DON NDRE MJEDJA
(1866 – 1937)
1946
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të
QYTETIT Të SHKODRES,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME EDHE
EMNIT Të VDEKUNVE PARA 1944.
SCODRA
I.
O Tarabosh, i mnert, ndéja hyjnore,
Ku, e rrebt, rrufenat Fromboja farkote,
E e perzemruem’, gjyteteve mizore
Pshtjell’ me shtergata e bumbullim’ i lshote.
Andej mbi breshtat e mbi land’t pjellore,
Qi rreze diellit per dëshir s’ pershkote,
Ti soditshe gjarpnues neper fushore
Kulmin e Drinit me qeti kah shkote.
E kuvendshe me té madhnin’ e Ilirit,
Ku t’ lir si shqypet neper bjeshk, banoshin
Nipat e hyjvet Ilirjak’ e t’ robit.
E n’ at zemer u knaqshe pa fé kobit.
E u knaqshin hyjzit qi tinzisht veshtoshin
Nper heshtime t’ pamatuna t’ ethirit.
II.
O dishmitar i shekujve t’ panjehun,
Qi pershkove me sy gjind e ndodhina
Si dhent blegtori kur, avit’ te trina,
Vezhgon vathin e vet e rri tu’ i njehun:
Difto si motit, prej hyjnis i ngrehun,
Per kto vênde lakmues e kto krahina,
Rrani nder treve hijeshue n’ çetina
E badra t’ verdha me ata gjetht e prehun,
Si nji popull me shpatë i armatisun,
Ili fatbardh’, Ili qi blegtoresha
Galateja perfitoi e Polifemi;
E kjene shkuesa prej Olimpit nisun
Bind fuqimadhi e Senton hyjnesha
E dasmor i gjith zotave polemi.
III.
Difto si grigjen neper shpat kur lshote
Me lkur’ harushet vesh’ e njesh’ barija,
Gjith rrotull Krajës e ka merr Rumija
Kumbim trokash mbi troje tingullote;
E dhênt blegroshin neper dushk; gjiplote
Gjellet nder megje siellishin me mija
E t’ permállshme kundruell pallshin, e n’ shpija
E nder peqina ‘j tjetrë gridh’ ushtote.
Maje currave tu’ u pshtet’ me fyll shtogut
E buz’ kronit barit zgaçen nen hije
Kndoshin, e ndalej fluturimi i zogut.
E i perkdhelun prej kang’sh, shpell’ e shkambije,
Lête gjarpni i helmuem, e mjedis t’ logut,
Ngrehun kryetin perpjet, vrote me shije.
IV.
E ti smiren difto qi t’ perzêmruemit
Hyji e Elades germoi, e jasht’ zakonit
Dergj e rrenime grumulluen e t’ shuemit
E nipave caktuene t’ Posejdonit,
Se kah fundi i peqinave t’ Mallkuemit
Shperthei kulsheder neper gryk’ t’ nji stonit;
E si kokerr rrufejet, prej t’ aguemit
Frombos vetueses ju perqasi fronit.
T’ krokodilit mbas giaset, i flakote
Me nji t’ njyme gjelbrore e t’ verdh’ gjith shtati
E flak’ e kuqe neper sy i vetote.
Krah i zjarrit’ bri stjetullavet i delte,
E surfull turfullote e flak’ lugati
Qi prej fushës per gjys’ malin e shkelte.
V.
E nji njegull nder male, e ‘j er’ qelbsinet
E i vap’ e mnershme per gjith’ vend shperndahej,
Ku nder lugje ma t’ rita e n’ pod rudinet
Me t’ perjetshmen sherbel’ gjineshtra thahej.
Mjedis t’ megjeve i shtangun, prej nalcinet
Plandoset qjelli rrokollim, e rraheji
E nderkryeme per tok’ delja bri trinet,
E regji i shpevet prej trishtimit kjahet.
E gjimoshin t’ zharituna blinishtat,
E kjaheshin rreth krojet, e t’ trishtueme
Ulkoja e trumat uluroshin naten.
I molisun flakrote ushtari shpaten,
E dneshin nuset per kunor’ t’ vorfnueme,
E vjerr’ gjinit amtuer, disshin ferishtat.
VI.
Por qe prej shpellet, ku n’ qeti banote,
U çfaq tat’ gjyshi Polifem, e drodhi
Rrotllen e rynit qi mbi báll i ndodhi
Vetem, shkellxore porsi hana plote.
E i farmakuem prej mnijet turfullote
Si harusha per zogj, e nji shit zgjodhi
Nen máje t’ madhit Tarabosh, e e hodhi
Kundra bindit, damtuer qi kobe lshote.
Fishklloi ajri per rreth, e bumbulluene
Rrethas permnershem malet, e, si zdapa,
Shkulmat e Drinit pezulli u çuene.
E larg ushtoshin lugjet e Peshtrikut,
E porsi t’ shtyeme prej fortun’s,permbrapa
Rrokolloheshin val’t e Adriatikut.
VII.
Uluronte prej dhimet e perplasun
Nder balta t’ Buenës, ku fillon koliku,
E terbuemja kulsheder, tue ju qasun,
Stonit t’ perparshem qi kish xan’ kreshniku.
Por i veshej prej majavet i rrasun
Nji breshen qetash, si nji rê çeliku
Qi lumbardhat flakrojn’ n’ ma t’ idhtin t’ hasun
Qi ka me anmikun e terbuem anmiku.
E mizoren perfundi ‘j mal sa qiella
E nêlt e shtrydhi per gjith an’sh, e ngeli
Aq e madhe per bind u çue gomilla.
E zbriti s’ neltit, buzen n’ gaz, e shkeli
Polifemi mb’at suke, e n’ zane t’ kthiella,
“T’ Ilirijes, kumboi, “a ktu temeli.”
VIII.
Kumboi njitas nder malet Ilirike
E nder fushore t’ b’ gatuna n’ grunaje
Zâni i kasnec’ e e ‘j brohori jetike,
Qi jehona perdridhte mâje n’ mâje
E thirrte Kodri: – O djelmëni kreshnike
Me dhên gur e permend’ leni n’ bungaje
Spatat e ngulme, léni tok’ t’ fisnike
E léni berret qi kullosin n’ zaje;
E hiqni thekshem kah i t’ parve a shkámbi,
Ku n’ vetina perher’ Fromboja dëfrehej,
Se nji t’ rejes seli po i shtrohet lâmi.-
E permbi suken mrekullore u njiti,
E t’gjytetit mbretnuer rrethin, ku t’ ngrehej,
Me gjak t’ kulshedrés tu’ e vizat’. Shetiti
IX.
Prej krahinet kú i mûjshem Labeati
Banon me shqype, e ku perté, e Parthinit
Kullot grigja e mrizon Autarijati
Berret e láme neper ujna t’ Drinit;
Porsi çuna t’ nji shpis qi fton i jati,
Avulluesa sinjoreve t’ Shkodrinit
Ju veshne Ilirsit me hiti, ku fati
I atmes ma t’ lergun ja perkrahte fqinit.
E kndoshin çetat tui u zbrit’ , e ushtoshin
Fush’ e lugje t’ gjelbrueme e shéna e prroje,
N’ brohorijet t’ ushtris kur n’ pun’ u lshoshin.
E ‘i popull i pafar’ rreth suket vlote,
Porsi shemet e bletve neper zgjoje,
Tuj ngreh’ shka naten hyj mizuer do t’ rrxote.
X.
Ngri prej mneret t’ çudimeve s’ vetove,
E permbledhun rreth malesh Ilirija:
E t’ Shuguruemit e Bindit, n’ uzdaj plote,
Shqyrtoshin shortet si ju nepte dija.
E pvetshin t’ shpardhit, qi per an’ mbretnote,
Gjethin kuvénd’s me dshir e neper vija
Zanet e rrgjanta qi Sentona lshote
E val’t qi luente e Posejdonit hija.
Por i trúmun Dodonasit nuk flitte
Shpardhi n’ bungajet, e nuk bzâte rrjedha
Me tingllime t’ argjanta per kah rrshitte.
Ankim prej qiellet t’ Ilirjakve s’ ndihej,
As e flladit ndivnues s’ ankohej dredha:
Por paq’ i kandshëm prej Hyjnijet shifej.
XI.
I madhnueshem shkelzete bregut t’ Drinit,
Prej mermerit katruer t’ dhenun, prej arit
Xhixhlloj’s nen rreze qi pershkrepshin s’ parit,
Tempull i ngrehun hyjnave t’ Elinit.
E mbarshtrojsit e Zeusit n’ petka linit,
Stolisun kryetin me kunora larit,
Ndezne kémcat rreth lternavet per s’ mbarit,
Tuj ftue t’ idhnuemit hyjenor’t e fqinit.
Kersitte kêmi mbrenda kup’s s’ prarueme:
E shkul tu’ u çuemun, neper qiell t’ faltores
Tymi i erkândshem fjolla fjolla hypë.
Gjimoi moti ne e rrmakt, e zâne t’ mbulueme
Shungulluene prej s’ neltit t’ nji dritores:
-Aferdita per fli Rozafen lypë-.
Shenim F.Radovani:
“Juvenilia” e Don Ndre Mjedjes asht botue nga shkrimtari Mark Gurakuqi.
Ribotimi i poezisë asht ba nga ana ime në pervjetorin e Don Ndre Mjedjes.
Poezia Scodra që i kushtohet Shkodres, asht nder kryeveprat e Mjedjes.
Ajo xen vend edhe në thesarin e dialektit të Gegnishtes.
Shkrimtari Mark Gurakuqi thekson: “Vlera letrare e artistike e veprës së Mjedjës asht e madhe”. Gja per të cilen sot, duhet t’i jemi mirnjohes edhe Profesor Mentor Qukut per thesaret që na ka lanë per Don Ndre Mjedjen.
Melbourne, 4 Gusht 2023.