PROFESOR PETRO FUNDO
(19 MARS 1909 – 1 MARS 1989)
1946
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të
QYTETIT Të SHKODRES,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME.
Mosha e ime fatkeqsisht nuk më lejoj me e njoftë Prof. Petro Fundon prej vitit 1946 kur Ai erdhi sëparit Profesor në Gjimnazin e Shkodres. Asht kenë një prej Profesorave që porsa ka vue kamben në Shkoder ka lanë kujtime…
Ishte nder njofësit e rradhë të historisë dhe të kulturës së atij qyteti. Njifte mirë themelet e katoliçizmit dhe historinë e disa klerikve në za, tue fillue nga At Gjergj Fishta, Imzot Luigj Bumçi, Don Ndre Zadeja etj. Para vitit 1944 kishte lexue shumë prej veprave të Don Kolec Prennushit. Adhuronte poezinë e Vaso Pashës, Don Ndre Mjedjes e Imz. Vinçenc Prennushit. Ishte shumë i saktë nder biseda me shokët e vet dhe me një kujtesë të rrallë.
Prof. Fundon unë e njofta në vitin 1955, porsa erdhi në Shkoder të dytën herë mbas vitit 1946, kur ishte profesor matematike në Gjimnazin “29 Nandori”, dhe u pat largue pak kohë mbasi studentët e Komitetit të Rinisë komuniste, e patën nxjerrë në një karikaturë të gazetës së murit të shkollës me një automatik në dorë, tue pushkatue nxanësit “me njëshka”.
Ishte kërkues i landës sëpse, ate që shpjegonte donte që të mësohej nga nxanësit. Më tregonte njëherë, kur ishte me studime n’ universitet në Francë, “nota më e mirë ishte 20. Unë arrija deri tak 14. Mbas shumë përpjekjesh arrijta deri tek 16. Ndërsa, 18 dhe 20 ishte për ata studentë, që ishin shkencëtarë që në bankat e shkollës…”
Mbas sa vitësh në universitetin e Tiranës, në fakultetin e matematikës, e larguen se Profesori kishte deklarue: “Nuk shpjegoj unë lëndën asnjëherë sipas tekstëve sovjetike, sëpse ata kanë gabime!”.
Kishte takue njëherë shokun e tij të vjetër, me të cilin njihëj që në Francë, porsa ai kishte dalë nga burgu i Burrelit, Foto Balën, nga Himara. Me kërkesën e atij, kishin shkue në Komitetin Qendror të PPSH, mbasi Foto donte me takue një shok tjetër po t’asaj kohë, Ever Hoxhën, me të cilin, kishin “ngrenë në një trapez”, siç thonte Prof. Fundo. Mbasi kishin shkrue emnat tek “dezhurni” i komiitetit qendror, kishin pritë një orë. Mbas një ore “dolli sekretari i tij dhe na tha, shoku Enver është shumë i zenë dhe nuk ju pret dot!”. Prej asaj kohë (rreth 1953 – 54?) nuk kishin ba ma asnjë përpjekje me e takue asnjëni as tjetri me ate.
Prof. Fundo ishte i edukuem nga vetë familja e tij shumë fetar. Në Shkodër, Ai deklarohej besimtar. Kjo nuk ishte falso, mbasi në biseda dhe bindje të shprehuna prej Tij, besimi tek Papa ishte i palëkundun. Mund të tham me plot gojë se ishte ma Katolik se shumë të tjerë, që kanë lindë e vdekë në familje katolike në Shkodër. E diela dhe ditët e festave fetare për Té ishin ditë lutjesh dhe bamirësije. Një fukara që mund ta takonte në rrugë dhe nuk kishte të holla me e ndihmue, për Prof. Fundon, ishte “vuajtje”. Kur trokiste dera dhe flitëj se asht tue pritë një fukara aty, Ai hapte raftat me gjetë bukën ma të mirën dhe, jo, kafshata, për me ia dhanë lypsit. Xhepat e Tij gjithnjë ishin bosh nga fukaratë. Madje, tregonte njëherë: “Kishte shkuar tek bërberi dhe, mbasi ishte qethur, i kishte thënë se, do ti sjellë paratë nesër, se ata 30 lekë që kisha në xhep, ia fala një fukarasë!..”.
Për lypsit thonte: “Mos i zeni në gojë kurrë emrat e tyre, se është shumë më e vështirë për të lypur, se për të falur!”.
Ai kishte shtëpinë e hapun për të gjithë ata që i konsideronte miqë!
Sigurisht veçonte personat si At Pjetër Meshkalla, At Aleks Baqli, Don Mark Hasi, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani, At Viktor Volaj etj., me të cilët i ka vazhdue lidhjet haptas deri në 1967, me “Revolucionin Kultural”, kohë në të cilën Ai u detyrue me u vetizolue, si gjithë populli shqiptar.
Mbas arrestimit të Klerit Katolik, Ai vazhdonte me ndigjue Meshën në radio si shumë besimtarë të tjerë në Shkoder. Po, nuk duhet harrue asnjëherë ajo kohë që ka kalue populli i Shkodres me “Revolucionin Kultural të 1967”!
Me anën e Motër Davës, ka ndihmue edhe të dënuemit randë ndër burgje, kryesisht, ata që nuk kishin asnjë mundësi ndihme ekonomike.
Kur u pat sëmue me sy në vitin 1968 dhe e dërguen në Rumani për një operacion, para se me hy në sallën e operacionit, mjeku e ka pyet: “A ke dëshirë për ndonjë gjë, mbasi nesër do të bëjmë operacionin? – Ky i asht përgjegjë: Do të dëshëroja të më sillni një Prift Katolik, mbasi kam dëshirë për t’ u rrëfyer dhe kunguar, mbasi ka disa vite që në Shqipëri, nuk kam patur mundësi ti bëja!”.
Mjeku ia ka sjellë Priftin mbas gjysëm ore. “Kur dola nga operacioni, – shpjegonte Prof., më trajtuan shumë më mirë se përpara operacionit, mbasi një motër (murgeshë), që i shërbente, i kishte tregue, se: Nuk të njihnim, këtu sjellin vetëm komunistë nga Shqipëria për mjekim dhe operacione.”.
Një natë mbas uratëve të darkës, e shoqja, i thotë: “Ti vazhdo e thuej edhe një Rruzare Purgatorësh, se unë, po pregatis çajën…” Ky i asht përgjegjë: “Mirë, edhe unë po thëm një Rruzare për Ever Hoxhën, mbasi për shpirtin e tij nuk lutët njëri në Shqipëri, ndoshta, Zoti ka mëshirë dhe e falë për ato të zeza që ka bërë!”. Ajo i ka kundërshtue, se Zoti nuk ka me ta vue veshin ma as ty, që lute për té. Prof. ka vazhdue punën e vet…
“Unë vëndosa të lutëm për té, se Zoti na porositë, që né ti falim armiqët tanë, por edhe të lutemi për ata. Unë po kryeja detyren time ndaj të Plotfuqishmit, por jo ndaj Everit!”.
Kishte një humor shumë të hollë e domethanës. Më pyeste: “Hë, ke bërë gjë këto ditë në pikturë?” Unë, shpesh, i thojshe: “Asgja, Profesor, më ka ra një demeli e nuk i kam prekë penelat me dorë!” Ai qeshej dhe, më thonte: “Shumë mirë. Shpejtë ke për të bërë një vepër arti të bukur, mbasi koha e “dembelisë” është periudhë mendimi, krijuesit që mendojnë bëjnë gjëra të bukura. Ata që kujtojnë se duke punuar përditë truri ju krijon gjëra të bukura e me vlerë artistike, apo shkencore, gabojnë! Kur njeriu kujton se ka rënë në njëfarë plogështije apo dëmbelie, atëherë, truri i tij prodhon diçka me vlerë të madhe!”.
Kur ka pa veprën teme grafike “Krishti i vdekun” (1961), (vepër e vëndosun në kopertinën e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990”, që i asht dhurue Papës Gjon Pali II, në vitin 1993), më ka thanë: “Të gjithë artistët që punojnë Jezu Krishtin, mbesin të përjetëshëm në art dhe, shpesh ka ndodhur, që, ajo vepër ka mbetur kryevepra e tij!”.
Kishe me thanë se ky përkufizim asht i pakundërshtueshëm në rastim tem!
Në vitin 1986, u bisedue, se, Shtraus i Bavarisë, kërkon nga udhëheqësit komunistë të Shqipnisë, hapjën e kufinjve, lirimin e të burgosunve politik dhe lirinë e Fesë në Shqipni. Kur unë i tregova Prof. Petro Fundos, Ai tha: “Ja pra, i erdhe fundi i pritur edhe komunizmit barbar vrastar në Shqipëri.
Zoti do ta bënte njëditë shkatërrimin e këtij sistemi, por Mbrekullia e shkatërrimit qëndron në faktin se, fundi i erdhi me Lirinë e Fesë, dyert e ferrit u shpartalluan ashtu siç’ pritej. Po shpeton dhe Shqipëria!”.
Keqsimi i gjendjes së Tij shndetsore ishte krejt i papritun per të gjithë!
Ai vërtetë vdiq në vitin 1989, por siguria e permbysjes së sistemit komunist dhe e Fitores së Lirisë së Fesë në boten komuniste, per Profesor Petron ishte një bindje e plotë dhe e padiskutueshme. Po, ajo që e bante edhe ma interesante bindjen e Prof. Fundos, ishte “permbysja me rrugë paqsore”.
Gjithnjë persëriste një thanje: “Feja nuk ringjallet kurr me gjakderdhje!”
Vorrimi i Profesor Petro Fundos u ba nga familja dhe Ata që duhet t’ishin atëditë nder Vorrezat e Rrëmajit u ndodhen të gjithë paperjashtim aty.
Prof. Petro Zheji, në ceremoninë private të vorrimit nga familja, tek vorri i Tij tha këto fjalë: “Sot, këtu, po varrosim një shkencëtar…” dhe, me të vertetë aty na varrosëm: “Një shkencëtar, Një dijetar, Një pedagog, Një Qytetar Nderi të Shkodres dhe Një Besimtar të vërtetë dhe të denjë në vazhdën e Martirëve të heshtun…”
Bindjet e Profesor Petro Fundos per t’ ardhmen e Popullit Shqiptar mbeten jo vetem fakte të pakundershtueshme po, edhe të vertetueme nga koha.
Aq sa ishte i saktë në shkencen e matematikës, Profesor Fundo aq i njoftun ka mbetë në parashikimet e Tij per t’ ardhmen e Popullit Shqiptar.
Ja një fakt i dijtun nga shumë bashkohës të Profesor Petro Fundos:
Thanja e Profesor Petro Fundos që shpesh e persëriste mbetet e daltueme per vetë aktualitetin e saj edhe sot në Shqipninë e “rilindur komuniste”:
“Diktatorët terroristë e kriminel si Ever Hoxha, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjës!”. E “ndoshta” kjo thanje e Profesor Fundos, ndikon edhe sot në kalimin e Emnit Tij të nderuem n’ “arkivin e zhdukjes së perjetshme” me grupin e dijetarve dhe shkrimtarve të Veriut!?
Melbourne, 31 Korrik 2023.