Në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.
Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.
Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.
“Korniza e re” të cilën e posedon Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.
Dokumenti prej katër faqesh, i cili e shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.
Dokumenti përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.
Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.
Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.
Vizioni i dialogut, një marko-perspektivë
Kjo pjesë tregon në tri pika se çfarë parashihet të ndodhë në 10 vjetët e ardhme nëse pranohet marrëveshja. Zhvillimet aktuale shihen si vijimësi e angazhimit të BE-së, në dialogun e nisur një dekadë më parë.
“2013, marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve. 2023, marrëveshja e dytë për normalizimin e raporteve (pranimi faktik i pavarësisë së Kosovës kundrejt një akti formal të njohjes). 2023, marrëveshja e tretë për normalizimin e raporteve (njohja e ndërsjellë formale), pak para se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së”, shkruhet në dokumentet në të cilat Albanian Post ka siguruar qasje.
Në pikën e parë potencohet se “Një normalizim substancial i raporteve duhet të arrihet deri në mes të vitit 2023”.
Më pas vazhdohet me pikën e dytë.
“Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut. ‘Të gjitha palët’ janë Prishtina (Kosova), Beogradi (Serbia) dhe Brukseli (BE, që nënkupton të gjitha shtetet e BE-së, përfshirë edhe jo njohësit)”.
Kurse pika e tjetër sqaron pozicionin e Serbisë.
“Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”. Sipas burimeve të AP, ky pozicion është rrjedhojë e faktit që, aktualisht, BE-ja nuk është e gatshme as të shqyrtojë një anëtarësim të përshpejtuar për Serbinë, rrjedhimisht edhe për vendet tjera të Ballkanit perëndimor.
Prandaj, në pikën e katërt saktësohet se “Tani për tani, në vend të njohjes, Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës si një realitet i veçantë politik dhe legal”. Këtë pikë, gjatë konferencës në Beograd, e ka pranuar publikisht Presidenti Vuçiç kur deklaroi: “ata insistojnë që atje (pra në Kosovë) ekziston një realitet të cilin ne duhet ta pranojmë si të tillë”.
Para se të kalohet në shpjegimin e “termave praktik”, jepet një vërejtje.
Dokumenti sqaron se “Esenca këtu është përdorimi i drejtë i semantikës: pranimi (acceptance) i pavarësisë së Kosovës kundrejt njohjes (recognition) së pavarësisë së Kosovës”.
Shpjegohet edhe çfarë nënkupton pranimi (acceptance) i pavarësisë i ndarë në tri pika.
“Në terma faktik, Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë tërësisht raportet, duke mundësuar lëvizjen bilaterale të njerëzve dhe mallrave.”, thotë pika e parë.
“Ky normalizim gjithashtu duhet që të reflektojë në raportet regjionale. Me fjalë të tjera, ndërlidhshmëria, zhvillimi socio-ekonomik, fqinjësia e mirë, dhe të dhënat digjitale. Tregu i Përbashkët Rajonal i promovuar nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, bazuar në katër liritë e BE-së dhe çuarja e rajonit drejt Tregut të Vetëm të Përbashkët të BE-së”, thuhet në pikën e dytë.
Sipas burimeve të Albanian Post, Gjermania dhe Franca insistojnë në këtë pikë. Këto dy shtete të fuqishme, shtylla të BE-së, kanë harmonizuar politikën e tyre kundrejt Ballkanit perëndimor. Franca qëndron fuqishëm prapa Gjermanisë në qëllimin e saj për vitalizim dhe sukses të plotë të Procesit të Berlinit, ndërkaq Gjermania qëndron fuqishëm prapa Francës në vizionin e kësaj të fundit për një politikë të kujdesshme të zgjerimit kundrejt Ballkanit perëndimor. Franca dhe Gjermania, ia kanë bërë të qartë Kosovës dhe Serbisë që brenda 2022 duan sa më shumë marrëveshje praktike, në mes të dy palëve, dhe që mundësojnë rigjallërimin e suksesshëm të Procesit të Berlinit.
Kurse pika e tretë thotë se “Duke e pranuar Kosovën si një realitet i ndarë politik dhe legal, Serbia do të marrë një pozicion pasiv dhe nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”. Sipas burimeve të Albanian Post, moskundërshtimi aktiv i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, është një kërkesë specifike dhe shumë e fuqishme drejtuar Serbisë.
Pas shpjegimit të këtyre pikave dokumenti sqaron pozicionin e BE-së si të tërë dhe shteteve veç e veç në raport me statusin e Kosovës.
“Pas marrëveshjes së dytë për normalizim të raporteve, pesë vendet jo njohëse në BE, do t’u bashkohen 22 vendeve të tjera të BE-së dhe do ta njohin Kosovën. Ky bashkim i mundëson Brukselit që ta trajtojë anëtarësimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si një bllok i vetëm”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Albanian Post.
Aty parashikohet edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ky rrugëtim kalon nëpër katër faza, por paraprakisht konstatohet se “Pozicioni pasiv i Serbisë nuk e zgjidhë përfundimisht problemin”.
“Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara varet nga vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Gjithsesi, derisa BE-ja dhe SHBA-të të zgjidhin çështjet e tyre me Rusinë, pas marrëveshjes së dytë për normalizim të raporteve, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare do të shkojë përmes këtyre fazave”.
Sipas propozimit, faza e parë është “Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”. Faza e dytë “Anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO”. “Faza e tretë, Fillimi i bisedimeve për pranim në NATO, aplikimi për anëtarësim në BE” dhe “Faza e katërt: Anëtarësimi në OKB”.
Krejt në fund, shpjegohet se çfarë përfitojnë të dy vendet nëse e nënshkruajnë marrëveshjen dhe cilat do të ishin pasojat nëse nuk arrihet akordi.
Sa i përket Kosovës, ajo “merr njohjen e pesë shteteve të BE-së, duke zhbllokuar perspektivën për anëtarësim në NATO dhe BE”, kurse “Serbia merr një ndihmë financiare masive dhe një asistencë ekonomike si dhe do të njihet si forca që udhëheqë ekonomikisht dhe politikisht rajonin”.
Meqë Kosova nuk ka as liberalizim vizash aktualisht dhe është praktikisht e izoluar, pasojat e mos nënshkrimit kanë të bëjnë më shumë me qeverinë sesa me vetë shtetin. Dokumenti e vendos theksin te izolimi i plotë i qeverisë së Kurtit, si një formë presioni që do të ndikonte në jetëgjatësinë e qeverisë.
Ndërsa, nëse Beogradi nuk e pranon, atëherë pason “Izolim ekonomik dhe financiar” dhe gjithashtu theksohet se “Pesë shtetet jo njohëse do ta braktisin eventualisht Serbinë dhe do t’u bashkohen shteteve të tjera që e kanë njohur Kosovën. Pavarësisht rezultatit, BE-ja do të flas me një zë”.
Pas zhvillimeve në Ukrainë, çështja e unitetit të BE-së, karshi Kosovës dhe Serbisë, është kthyer në thembrën e Akilit për vetë BE-në, prandaj Franca dhe Gjermania janë të vendosura në demonstrim praktik, politik dhe legal, të unitetit evropian.
Pra, Serbia është vendosur para një pozicioni, ku i bëhet e qartë që, në rast të kundërshtimit, do të humbë si ndihmën shumë të nevojshme ekonomike dhe politike të BE-së ashtu edhe përkrahjen e pesë shteteve mos-njohëse.
Dokumenti, siç sqarohet në fillim, është një makro perspektivë, e hartuar si draft shpjegues të dinamikave kyçe, dhe nuk merret me elemente specifike dhe as me marrëveshjet një nga një të arritura deri tash në Bruksel – një nga më problematiket, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Çfarë është parë deri më tani, BE dhe diplomatë të tjerë perëndimorë duan që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara të implementohen, përfshirë Asociacioni, gjë të cilën e kundërshton qeveria e Kosovës.
Burimet e Albanian Post, që kanë njohuri direkte për procesin aktual, pohojnë që, pa një gatishmëri të Serbisë për ta njohur formalisht pavarësinë e Kosovës, është shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje rreth Asociacionit, që do të siguronte një shkallë më të lartë autonomie për serbët e Kosovës. Me fjalë të tjera, fare lehtë, diskutimet për Asociacionin mund të zhvendosen për fazën e tretë të dialogut, atëherë kur perspektiva evropiane për Serbinë dhe Kosovën bëhet e prekshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.
Osmani gjatë këtij takimi theksoi rëndësinë e pranisë së NATO-s në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e KFOR-it për paqen dhe sigurinë e vendit.
“Prania e NATO-s nëpërmjet KFOR-it ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë e rëndësishme për paqen dhe sigurinë e Kosovës, ashtu siç do të jetë edhe anëtarësimi i Kosovës në këtë Aleancë historike”,tha ajo.
Shefja e shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për rolin e Aleancës Veriatlantike, në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtoi se angazhimi i Aleancës është kyç për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Vjosa Osmani, ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si dhe angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me organizatën më të madhe ushtarake në botë. sn
Përpara shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, grupi i prindërve organizatorë të protestës pas vrasjes së Martin Canit, ka mbajtur një komunikim për mediat. Gjatë fjalës së tij, një nga organizatorët, Migen Qiraxhi ka ripërsëritur kërkesat drejtuar qeverisë për një shkollim dinjitoz për të gjithë.
Më tej, Qiraxhiu ka njoftuar protestën e radhës që do të mbahet në orën 17:00 të hënën teksa ka shtuar se nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen s’do të largohen nga sheshi dhe madje do ta konsiderojnë dhe bojkotin e mësimit.
Migen Qiraxhi, përfaqësues i shoqërisë civile: Me rastin tragjik të humbjes së jetës së Martinit, ditën e enjte, ne prindërit që kemi fëmijët në shkolla, zhvilluam marshimin protestë. Të tronditur dhe të pikëlluar për vrasjen e Martinit, artikuluam disa kërkesa për institucionet përgjegjëse, kërkuam dorëheqjen e ministres së arsimit. Ta paktën do të krijonte precedentin e të mbajturit përgjegjësi. Dorëheqja kërkon integritet. Kjo ministre nuk ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë. Për këtë dhe pikat e tjera, do të jemi të hënën para Ministrisë së Arsimit për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë.
Ndaj kërkesat që kemi, prekin disa prej problematikave kryesore që përballen shkollat sot:
–Shtimi i buxheti për arsimit në 5 % të GDP-së.
–Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe staf mbështeës.
–Rritja dhe plotësimi 100% i shkollave me psikologë, në raportin psikologë për 200 nxënës.
–Qëndrimi i nxënësve në hapësirat e shkollave deri në orën 16:00 duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat.
–Zbatimi emergjent të rregullimit për heqjen e telefonave në orët e mësimit.
–Miratimi i legjislacionit për filtrat parandalues të përmbajtjeve me gjuhë dhune, urrejtje për fëmijët në moshën nën 14 vjeç.
–Secila shkollë duhet të ketë oficerin e sigurisë.
–Krijimi i një sistemi të raportimit të rasteve, ku të ndërlidhen të gjitha hallkat.
Dorëheqje e menjëhershme e ministres së Arsimit. Këto kërkesa, për një shkollim dinjitoz për të gjithë. Nuk do të largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen. Nëse ministria dhe qeveria vijon me të njëjtat neglizhime dhe arrogancë do të konsiderojmë dhe bojkotin e mësimit si formë të reagimit tonë. Ndaj ju bëjmë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen protestës së ditës së hënë. sn
Në Tiranë, u zhvillua Kuvendi Kombëtar për gjuhën shqipe, ku morën pjesë shumë studiues dhe ku u paraqit Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, një projekt katërvjeçar, ku dhanë ndihmesën e tyre dhjetëra gjuhëtarë nga Tirana, Prishtina e Shkupi. Fjalori i ri ka dy herë e gjysmë më shumë fjalë se sa Fjalori i mëparshëm i botuar mbi 4 dekada më parë. Gjuhëtarët pohuan se ky fjalor i ri do të ndihmojë shumë përdoruesit e saj të gjitjë profesioneve, si dhe vet gjuhën shqipe përballë rreziqeve të komunikimit në kohët e sotme.
Gjuhëtarë dhe akademikë të njohur të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut u bashkuan në një Kuvend Kombëtar të Gjuhës Shqipe në Tiranë, ku u diskutua mbi sfidat e gjuhës në shekullin XXI dhe u publikua Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe.
Ky fjalor ka gjithsej 10 mijë faqe A4, me 124 mijë njësi, mes të cilave 103 mijë fjalë, dy herë e gjysmë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” i vitit 1980, 5 mijë emërtime, 3 mijë njësi leksiko-gramatikore të fshehura, 11 mijë e 500 njësi frazeologjike, 1 mijë e 400 shprehje të huaja të paasimiluara, 1 mijë e 200 shkurtesa, si dhe mbi 40 mijë vargje sinonimike.
Drejtuesi i projektit të Fjalorit, akademik prof. dr. Valter Memisha, drejtori i Institutit të Gjuhësisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, tha se është mbyllur me sukses faza e parë e projektit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.
“Leksiku i shqipes është rritur ndjeshëm si pasurim i brendshëm dhe si pasurim i jashtëm. Është hedhur në qarkullim një pasurim me dhjetëra mijëra njësi nga ligjërimi i folur popullor. Ka njohur rritje të jashtëzakonshme fjalëformimi, ku dallojnë fjalëformimet sistemore, krijimi i vargjeve të plota leksikore, të ndërtuar kryesisht me brumin dhe me mjetet fjalëformuese të vet shqipes. Janë futur në përdorim të gjerë mijëra e mijëra terma dhe sisteme terminologjike për fusha të ndryshme të dijes dhe të teknikës. Huazimi po ashtu është zhvilluar mjaft”, tha zoti Memisha në Kuvend.
Gjuhëtarët vlerësojnë se shqipja është nën presionin e komunikimit globalist, për shkak edhe numrit të përdoruesve të saj dhe fjalori i madh e ndihmon atë në përballimin e rrethanave të reja dhe dokumenton pasurimin e gjuhës shqipe.
Profesori i njohur i gjuhësisë shqipe, akademik Emil Lafe, thotë për Zërin e Amerikës se kishte ardhur koha për një fjalor të ri, sepse gjuha shqipe dhe fjalori i saj në katër dekadat e fundit janë zhvilluar me shpejtësi dhe në të kanë hyrë mjaft fjalë të reja.
“Gjithë zhvillimi i gjuhës duhet të pasqyrohet në Fjalor, sepse ka rëndësi që të dihet saktë kuptimi i fjalëve, shkrimi i tyre, përdorimi i tyre. Sot u paraqit ky Fjalor i Madh i Gjuhës Shqipe. Është vërtet një punë e mrekullueshme e kolegëve tanë, një punë e lavdërueshme, por fjalorët janë vepra që kanë nevojë gjithmonë për plotësime, për saktësime dhe për një punë të vazhdueshme me to”, tha zoti Lafe.
Fjalori u realizua bashkarisht nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, disa universitete e institucione shkencore në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Palermos e Universiteti i Kozencës në Itali etj.
Studiuesi Sejdi M. Gashi, një nga përfaqësuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës në Kuvend, thotë për Zërin e Amerikës se Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe dëshmon një punë të jashtëzakonshme mëse katërvjeçare kryer nga një grup i gjerë profesionistësh të shkallës më të lartë nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi, si një detyrim kombëtar dhe profesional.
“Tani kemi këtu një kurorëzim të kësaj pune, që e vlerësoj si një punë mjaft të arrirë dhe e dobishme. Është një rrugëtim me kohën, sepse krahas jetës së përgjithshme shoqërore edhe gjuha është një proces dinamik e në lëvizje, në pasurim dhe ndryshim të vazhdueshëm. Ndaj ne e kemi parë të arsyeshme që t’u bëjmë ballë rrethanave dhe kërkesave të kohës me mundësitë tona, me potencialet tona gjithëkombëtare në Shqipëri, Kosovë e shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e gjithandej. Kemi bashkuar forcat e dijet tona dhe kemi nxjerrë si produkt Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe”, tha zoti Gashi.
Për këtë fjalor punuan mbi 55 bashkëpunëtorë e 25 hartues, me një redaksi prej 10 leksikografësh me përvojë. Fjalori pritet të botohet në letër vitin e ardhshëm, ndërsa platforma elektronike e saj është shumë lehtë e arritshme dhe cilësohet si një ndihmë e madhe për gjithë përdoruesit e saj anembanë globit.
Gjatë Kuvendit për gjuhën shqipe studiuesit shprehën shqetësimin për rreziqet që vijnë nga keqpërdorimi i shqipes dhe masat administrative, që sipas tyre, duhen ndërmarrë për ta mbrojtur këtë pasuri të madhe.
Organizata europiane për Ruajtjen e Natyrës “Euro Natur” shprehu shqetësimin se “zona e Vjosë-Nartës në Shqipëri, njohur për shumëllojshmërinë e shpendëve dhe lagunat, përballet me kërcënime serioze nga ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”.
Në një raport mbi biodiversitetin në Ballkanin Perëndimor të sapopublikuar “Euro Natur”që është bërë pjesë e një rrjeti me disa organizata shqiptare për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri thotë se “ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pjesë e një vizioni të gjerë për ta shndërruar këtë strehë të pasur me biodiversitet në një qendër turizmi dhe infrastrukture, kërcënon të shuhen zërat e gjallë të lagunës”.
“Rivlerësimi i zonave të mbrojtura nga qeveria për të lehtësuar projektin e aeroportit ka përjashtuar 310 hektarë habitat të rëndësishëm në jug të vendit, duke shqetësuar ambientalistët”, thuhet në raportin e organizatës.
Sipas autoriteteve shqiptare Aeroporti i Vlorës do përfundojë punimet brenda këtij viti dhe do të jetë operacional verën e vitit 2025.
Por si dëshmojnë pamjet me dron të filmuara nga Zëri i Amerikës këto ditë, punimet e deritanishme janë larg pritshmërisë që aeroporti të përfundojë brenda këtij viti.
Autoritete shqiptare shpërfillën një kërkesë të Konventës së Bernës, shtatorin e vitit të shkuar, që të ndërpriteshin punimet për Aeroportin, derisa të zhvillohej një Vlerësim i ri i Ndikimit në Mjedis.
Disa organizata mjedisore po zhvillojnë një betejë gjyqësore në Gjykatën Administrative të Tiranës ku kanë paditur një seri institucionesh qeveritare për procedurat e ndjekura për projektin e ndërtimit të aeroportit dhe fillimin e punimeve.
Qeveria shqiptare ka deklaruar nga ana e saj se aeroporti përbën një rëndësi parësore për zhvillimin turistik të këtij rajoni dhe zona e Akërnisë, ku po ndërtohet, përfshin një sipërfaqe e cila gjatë periudhës së komunizmit shërbente për uljen e avionëve ushtarakë.
“The Gavel” (Çekani), quhet skica e autorit LD-NY24 që merr shkas nga realiteti shqiptar mbi presionin që pushteti bën mbi sistemin e drejtësisë. Ngjarjet e ditëve të fundit dhe mënyra se si mediat zyrtare i trajtojnë kundërshtarët politikë drejt zgjedhjeve të ardhshme, janë një përshkrim i pranueshëm me autokracinë dhe me përdorimin e sistemit të drejtësisë si një armë ndaj kundërshtarëve politik dhe ideologjik.
Në mozaikun e lajmeve të ATSH-s me temë drejtësinë, ranë në sy disa tituj kryesor. Ai mbi pritshmërinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë më 21 Nëntor, 2024 pas ankimimit të depozituar nga Kryetari i Partisë Demokratike që ishte i titulluar:“Gjykata Kushtetuese rrëzon Berishën: Nuk ishte e nevojshme leja e Kuvendit për masën ndaj tij”. Një nënvizim i goditur në mënyrën më shërbyese të mundshme propagandistike dhe në një kohë kur sipas parimeve të profesionalizmit në gazetari pa shprehur anësi ngjarja e ndodhur në gjykatën kushtetuese ishte vetëm thjeshtë një shpallje vendimi mbi një ankim të depozituar nga pala e interesuar. Pra për sa kohë krye-lajmet zbehen për nga rëndësia e trajtimit dhe nga ana tjetër shtrembërohen për një dhe disa përfitime propagandistike, kuptohet fare qartë se kundërshtari në pushtet megjithëse luan me heshtjen e ka avantazhin sepse mediat dhe studiot pro qeverisë do ta trajtojnë shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë si një eksitim elektoral meqenëse data e zgjedhjeve 2025 po diskutohet dhe partitë politike duhet të përpilojnë kandidatët konkurrues.
Ethet dhe ankthi i publikut del nga plotëkuptimi i fjalëve gjykim* dhe vendim*. Pra publiku dhe sidomos kur ai pret një vendim apo gjykim që të dalë nga Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë është i prirur të dëgjojë zgjidhjen e prerë dhe vendimin përfundimtar nga kjo gjykatë që është e nivelit më të lartë në vend. Për drejtuesin e partisë më të madhe të opozitës Dr. Prof. Sali Berisha dy vendimet e marra janë masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Ndërsa sipas ATSH që i referohet:“Konferencës për shtyp të kryetares së Kushtetueses, Zaçaj vlerësimi masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’, është një kërkesë që është regjistruar në Gjykatë, në datën 18.11.2024, dhe do të jetë objekti një shqyrtimi tjetër gjyqësor sipas afateve dhe rregullave të parashikuara në ligj”.
Faktori kohë dhe presioni në kohë për zgjedhjet 2025 sinkronizohet me heshtjen e pjesshme të kryetarit të PS Rama që shtiret se nuk e komenton drejtësinë, por në krahët e tjerë veç mediave miqësore me të gjen jo vetëm eksitimin elektoral që shpërthehet në komentet pro dhe kundër, por ai mat edhe me hapat konkret që Rilindja Socialiste merr për të ruajtur avantazhin nga koha e shkurtër që ka m mbetur deri në zgjedhje. Në dy rastet si; “Rama: Akademia Politike e PS-së rrit energjinë e së vetmes forcë reale udhëheqëse” dhe “Rama, të dielën takim me shqiptarët në Londër: Në rrugën drejt Shqipërisë 2030″, publiku kur i krahason realitetet dhe sidomos media në qoftë se kërkon të mbetet e pa anshme mund të ngrejë pyetjen se; – Çfarë i bën palët të trajtohen të pabarabarta në prag të zgjedhjeve?
Deri në këtë pjesë të arsyetimit nuk kemi përmendur termat “dy standarde”, as korrupsion dhe as humbje dhe shpërdorim detyre nga administrata dhe qeverisja e cila nuk e ka ndryshuar udhëheqjen për këta 11-12 vjet. Sado që të shtrojmë edhe rezultatin se drejtësia dhe prokuroria e posaçme po godasin edhe majtas edhe djathtas, kjo statistikë kur “hemorragjia financiare” nuk ndalet dhe më keq buxheti i shtetit planifikon të investojë në projektet që e kanë patur pikënisjen nga korrupsioni dhe kanë falimentuar, kjo tregon se pushteti është i kapur dhe po shkon drejt vendosjen e një autoriteti absolut. Kohëzgjatja e vendimeve të gjyqësorit, vendimet e lëkundura dhe kundërshtuese në parim mes njëri tjetrit tregojnë se politika është futur thellë në sistem dhe nuk ka më hapësirë për pa anshmëri. Aty vepron kontrolli dhe goditja ndaj kundërshtarëve politik dhe ideologjik.
_______________
* gjykimi– është një mendim që formohet për dikë a për diçka dhe shpreh vlerësimin përfundimtar.
*vendimi– është një mendim përfundimtar ose masa a zgjidhja e prerë që jep gjykata për një çështje.
23 Nëntor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Forcat e armatosura të Britanisë do të ishin gati të luftonin Rusinë që sonte.
Një zyrtar i lartë ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se në rast se Moska vendos të sulmojë një vend të Europës Lindore, është evidente që në fushëbetejë do të jenë edhe forcat britanike.
“Nëse ushtrisë britanike i kërkohej të luftonte sonte, ajo do të luftonte sonte. Dhe nuk mendoj se askush në këtë dhomë duhet të ketë ndonjë iluzion se nëse rusët pushtojnë Evropën Lindore sonte, ne nuk do të jemi në fushëbetejë”, tha Rob Magowan, zëvendës shefi i shtabit të mbrojtjes britanike, në një komision parlamentar të mbrojtjes. të enjten.
Kujtojmë se komentet e Magowan erdhën menjëherë pas raporteve se Rusia kishte lëshuar një raketë balistike me aftësi bërthamore gjatë një sulmi të mëngjesit të së enjtes në Dnipro, Ukrainë.
Më vonë gjatë ditës, Putin tha në një deklaratë televizive se raketa ishte një raketë e re balistike jo-bërthamore me rreze të mesme. bw
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka përshëndetur vendimin e Parlamentit të Kosovës, për ndarjen e 4 milionë eurove për Luginën e Preshevës.
“Pas aprovimit në Qeveri e tashmë miratimi në lexim të dytë të Parlamentit për këtë fond nuk është thjesht një numër në letër. Është një mesazh i qartë dhe i fortë nga Kosova se shqiptarët e Luginës nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë vetëm! “
“Këto mjete do të shkojnë aty ku preken përditë zemrat e njerëzve: në arsim, për t’i dhënë fëmijëve tanë një dritare më të gjerë drejt së ardhmes; në kulturë, për të ruajtur dhe promovuar vlerat tona kombëtare; në sport, për të rritur shpresën dhe energjinë pozitive të rinisë; dhe në sektorë kyç që përmirësojnë jetesën e përditshme”.
Kamberi shkruan në Facebook se ky është një hap i cili sipas tij shkon përtej politikës, e fjalëve, transmeton Klankosova.tv.
“Lugina është krenaria jonë e përbashkët, edhe më fuqishëm me Kosovën që po qëndron pranë nesh në këtë situatë të rëndë që po na imponohet nga diskriminimi shtetërorë”.
“22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”, tha Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme në fillim të vitit 2024, kur u propozua që kjo datë të bëhej festë zyrtare.
116 vite pas Kongresit të Alfabetit, që ishte një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, që sot njihet si “Kongresi i Manastirit”, Shqipëria po bën hapa pas, duke rrezikuar rritjen e analfabetizimit në vend.
Të dhënat e Bankës Botërore, tregojnë se jo vetëm që numri i të regjistruarve në shkollat fillore po bie ndjeshëm, por ai është dhe ndër më të ulëtit në Europë.
Në vitin 2023, Norma bruto e regjistrimit në shkollën fillore në Shqipëri zbriti në 93.7%, nga 105.4% që kishte qenë në vitin 2017, duke shënuar një rënie të fortë pas pandemisë.
Kjo do të thotë që të regjistruarit në shkollë fillore (pavarësisht moshës) ishin sa gati 94% e popullsisë 6-12 vjeç. Ky është niveli më i ulët rekord, që nga viti 1976, kur banka Botërore raporton të dhënat./Monitor/
Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.
Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti dhe kjo është hera e parë që kremtohet si festë zyrtare. Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës.
Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër. bw
Njoftohet se Ukraina ka përdorur për herë të parë raketa britanike të tipit “Storm Shadow” me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, sulmi ukrainas vjen pas njoftimeve se Presidenti Joe Bien vendosi në fillim të javës që ta lejojë Kievin të përdor raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva në brendësi të Rusisë.
Mediat britanike njoftuan të mërkurën se Ukraina kishte përdorur për herë të parë raketa të tipit “Storm Shadow”, të furnizuara nga Britania, për të goditur objektiva brenda territorit rus. Raketa të tilla janë përdorur në të kaluarën kundër forcave ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës, si vitin e kaluar, kur u godit shtabi i flotës ruse të Detit të Zi në Krime.
Londra dhe Kievi nuk e kanë konfirmuar sulmin e djeshëm.
Në fillim të kësaj jave, ushtria ukrainase përdori raketa me rreze të gjatë veprimi, të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, për të goditur në thellësi të territorit rus, pas miratimit nga Uashingtoni.
Franca gjithashtu e ka furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi. Por raketat evropiane dallojnë nga ato amerikane, thotë për Zërin e Amerikës analisti Patrick Bury nga Universiteti Bath.
“Ato janë raketa që lëshohen nga ajri dhe kanë një rreze veprimi prej 250 kilometrash. Raketat amerikane kanë një rreze më të gjatë veprimi dhe nuk lëshohen nga ajri, ndaj janë më të vështira që të eliminohen, të paktën në teori”.
Dy sistemet e raketave ofrojnë mundësi për objektiva të reja.
“Rrezja e veprimit të dy llojeve të raketave është e mjaftueshme për të depërtuar brenda territorit dhe goditur infrastrukturën ruse, duke ndërprerë furnizimet për frontin e luftës. Rrezja e veprimit nuk është aq e rëndësishme sa fakti që Ukraina ka nevojë për sasi të mëdha raketash dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë për Zërin e Amerikës, James Nixey, i cili drejton programin Ruso-Euroaziatik në Institutin Mbretëror për Çështjet Ndërkombëtare që njihet edhe si Chatham House.
Ukraina duhet të zgjedhë me kujdes objektivat e saj, thotë analisti Bury.
“A do të lejohen ata (Ukraina) që ta shtojnë trysninë dhe të godasin infrastrukturën energjetike, ushtarake, rafineritë e naftës, objektiva që do të fillonin me të vërtetë të dëmtonin ekonominë ruse? Kjo është pyetja.”
Por Gjermania, furnizuesi i dytë më i madh i Ukrainës me armë, e përjashtoi këtë javë mundësinë që t’i ofronte Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi. Berlini druhet se mund të përfshihet në luftë.
“Asgjë nuk ka ndryshuar për ne, situata dhe rrethanat janë të njëjta. Raketat gjermane nuk janë si ato amerikane apo britanike. Këndvështrimi ynë për këtë çështje është i njëjtë”, tha shefi i mbrojtjes gjermane, Boris Pistorius.
E ardhmja e ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin mbetet e pasigurt. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është zotuar t’i japë fund luftës në ditën e parë që merr detyrën. Kievi i druhet tërheqjes së mbështetjes amerikane. Analisti Bury thotë se Britania dhe Franca mund të vendosin që të vazhdojnë furnizimin e Ukrainës me raketa.
“Dy vendet kanë armë bërthamore dhe mund të rrezikojnë nëse duan. Mund të gjenden dallime mes NATO-s evropiane dhe asaj amerikane për disa çështje politike lidhur me Ukrainën”.
Pas vendimit të Uashingtonit për ta lejuar Ukrainën që të godasë territorin rus me raketa amerikane, Moska uli kufizimet për përdorimin e armëve bërthamore.
Prindërit dhe nxënësit kanë hedhur bojë në asfaltin para Ministrisë së Arsimit te Rruga e Durrës në shenjë proteste pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Me pankarta të shumta në duar, me mesazhe për institucionet, shoqërinë, por edhe për 14-vjeçarin e vrarë, qytetarët kanë kërkuar drejtësi dhe siguri.BW
Qindra qytetarë kanë mbushur sot rrugët e Tiranës në shenjë protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani duke kërkuar siguri.
Prindërit janë mbledhur fillimisht te shkollë “Fan Noli” dhe më pas kanë marshuar drejt sheshit “Skënderbej” me një pankartë gjigande në krye “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” dhe bënë apel për marrjen e masave.
“Nuk ka dhimbje më të madhe. Ai ishte si djali im se ishte shoku i djalit tim. Nuk di çfarë të them, jam shumë i prekur. Ai i ka fut thikën të gjithëve”, tha një prind.
“Apel shtetit shqiptar të mos flejë gjumë, mjaft më. Nuk durohet”, tha një prind tjetër. BW
Komentet