Bukuria e Liqenit të Shkodres reflektohet deri nder shkambijt e Taraboshit, tue i dhanë pamje piktoreske dhe Shirokës, fshatit bukur ku lindën dhe u rritën të Parët e mij Tom Mark RADOVANI (Gjyshi) e Baba im Kola. Shiroka… Mjaft e marrun nëpergojë, per “malin pa dru e njerzit pa tru…”. Megjithate, Emnat e njerzve të dijtun ua kanë mbyllë gojen mjaft peshqëve që edhe ikën prej andej.
Ishte kenë derman Dajlani me i mbledhë e me i çue nder universitetet e Tiranës e të…
Gjyshi im Toma, i pat dhanë një dhomë Kishës së Shirokës dhe Don Zef Ashta, hapi në vitin 1874 Shkollen e Parë me Gjuhen Shqipe, per banorët e Shirokës. Ndersa, ne nipat e Tomës mbas 1944, asnjeni nuk u lejueme me ndjekë shkollat e nalta se u perfshime nga “lufta e kllasave”.
Siduket, per këte arsye nuk zehet me gojë as Shkolla e Shirokës, si Shkolla e Parë në Shqipni… Vetem mos me xanë në gojë Pronarin e saj.
Kur Shiroka ishte zonë kufitare kam shkue rrallë e aspak, vetem kur më merrte me vete mësuesi i nderuem dhe Miku im Sander Troshani, që ishte mësues atje.
Ndoshta, malli per Shirokën më shtonte dashuninë dhe dëshiren per me kalue pushimet në bregdetin tonë të mrekullueshem! E jo, ma pak per Bjeshkët e Nêmuna.
Kur shkova në Dhermi, mendova se Shqipnia asht vendi ma i bukri në Botë. Liqejt e Lurës ishin krejtë tjeter gja. Per me i kuptue ata, Shqiptari duhet me jetue 150 vjetë dhe jo në komunizem.
Me siguri bukuria e Tokës Shqiptare, per të cilen Gjergj Kastrioti e la edhe Stambollin, asht një nder arsyet që fqinjët tanë, nuk na e lypin po kerkojnë me na vue thonjët në fyt dhe me na e marrë “një pllambë” tokë. E besa, edhe“dy pllambë” prej bregdetit tonë aq të bukur!
Në vitin 1924, në muejn shtator gazeta “Ora e Maleve” publikon mjaft ngatrresa që nuk ndryshojnë fare nga të sotmet, ndermjet fqinjëve ku nuk perjashtohet asnjë rretherrotull nesh.
***
HISTORIA DUHET SHKRUE SAKT, NDRYSHEJ AJO NUK ASHT KURRMA HISTORI!
Në Biblioteken “Marin Barleti” të qytetit Shkodres asht dokumenti që saktëson se: SHKOLLA E PARĒ SHQIPE ASHT HAPĒ NĒ SHIROKĒ NĒ VITIN 1874 NGA KLERIKU DON ZEF ASHTA. Në vitin 1944, në Revisten Kulturore “Leka”, numur 9 – 10, mësuesi i Shirokës Gjush Sheldija (me pseudonim Gjeto Kola), ka shkrue një artikull per 70 vjetorin e Shkollës së Parë në Gjuhen Shqipe që asht hapë në Shirokë. Aty janë edhe Emnat e nxanësve të parë si dhe Mësuesit e Parë që, kanë sherbye tek ajo Shkollë e Nderueme Shqiptare.
Deri në vitin 1921 Ajo Shkollë ishte tek Shtëpia e njohun e TOM MARK RADOVANIT, mandej vazhdoj pranë ndertesës së Motrave Stigmatine. Kjo asht nder ngjarjet ma të lavdishme të fshatit SHIROKA të Shkodres.
Tashti në 2023 kanë fillue edhe njëherë “davatë e pafund të “Rilindjes…”
Ndersa sllavët kanë piksynimin e tyne tek Kosova…
Sigurisht, kjo asht puna e “atyne” që merren me “atë çeshtje” (perveç Atdhetarëve)!!
Ju lutem mos u merrni me peshkaqenët e “Rilindjes”. Asht kohë e humbun!
Fatkeqësisht, klasa politike po shkatrron Atdheun!
Nga Kolec ÇEFA:
Gjush Sheldija, veteran i arsimit kombëtar
Në fushën e arsimit dhe të edukimit, gjatë periudhës së para luftës, Gjush Sheldija i dha ndihmesë modeste shkollës e kulturës shqiptare. Ushqye nga mjedisi patriotik, i rritun në shkollën e
jezuitëve, pajisë me përvojë të pasun nga specialistë të letrave shqipe, Gjushi ka meritën se punoi me zell e me vullnet punëtori si veteran i arsimit kombëtar, se mblodhi material të shumtë e të
gjithanshëm, se trajtoi tematikë të pasun në kulturën shqiptare, se ishte veprimtar i palodhun në shoqni të ndryshme patriotike, si tek:
“Bogdani”, “Rozafa”, “Shoqnia Antoniane”, dhe pjesëmarrës aktiv në shumë veprimtari kulturore të qytetit tonë, sidomos ato teatrore. Gjush Sheldija ka lindë më 12 korrik 1902, në Shkodër. Studimet i bani në vendlindje, ku mori maturën pedagogjike, por në pamundësi të studimeve të larta jashtë shtetit për shkaqe ekonomike, ka studjue vazhdimisht si autodidakt, veçanërisht: histori, etnografi, folklor, gjuhësi etj. Ka njohë 4 gjuhë të hueja, si: italisht, frengjisht, gjermanisht e latinisht.
Gjatë vjetëve 1921-1944 ka shërbye si arsimtar në fshate e qytete të atdheut; ka marrë pjesë aktivisht në Revolucionin e Qershorit 1924, për këtë asht arrestue e dënue me burgim nga qeveria e Zogut; në fillim të diktaturës ka punue herë në muzeum, herë në bibliotekën e qytetit e pastaj, si pensionist i vetmuem, ka mbyllë sytë, më 1976.
Shfrytëzues sistematik e i pandërpremë i kohës së lirë, Gjushi ka një veprimtari të dendun e të larmishme, si:
1)krijime origjinale në poezi, prozë e dramatikë;
2)artikuj me karakter arsimor, etnografik, historik e arkeologjik;
3)mbledhës i pasionuem i materialeve, ndër ma të ndryshmet, i biografive e i kujtimeve të personave historikë, letrarë, luftarë, i toponimisë etj.
Ka botue artikuj e studime në revista e gazeta të vendit, si edhe jashtë shtetit, veçanësisht, në revistat e vlerta shkodrane, si “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Kumbona e së dielles”, “Shkodra”, “Shkëndija” e Tiranës, apo në gazetat, si: “Balli i Rinisë”, Tiranë, “Afrimi”, Vlonë, “Gazeta shqiptare”, Bari, si edhe në gazetat e Shkodrës.
Ka pasë marrëdhanie pune, shoqni e miqësi me Fishtën, Mjeden, Koliqin …, ka bashkëpunue me punëtorin e palodhun të letrave shqipe, At Zef Valentinin, të cilin e ka ndihmue në punën e tij të
shumanshme, siç e dishmojnë letrat e ruejtuna ende gjatë këtij rrebeshi të pamenduem e të paparishikuem. Etnit Valentini, Cordignano, Armao etj. e falënderojnë për ndihmën e dhanë, ndërsa
autorë të sotëm e falënderojnë ndër letra personale, por jo me shkrim ndër veprat e tyne.
Ka shkrue disa artikuj për historikun e shkollës, si: “70 vjet shkollë: shkolla e Shirokës, 1874-1944”, “Shkollat e moçme dhe arsimtarët e vjetër të Shkodrës, shek. XIX-XX”, “E para shkollë muzike në Shkodër”; shënime me karakter biografik: “Mësuesit e moçëm shkodranë”.
Gjushi punoi mjaft edhe në fushën e krijimtarisë letrare. Ka shkrue novela, tregime, poezi, drama, komedi, monologë e dialogë, të botuem në organet e kohës, disa të mbetuna në dorëshkrime, disa të shfaquna në salonet teatrore të kohës. Në dramaturgji po veçojmë “Kupe Dane” (me dy akte e pesë tablo) dhe dramën “Brahim Gjoci”, “Atdheu mbi të gjitha”, me një prolog e dy akte; komedi me një deri në katër akte, si edhe përkthime dramash shfaqë në sallat e Kolegjit Saverian nga shoqnia “Bogdani”.
Rrallë janë arsimtarë që kanë mbledhë material kaq të shumtë, kaq të larmishëm e kaq të dobishëm. Lidhun me mbledhjen e materialeve në bazë, Gjushi asht një pikë referimi ku duhet drejtue vëmendja e mësuesve të rij, për të mbledhë visarin e popullit. Për ilustrim po përmendim disa historikë, si: “Historiku i teatrit në Shkodër , 1879- 1944”, me pasqyrë të të gjitha shfaqjeve, të autorëve e të aktorëve etj.; “Historikun e karnevaleve të Shkodrës, 1860-1949”, “Historiku i bandave muzikore të vendlindjes, 1874-1944”; “Pazari i Shkodrës dhe artizanati në shek. XIX-XX”, pastaj qindra faqe të daktilografueme për tabakët e Shkodrës, për esnafet, për terzitë, dyfekqijtë e Shkodrës, për veshje, doke e zakone, për humorin e humoristët tanë, ahengun e ahenggjijtë me biografitë e tyne, shënime, biografi për veteranët e historisë sonë etj.
Për hir të rrethanave ekonomike, të detyrimeve familjare a ma shumë të gjendjes politike, Gjushi s’arriti të përmbledhë në vepra të plota ndihmesën e vet folklorike, etnografike, letrare, historike.
Sinteza do të qitte në pah ma qartë veprimtarinë e tij të shpërndame në revista e gazeta, tashma të rralla, të shkrueme e të harrueme ndër pseudonime sot të panjohuna, si: Gjeto Kola, Nji mik, Sheboja, Magister, Nji bashkëpunëtor i ri, Korespondenti, Dikush, 67, 647 etj.
Gjush Sheldija vdiq në vitin 1976.
Shenim F.R.: Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit.
Melbourne, 17 Tetor 2023.