mes të pyjeve.
E dini ç’do të thotë të hysh në një emër të vdekur,
Është e barabartë me zbritjen në një varr të qelbur.
Më dhemb të jem Pjetër, më dhemb,
Kur kam gjak dhe shpirt Emiliani.
Njeriu në këtë botë s’është shtëpi trungjesh;
Jo gjithmonë ndërtohet nga fillimi,
Por…në djall gjithçka, në djall
Larg mëshirës e përkëdhelise prej viçi!
Sonte në tre e gjysmë në agim,
Duhet të bëjmë një inkursion, padyshim.
SHENIMET E KAPITUJVE 1 – 4
1. DUKJA E PUGAÇOVIT NE QYTETIN E JAIKUT
Emilian Ivanoviç Pugaçovi (1736, rreth -75 ) Kozak i arratisur i ushtrisë së Donit (cfr.p.97), shënimi 7 ) shfaqet në qytetin e Jaikut, “çerdhja e parë e revoltës”, (Pushkin), në guvernën e Orenburgut. Jemi në vitin 1771. Pasi është arrestuar shumë herë për veprimtarinë e tij agjitative midis kozakëve të Donit ( arrin gjithmonë të ikë), Pugaçovi mendon tani të bëhet kryetari i një revolte të madhe të kozakëve të Jaikut,që tashmë ziente kundër tiranisë së Moskës 1762, që kur Katerina II, shfronësoi dhe vrau burrin e saj Pietrin III, gati pas një viti mbretërimi, hipi në fron.”duke filluar nga i njëjti vit 1762 kozakët e Jaikut nisën të ankohen për angaritë e ndryshme që hiqnin për faj të anëtarëve të kancelarisë së krijuara nga qeveria në ushtri; për mbajtjet mbi pagën bazë, për taksat arbitrare dhe për dhunimin e të drejtave dhe zakoneve të lashta të peshkimit. Funksionarët e dërguar për të shqyrtuar ankimet e tyre, nuk mundën ose nuk deshën t’ua plotësonin kërkesën. Kozakët u ngritën më shumë se një herë (…). Më në fund më 1771 revolta u manifestua me gjithë forcën e saj”. (Pushki, Historia e Revoltës së Pugaçovit.
Qyteti i Jaikut (Jaickij gorodok), më 1775 ( pas revoltës së Pugaçovit) i ripagëzuar në Uralsk, në Kazakistan, ndodhet mbi brigjet e lumit Ural (më parë Jaik), jo larg Shaganit, dega e tij e djathtë. Pushkini thotë: Lumi Jaik, me dekret të Katerinës II i ripagëzuar Ural, buron nga malet të cilët i kanë dhënë emrin aktual; rrjedh në jugë gjatë vargut të tyre gjer në vendin ku dikur qe themeluar Orenburgu dhe ku sot gjendet kështjella e Oiskut; këtu pasi ndan kreshtën e tyre shkëmbore, merr drejt perëndimit dhe përshkon dymijë e pesëqind vjorste, derdhet në detin Kaspik. Ai lag një pjesë të Bashkirias dhe shënon gati gjithë kufirin jug-lindor të gubernës së Orenburgut. Djathtas kufizohet me stepat të Përtej Vollgës; majtas shtrihen shkretëtira të zhveshura, ku çojnë jetë nomade hordhitë e tribuve të egra, të njohura nga ne, me emrin e Kirkis-Kajsaki. Rrjedha e tij është e vrullshme; ujërat e turbullta janë të pasura me peshk të çdo lloji; brigjet në pjesën më të madhe janë argjilorë, ranorë e pa pyje, por në toka nën ujë, të përshtatshme për rritjen e bagëtive. Afër grykëderdhjes,ai është i mbuluar me xunkthe, ku fshihen derra të egër dhe tigra”. Katerina duke dëshiruar ta zhdukë kujtimin e asaj epoke të tmerrshme, hoqi emrin e vjetër të lumit, brigjet e të cilit kishin qënë dëshmitarët e parë të revoltës. Kozakët e Jaikut u pagëzuan kozakë të Uralit dhe qyteti i tyre mori të njëjtin emër”.
Orenburg (më 1938 i pagëzuar Çkallov) tashmë kryeqëndër e gubernës, gjendet në të djathtë të lumit Ural, pranë bashkërrjedhjes me atë të Sakmarës. Urali i lundrueshëm gjer në Orsk, ka ujë me shumë peshk (Storion, valmonë) Pas Uralskit, përshkon stepat e kripura të Kazakistanit (nën nivelin e detit) dhe derdhet me anë të një deltë në detin Kaspik, pranë Gurievit.
2. IKJA E KALMUKËVE
Revolta e ushtrisë së Jaikut që shpërtheu në vitin 1771 lidhet me ikjen e famshme të kalmukëve, e mbiquajtur edhe revolta e tartarëve ose tatareve (sfr.p.102, shënimi 2 ) e të njëjtit vit. (Në të të shihet midis të tjerave eseja e THOMAS DE QUINCEY, Revoltë of the tartars; or Flight of the Kalmuck khan and his people from the Russian territories to the frontiers of China,1837; Revolta e Tartarëve, përkth.it e N.De Feo,Sansoni,Firenze 1943).
Por kalmukët (kalmyki) dalloheshin qartë nga tartarët (tatary).Me gjuhë mongole dhe me fe budiste, ata ishin një popull nomad të Vollgës së poshtme, të varur nga guberna e Astrahanit. Endeshin nëpër stepa me çadra, deve dhe grigja. Pushkini thotë: “Një ngjarje jo më pak e rëndësishme i dha rast ikjes së tyre. Midis Vollgës dhe Jaikut, nëpër stepat e gjëra të Astrahanit dhe Seratovit, bënin jetë nomade kalmukët paqërorë, ardhur në fillim të shekullit XVIII nga kufijtë e Kinës, nën mbrojtjen e Carit të bardhë.Që nga ajo kohë, i kishin shërbyer besnikërisht Rusisë, duke mbrojtur kufijtë jugorë të saj. Komisarët e policisë ruse duke përfituar nga thjeshtësia e tyre dhe nga largimi i qeverisë qëndrore, filluan t’i shtypnin. Ankesat e këtij populli paqësor dhe të mirë nuk arritën tek autoritetet e larta.duke humbur durimin, ata vendosën të linin Rusinë dhe të futen fshehtas në marëdhënie me qeverinë Kineze. Nuk qe e vështirë për ata që të largoheshin, pa ngjallë dyshim, drejt brigjeve të Jaikut. Kur ja, në një numër prej tridhjetë mijë karro, (mbase më tëpër), kaluan në anën tjetër dhe u drejtuan vargan nëpër stepën e kirgizëve, drejt kufijve të atdheut të origjinës. Qeveria u shpejtua t’a ndalonte ikjen e papritur të tyre. I dha urdhër ushtrisë së Jaikut që të vihej në ndjekje të tyre; por kozakët, (me përjashtim të një numri të pakët) nuk u bindën dhe refuzuan hapur që të bënin çdo lloj shërbimi për ta.
Autoritetet lokale përdorën masat më të rrepta për të shuar revoltën, por ndëshkimet nuk mund t’i zbutnin ata njerëz të rraskapitur. Më 13 Janar 1771 u mblodhën në shesh, morën ikonat nga kisha dhe shkuan, nën komandën e kozakut Kipirçnikov, në shtëpinë e kapitenit të rojes Durnov që ndodhej në qytezën e Jaikut për punët e komisionit hetimor që të protestonin për shkarkimin e anëtarëve të kançelarisë dhe për dhënien e rrogës që u ishte mbajtur. Gjeneral major Traunbenberg u doli përpara me trupa dhe topa, dhe iu dha urdhër që të shpërndaheshin, por as urdhërat e tij, as thirrjet e atamanit (shih më tej) të ushtrisë (Tamboçev) nuk patën efekt.Traunbenberg urhdëroi të shtinin; kozakët u hodhën mbi topa. Filloi kështu lufta; të revoltuarit patën epërsi. Traunbenberg iku nga sytë këmbët dhe u vra te dera e shtëpisë së tij. Durnov u bë shosh prej plagëve, Tamboçevi u var, pjesëtarët e kancelerisë u arrestuan. Në vend të tyre u vunë autoritete të reja. Rebelët po triunfonin”. Por pastaj (në 1772), revolta e kozakëve të Jaikut u mposhtë nga qeveria. Pas një përpjekje ikjeje ekstreme nga qyteti i Jaikut, nëpërmjet lumit Shagan, drejt detit Kaspik, gati të gjithë rebelët u kapën. “Organizatorët e revoltës u ndëshkuan me kërbaç; gati njëqind e dyzetë burra u internuan në Siberi; të tjerët i lanë në dorë të ushtarëve (N.B.: ikën të gjithë) ata që mbetën u falën dhe u shtrënguan që të bënin betim të dytë.Këto masa të rrepta dhe të nevojshme vendosën rregullin së jashtmi, por qetësia nuk ishte e besueshme.”Do të shohim”, thoshin rebelët e falur; do ta trondisim Moskën”. Kozakët ishin ende të ndarë vazhdimisht në dy grupe; ata që pranonin dhe ata që nuk pranonin (ose, siç i interpretonte me shumë saktësi këto fjalë kolegji i luftës, të bindurit dhe jo të bindurit). Mbledhje të fshehta bëheshin në bujtinat e stepës dhe në izbat e largëta. Gjithçka paralajmëronte një revoltë të re. Mungonte vetëm një kryetar. Dhe kryetari u gjend” (Storia cit., kapp., f. 152-54). Në fillim të tablosë së dytë, në dorëshkrim, kemi shënimet e mëposhtme: “Mëngjes. Në sheshin e trgut kalojnë tregëtarët e kozakëve. ( Në turmë vërtiten ( e palexueshme) Plutnikov, Denis Karavaev, Zakladnov, Maksim Shigajev, dhe Çika Sarubin. Duke hapur rrugën midis turmës )”
(“Pugaçov..cit.p.324)
3. NJE NATE VJESHTE
Pugaçovi, dëshmitar i shtypjes së revoltës sës vitit 1771-1772 bëhet nxitës aktiv i kozakëve të Jaikut kundër qeverisë. I arrestuar në fund të vitit 1772, dërguar në Kazan, më 19 qershor 1773 arrin të ikë. shfaqet përsëri në krahinën e qytezës së Jaikut. Në fillim të shtatorit arrin në një nga fermat, në Tolovyi Umët, ku mbajnë një mbledhje kozakët rebelë. Ata mendojnë arratisjen e tyre në Turqi: “një ide kjo, prej shumë kohësh, e zakonshme për të krejt kozakët e pa kënaqur” (Pushkin, kap. II f. 157). Çasti është i favorshëm sepse Katerina II ndodhet në luftë me turqit. Një luftë që e filluar në vitin 1768 kundër Sulltan Mustafait III do të përfundojë në favor të Rusisë, me traktatin e Kyçink Qainarge (21 korrik 1774). “Por komplotistët e Jaikut ishin tepër të lidhur me rrëketë e tyre të pasura të lindjes. Ata në vend të arratisjes vendosën për një revoltë të re. Pushtimi iu duk atyre një arsye e sigurt. Për këtë atyre iu duhej vetëm një njeri i shkathët, trim dhe i vendosur, ende i panjohur në popull. Zgjedhja e tyre ra mbi Pugaçovin. Nuk qe e vështirë për ta bindur. Menjëherë filluan të mblidhnin bashkëpunëtorët” (idem f. 157). Ozurpimi i fronit nga ana e Katerinës dhe i zakoneve të saja shumë të shthurura (ajo u quajt Semiramida e Veriut ) ishin motiv pakënaqsie në popull.
Në fillim të tablosë së tretë, në dorëshkrim kemi këtë shpjegim: “Natë. Ferma në Talovij Umët. Shi i zi, i zymtë, vjeshtor. (Mbi taracën e vogël të hyrjes) Në rrugë pranë fermës, duke u mbështetur në [një të lartë (pemë)] një shelg, qëndron me pushkë në dorë [një kozak] [Zarubin] Denis Karavajev. I ngrirë, ai dridhet dhë shan me gjithë forcën e vet” ( Pugaçov, f. 324).
4. NJE AVENTURE NE TOLOVI UMJOT
Në fermën e Tallovij Umjot Pugaçovi shpallet kryetar i revoltës së kozakëve të Jaikut duke marrë emrin e të ndjerit Pjetrit III. Përveç kozakëve, me të, dora dorës, bashkohen bujkrobërit dhe punëtorët e fabrikës, tartarë, kalmukë, bashkirë, kirgizë. Ai i vë detyrë vetes që të luftojë gjithë fisnikërinë e tokave me qëllim që të rivendosë liritë e kozakëve duke çliruar, fshatarët dhe gjithë nënshtetasit e perandorisë, nga skllavëria.
Midis rebelëve kryesor dallohej Xarubini (i quajtur edhe Çika) që nga çasti i parë i revoltës shok armësh dhe mësues i Pugaçovit. E quanin feldmarshall dhe ishte i pari pas perandorit. Ovçinikov, Sigaev, Lysov dhe Kumakovi, komandonin ushtrinë. Të gjithë ata mbanin emra manjatësh që në atë kohë rrethonin fronin e Katerinës; Çika mbante emrin e Kontit Çernyshev, Shigajevi, atë të kontit Voronov, Ovçinikov, atë të kontit Panin, Çumakov, atë të kontit Orlov, tetari në lirim i artilerisë Beloborodov, gëzonte besimin e plotë të mashtruesit. Së bashku me Padurovin (ose Podurovin, si te Esenini ) kujdesej për çështjet epistolare, letërshkrimit, të analfabetit Pugaçov. Kishte futur disiplinë dhe rregull të rreptë në bandat e rebelëve”
Në fillim të kuadrit të katërt, në autograf kemi këtë diçiturë: “Ferma është zgjuar, potere, rrëmujë. Kozakët Ivan ( Çika ), Zarubini Shigajevi, Podurovi, Tjurnovi, Mjasnikovi, Skackovi, Plotnikovi dhe Zaklandovi qëndrojnë me duar të vëna mbi armë! Hyn me vrap Oboljajev dhe i plogët përplaset me Pugaçovin dhe Karavajevin” (Pugaçov cit f.324)
—
Pugaçovi – Poemë nga Sergej Esenin (2)
Kap. V – VIII
5. I burgosuri i Uraleve
HLLOPUSHA
Furi e çmendur, e turbull gjaku!
Ç’je? i vdekur?, a shërues sakatësh je ti?
Më çoni tek ai, më çoni,
Dua ta shoh atë njeri.
Tri ditë e tri netë kërkova strehimin tuaj
Si pirgje gurësh të zinj nxitonin nga veriu retë.
Qoftë Pjetër ose jo, lavdi atij!
Populli e do për guximin dhe tërbimin.
Shtigjeve u enda , tri ditë e tri netë
Në tokat të kripura gërmoja fatin tim me sy.
Era më rrihte flokët si kashtë
M’i rrihte me shufrat e shiut fort.
Por një zemër e inatosur s’do të hutohet kurrë,
S’është e lehtë ta rrëzosh nga qafa këtë kokë.
Agimi i Orenburgut, gamilje me qime të kuqe
Më derdhte në gojë qumshtin e zbardhëllimit,
Nëpër errësirë shtrydhja si bukë
Sisën e ashpër e të ftohtë mbi qepallat e lodhura.
Më çoni, më çoni tek ai,
Dua ta shoh atë njeri.
ZARUBINI
Kush je ti? Kush? Ne s’të njohim!
Ç’kërkon ti në kampin tonë?
Përse sytë e tu të shqetësuar
Vërtiten si dy qenë në zinxhir,
Në ujthin e kripur?
Ç’kërkon t’u thuash?
E keqja apo e mira ndrit te goja e stuhisë?
A kanë hapur rebelët një shteg për në Azi,
Apo nga Orenburgu ikin si lepuj, veri?
HLLOPUSHA
Ku është? Ku është? Eshtë e mundur të mos jetë?
Më të rëndë nga guri kam mbajtur shpirtin tim të vendosur.
Ah, shihet që prej shumë kohësh se në këtë vend
E kanë harruar banditin Hllopush, qenin e damkosur.
Qesh, ti njeri!
Në kampin tënd të zymtë,
Janë dërguar zbulues të shquar.
Unë qeshë falsifikues parashë,
Vrasës i burgosur, i dënuar.
Por përherë, përherë, shpejt a vonë
Ndëshkimi ngre kurthe gjembash.
I vunë prangat, ia shqyen flegrat
Djalit të fshatarit të guvernës së Teverit.
Dhjetë vjet, jo pak,
(E kupton, dhjetë vjet!)
Herë në burg e herë endacak.
Për t’u rrjepur si mjelmë
Skeleti mbante atë mish të zjarrtë.
E ç’vlente dëshira ime për të jetuar?
Që zemra të lodhej, të zymtohej prej mizorisë?
Ah, i shtrenjti im,
Për çifligarin,
Fshatari s’vlen më shumë se një dele a pulë.
Çdo ditë, duke adhuruar arkivolin e verdhë të agimit
Me duart e mavijosura prangat thitha unë…
Dhe ja pa pritur … para tri netësh… guvernatori Rejnsdorp
Si gjethe e këputur
Fluturoi tek unë në qeli.
Dëgjo këtu i dënuar
(Kështu tha)
Unë do të të ze besë vetëm ty.
Tutje, hapësirave me bar të egër stepor, uturin tufani
Dhe gjithë perandoria dridhet prej tij.
Një mashtrues, dinak dhe hajdut ka menduar
Mendonn që me hordhi cubash të ngrejë në këbë një Rusi,
Që sëpata të presë kokat e fisnikëve
Si kurorat e mështenkave
Në manastirin e pyjeve.
A do të dije t’ia ngulje ti thikën atij?
(Kështu tha, kështu më tha)
Për këtë shërbim do të fitosh lirinë
Dhe xhepat, jo prej gurëve, por prej argjendit do të tringëllijnë.
Që prej tri netësh, tri netësh, duke hapur një shteg në errësirë
Kërkoj kampin e tij dhe dikë që të më verë në dijeni
Më çoni tek ai, më çoni,
Dua ta shoh atë njeri!
ZARUBINI
Mik i çuditshëm!
PODUROVI
Mik i dyshimtë!
ZARUBINI
Si mund të besojmë te ty?
PODUROVI
Shumë, shumë njerëz për një grusht florinj
Janë gati që t’ia çpojnë zemrën atij..
HLLOPUSHA
Ah, ah, ah!
S’janë fjalë pa mend.
Ju jeni një mburojë e sigurt dhe e fortë dyfish,
Por unë jam një rebel
I ushqyer me hakmarrje gjer në fyt.
Rrëshira e hidhur pikon si qelb
Nga brinjët e shqyera të izbave. Por
Nesërmbrëma do të turrem si ujk
Të shqyej mishëra njerëzorë.
Eshtë e vërtetë, është e vërtetë, është e vërtetë,
Po nuk shqeve do të të shqyejnë me endje.
Duhet t’i kesh përherë të gatshme duart
Për kacafytje dhe vjedhje.
Besomëni!
Kam ardhur si mik te ju.
Zemra gëzon të pëlcasë në tufan,
Sepse pa Hllopushën këtu
Nuk mund ta merrni dot Orenbergun,
As edhe me një stonja trima kapedanë.
ZARUBINI
Na e zbulo pra, zbuloje, zbuloje
Planin që të fshehur na e mban.
PODUROVI
Menjëherë, menjëherë do të të dërgojmë
Komandant të kavalerisë sonë.
HLLOPUSHA
Jo!
Hllopusha s’do që të ndeshet.
Hllopusha ka një tjetër mendim.
Ai do që fytyrat tuaja të tronditura nga zemrimi
Në vend të urrejtjes të mbusheshin me gjykim.
Ju s’keni frikë si egërsira grabitqare,
E tmerrshme është zhurma e betejave, e fitoreve tuaja.
Por a s’është e vërtetë që pa artileri jeni?
Dhe që as barut, gjithashtu nuk keni?
Ah, në kokën time truri si në fuçi
Therës është si raki e ashpër gruri,
Di që jashtë Sakmarës
Topa po derdhin punëtorët për çifligarët.
Atje do të gjendet dhe barutin dhe gjylet
Një armatë shenjuesish me sy të mprehtë.
Por duhet t’i ngremë, pa lëkundje, me nxitim,
Gjithë fshatarët e kësaj toke pa dyshim.
Është e turpshme të lëkundemi këtu,e turpshme të hezitojmë,
S’është turfullim pelash inati i skllevërve…
Hajt, gjatë bakrit të blireve nisuni
Një goditje të fortë kufirit të Ufos t’i përgatitim.
6. NE KAMPIN E ZARUBINIT
ZARUBINI
Eh ju, njerëz të zotë e të gëzuar,
Njerëz të shkujdesur, njerëz indiferentë!
Tartarët me mollëza të dala,
Janë miqësuar me fshatrat tuaja.
Fishkëllejnë kuajt si stuhi nëpër fusha thellë,
Zhduken sapo t’u hedhësh shikimin,
Hëna shqyen kaçubat, duke rrahur krahët e verdhë
Fushat e zhveshura sodis gjatë
Lëndinat që ngrijnë në kaltërsi.
A s’është kjo Mongolia e pasur në mështekna?
A s’janë karrot kirgize, si kapula bari, përbri?
Dëgjoni, o njerëz të zotë, dëgjoni,
Fishkëllimën tuaj të gjatë prej nomadësh!
Orenbergu i rrethuar nga Hllopusha
Ha bretkosa, minj dhe hardhuca.
Një e treta e vendit është në duart tona tashmë,
Një të tretën e vendit e kemi futur në rresht si ushtarë,
Sonte armiku do të humbë gjatë bregut të Vollgës,
Të gjitha depozitat dhe skelat mbarë.
SHIGAJEVI
Stop!Zarubin
Sigurisht s’ke dëgjuar,
Këtë s’e kam parë unë…
Të tjerët…
Shumë…
Pranë Samarës një mështeknë kokëshpuar,
Duke pikuar trurin e verdhë
Shkon ndanë rrugës, duke çaluar.
Si një i verbër, mbetur pas shokëve të tij
Me kapelen e grisur të një foleje korbi
Me dridhje zëri të ngjirur dhe hundor
Lut për ushqim
Shtegëtarë e udhëtarë,
Por s’i hedhin asaj as edhe një gur,
Të trembur duke bërë kryqin
Duke iu drejtuar një ylli, të gjithë besojnë
Mos është paralajmërim i një fatkeqësie të tmerrshme.
Diçka do të ndodhë!
Diçka duhet të ndodhë
Thonë se do të ketë uri dhe kolerë
Zogu në fluturim do të çukisë
Glasën e vet të argjendtë, njëqind herë.
TORNOVI
Po, po, po!
Diçka do të ndodhë!
Kudo
Ulurijnë zëra si qenë në kangjëlla
Në shpirtrat e vrazhdët të njerëzve,
Në ndyrësinë e lagësht kënetore, fryn era,
Do të ndodhë një fatkeqësi!
Një humbje e madhe do të jetë një humbje e madhe!
Sigurisht jo më kot nga livadhet gjithmonë,
Kafka prej kali e hënës
Arin e pështymës së qelbur pikon.
ZARUBINI
Gënjeni, gënjeni ju!
Ju ngultë një thikë në shpinë!
Që në fëmini s’më ka qëlluar të shoh, mua
Që për djallëzira të tilla
Kozaku të dridhet më keqa sesa një grua.
SHIGAJEVI
S’dridhemi ne, s’dridhemi aspak!
S’është ujë i pritave të Bashkirskit gjaku ynë.
Ti e di mirë
Cilat thika ia hapën rrugën Çeljabinskit
Ti e di kush e mori Osa-n,
Kush e zhveshi dhe e shtriu përtokë Saruplin
Kaq shumë miza mbi hundën tënde s’kanë pushuar
Sa plumba shpinat tona kanë gërvishtur e prerë.
Në ngrica dhe lagështira
Natë dhe ditë
Jemi të gatshëm të luftojmë përherë.
Secili nga ne mban më të shtrenjtë kalin dori
Sesa kokën prej cubi të tij.
Fatkeqësia kërcënon, kërcënon dikë
Dhe kozaku a s’duhet ta dëgjojë këtë?
Shih një tymtar
Rri mbi çati si kalorësi mbi kalë.
Ja dhe një i dytë, një i tretë;
S’do të dije të llogarisje dot turinjtë e tyre
Me dëshirën e guximshme të budallenjve.
Dhe një kope e tërë e egër pelash prej druri
Fluturon trokthi nënë një re pluhuri.
Ku po shkon ajo? Pse?
Ç’rrugë kërkojnë
Kalorësit e pa fre?
Mbi sytë e qelqtë i fshikullon, i godet paniku
Me dorezën e një kamzhiku
ZARUBINI
Jo, jo, jo!
S’e ke kuptuar fare…
Dëgjohet thirrja,
Thirrja e alarmit në çdo dritare.
Unë e di se sonte Emiliani
Me kavalerinë e rreptë të tij do të marshojë mbi kazan.
Duke marrë frymë nga entuziazmi dje
Pashë në mjegullën e dritës së agimit,
Sesi zgjateshin përtej Cermshanit, përtej malit
Mijëra karro me artilerinë.
Si me kërkëllimën e rrotave
Madhërisht mbi gurët e kalldrëmit, karvani gjëmon!
Hingëllima e deveve, me blegërimën e dhive
Dhe me zërin grykor të tartarëve ushton.
TORNOVI
E po mirë pra, besojmë ne besojmë
Që gjithçka (mbase)
Është siç e mendon ti
Zëri i zemërimit i ngjashëm me fatkeqësnë,
Na thërret në një hakmarrje të tmerrshme këtu.
Dashtë Zoti,
Dashtë Zoti të jetë kështu!
ZARUBINI
Besoni, besoni!
Ju betohem!
Jo fatkeqësia, por gëzimi i beftë,
Mbi Rusinë e muzhikëve do të bjerë.
Ja, si shpatatat që përplasen mbi mburoja,
Kumboi muzgu blu mbi fushën e nderë.
Gjer edhe korijet
Si kryengritëse,
Flamurët e rjabinave ngrenë
Po piqet, po piqet buzagas beteja.
Mjegulla e përgjakur ulurin në qiell
Me gjëmimin e predhave dhe fishkëllimat e mitrolozit
Emiliani nesër do t’i mbulojë
Që revolta jonë të gjëmojë pa shpëtim
Që ankthi të mos na thith gjithçka.
Sot do dërgoj aty,
Nihmë për trupat e tij.
7. ERA PERKUND THEKREN
ÇUMAKOVI
Ç’është? Si? A është e mundur vallë që pësuam disfatë?
Muzgu si ulkonjë e uritur vrapoi të lëpijë gjakun e agimit.
Oh, kjo natë!
Re shkëmbore përhapen në qiell si pllaka varri.
Ti del në fushë, thërret, thërret,
Thërret armatën e rënë në Sarepta,
Shikon e nuk sheh në valëzon apo jo thekra,
Apo hordhi të verdha skeletësh vallëzuese.
Jo, s’është muaji gusht ai, kur shkoqet tërshëra,
Kur era me kopan të madh e rreh fushave,
Të vdekur, të vdekur, shikoni, të vdekur përreth.
Ngërdheshen duke pështyrë dhëmbët e krimbur.
Dyzetmijë ishim, dyzetmijë,
Dhe dyzetmijë, si një i vetëm, ramë përtej Vollgës të gjithë.
As shiu s’do të mundte të fshikullonte bar apo kashtë
Siç na i prenë neve kokat me shpatë.
Ç’është? Si? Ku të ikim?
Sa kemi mbetur të gjallë këtu?
Nga fshatrat në flakë, tymi rreh qiellin me kthetra
Dhe shtrin mbi tokë turpin dhe mërzitjen tonë,
Më mirë të vdisnim të shtrirë atje poshtë,
Ku sillet i shqetësuar e kobzi korteu dasmor i korbave,
Sesa të tretësh këta gishta si pesë qirinj të ndezur,
Apo të mbash këtë trup me arkivol shprese si një varrezë!
BURNOVI
Jo! Eke gabim, gabim, gabim!
Tani, si askurrë, s’jam i sëmurë prej ndjenjës së jetës,
Do të doja të rrokullisesha si një çapkën në arin e barit
Dhe të rrëzoja sorrat e zeza nga kryqet e këmbanoreve të kaltra.
Gjithçka që dhashë për lirinë e popullit
Do të doja ta rimerrja dhe të besoja përsëri
Se kjo hënë,
Si llambë me vajguri buzë mbrëmjes,
Do të doja ta ndizte llambandezësi i qytetit Tambov.
Do të doja të besoja se dhe këto yje s’janë yje…
Por flutura të verdha që drejt flakërimës së hënës fluturojnë …
Mik
Pse me një murmurimë loti
Si mbi xhamin e një kishe më vërvit një gur në shpirt?
ÇUMAKOVI
Pse ke mëshirë për një shpirt të ndyrë dhe të ftohtë
Për një arush të ngordhur në strofkën e ngushtë?
A s’e di se në Orenburg kanë therur Hllopushën?
S’e di që Zarubini ndodhet i burgosur në Tambinsk?
Gjithë ushtria jonë pësoi u shpartallua nga Mishel’soni.
Kalmukë e bashkirë ikën drejt Aralskut, në Azi.
Përvajshëm mbase për këtë rënkojnë suslikët
Në fushën e shkelur duke stërpikur me baltë
Kokat e të vdekurve si gjethe panje?
Rrënimi, rrënimi, bie nëpër fshatra çanga!
Kush do të na shpëtojë? kush do të na japë strehim?
Shiko! Atje përsëri, atje përsëri përtej ndanë pyllit,
Zogj cijatës nderin krahët si kryqe në ajër, fluturim.
BURNOVI
Jo, jo, jo! S’dua të vdes aspak!
Mëkot këta zogj rrinë pezull mbi ne,
Dua të jem adoleshent përsëri
Që shkund bakrrin nga koria me shelgje
Dhe të mbaj poshtë pëllëmbët si pjata të bardha lëmuese
Si është e mundur vdekja?
Mund të banojë ky mendim në zemër,
Kur në provincën e Penzkës kam shtëpinë time?
Qaj me lot diellin, qaj me lot hënën,
Qaj me lot shelgun që dritaren e ulët më ze,
Vetëm për të gjallët janë të bekuar
Stepat pyjet, përrenjtë dhe blerimi blu.
Dëgjo, unë pështyj mbi tërë universin
Nëse nesër s’do të jem më këtu!
Dua të jetoj, të jetoj, të jetoj
Të jetoj gjer në frikë e gjer në dhimbje!
Edhe hajdut xhepash, edhe kërkues ari
Vetëm për të parë si kërcejnë minjtë nga gëzimi në fushë,
Vetëm për të parë si këndojnë bretkosat e dehura në pus.
Shpirti im i bardhë si lule molle gufon,
Në një flak të kaltër rigjallëroi sytë era.
Më mësoni për hir të Zotit
Më mësoni dhe unë do të bëj çdo gjë,
Çdo gjë për të buçitur në kopshtet e njerëzve përhera!
TVOROGOVI
Ndaluni! ndaluni!
Po ta dija se s’jeni frikacakë
Do të mund të shpëtonim pa vështirësi.
Askujt s’do t’ia zgjonin komplotin tonë shelgjet memecë,
Ylli i vetmuar në qiell do të ruante heshtjen,
Mos u trembni, mos u tmerroni nga plani i egër,
S’është më i tmerrshëm se kërcitja e kockave në trup.
Unë dua t’ju propozoj
Që ta lidhni Emilianin në agim
Dhe ta dorëzoni në duar e autoriteteve
Që vdekjen na nxjerrin përpara si kërcënim.
ÇUMAKOVI
Si, Emilianin?
BURNOVI
Jo! Jo! Jo!
TVORGOVI
He, he, he!
Jeni më të marrë se kuajt,
Jam i sigurt se nesër,
Sapo agimi do të ketë pështyrë me ar,
Si berra të therur do t’ju varin në shesh ushtarët.
Eh budallenj, budallenj, kush do të ketë mëshirë për ju,
Sepse ju vetë i keni shpikur gjembat.
Jetohet vetëm një herë, vetëm një herë jetohet këtu!
Vetëm njëherë shkëlqen rinia si hëna në vendlindje.
Dëgjo, ti, dëgjo.Ti ke një shtëpi në Sara,
Atje me gjethe të purpurta plepi rreh dritaren tënde
Gati, donte t’i thoshte padronit në ditët e zymta të tetorit,
Se vjeshta e ka bërë shosh me goditje të ftohta preçize.
Si do të mundësh ta ndihmosh ti plepin?
Me çfarë do t’i shërosh ti plagët e tij prej druri?
E njëjta natë kumbuese, nata vjeshtë e jetës
E zhveshi Emilianin si plepin, me dhëmbët e shiut.
E di, e di, pranverës, kur uji ulurin,
Plepi do të mbulohet përsëri me lëkurë të butë e të blertë .
Por gjethet e vjetra në të kurrë s’do të çelin
Do t’i shpërndajnë egërsirat, udhëtarët do t’i shkelin.
Ç’më intereson nëse Emiliani do të mund të fshihet në Azi
Dhe nomadët me t’u mbledhur do të hidhen në betejë?
Njëlloj gjethet e reja do të bien dhe do të mbulohen me baltë përsëri
Dëgjo! Dëgjo! Ne jemi gjethe plaka!
Pse të përkundesh mbi degët lakuriqe gjithë nyje?
Më mirë të këputemi dhe të vërtitemi në erë,
Sesa të nderemi fushave, duke kulluar kalbësirë të artë,
Sesa sytë të të na i çukisin zogjtë e zinj grabitqarë.
Kush dëshiron të vijë me mua, mirardhtë!
Koka e Emilianit është një varkë e vogël
Për ne që mbytemi në një lumë gjithë egërsi.
Jetohet vetëm një herë, vetëm një herë të vetme!
Vetëm një herë rinia himnizon hënën si velë në largësi.
8. FUNDI I PUGAÇOVIT
PUGAÇOVI
U çmëndët! U çmëndët! U çmëndët!
Që ne u shfarrosëm, juve kush ju tha?
Gojë të liga si torba me ushqime të prishura
Vjellin qelbësira, gënjeshtra të pacipa, hata.
Tri herë mallkuar qoftë ai kriminel, frikacak e kopuk
Që diti t’ju helmojë me gjepura të tilla,
Sonte duhet të shaloni kuajt
Për t’u futur me mua para agimit në Gurjev.
Po e di, e di, jemi para një fatkeqësie të tmerrshme,
Por për këtë dhe më e tmerrshme në kënetën e mjegullës
Barkat tona, si mjelma do të rrahin krahët e drunjtë
Mbi ujrat e Kaspios, drejt Azisë.
O Azi, vend i kaltër, Azi!
Mbushur me rërë, gëlqere dhe kripë
Kështu hëna ecën ngadalë në qiell, rrotat duke krikëllitur
Si kirgizi me qerren e tij.
Po kush e di vallë me ç’vrull e krenari
Rrokullisen atje lumenjtë malor qimeverdhë?
A s’është kjo arsyeja që fishkëllejnë kështu hordhitë e mongolëve
Me sa egërsi e mizori që ka njeriu në brendësi?
Prej kohësh, shumë kohësh fsheha dëshirën
Që të transferohem atje poshtë, pranë nomadëve të tyre në fushim
Që me dallgët e furishme të xigomatikëve të tyre të shndritshëm,
Të mbështetem pragjeve të Rusisë si hija e Tamerlanit.
Cili batakçi, kopuk, e kriminel
Ju helmoi me një gënjeshtër të poshtër e të pacipë?
Sonte duhet të shaloni kuajt menjëherrë
Që të hyni me mua para agimit në Gurev.
KRJAMINI
O qesharaku, qesharaku, qesharaku Emilian,
Je gjithmonë po ai tuaf, i verbër dhe dhelparak,
Trimëria jote u derdh nëpër fushë
Në asnjë punë të Azisë s’do mund të ziesh ti më, aspak.
E njohim, e njohim popullin tënd të Mongolisë,
Na është i panjohur vallë guximi i tij?
Kush i pari, kush i pari, nëse jo kjo fundërine
Ia mbathi në Sakmara?
Si gjithmonë, si gjithmonë këto shëmtira të egra
Kanë zgjedhur si viktima më të dobtitit e më të vegjlit.
S’bëjnë tjetër veç të plaçkitin e të djegin kufijtë e Rusisë
Dhe të lidhin në shalat e kuajve si plaçkë lufte gratë.
Kanë parapëlqyer gjithmonë inkursionin dhe plaçkitjen
Në fshatrat e ashpra me jetë në errësirë të gjatë.
………………………………
Jo, s’mund të vimë më pas teje,
As në Azi, as në Kaspio,as në Gurjev.
PUGAÇOVI
O zot, ç’po dëgjoj?
Hesht, kozak
Do të ta tapos fytin me thikë a me një të shtënë pisto…lete
Është e vërtetë që shpatat të kenë pushuar së vringëlluari?
Është ky shpërblimi për gjithçka që kam hequr?
Jo, jo, jo, s’mund ta besoj, s’është e mundur!
Jo për këtë u rritët në stanicat e stepave;
Asnjë kërcënim fatit të ashpër
S’duhet t’ju shtrëngojë të dorëzoheni.
Ju duhet ta nxitni edhe më shumë ulurimën tuaj
Ashty si në kohën, kur era nga vendet tona frynte si furtunë…
Me guxim ndiqmëni pra drejtë Kaspios! Me guxim më ndiqni!
Ej, ju sotnikë zbatoni urdhërin!
KRJAMINI
Jo! Jo! S’jemi më shërbëtorët e tu!
S’na josh më marrëzia jote si përherë.
S’duam që në një luftë të marrë e të kotë
Të shtrihemi në varreza si mijëra të tjerë .
Zemra ka ankth e frikë të fshehtë.
Nga mosmarrëveshje të përgjakta dhe ankesa,
Ne do donim të dëgjonim si dikur në hutor
Shushurimën nëpër panja dhe plepa.
Kemi një vegjë fatale në jetë
Më të fortë se çdo cimë dhe tel…
A s’është çasti për ty Emilian
Që të përulesh para autoritetit, ti kryetar rebel?!
Atë që ishte, s’mund ta kthesh më prapa de,
Jo më kot tetori hapet me të qarat e gjetheve…
PUGAÇOVI
Si!Tradhëti?
Tradhëti?
Ha, ha, ha!…
E po mirë, pra!
Prite mor qen shpërblimin tënd, ja!
(Shtie).
Krjamini bie i vdekur. Kozakët me britma nxjerrin shpatat. Pugaçovi, duke shpenguar,
me thikën në dorë, bën prapa drejt murit.
ZERA
Lidheni! Lidheni!
TVOROGOVI
Qëllojeni! Qëllojeni me shpatë, drejt e në turi!
ZERI I PARE
Kemi patur mjaft si ky i pafytyrë…
ZERI I DYTE
Tërhiqeni prej mjekrre…
PUGAÇOVI
…Të shtrenjtët e mi…Të mi-rët…
Ç’ndodhir? Ç’ndodhi? Ç’ndodhi?
Kush klith e ngërdheshet kaq me frikë
Në lagështirën dhe në baltë ndanë rrugës?
Kush ngërdheshet përtej tinëzisht,
Duke pështyrë kundër diellit ndyrësisht?
………………………………
…Ah, është vjeshta!
Është vjeshta që derdh nga thesi
Monedha ari të prera nga muaji shtator
Po! Jam i humbur!
Ora ecën…
Truri si qiri, shurdhshëm, shurdhshëm pikon…
…Eshtë ajo!
Është vjeshta që ju korruptoi
E poshtra, e keqja, zhelania plakë.
Është ajo, ajo, ajo
Me flokët shpupuritur si muzg i dridhëruar
Me dëshirën që vendlindja të vdesë
Nën buzëqeshjen e saj të ftohtë, të trishtuar.
TVOROGOVI
Ah, ka luajtur…ç’rrini, ma shikoni?
Lidheni!
Sigurisht, s’do t’i bjerë murit me kokë.
Lavdi Zotit! Mbaroi gjakderdhja e tij mizore,
Mori fund ulurima e tij e tërbuar ujkore,
Më i gjallë do të ndizet tani bakri i vjeshtës
Lopata e erërave s’do të zbrazë lulkuqen e agimit.
Shporruni pra!
Duhet të shpejtojmë,
Në duart e qeverisë ta dorëzojmë.
PUGAÇOVI
Ku je, ku je fuqi e dikurshme?
Kërkon të çohesh dhe s’mund të lëvizësh dorën!
Rini, rini, si natë maji ke pushuar së jehuari,
Si qershia e egër në stepën e provincës!
Ja duket, duket mbi Don kaltërsia e natës
Erë e ëmbël vjen nga shkurret e thata që digjen.
Një hënë e plotë e ngrohtë
Derdh gëlqere të artë mbi shtëpinë e ulët.
I ngjirrur dhe me zor, kikiriki bën gjeli, kushedi ku.
Teshtin gardhi prej pluhurit në fejzat e shqyera.
Dhe larg, e më larg përherë, duke turbulluar gjumin e livadhit
Vrapon zilka gjersa thërmohet prapa malit.
Zoti im!
A thua, vërtet erdhi çasti?
Është e mundur të biesh nën barrën e shpirtit të dlirë?
Dhe dukej…dukej ende dje…
Të shtrenjtët e mi…të shtrenjtët…e mi-rë…
SHENIMET E KAPITUJVE: 5 – 8
5. I BURGOSURI IURALEVE
Pugaçovi mori në pak kohë fortesa të ndryshme, nënshtroi Orenburgun me një rrethim të gjatë e të tmerrshëm (që nisi në ditët e para të tetorit 1773). Qyteti ndodhet në gjendet grabitjeje dhe në terror. Guvernatori, gjeneral leitnant Rejnsdorp, nis banditin Hllopusha në kampin e Pugaçovit.
”Në burgun e Orenburgut ndodhej atëherë në pranga një keqbërës, i njohur nën emrin e Hllopushës [domethënë, Petardo]. Për njëzetë vite ai kishte qenë cub në ato vende. Tri herë ishte internuar në Siberi, dhe tri herë kishte gjetur mënyrën për t’ia mbathur. Rejnsdorp mendoi që atij t’i shërbente i burgosuri inteligjent që të dërgonte në bandën e Pugaçovit afishet e paralajmërimit. Hllopusha u betua se do t’i kryente me përpikmëri detyrat e tij. Me t’u liruar, iu paraqit drejt për drejt Pugaçovit dhe ia dorëzoi të gjitha letrat e guvernatorit.” E di, mik, se çfarë shkruhet në to”, i tha analfabeti Pugaçov dhe i dhuroi një gjysmë ruble dhe kostumin e një kirgizi të varur pak më parë. Duke njohur mirë krahinën që aq gjatë e kishte terrorizuar me grabitjet e tij, Hllopusha iu bë atij i domosdoshëm. Pugaçovi e emëroi kolonel dhe e ngarkoi me grabitjen dhe me revoltën e fabrikave. Hllopusha u pajtua me besimin e fshehtë në të. Lëvizi gjatë lumit Sakmara duke bërë që të ngrinin krye fshatrat përreth, u shfaq në skelat e Bugulçanit dhe të Sterilitamakut dhe në ofiçinat e Uralit dhe që andej i dërgoi topa Pugaçovit, gjyle dhe barut, duke e shtuar bandën e tij me fshatarë dhe bashkirë, shokë të tij të grabitjeve” (Pushkin, Histori cit. f. 173 – 74) ”Banditi Hllopusha i shtruar në kamzhik, i damkosur nga dora e xhelatit, me fejzat e hundës të shqyera gjer në kerce ishte një nga përkrahësit e Pugaçovit. Atij i vinte turp nga deformimi që kishte pësuar dhe mbante në fytyrë një rrjetë ose e mbulonnte atë me mëngën e krahut, si për t’u mbrojtur nga ngrica” (po aty, f. 181- 82)
6. NE KAMPIN E ZARUBINIT
Jemi në kampin e Zarubinit, mëkëmbës i Pugaçovit. Forcat e rebelëve, gjithnjë e më të shumta grabisin qytete e fortesa, marrin Samarën në fund të dhjetorit të viti 1773. ”Çdoditë forcat e Pugaçovit rriteshin. Ushtria e tij përbëhej tashmë prej njëzetë e pesë mijë njerëzish. Bërthama formohej prej kozakëve të Jaikut dhe nga ushtarë të kapur në kalatë, por pranë tyre grumbullohej një shumicë e pabesuar tartarësh, bashkirësh, kalmukësh, fshatarësh rebelë, galeotësh të arratisur dhe endacakë të çdo lloji. Gjithë ky llum ishte armatosur si jo më mirë; kush më shtizë, kush mekobure, kush me shpatë oficeri. Disave iu shpërndan bajoneta të vendosura në hunj të gjatë; të tjerët mbanin topuza; pjesa më e madhe nuk kishte kurrëfarë arme. Ushtria ishte e ndarë në regjimente të përbërë prej pesëqind njerëzve. Paguheshin vetëm kozakët e Jaikut; të tjerët kënaqeshin me plaçkitjen. Vera ishte shitur nga financa e shtetit. Me ushqimet dhe kuajt merreshin bashkirët. Për dezertimin qe vendosur dënimi me vdekje”. (Pushkin, Historia cit. kap. III, f. 178).
Gjithë Rusia ndodhet në një gjendje të tmerrshme. ” Vërtet gjendja ishte e tmerrshme. Revolta e përgjithshme e bashkirëve, e kalmukëve dhe e popujve të tjerë të shpërndarë në këtë krahinë, ndërpriste nga çdo anë komunikimet. Trupat ishin në numër të paktë dhe të pabesë. Krerët braktisnin postet e tyre dhe iknin duke dalluar një bashkir me kukurë ose një fshatar të ndërmarrjeve, me çomange. Dimri dyfishonte vështirësitë. Stepat ishin mbuluarme borë të madhe. Nuk ishte e mundur të shkoje përpara pa pajisje, jo vetëmme bukë, por edhe me dru. Fshatrat ishin të shkretë, qytetet kryesore të rrethuar, të tjerët të pushtuar nga bandat e rebelëve, fabrikat të plaçkitura dhe të djegura; plebeu ishte kudo në lëvizje dhe bënte prapësira. Trupat edërguar nga të gjitha anët e Shtetit, lëviznin me ngathtësi. E keqja që s’e ndalte asgjë, përhapej me shpejtësi dhe gjërësisht. Nga qyteza e Iljek deri në Gurjev, kozakët e Jaikut ishi në revoltë. Guvernatorët e e Kazanit, të Nizhgorodit dhe të Astrahanit ishin plot banda banditësh; flaka mund të vërshonte deri në Siberi; në Permë filluan lëvizjet; Ekaterina ishte në rrezik.Kirgizët – kajsaki duke përfituar nga mungesa e trupave, filluan të të kalojnë kufirin e hapur, të plaçkisin banesat e bujqve, të merrnin bagëtinë, të plaçkisnin banorët. Popujt e Oltrekubanit, të nxitur nga Turqia, zienin; dhe disa fuqi evropiane mendonin të përfitonin nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhej atëherë Rusia” (po aty., kap. IV,f. 199 – 200).
Në këtë kuadër rrethimi i Orenburgut, bëhet përherë e më shumë dramatik. ” Gjendja e Orenburgut bëhej e tmerrshme. Banorëve u ishte rekuizuar mielli dhegruri dhe u shpërndahej prej tij një racion ditor. Prej një kohe të gjatë i ushqenin kuajt me gjembaçë të thatë. Pjesa më e madhe e tyre ngori dhe dhe u përdor si ushqim. Uria rritej. Një thes me miell shitej (edhe ky në mënyrën më misterioze) njëzetë e pesë rubla. Me propozim të Riçkovit (akademikutqë ndodhej atëherë në Orenburg) filluan të skuqnin lëkurën e qeve dhe kuajve dhe ta grinin në copëza që ta përzienin në bukë. Shpërthyen sëmundjet. Mërmëritej gjithnjë e më fort. I trembeshin një revolte” (po aty., f. 196).” Gjatë mungesave të shpeshta të Pugaçovit, Sigajev, Padurov dhe Hllopusha drejtuan rrethimin e Orenburgut” (po aty., kap. V. f. 210). Por njerëzit e Pugaçovit fillojnë një të venë re një paranjenjë fatkeqësie.
7. ERA PERKUND THEKREN
më 1774, pas ngjarjeve të ndërsjellta, fati iPugaçovit merrtë tatëpjetën. Duke falimentuar tentativa e pushtimit të Orenburgut, ai pëson disa disfata të rënda dhe strehohet në fshatin Breda, pranë lumit Sahmara, shtatë verste nga qyteti
(”mars 1774). Hllopusha është kapet dhe gjykohet në Orenburg,thotë Pushkini: ”Sigajev,duke parë se gjithçka kishte marrfund, mendoi të fitonte faljen dhe, duke mb ajtur Pugaçovin dhe Hllopushën, i trensmetoi guvernatorit të Orenburgut propozimin t’i dorzojë mashtruesin duke i kërkuar që t’i jepej sinjali me dy të shtëna topi. Centurioni Loxhinov qëkishte shoqëruar ikjen e Pugaçovit u paraqitnë në Rejnsdorp me këtë lajm. I shkreti Rejnsdorp nuk guxoi t’i besonte fatit të vet dhe përdy orë të tëra nuk mundi të vendoste të jeptesinjalin e kërkuar. Ndërkaq Pugaçovi dhe Hllopusha qenë liruar nga të internuarit që gjendeshin në Breda. Pugaçovi iku me dhjetë topa, me prenë e plaçkitur dheme dy fundërrinat që i kishin mbetur. Hllopusha galopoi drejt Kargalesë me qëllim që të shpëtonte gruan dhe djalin. Tartarët e lidhën dhe dërguan që të lajmëronin guvernatorin. I burgosuri i famshëm u dërgua në Orenburg, ku më në fund iu pre koka,në qershor të vitit1774” (Historia cit., kap.V, f. 213). Pugaçovi, humbet kështu dalngadalë bashkëpunëtorët më të rëndësishëm. Zarubin u burgos në Tabinsk.në Sahmara bienë gjithashtu në burg, Padurov e të tjerë. Megjithatë, në planin etij ambicioz për të marshuar mbi Moskë, Pugaçovi arrin të marrëKazanin (12 korrik1774)”. Por u mund shpejt dhe u ndoq përtej Vollgës nga trupat e nënkolonelit J. J. Mikelson. ” Kalimi i Pugaçovit krijoi një pështjellim të përgjithshëm. Gjithë pjesa perëndimore e Vollgës ngriti krye dhe kaloi në anën e mashtruesve […]. Por tashmë Pugaçovi nuk kishte qëllim të marshonte mbi kryeautetin e vjetër [Pitri i Madh,duke themeluar Petërburgun më 1703, më 1712, transferoi kryeqytetin nga Moska atje] I rrethuar nga çdo anë nga tërupat qeveritare, duke mos pasur besim te bashkëpunëtorët e tij,ai mendonte tashmë për shpëtimin e vet; qëllimi i tij ishte që të kalonte përtej Kubanit ose në Persi. Rebelët kryesorë parashikonin fundin e bëmës së organizuar prej tyre dhe bënin bisedime për kokën e kreut të tyre. Perfiliev, në emër të të gjithë kozakëve fajtorë, dërgoi fshehtaz në Petërburg një përfaqësi me propozimin që ta dorzonin batakçiun. Qeveria, e gënjyer një herë, nuk i besonte , megjithatë huri në lidhje me të. Pugaçovi ikte, por ikja e tij dukej një pushtim. Kurrë sukseset e tij nuk ikshin qenë më të tmerrshme, kurrë, revolta nuk kishte tërbuar më me forcë. Kryengritja kalonte nga një fshat në tjetrin, nga krahina nëkrahinë. Mjaftonte shfaqja e dy apo tre keqbërësve për të çuar krejt krahinën. Formoheshin banda të veçuara plaçkitësish dhe revoltuesish dhe secila kishte nga një Pugaçov…Këto lajme të dhimbshme bënë në Petërburg një përshtypje të thellë dhe errësuan gëzimin e krijuar nga fundi i luftës me Turqinë dhe nga përfundimi i paqes së lavdishme së Kjuçuk – Karnadzha (në rusisht; në turqisht Kyçyk Qainarxhe; Kajnardzha, fshat mbi Danub, pranë Silistras, në Dobruxhian jugore (Bullgari), ku u firmos paqja në përfundim të luftës ruso – turke (1768 – 74) : cfr. F. 97, shënimi në tablonë 3)” (Pushkin, Historia cit., kap. VIII , f. 247-48). Atëherë Katerina emëroi komandant suprem të ushtrisëkontin Pjotër Ivanoviç Panininin i cili në shtator të vitit 1770 kishte marrë kështjellën turtke të Benderisë mbi Dniestër,në Moldavi. ”Në këtë mënyrë fituesi i Benderit e çoi luftën kundër kozakut të thjeshtë që katër vite më parë kishte shërbyer i panjohur në rreshtat e ushtrisë së besuar komandës së tij” (po aty, f.249). Pugaçov arrin të pushtojë Penxan (në bashkërrjedhjen e Penxës me Suran, në limanin e mesëm të Vollgës) dhe në jug-lindje, Saratov (mbi Vollgë), por pastaj (25 gusht 1774) u mund nga Mishelsoni në një betejë të fundit dhe vendimtare pranë Sareptës, në afërsi të Karikinit (Stalingradi i ardhshëm). Në shpirtin e bashkëpunëtorëve të tij futet helmi i tradhëtisë. Tvorogov, beniamini i Pugaçovit propozon që të lidhet Emiliani dhe t’i dorëzohet qeverisë.
8. FUNDI I PUGAÇOVIT
Pugaçovi i trodhëtuar nga njerëzit e tij, iu dorëzua trupave qeveritare (shtator 1774). Pushkini thotë: ” Pugaçovi nuk kishte mjete për t’iu shpëtuar rrjetave që e shtrëngonin. Bashkëpunëtorët e tij duke parë nga njera anë rrënimin e pashmangshëm dhe nga ana tjetër shpresën e faljes, filluan të merreshin vesh mes tyre dhe vendosën t’ia dorëzonin qeverisë. Pugaçovi donte të shkonte drejt detit Kaspjk duke shpresuar që të gjente mënyrë e t’i t’i hapte shtegun vetes nëpër stepat e Kirgizëve-kajsaki. Kozakët u hoqën sikur ranë dokord, por duke i thënë se donin të merrnin me vete gratë dhe fëmijët, e çuan në Uzen, strehim i zakonshëm për keqbërësit dhe të ikurve të atyre viseve. Më 14 shtator arritën fshatrave të ”besimtarëve të vjetër” të popullit (”besimtarët e vjetër” starovery, përbënin në Rusi një sekt fetar që e pati origjinën në viti1656; të quajtur raskolniki, domethënë të veçuarit nga kisha ortodokse zyrtare). Këtu pati këshillën e fundit. Kozakët që nuk pranuan të dorzoheshin në duart e qeverisë u shpërndanë. Të tjerët u drejtuan në çadrat e Pugaçovit. Pugaçovi qëndronte vetëm dhe i mendueshëm. Arma e tij varej në një cep. Duke dëgjuar të hynin kozakët, ngriti kokën dhe pyeti se çfarë donin. Ata filluan të flisnin për gjendjen e tyre të dëshpëruar dhe ndërkohë duke iu afruar ngadalë kërkuan t’i zinin rrugën për tek arma e varur. Pugaçovi nisi atëherë t’i bindte që të shkonin drejt qytezës së Gurievit. Kozakët iu përgjigjën se për një kohë të gjatë kishin shkuar ata pas tij dhe se tashmë kishte ardhur koha që t’i ndiqte ai ata. ”E po mirë pra”,tha Pugaçovi, ”doni ta tradhtoni sovranin tuaj?” ”Ç’të bëjmë?” u për4gjigjën kozakët dhe pa pritur iu hodhën përsipër. Pugaçovi u shpennua në kohë. Atë u tërhoqën disq hapa prapa. E kam vënë re prej kohësh tradhëtinë tuaj”, tha Pugaçovi dhe duke thirrur beniaminin e tij, i zgjati duart dh i etha: ”Lidhi!” Tvorogovi donte ta lidhte me duart prapa. Pugaçovi nuk u përkul. ”Mos vallë jam bandit? ”, tha me inat. Kozakët e hipën mbi kalë dhe çuan drejt qytezës së Jaikut. Gjatë gjithë rrugës Pugaçovi i kërcënoi me hakmarrje e dukës së madh. Një herë gjeti mënyrën të lironte duart, kapi shpatën dhe koburen, plagosi me një të shtënë një nga kozakët dhe nisi të thërriste që të lidhnin tradhtarët. Por askush tashmë s’e dëgjonte më” (Histori cit., kap. VIII, F. 260 – 61). Në qytezën e Jaikut,Pugaçovi iu dorëzua gjeneralit të famshëm A. V. Suvorov i cili duke u emëruar kryekomandant nga konti Paninnë fazën e fundit të operacioneve, kishte marrë komandën e repartit të Mikelsonit. (Një skenë me Suvorovin u hoq nga Esenini në redaktimin përfundimtar të dramësa). Pastaj i burgosuri u dërguanë Simbirsk dhe iu dorëzua kontit Ponin.Më në fund u dërgua në Moskë: ” Në Moskë u prit nga një turmë e madhe që me t’u qetësuar na kapja e keqbërësit të madh, po e priste atë me pa durim. Ai u vu në Oficinë, ku që nga mëngjesi deri në mbrëmje, për dy muaj rresht, kuriozët mundën të shihnin rebelin e famshëm të lidhur me zinxhir në mur de akoma i tmerrshëm në pafuqinë e tij. Tregohet se shumë grave u binte të fikët nga vështrimi i tij i zjarrtë dhe nga zëri i tij kçrcënues. Para gjyqit tregoi një debolecë të pa pritur shpirtrore. U desh ta përgatisnin dalngadalë që të dëgjonte vendimin me vdekje. Pugaçovi dhe Perfilievi u dënuan me shqyerje së katërsh; Çika me prerje koke; Sigajev, Podurov dhe Tornov në hu; tetëmbëdhjetë burra medënim me kamxhik, me internim dhe me punë të detyruar. Ekzekutimi i Pugaçovit dhe i bashkëpunëtorëve të tij u bë në Moskë, më 10 janar 1775” (po aty, f. 264). Kështu mori fund revolta që nisi me një grusht kozakësh të pa bindur dhe duke u rënduar nga neglizhenca e pafalshme e autoriteteve, kishte tronditur Shtetin nga Siberia në Moskë dhe nga Kubani në pyjet e Muromit. Qetësia e përgjithshme nuk u stabilizua për një kohë të gjatë akoma (…) Në fund të vitit 1775 u shpall një amnisti e përgjithshme dhe u dha urdhëri që të harrohej përgjithmonë përsa kishte ndodhur.” (po aty, f. 268). 22 tetor 1774, një muaj nga kapja e Pugaçovit, Katerina i shkruante Volterit në frëngjisht mbi kapjen e Pugaçovit.
Mbi Pugaçovin shkruan akoma edhe Pushkini (po aty, kap. IV f. 202 – 3): ”Emilian Pugaçovi, kozak në lirim i ”stanicës” (hih më tej) Zimovjevskaja (mbi Don), ishte bir i Ivan Mihajllovit, vdekur shumë vjet më parë. Ishte dyzetë vjeç; ishte me trup mesatar, zeshkan në ngjyrë ulliri, thatanik; me flokë të verdhë të zënë, me mjekërr të zezë, jo të madhe, me majë. Një dhëm i sipërmë i qe shkulur që kur ishte ende fëmijë në një boksim. Në tëmthin emajtë kishte një njollë të bardhë dhe në të dyja sisët shenjat e mbetura pas sëmundjes së quajtur sëmundje e zezë. Ishte analfabet dhe shenjën e kryqit e bënte si ”raskolnikët” (domethënë me tre gishta në ved që ta bënte me dy).Rreth dhjetë vite më parë ishte martuar me kozaken Sofija Nadjuzhina, me të cilën pati pesë fëmijë. Më 1770 kishte kryer shërbimin ushtarak në armatën e dytë, u gjend në luftë me Benderin dhe pas një viti kishte qenë ushtar i liruar në Don për shkak të një sëmundje. Kishte shkuar në konvaleshencë në Çerkask. Me kthimin e tij në atdhe, atamani i Zimovjevskajas e kishte kërkuar në një mbledhje të ”stanicës” ku kishte marrë kalin me mantel me të cilin kishte arritur në shtëpi. Pugaçovi u përgjigj se e kishte blerë në Tanganrog; por kozakëtduke njohur jetën e tij të shthurur, nuk i kishin besuar dhe e kishin dërguar të merrte një çertifikatë të shkruar që të provonte blerjen. Pugaçovi ishte nisur. Ndërkaq mësuan se ai nxiste disa kozakë të internuar pranë Tagnrogut që të iknin përtej Kubanit. Qe vendosur që Pugaçovin ta dorëzonin në duart e qeverisë. Në muajin tetor, kur u kthye,ai u fsheh në fermën e tij, ku u kap, por ai arriti të ikte. Shkoi duke u endur s’dihet se ku, gati gjatë rreth tre muajve; më në fund një mbrëmje gjatë kreshmës, arrriti fshehtas në shtëpinë e tij dhe trokiti në dritaren e vogël. Gruaja e la të hynte dhe lajmëroi kozakët për ardhjen e tij. Pugaçovi qe kapur përsëri dhe qe dërguar nën skortën e agjentit të policisë, ”starshinit” (domethënë, i moshuari ose kryetari) Makarov, në ” stanicën” Nizhne – Çirskaja, dhe përtej në Çerkask.Gjatë rrugës iku përsëridhe që atëherë s’u pa më në Don. Që nga deponimi që bëri vetë Pugaçovi në fund të vitit 1772 në kançelarinë e punëve të pallatit ishte e njohur tashmë që pas ikjes së tij, ishte strehuar përtej kufirit polak, në ”sloboda” (domethënë, fshat i madh ose rrethinë) shizmatikët e Vetkas; pastaj kishte marrë pasaportën në avampostin e Dobruankës duke e quajtur veten sikur kishte lindur në Poloni dhe ishte hedhur gjer në Jaik duke jetuar me lëmoshë. Të gjitha këto lajme qenë botuar; ndërkaq qeveria ia ndaloi popullit që të fliste për Pugaçovin, emri i të cilit nxiste plebenë. Kjo masë e përkohshme e policisë pati forcë ligjore gjer me ardhjen në fron të sovranit të ndierë [Aleksandrit I (1777 – 1825), hipur në fronin e Rusisë në vitin 1801], kur qe lejuar që të shkruanin dhe të botonin për Pugaçovin. Akoma dhe sot dëshmitarët e vjetër për atë revoltë përgjigjen me përtesë pyetjeve të kuriozëve”.
SHPJEGIME FJALESH
kibitk – karro e mbuluar me mushama
stanicë – fshat i kozakëve, zakonisht i fortifikuar.
kurgani – tumalë e lashtë varri në formë kodrine
bashkirët dhe kalmukët – muhamedanë që flasin gjuhën turke, me origjinë ugro-fine e turke dhe kishin një damar mongol; banonin në Uralet jugorë; vareshin nga Rusia.
Samara – qytet mbi lumin Vollga.
Irgis (më shpesh: Irgiz): – nyje e rëndësishme karvanesh dhe tregu në stepën e Kazakistanit, mbi Vollgë, në veri të liqenit Aral. Kalmukët nga Vollga e pastaj nga Jaiku drejtohen drejt Irgizit në ikjen e tyre nga Rusia në kufijtë e Kinës.
sotnik – skudërkomandant
atamani – kryetar i kozakëve, përgjithësisht i zgjedhur.
Nuk jam Emiliani, por Pjetri – Pugaçovi mori emrin e të ndierit Pjetër.
Tvert – qytet mbi Vollgën e sipërme, në veri – perëndim të Moskës (nga viti 1931, u riemërua Kalinin)
çervonzi – monedhë ari e kohës së Pjetrit
izbë – kasolle e fshatarëve rusë
sotnja – shih sotnik.
Sakmara, qytet mbi lumin Vollga, 29 verste nga qyteza e Orenburgut. E ndryshme nga Samara.
tartarë – muhamedanë që flasin gjuhën turke (jo mongol)
kirkizë – si tartarët ishin muhamedanë që flisnin gjuhën turke dhe të nënshtruar nga rusët
Sigajev – Tornov.
Jo, jo, nukështë gusht, kur shkoqet tërshëra. – Pikërisht në gusht Pugaçovi pësoi disfatën totale pranë Sareptës, përtej Vollgës. Kufomat janë kaq të panumërt sa mbulojnë kallinjtë e tërshërës nëpër fusha.
suslik – marmotë,brejtës.
kolotushka – çekiç druri.
F u n d
Komentet